100 vjet Banka e Shqipërisë

Banka e Shqipërisë përkujtoi sot 100 vjetorin e krijimit të saj. Me këtë rast u organizua konferenca shkencore e nivelit të lartë me temë: ”Një shekull banking qendror: Nga themelimi institucional te roli si ankorë rajonale”, me pjesëmarrjen e guvernatorëve të bankave qendrore, përfaqësuesve të institucioneve financiare ndërkombëtare dhe akademikë të fushës, në një diskutim mbi sfidat me të cilat përballen ekonomitë e vogla dhe të mesme në një mjedis makroekonomik gjithnjë e më të fragmentuar, me kushte të reja gjeopolitike dhe zhvillime të shpejta në fushën e inovacionit financiar.

Kryeministri Edi Rama, i ftuar në Konferencën jubilare tha se 100 vjetori është një moment i rëndësishëm në historikun e Bankës së Shqipërisë, ndërkohë që e vlerësoi Bankën si një institucion të konsoliduar dhe me standarde të larta, që ka përballuar shumë sfida në rrugëtimin e tij. “Duke ardhur në këtë moment celebrimi mendoja që Banka e Shqipërisë është, në mos i vetmi ndër shumë të paktit institucione të Republikës sonë që mund të quhet i tillë me plot gojën – institucion, në atë kuptim dhe me ato standarde që kemi parasysh kur flasim për institucionet që i duhen një vendi dhe që bëjnë që ky vend të përmbushë kriteret e të qenit një vend në botën e zhvilluar dhe në tryezën e familjes europiane.” – u shpreh ai.

Në këtë kontekst, Kryeministri inkurajoi Bankën që të ecë me hapin që dikton koha sa i përket aplikimit të teknologjisë moderne në veprimtarinë e saj të përditshme. “Dua shumë të besoj dhe të shpresoj që Banka Qendrore ashtu sikundër ka kapacitetet që të qetësojë, edhe që të garantojë duke krijuar një besim që nuk është një besim tipik në opinionin publik shqiptar lidhur me institucionet, – do të mundet që edhe të rinovojë edhe të shohë me kurajë, ato risi që sjell e përditshmja në zhvillimet e teknologjisë, duke shtyrë përpara zhvillimin dhe duke mos lejuar që gjithë këto potenciale të jashtëzakonshme që sjell bashkë me risqet e veta zhvillimi i teknologjisë dhe hyrja në jetët tona e AI, të mbeten jashtë rrezes së veprimtarisë dhe të veprimit të saj të përditshëm.”

Ndërsa, Guvernatori i BSH Gent Sejko tha se “Vizioni ynë për të ardhmen është ai i një banke qendrore moderne, e cila aplikon praktikat më të mira ndërkombëtare, e aftë për të përmbushur misionin e saj dhe e denjë për të qenë anëtare e sistemit evropian të bankave qendrore.”

Me rastin e 100 vjetorit të Bankës së Shqipërisë u emetua edhe monedha numizmatike prej argjendi, pa kurs ligjor me vlerë emërore 100 lekë, e cila u prezantua nga Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko.