Në ditën e 101-vjetorit të Shërbimit Pyjor Shqiptar, ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, përfaqësues të Agjencisë Kombëtare të Pyjeve, Fakultetit të Shkencave Pyjore dhe Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit morën pjesë në një aktivitetet për mbjelljen e 10 mijë fidanëve në ekonominë pyjore Fag në Shëngjergj.
Ministrja Kumbaro foli për rëndësinë e vitit të pyjeve si plan kombëtar për mbulimin e gjithë territorit të vendit me plane mbarështimi, gjithashtu përmendi bashkisë së Tiranës për modelin e investimeve të qëndrueshme në ekonomitë pyjore që ka nën administrim si dhe vlerësoi të gjithë ata që kanë shërbyer në Shërbimin Pyjor Shqiptar në këto vite.
“E kemi shpallur vitin e pyjeve. Nuk është se në një vit do pyllëzojmë gjithë Shqipërinë dhe do mbarojmë punë me pyjet, por janë disa vite në të cilat duam të lëmë më shumë gjurmë, sidomos për pjesën e edukimit. Bashkitë kanë rolin kryesor të administrimit, por edhe vjeljes së ekonomive pyjore. E kam thënë dhe më vjen shumë mirë që rikthehemi sot me një provë që Bashkia Tiranë ka krijuar modelin më të mirë në nivel njësisë së qeverisjes vendore të administrimit të pyjeve”, u shpreh ministrja Kumbaro.
Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj nga ana tjetër u shpreh se është detyrë e shoqërisë që t’i kthejë natyrës një detyrim që do të shërbejë dhe për brezat e ardhshëm. “Gëzuar 101-vjetorin e Agjencisë së Pyjeve, Shërbimit Pyjor Shqiptar. Teksa shoh kontrastin e 50 mijë fidanëve, ku 10 mijë po i mbjellim sot, të tjerat në vijim, me atë që shohim përballë, është në fakt pasqyra ku duhet të shikojmë veten. Të shikojmë veten si shoqëri dhe të kuptojmë që i kemi bërë natyrës atë që nuk i bëhet hasmit. I kemi prerë vetë pyjet, i kemi rrënuar lumenjtë, i kemi gërryer kodrat. Dua të ftoj të gjithë qytetarët. Ne vazhdojmë në periudhën e Mars-Prillit edhe thirrjen për të gjithë, për kompani, për shoqata, për organizata, për klasa, për shkolla, për universitete, ku secili jep një kontribut. Kur të bëhet pema 101 vjet, ajo që mbillet sot dhe të ketë moshën e dikujt që është bërë gjysh dhe është 101 vjeç, secili do ketë mundësi të thotë që lashë një shenjë në këtë qytet dhe hodha rrënjë jo vetëm si metaforë, por hodha rrënjë dhe fizikisht”, tha ai.
Në 101-vjetorin e Shërbimit Pyjor Shqiptar që përkon edhe me dekretimin e ligjit të parë shqiptar për pyjet, ministrja Kumbaro publikoi edhe Kalendarin e Aktiviteteve për Vitin e Pyjeve i pasur me plane pyllëzimi, aktivitete e nisma mjedisore për gjithë vitin 2024 duke ftuar të gjitha bashkitë të bëhen pjesë e tij duke e pasuruar me plane pyllëzimi e mbarështimi.