Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, mori pjesë në aktivitetin e organizuar në kuadër të 100-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Turqisë.
Ministri Hasani vlerësoi marrëdhëniet diplomatike Shqipëri-Turqi, të cilat sipas tij janë një reflektim i miqësisë reale që ekziston mes dy popujve.
“Partneriteti ynë strategjik nuk ka mbetur thjesht në letër, por është përkthyer në punë e arritje konkrete. Sot Turqia është një nga investitorët e partnerët kryesorë ekonomikë të Shqipërisë. Ne bashkëpunojmë ngushtësisht në fushën e sigurisë e mbrojtjes, në NATO e në organizata të tjera ndërkombëtare. Pavarësisht punës së mirë që është bërë, ende ka hapësirë për të bërë më shumë”, u shpreh kryediplomati shqiptar.
Marrëdhëniet diplomatike mes Shqipërisë dhe Turqisë u vendosën zyrtarisht më 15 dhjetor 1923 me nënshkrimin e “Marrëveshjes për Miqësinë dhe Bashkëpunimin e Përjetshëm”.