100-vjetori i Urdhrit të Skënderbeut – Rilindja e një shenje dalluese të Shqipërisë Europiane
U përkujtua 100-vjetori i Urdhrit të Skënderbeut, në një mbrëmje solemne në Pallatin e Kongreseve, kushtuar vlerave kombëtare dhe personaliteteve që kontribuojnë në përparimin e Shqipërisë europiane të së sotmes dhe të së nesërmes.
Të pranishëm ishin Presidenti i Republikës Bajram Begaj, Kryeministri Edi Rama, si edhe personalitete të shquara të fushave të ndryshme.
Mbrëmja u çel me dokufilmin “Urdhri i Skënderbeut në Qindvjetshin e tij – Rilindja e një shenje dalluese të Shqipërisë Europiane”, shoqëruar me parakalimin dhe vendosjen në qendër të skenës të Urdhrave shqiptarë të para një shekulli dhe të këtij shekulli, të prirë nga Gjerdani i nderit të Shqipërisë, i vitit 1925.
Në vijim, u zhvillua ceremonia e dekorimit të 22 personaliteteve me tre urdhërat më të lartë të shtetit shqiptar: Urdhrin Suprem të Shqiponjës, Urdhrin e Skënderbeut dhe Urdhrin e Lisit Akademik.
Gjatë fjalës së tij, Kryeministri Edi Rama theksoi se figura e Gjergj Kastriotit Skënderbeut ka shërbyer ndër shekuj si boshti moral, historik dhe identitar i shtetësisë shqiptare. Urdhri i Skënderbeut, i themeluar në vitin 1925 si akti i parë ceremonial i republikës së sapolindur, u vlerësua si një “masë graniti” në themelet e shtetit modern shqiptar, simbol i meritës dhe nderimit ndaj kontribuuesve të kombit.
Kryeministri ndaloi edhe te rrugëtimi i vështirë i këtij Urdhri, i cili i mbijetoi monarkisë, diktaturës dhe tranzicionit, duke humbur për një kohë të gjatë kuptimin dhe natyrën e tij të lartë civile. Në këtë kuadër, ai theksoi rëndësinë e reformës së thellë të ndërmarrë për rikthimin e sistemit të urdhërave dhe medaljeve në standardet europiane dhe për vendosjen e meritës si vlerë themelore.
Ai nënvizoi rolin e Kancelarisë së Urdhrave dhe Medaljeve, si institucioni që ringre sistemin e nderimeve shtetërore mbi bazën e traditës, kujtesës historike dhe vlerësimit të kontributit qytetar.
Në shenjë mirënjohjeje, u dorëzuan dy medalionet e para të 100-vjetorit të Urdhrit të Skënderbeut, për familjet e Artan Lames dhe Filip Rrumbullakut, të cilët u kujtuan si shërbestarë të përkushtuar të reformës dhe të konsolidimit të kulturës së nderimeve shtetërore.
Në përmbyllje, Kryeministri theksoi se kremtimi i këtij 100-vjetori shënon, jo vetëm një rikthim te rrënjët e një akti shtetformues, por edhe rilindjen e një institucioni simbolik të identitetit europian të Shqipërisë.