Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 10 Korrik 2025 - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 10 Korrik 2025

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 10 Korrik 2025:
V E N D I M
PËR
PËRCAKTIMIN E AUTORITETIT TË AUTORIZUAR PËR REALIZIMIN E SHENJIMIT DHE GJURMUESHMËRISË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 5, të nenit 34, të ligjit nr.61/2023, “Për kontrollin e kultivimit dhe përpunimit të bimës së cannabis-it dhe prodhimit të nënprodukteve të saj për qëllime mjekësore dhe industriale”, me propozimin e ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe të ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Autoriteti i autorizuar për realizimin e shenjimit dhe gjurmueshmërisë, sipas ligjit nr.61/2023, “Për kontrollin e kultivimit dhe përpunimit të bimës së cannabis-it dhe prodhimit të nënprodukteve të saj për qëllime mjekësore dhe industriale”, është shoqëria “ALBTrace Co”, sh.a.
2. Ngarkohen Ministria e Financave, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Agjencia Kombëtare e Kontrollit të Cannabis-it dhe shoqëria “ALBTrace Co”, sh.a., për zbatimin e këtij vendimi.
     Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU 
*** 
V E N D I M 
PËR
EMËRIMIN NË DETYRË TË KRYETARIT TË QENDRЁS KOMBЁTARE TЁ KINEMATOGRAFISЁ
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 7, të ligjit nr.8096,  datë 21.3.1996, “Për kinematografinё”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Z. Jonid Jorgji emërohet kryetar i Qendrёs Kombёtare tё Kinematografisё.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA 
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU 
*** 
V E N D I M
PËR
KUSHTET E NEGOCIIMIT TË SHOQËRISË SHTETËRORE “KAYO”, SH.A., ME SHOQËRI PRIVATE PËR PRODHIMIN DHE TREGTIMIN E MUNICIONEVE TË KALIBRAVE TË VEGJËL E TË MESËM
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3, të nenit 10, të ligjit nr.88/2024, “Për krijimin e shoqërisë shtetërore për prodhimin dhe tregtimin e armëve, municioneve, pajisjeve dhe teknologjive ushtarake”, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Ky vendim ka për objekt miratimin e kushteve të negociimit të shoqërisë “KAYO”, sh.a., me shoqëri private, me qëllim krijimin e një shoqërie aksionare të përbashkët, për prodhimin dhe tregtimin e municioneve të kalibrave të vegjël e të mesëm, të regjistruar në Republikën e Shqipërisë, në përputhje me legjislacionin në fuqi për shoqëritë tregtare dhe sipas kushteve të përcaktuara në këtë vendim.
2. Shoqëria “KAYO”, sh.a., do të negociojë dhe do të pranojë një pjesëmarrje jo më të ulët se 20% të aksioneve në shoqërinë e përbashkët, që do të krijojë me shoqëri private.
3. Shoqëria “KAYO”, sh.a., do të kontribuojë në entitetin e ri tregtar, me pasuri të paluajtshme, në masën jo më pak se 20 000 m2, që do t’i jepen në përdorim shoqërisë së përbashkët, në një nga format e parashikuar nga Kodi Civil i Republikës së Shqipërisë, pa të drejtë tjetërsimi.
4. Shoqëria “KAYO”, sh.a., gjatë procesit të negociimit, në çdo rast, siguron nga subjekti, me të cilin negocion, minimalisht:
a) një vlerë investimi jo më të ulët se 60 milionë euro në harkun kohor të  3 (tre) vjetëve;
b) punësimin e jo më pak se 80 (tetëdhjetë) punonjësve në harkun kohor të  3 (tre) vjetëve;
c) ofrimin e linjave teknologjike të prodhimit të municioneve të kalibrave të vegjël e të mesëm, sipas nevojave operacionale të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë dhe strukturave të tjera të sigurisë;
ç)  sigurimin e rrjetit të shpërndarjes së produkteve, në rast eksporti.
5. Shoqëria “KAYO”, sh.a., siguron nga pala tjetër, gjatë negociatave, se, përpos parashikimeve të tjera, objekti i aktivitetit të shoqërisë tregtare, që do të krijohet, do të përmbajë prodhimin dhe tregtimin e municioneve për Forcat e Armatosura, si dhe municionet për përdorim nga strukturat e tjera të sigurisë.
6. Shoqëria “KAYO”, sh.a., siguron nga pala tjetër, gjatë negociatave, se administratori/ët i/e shoqërisë, që do të krijohet nga dy shoqëritë e sipërpërmendura, zgjidhet/n me dakordërsinë e shoqërisë “KAYO”, sh.a.
7. Shoqëria “KAYO”, sh.a., siguron nga pala tjetër, gjatë negociatave, se minimalisht 30% të këshillit drejtues ose të këshillit mbikëqyrës të shoqërisë, që do të krijohet, në rast se forma e shoqërisë parashikon këto organe drejtuese/mbikëqyrëse, do të emërohen nga shoqëria “KAYO” sh.a.
8. Statuti i shoqërisë, që do të krijohet, përmban dispozitat për të drejtën e vetos që gëzon shoqëria “KAYO”, sh.a., në bazë të pikës 9, të nenit 10, të                               ligjit nr.88/2024, “Për krijimin e shoqërisë shtetërore për prodhimin dhe tregtimin e armëve, municioneve, pajisjeve dhe teknologjive ushtarake”.
9. Siguria fizike e personelit dhe infrastrukturës do të sigurohet nga Forcat e Armatosura, sipas akteve nënligjore të nxjerra nga autoritetet kompetente, sipas ligjit nr.64/2014, “Për pushtetet dhe autoritetet e drejtimit dhe komandimit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar.
10. Autorizohen shoqëria “KAYO”, sh.a., dhe shoqëria private, me të cilën do të bashkëpunojë, të furnizojnë Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë me municione nëpërmjet shoqërisë që do të krijohet, në përputhje me këtë vendim.
11. Ngarkohet shoqëria shtetërore “KAYO”,  sh.a., për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU 
*** 
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË LETËRMARRËVESHJES SË GRANTIT, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE BANKËS NDËRKOMBËTARE PËR RINDËRTIM DHE ZHVILLIM, PËR FINANCIMIN E PROJEKTIT “PËRMIRËSIMI I PRAKTIKAVE TË KONTABILITETIT DHE RAPORTIMIT TË SEKTORIT PUBLIK NË SHQIPËRI”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10 të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të letërmarrëveshjes së grantit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, për financimin e projektit “Përmirësimi i praktikave të kontabilitetit dhe raportimit të sektorit publik në Shqipëri”, me një grant në shumën 1 200 000.00 USD (një milion e dyqind mijë dollarë amerikanë), sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU 
*** 
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES SË HUAS, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE BANKËS EVROPIANE PËR RINDËRTIM DHE ZHVILLIM, PËR PROJEKTIN “KORRIDORI HEKURUDHOR VIII,  FAZA I – SEKSIONI DURRËS – RROGOZHINË”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 26 e 27, të ligjit nr.9665, datë 18.12.2006, “Për huamarrjen shtetërore, borxhin shtetëror dhe garancitë shtetërore të huas në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë dhe të ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, për projektin “Korridori hekurudhor VIII, faza I – seksioni Durrës – Rrogozhinë”, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU 
*** 
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES SË GARANCISË, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE BANKËS EVROPIANE PËR RINDËRTIM DHE ZHVILLIM (BERZH), PËR MARRËVESHJEN E HUAS, NDËRMJET KORPORATËS ELEKTROENERGJETIKE SHQIPTARE, SH.A. (KESH, SH.A.) DHE BANKËS EVROPIANE PËR RINDËRTIM DHE ZHVILLIM (BERZH), PËR PROJEKTIN FOTOVOLTAIK (FV) SOLAR NGA KESH-I
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 27, të ligjit nr.9665, datë 18.12.2006, “Për huamarrjen shtetërore, borxhin shtetëror dhe garancitë shtetërore të huas në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë dhe të ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I: 
Miratimin, në parim, të marrëveshjes së garancisë, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), për marrëveshjen e huas, ndërmjet Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare, sh.a. (KESH, sh.a.) dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), për projektin fotovoltaik (FV) solar nga KESH-i, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
 EDI RAMA   
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU 
*** 
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E MARRËVESHJES NDRYSHUESE, ME SHKËMBIM LETRASH, TË MARRËVESHJES SË HUAS, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SЁ SHQIPЁRISЁ DHE FONDIT SAUDIT PËR ZHVILLIM, PËR PROJEKTIN E REHABILITIMIT  DHE NDËRTIMIT TË OBJEKTEVE NË AFËRSI TË RRUGËS BREGDETARE (VLORË-ORIKUM), RATIFIKUAR ME LIGJIN NR.83/2021
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 19 e 23 të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin e marrëveshjes ndryshuese, me shkëmbim letrash, të marrëveshjes së huas, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Fondit Saudit për Zhvillim, për projektin e rehabilitimit dhe ndërtimit të objekteve në afërsi të rrugës bregdetare (Vlorë-Orikum), ratifikuar me ligjin nr.83/2021, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU 
*** 
V E N D I M
PËR 
MIRATIMIN E MARRËVESHJES NDRYSHUESE ME SHKËMBIM LETRASH TË MARRËVESHJES SË HUAS, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE BANKËS NDËRKOMBËTARE    PËR RINDËRTIM DHE ZHVILLIM, PËR FINANCIMIN SHTESË  PËR PROJEKTIN “PËRMIRËSIMI I SISTEMIT TË SHËNDETËSISË”, RATIFIKUAR ME LIGJIN NR.52/2022
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 19 e 23, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin e marrëveshjes ndryshuese me shkëmbim letrash të marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, për financimin shtesë për projektin “Përmirësimi i sistemit të shëndetësisë”, ratifikuar me ligjin nr.52/2022, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU 
*** 
V E N D I M
PËR
NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.226, DATË 9.4.2024,   TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR SHPËRNDARJEN  DHE DETAJIMIN E FONDIT PËR FINANCIMIN E PROJEKTEVE TË BASHKIVE NGA PROGRAMI “MENAXHIMI I INFRASTRUKTURËS SË KULLIMIT DHE UJITJES”’, TË NDRYSHUAR
 Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 11, të ligjit nr.115/2024, “Për buxhetin e vitit 2025”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Tabela 1, “Lista e projekteve”, që i bashkëlidhet vendimit nr.226,  datë 9.4.2024, të Këshillit të Ministrave, “Për shpërndarjen dhe detajimin e fondit për financimin e projekteve të bashkive nga programi “Menaxhimi i infrastrukturës së kullimit dhe ujitjes””, të ndryshuar, zëvendësohet me tabelën me të njëjtin numër e titull, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Ngarkohen Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Ministria e Financave dhe bashkitë për zbatimin e këtij vendimi.
 Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU 
*** 
V E N D I M
PËR 
NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.322, DATË 11.6.2025, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E KUSHTEVE TË NEGOCIIMIT TË SHOQËRISË SHTETËRORE “KAYO”, SH.A., ME SHOQËRI TREGTARE PRIVATE PËR PRODHIMIN OSE PËRSHTATJEN E MJETEVE MOTORIKE TË POSAÇME”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3, të nenit 10, të  ligjit nr.88/2024, “Për krijimin e shoqërisë shtetërore për prodhimin dhe tregtimin e armëve, municioneve, pajisjeve dhe teknologjive ushtarake”, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në pikën 2, të vendimit nr.322, datë 11.6.2025, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e kushteve të negociimit të shoqërisë shtetërore “KAYO”, sh.a., me shoqëri tregtare private për prodhimin ose përshtatjen e mjeteve motorike të posaçme”, numri 45 zëvendësohet me numrin 20.
2. Ngarkohet shoqëria shtetërore “KAYO”, sh.a., për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU 
*** 
V E N D I M 
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.20, DATË 17.1.2024, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “LIDHJA E RRUGËS TRANSBALLKANIKE ME PORTIN DETAR”, VLORË”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të   ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë pronë private për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.20, datë 17.1.2024, të Këshillit të Ministrave, “Për shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Lidhja e Rrugës Transballkanike me Portin Detar”, Vlorë”, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
a) Në pikat 3 dhe 4, vlera “… 182 020 370.86 (njëqind e tetëdhjetë e dy milionë e njëzet mijë e treqind e shtatëdhjetë pikë tetëdhjetë e gjashtë) lekë …” zëvendësohet me “… 200 831 026.08 (dyqind milionë e tetëqind e tridhjetë e një mijë e njëzet e gjashtë pikë zero tetë) lekë …”;
b) Në tabelën bashkëlidhur vendimit nr.20, datë 17.1.2024, të Këshillit të Ministrave, bëhen ndryshimet dhe shtesa e mëposhtme:
i. Të dhënat për shpronësimin, që u përkasin numrave rendorë 17 dhe 18, zëvendësohen me të dhënat e pasqyruara në numrin rendor 17 të tabelës, që i bashkëlidhet këtij vendimi;
ii. Të dhënat për shpronësim të numrave rendorë 28, 29 dhe 43 të tabelës, bashkëlidhur vendimit nr.20, datë 17.1.2024, të Këshillit të Ministrave, zëvendësohen me të dhënat me të njëjtin numër rendor të tabelës, që i bashkëlidhet këtij vendimi;
iii. Tabelës, bashkëlidhur vendimit nr.20, datë 17.1.2024, të Këshillit të Ministrave, i shtohen pasuritë me numra rendorë                   51-55 të tabelës, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2.  Pronarët e pasurive me numrat 32/589 dhe 32/134+1-10, që janë likuiduar sipas vlerës së përcaktuar para hyrjes në fuqi të këtij vendimi, kompensohen, për efekt shpronësimi, vetëm për diferencën e vlerës së shtuar të kompensimit, sipas tabelës që i bashkëlidhet këtij vendimi.
3. Shpenzimet procedurale, në vlerën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, përballohen nga Bashkia Vlorë.
4. Ngarkohen Ministria e Financave, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Bashkia Vlorë, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Vlorë dhe Agjencia Shtetërore për Shpronësimin për zbatimin e këtij vendimi.
     Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
                 
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU 
*** 
V E N D I M 
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.384, DATË 29.6.2023, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “REHABILITIMI I RRUGËS  SË ISH-REPARTIT USHTARAK PËR NË AEROPORTIN E RINASIT”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të  ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë pronë private për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.384 datë 29.6.2023, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
a) Në pikën 3, fjalët “… vlera e përgjithshme prej 477 120 (katërqind e shtatëdhjetë e shtatë mijë e njëqind e njëzet) lekësh.” zëvendësohen me                  “… vlera e përgjithshme prej 1 482 432 (një milion e katërqind e tetëdhjetë e dy mijë e katërqind e tridhjetë e dy) lekësh.”;
b) Pika 4, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit prej 1 482 432 (një milion e katërqind e tetëdhjetë e dy e mijë e katërqind e tridhjetë e dy) lekësh përballohet, si më poshtë vijon:
a) Vlera e përgjithshme e shpronësimit prej 477 120 (katërqind e shtatëdhjetë e shtatë mijë e njëqind e njëzet) lekësh përballohet nga Autoriteti Rrugor Shqiptar;
b) Vlera shtesë prej 1 005 312 (një milion e pesë mijë e treqind e dymbëdhjetë) lekësh përballohet nga buxheti i shtetit, llogaria “Fondi i shpronësimeve”, në Bankën e Shqipërisë.”.
c) Kudo në përmbajtje të vendimit, fjalët “pronarit të pasurisë së paluajtshme”, “pronari i pasurisë së paluajtshme” dhe “pronarit të shpronësuar” zëvendësohen përkatësisht me “pronarëve të pasurisë së paluajtshme”, “pronarët e pasurive të paluajtshme”, “pronarëve të shpronësuar”.
ç) Tabelës bashkëlidhur vendimit nr.384, datë 29.6.2023, të Këshillit të Ministrave, i shtohet tabela, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Bashkëpronarët e pasurisë së paluajtshme, pronë private, të pasqyruar në tabelën shtesë që i bashkëlidhet këtij vendimi, kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim pranë Agjencisë Shtetërore për Shpronësimin.
3. Agjencia Shtetërore për Shpronësimin kryen procedurat për likuidimin e bashkëpronarëve të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.
4. Shpenzimet procedurale shtesë, në vlerën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, përballohen nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.
5. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Autoriteti Rrugor Shqiptar, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Kamzë – Vorë, Drejtoria e Administrimit dhe e Mbrojtjes së Tokës pranë Këshillit të Qarkut Tiranë dhe Agjencia Shtetërore për Shpronësimin për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU 
*** 
V E N D I M 
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.397, DATË 13.5.2020, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA PROJEKTI “NDËRTIMI I SEGMENTIT RRUGOR UNAZA LINDORE LOTI 3”, TIRANË, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të  ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë pronë private për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.397 datë 13.5.2020, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
a) Në pikën 3, vlera “… 1 231 857 207.57 (një miliard e dyqind e tridhjetë e një milionë e tetëqind e pesëdhjetë e shtatë mijë e dyqind e shtatë pikë pesëdhjetë e shtatë) lekë …” zëvendësohet me “… 1 240 379 782.17 (një miliard e dyqind e dyzet milionë e treqind e shtatëdhjetë e nëntë mijë e shtatëqind e tetëdhjetë e dy pikë shtatëmbëdhjetë) lekë …”;
b) Në pikën 4, vlera “… 1 231 857 207.57 (një miliard e dyqind e tridhjetë e një milionë e tetëqind e pesëdhjetë e shtatë mijë e dyqind e shtatë pikë pesëdhjetë e shtatë) lekë …” zëvendësohet me “… 1 240 379 782.17 (një miliard e dyqind e dyzet milionë e treqind e shtatëdhjetë e nëntë mijë e shtatëqind e tetëdhjetë e dy pikë shtatëmbëdhjetë) lekë …”;
c) Pas pikës 4/1 shtohet pika 4/2, me këtë përmbajtje:
“4/2. Vlera shtesë, prej 8 522 574.60 (tetë milionë e pesëqind e njëzet e dy mijë e pesëqind e shtatëdhjetë e katër pikë gjashtëdhjetë) lekësh, përballohet nga buxheti i shtetit, llogaria “Fondi i shpronësimeve”, në Bankën e Shqipërisë.”.
2. Shpenzimet procedurale shtesë, në vlerën 70 000 (shtatëdhjetë mijë) lekë, përballohen nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.
3. Tabelës, bashkëlidhur vendimit nr.397, datë 13.5.2020, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, i shtohet tabela, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
4. Pronari i pasurisë së paluajtshme, pronë private, i pasqyruar në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, kompensohet, për efekt shpronësimi, pasi të ketë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim pranë Agjencisë Shtetërore për Shpronësimin.
5. Agjencia Shtetërore për Shpronësimin kryen procedurat për likuidimin e pronarit të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.
6. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Financave, Autoriteti Rrugor Shqiptar, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Tiranë Rurale 1 dhe Drejtoria Vendore Tiranë Jug, dhe Agjencia Shtetërore për Shpronësimin për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
 EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU 
*** 
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.819, DATË 26.12.2024, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E RREGULLORES SË KANCELARISË SË URDHRAVE DHE MEDALJEVE”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 4, të nenit 26, të  ligjit nr.93/2022, “Për dekoratat në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. Në vendimin nr.819, datë 26.12.2024, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e rregullores së Kancelarisë së Urdhrave dhe Medaljeve”, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
1. Në bazën ligjore, togfjalëshi “… dhe të pikës 2, të nenit 53, të  ligjit nr.162/2020, “Për prokurimin publik”, të ndryshuar, …” shfuqizohet.
2. Në pikën 2, të nenit 3, bëhen ndryshimi dhe shtesa e mëposhtme:
a) Shkronja “b”, e pikës 2, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“b) kryen procedurat për blerjen e dekoratave, të parashikuara në nenin 5, të ligjit nr.93/2022, si dhe të certifikatave e letrave njoftuese të tyre.”.
b) Pas shkronjës “b”, të pikës 2, shtohet shkronja “c”, me këtë përmbajtje:
“c) paraqet, sipas rastit e fushës së përgjegjësisë së saj, pranë Kryeministrit, propozime për akte ligjore dhe nënligjore.”.
3. Neni 4 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Neni 4
Blerja dhe administrimi i dekoratave, certifikatave dhe letrave njoftuese
1. Dekoratat, certifikatat dhe letrat njoftuese, të cilat sigurohen në përputhje me shkronjën “b”, të pikës 2, të nenit 3, administrohen nga Kancelaria e Urdhrave dhe Medaljeve dhe i vendosen në dispozicion, sipas rastit, autoritetit përgjegjës për dhënien e tyre.
2. Shpenzimet për blerjen e dekoratave, certifikatave dhe letrave njoftuese përballohen nga buxheti i Kancelarisë së Urdhrave dhe Medaljeve.”.
II. Ngarkohet Kancelaria e Urdhrave dhe Medaljeve për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU 
*** 
V E N D I M
PËR
 PËRCAKTIMIN E MËNYRËS SË PARAQITJES SË KËRKESËS,  TË DOKUMENTACIONIT TË NEVOJSHËM, TË RREGULLAVE PËR DEKLARIMIN DHE NDRYSHIMIN E VENDBANIMIT OSE TË VENDQËNDRIMIT TË SHTETASVE, SI DHE PËR SHTETASIT NË INSTITUCIONET SHËNDETËSORE DHE NË INSTITUCIONET E EKZEKUTIMIT TË VENDIMEVE PENALE 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 7, të nenit 14, të ligjit nr.10129, datë 11.5.2009, “Për gjendjen civile”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I: 
1. Shtetasit me vendbanim ose vendqëndrim në territorin e Republikës së Shqipërisë kryejnë deklarimin, ndryshimin ose saktësimin e vendbanimit apo të vendqëndrimit në rrugë elektronike (on-line), në portalin qeveritar                          “e-Albania”, duke ngarkuar dokumentin e pronësisë së banesës, kontratën e qiramarrjes, të huadhënies, të përdorimit ose çdo dokument tjetër të ligjshëm, që provon vendbanimin ose vendqëndrimin e tyre në adresën e deklaruar.
2. Shtetasi, i cili kërkon të banojë në një familje ekzistuese, paraqet kërkesën në rrugë elektronike (on-line), nëpërmjet portalit qeveritar “e-Albania”. Kjo kërkesë duhet të konfirmohet nga kryefamiljari i familjes pritëse në portalin qeveritar “e-Albania”, duke respektuar standardet e banimit, të miratuara nga legjislacioni në fuqi.
3. Dokumentet e ngarkuara nga shtetasi në shërbimin elektronik në portalin qeveritar “e-Albania” ruhen në bazën e të dhënave të Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile.
4. Deklarimi, ndryshimi ose saktësimi i vendbanimit, me kërkesë të kryefamiljarit, pasqyrohet njëkohësisht për të gjithë anëtarët e tjerë të familjes.
5. Anëtari madhor i familjes, i cili kërkon të ndryshojë vendbanimin, më parë duhet të kryejë procedurën e veçimit nga familja.
6. Të gjithë anëtarët e një familjeje duhet të kenë të njëjtën adresë vendbanimi, që plotëson të gjitha elementet e adresës, sipas dispozitave të parashikuara nga legjislacioni për sistemin e adresave në Republikën e Shqipërisë.
7. Shtetasi ka detyrimin të deklarojë vendqëndrimin e tij, përveç rasteve të parashikuara në pikën 8 të këtij vendimi.
8. Për shtetasit, që kryejnë dënimin në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale apo qëndrojnë në institucionet e paraburgimit në pritje të vendimit gjyqësor për më shumë se 3 (tre) muaj dhe shtetasit që qëndrojnë pa ndërprerje në institucione shëndetësore për kurim mjekësor afatgjatë dhe kur qëndrimi në këto institucione zgjat më shumë se 3 (tre) muaj, institucioni përgjegjës duhet të paraqesë, brenda 48 (dyzet e tetë) orëve nga plotësimi i afatit të mësipërm, pranë zyrës së gjendjes civile, që ka në juridiksion territorial institucionin përkatës, listën emërore të tyre, e cila duhet të përmbajë emrin, mbiemrin dhe numrin personal.
9. Kur përfundon qëndrimi i shtetasve në një nga institucionet e përcaktuara në pikën 8 të këtij vendimi, institucioni përkatës njofton zyrën e gjendjes civile, që ka në juridiksion territorial lidhur me këtë fakt, brenda 5 (pesë) ditëve.
10. Shkëmbimi i të dhënave, sipas pikave 8 dhe 9 të këtij vendimi, kryhet me ndërveprim nëpërmjet platformës qeveritare të ndërveprimit.
11. Në rastet kur konstatohet se anëtarët e së njëjtës familje kanë adresë vendbanimi të ndryshme nga njëri-tjetri, nëpunësi duhet të kryejë saktësimin e të dhënave të vendbanimit.
12. Me ndryshimin e vendbanimit të shtetasve, nga zyrat e gjendjes civile në bashki/njësi administrative kryhen përditësimet e përbërësve të tjerë të gjendjes civile, si elementet e adresës së vendbanimit dhe numri i votimit.
13. Zyrat e gjendjes civile në bashki/njësi administrative, në rastin kur konstatojnë se ka mangësi në dokumentacion për deklarimin, ndryshimin ose saktësimin e vendbanimit apo të vendqëndrimit, njoftojnë brenda 24 (njëzet e katër) orëve shtetasit për plotësimin e dokumentacionit nëpërmjet portalit qeveritar                    “e-Albania”. Plotësimi i dokumentacionit të kërkuar nga zyra e gjendjes civile bëhet nga shtetasit brenda 3 (tri) ditëve nga njoftimi.
14. Zyrat e gjendjes civile në bashki/njësi administrative, në rastin kur konstatojnë se adresa e shtetasit nuk përmban të gjitha elementet e adresës, sipas dispozitave të parashikuara nga legjislacioni për sistemin e adresave në Republikën e Shqipërisë, njoftojnë, brenda 24 (njëzet e katër) orëve, shtetasit për plotësimin e dokumentacionit nëpërmjet portalit qeveritar “e-Albania”. Plotësimi i dokumentacionit të kërkuar nga zyra e gjendjes civile bëhet nga shtetasit brenda 3 (tri) ditëve nga njoftimi.
15. Zyrat e gjendjes civile në bashki/njësi administrative, kur konstatojnë element të pasaktë të adresës, që mund të rregullohet prej tyre, e saktësojnë këtë element kryesisht, pa qenë nevoja për aplikim nga ana e shtetasit.
16. Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit apo zyra që mbulon shtetësinë dhe refugjatët njofton shërbimin e gjendjes civile për çdo akt që krijon, shuan apo ndryshon të drejta lidhur me vendqëndrimin e shtetasve të huaj me leje qëndrimi, të shtetasve të huaj që kanë fituar statusin e refugjatit ose të mbrojtjes plotësuese, si dhe të personave pa shtetësi.
17. Nëpunësi i zyrës së gjendjes civile, pas marrjes së dokumentacionit dhe të kërkesës nga shtetasit apo nga institucionet që e kanë këtë detyrim ligjor, bën deklarimin ose ndryshimin e adresës së shtetasit të huaj në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes civile, sipas rregullave të përcaktuara nga legjislacioni në fuqi për të huajt.
18. Vendimi nr.1243, datë 11.12.2009, i Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e dokumenteve, që duhen të paraqesin shtetasit, e të procedurave që duhet të kryejnë zyrat e gjendjes civile, në bashki/njësi administrative dhe institucionet shtetërore të posaçme, për ndryshimet e vendbanimit/adresës së shtetasve”, të ndryshuar, shfuqizohet.
19. Ngarkohen Ministria e Brendshme, Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile, zyrat e gjendjes civile në bashki/njësi administrative, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU 
*** 
V E N D I M
PËR
PJESËMARRJEN E PERSONELIT TË FORCAVE TË ARMATOSURA TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, NË PËRBËRJE  TË GRUP-BATALIONIT SHUMËKOMBËSH TË NATO-S, NË OPERACIONIN E FORCËS SË PËRPARUAR TOKËSORE (FORWARD LAND FORCE), DREJTUAR NGA NATO-JA, NË NOVO SELO, BULLGARI
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 1, të nenit 7, të  ligjit nr.9363, datë 24.3.2005, “Për dërgimin e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë jashtë vendit, si dhe për mënyrën e procedurat e vendosjes dhe kalimit të forcave ushtarake të huaja në territorin e Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të shkronjës “ç”, të nenit 11, të ligjit nr.64/2014, “Për pushtetet dhe autoritetet e drejtimit e të komandimit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Dërgimin me mision të një toge, të përbërë nga 30 (tridhjetë) ushtarakë të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, në operacionin e Forcës së Përparuar Tokësore (Forward Land Force), drejtuar nga NATO-ja, në Novo Selo, Bullgari.
2. Misioni i personelit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë është kryerja e detyrave në mbështetje të grup-batalionit shumëkombësh për sigurinë e kufirit lindor të Aleancës, në zonën e caktuar të përgjegjësisë.
3. Venddislokimi i togës së Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë është në Novo Selo, Bullgari.
4. Kohëzgjatja e këtij misioni është deri më 31.12.2028, me sistem rotacioni. Periudha e rotacionit, për çdo togë, është 180 (njëqind e tetëdhjetë) ditë, së cilës i shtohen edhe ditët e qëndrimit për ndërrimin me togën e radhës.
5. Ministria e Mbrojtjes, për ushtarakët pjesëmarrës në këtë operacion, përballon shpenzimet për:
a) dieta për ditët e qëndrimit, në masën 12 000 (dymbëdhjetë mijë) lekë në ditë, përveç pagës mujore;
b) akomodim;
c) ushqim;
ç) lavanderi;
d) sigurimin e jetës;
dh) siguracionin shëndetësor jashtë zonës së operacionit;
e) mbështetje shëndetësore;
ë) shpenzime për telefon, internet dhe shërbime postare;
f) transport;
g) transportimin e individëve të shkëputur të misionit për në atdhe, në rast vdekjeje, sëmundjeje ose thyerjeje disipline;
gj) aktivitete social-kulturore, në rastet e festave kombëtare, gjatë kohës së kryerjes së misionit;
h)  çdo shpenzim tjetër për mbarëvajtjen e kryerjes së operacionit.
6. Transporti i personelit, që merr pjesë në operacionin në Bullgari, ndërsa nis, ndryshon dhe përfundon detyrën për t’u kthyer në Shqipëri, mbështetja shëndetësore, akomodimi, ushqimi, uji, lavanderia, transporti i individëve të shkëputur nga operacioni për në atdhe, në rast vdekjeje, sëmundjeje ose thyerjeje disipline, përballohen nga buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes, përveç rasteve kur arrihet nënshkrimi i marrëveshjeve dy-ose shumëpalëshe, ku pala/palët tjetër/e tjera të marrë/marrin përsipër të përballojë/përballojnë këto shpenzime.
7. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, përballohen nga fondet e miratuara për buxhetin e Ministrisë së Mbrojtjes.
8. Vendimi nr.704, datë 4.11.2022, i Këshillit të Ministrave, “Për pjesëmarrjen e personelit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë në operacionin e prezencës dhe vigjilencës së përforcuar (eVA), drejtuar nga NATO-ja, në Bullgari”, i ndryshuar, shfuqizohet.
9.  Ngarkohet ministri i Mbrojtjes për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU 
*** 
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE  TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “SISTEMIM, ASFALTIM I AKSIT RRUGOR QAFË E PLLOCËS – HYRJA POGRADEC DHE UNAZA POGRADEC”, BASHKIA POGRADEC
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë pronë private për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Sistemim, asfaltim i aksit rrugor  Qafë e Plloçës – hyrja Pogradec dhe Unaza Pogradec”, Bashkia Pogradec.
2. Shpronësimi bëhet në favor të Bashkisë Pogradec.
3. Bashkëpronarët e pasurisë të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse që paraqitet në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, për pasuritë e llojit “arë”, “pemëtore”, “vresht”, “truall” dhe “apartament”, me një vlerë të përgjithshme prej                           27 180 840.50 (njëzet e shtatë milionë e njëqind e tetëdhjetë mijë e tetëqind e dyzet pikë pesëdhjetë) lekësh.
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit prej 27 180 840.50 (njëzet e shtatë milionë e njëqind e tetëdhjetë mijë e tetëqind e dyzet pikë pesëdhjetë) lekësh përballohet nga buxheti i shtetit, llogaria “Fondi i shpronësimeve”, në Bankën e Shqipërisë.
5. Vlera e shpenzimeve procedurale, në masën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, përballohet nga buxheti i Bashkisë Pogradec.
6. Shpronësimi fillon menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit është brenda 3 (tre) muajve nga data e hyrjes në fuqi të tij.
7. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, të pasqyruar në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim pranë Agjencisë Shtetërore për Shpronësimin.
8. Agjencia Shtetërore për Shpronësimin kryen procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.
9. Afati i fillimit dhe i përfundimit të punimeve është në përputhje me afatet e parashikuara nga Bashkia Pogradec.
10. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Pogradec, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, nis procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe për regjistrimin e kalimit të pronësisë në favor të Bashkisë Pogradec, për pasuritë e shpronësuara, sipas këtij vendimi.
11. Agjencia Shtetërore e Kadastrës pezullon të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin e realizimit të procesit të hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale dhe regjistrimin e kalimit të pronësisë, në favor të Bashkisë Pogradec, për pasuritë e shpronësuara, sipas këtij vendimi.
12. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Bashkia Pogradec, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Pogradec, Agjencia Shtetërore për Shpronësimin dhe Drejtoria e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës pranë Këshillit të Qarkut Korçë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU 
*** 
V E N D I M
PËR
TRANSFERIMIN E DISA PRONAVE NË PRONËSI TË BASHKISË KORÇË DHE PËR DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.1532, DATË 19.11.2008, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE,  “PËR MIRATIMIN E LISTËS PËRFUNDIMTARE TË PRONAVE TË PALUAJTSHME PUBLIKE SHTETËRORE, QË TRANSFEROHEN NË PRONËSI OSE NË PËRDORIM TË BASHKISË KORÇË, TË QARKUT TË KORÇËS”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 7 e 8, të  ligjit nr.8744, datë 22.2.2001, “Për transferimin e pronave të paluajtshme publike të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:  
1. Transferimin, në pronësi të Bashkisë Korçë, të pronave me numra rendorë 966 – 969, sipas shtojcës nr.1 dhe formularëve, planeve të rilevimit e planimetrisë, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij.
2. Pronat sipas shtojcës nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi, i shtohen lidhjes nr.1, që i bashkëlidhet vendimit nr.1532, datë 19.11.2008, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës përfundimtare të pronave të paluajtshme publike shtetërore, që transferohen në pronësi ose në përdorim të Bashkisë Korçë, të Qarkut të Korçës”, të ndryshuar.
3. Në vendimin nr.1532, datë 19.11.2008, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës përfundimtare të pronave të paluajtshme publike shtetërore, që transferohen në pronësi ose në përdorim të Bashkisë Korçë, të Qarkut të Korçës”, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime:
a) Në listën e inventarit, që i bashkëlidhet këtij vendimi, të dhënat e pronës me numër rendor 902 zëvendësohen me të dhënat, sipas formularit dhe planit të rilevimit, që i bashkëlidhen këtij vendimi.
b) Paragrafi i dytë, i pikës 1, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Lista me 192 (njëqind e nëntëdhjetë e dy) fletë, që i bashkëlidhet këtij vendimi, përfundon me numrin rendor 969 (nëntëqind e gjashtëdhjetë e nëntë).”.
4. Bashkisë Korçë i ndalohet ndryshimi i destinacionit dhe tjetërsimi i pronave të përcaktuara në shtojcën 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
5. Ngarkohen Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Bashkia Korçë, dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU 
*** 
V E N D I M
PËR
TRANSFERIMIN, NË PRONËSI TË BASHKISË SHKODËR, TË PRONËS ME EMËRTIMIN “NDËRTESA E GJYKATËS  SË RRETHIT GJYQËSOR SHKODËR”, ME NUMËR RENDOR 860, DHE PËR NJË SHTESË NË VENDIMIN NR.421, DATË 2.6.2010, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E LISTËS PËRFUNDIMTARE (TË PJESSHME) TË PRONAVE  TË PALUAJTSHME PUBLIKE SHTETËRORE, QË TRANSFEROHEN NË PRONËSI OSE NË PËRDORIM TË BASHKISË SHKODËR,  TË QARKUT TË SHKODRËS”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 7 e 8, të  ligjit nr.8744, datë 22.2.2001, “Për transferimin e pronave të paluajtshme publike të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Transferimin, në pronësi të Bashkisë Shkodër, të pronës me emërtimin “Ndërtesa e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër”, me numër rendor 860, sipas formularit, planit të rilevimit dhe planimetrive, që i bashkëlidhen këtij vendimi, për t’u përdorur për ushtrimin e funksioneve administrative.
2. Prona e përcaktuar në pikën 1 të këtij vendimi i shtohet listës së inventarit, që i bashkëlidhet vendimit nr.421, datë 2.6.2010, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës përfundimtare (të pjesshme) të pronave të paluajtshme publike shtetërore, që transferohen në pronësi ose në përdorim të Bashkisë Shkodër, të Qarkut të Shkodrës”, të ndryshuar.
3. Bashkisë Shkodër i ndalohet të ndryshojë destinacionin e përdorimit të pronës të përcaktuar në pikën 1 të këtij vendimi, ta tjetërsojë ose t’ua japë në përdorim të tretëve.
4. Ngarkohen Bashkia Shkodër dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.
Previous Romë, Kryeministri Rama në “Ukraine Recovery Conference 2025”