100-vjetori i Shërbimit Pyjor, Kumbaro: Vitin 2024 do t’ia dedikojmë pyjeve - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

100-vjetori i Shërbimit Pyjor, Kumbaro: Vitin 2024 do t’ia dedikojmë pyjeve

Ministria e Turizmit dhe Mjedisit në bashkëpunim me Universitetin Bujqësor të Tiranës organizoi një event me rastin e 100−vjetorit të krijimit të Shërbimit Pyjor Shqiptar.

Ky përvjetor i gjen pyjet në fokus të nismave të Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit që nga ligji i dedikuar për menaxhimin e tyre, tek Moratoriumi në Pyje dhe iniciativa të tjera që nxisin zhvillimin e qëndrueshëm.

Në fjalën e saj gjatë këtij aktiviteti, ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro tha se kjo datë historike duhet të duhet të na shërbejë për një reflektim të thellë, mbi gjendjen e pyjeve në vendin tonë duke i bërë thirrje bashkive si administratore të pyjeve në territoret e tyre të përmbushin detyrimet që u burojnë nga ligji.

“Sa më shumë ecim aq më shumë kuptojmë se nuk mjafton, se nuk mjafton që pyjet t’i duan vetëm ata që u shërbejnë, por duhet t’i doje e t’i mbrojë shoqëria mbarë. Qeveria ka vazhduar të përmbushë prioritetin për mundësimin e një kuadri ligjor që i përshtatet statusit aktual të pasurisë pyjore të vendit, ku bashkitë si pronare të kësaj pasurie kombëtare, duhet të bëjnë të mundur që mbrojtja dhe rehabilitimi i tyre të arrihet nëpërmjet komuniteteve lokale, që e bazojnë jetesën tek kjo pasuri kombëtare, që janë përdorur tradicionalisht prej tyre. Dhe këtu kemi shumë por ama shumë për të bërë, nga njëra bashki në tjetrën vetëdija e administratorëve vendorë është e ndryshme dhe cilësia e shërbimit po ashtu”, tha Kumbaro.

Ministrja Kumbaro shpalli vitin 2024 si vitin e pyjeve, gjatë të cilit do të vihet në zbatim një program me në fokus mbarështimin e ekonomive pyjore.

“Ministria e Turizmit dhe e Mjedisit ka hartuar planet e mbarështimit për 47 ekonomi pyjore, ndërsa 15 bashki të tjera kanë hartuar vetë planet e mbarështimit për pyjet e kullotat e tyre, por jemi ende larg mbulimit të të gjithë territorit me plane mbarështimi.

Prandaj Ministria e Turizmit dhe e Mjedisit ka vendosur që të shpallë sot, Vitin 2024 – Vitin e Pyjeve. Dhe nga sot nis një kalendar pune me  plan veprimi, me një hartë pune që do të shtrihet për gjatë gjithë vitit 2023-2024 në emër të pyjeve”, përfundoi ministrja Kumbaro.

Agjencia Kombëtare e Pyjeve publikoi pak ditë më parë Inventarin Kombëtar të Pyjeve dhe Kullotave, një aktivitet  që siguron informacion mbi fondin pyjor kombëtar dhe  që do të shërbejë për hartimin e politikave dhe strategjive të zhvillimit të sektorit pyjor, për një periudhë, të paktën 10-vjeçare.

Të pranishëm në aktivitetin për 100-vjetorin e Shërbimit Pyjor Kombëtar ishin rektori i Universitetit Bujqësor të Tiranës, Fatbardh Sollaku, dekani i Fakultetit të Shkencave Pyjore, Leonidha Peri, drejtues të Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, Agjencisë Kombëtare të Pyjeve, etj.

Previous Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 27 Janar 2023