110 milionë euro financim për energjinë dhe konviktet, ministri Karakaçi: Miratohen tre marrëveshje me qeverinë gjermane
Tre marrëveshje me qeverinë gjermane, me një financim total prej 110 milionë eurosh, nga të cilat 20 milionë euro grant, u miratuan sot nga Këshilli i Ministrave për rehabilitimin e konvikteve studentore, Hidrocentralit të Vaut të Dejës dhe dixhitalizimin e sistemit të transmetimit të energjisë.
Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave, bëri të ditur se një prej projekteve parashikon vijimin e rehabilitimit të konvikteve të studentëve në kuadër të programit të efiçencës energjetike. Pas përfundimit të ndërhyrjeve në pesë konviktet e para, programi do të vijojë me rehabilitimin e 14 konvikteve të tjera.
Financimi do të mbështesë gjithashtu rehabilitimin e Hidrocentralit të Vaut të Dejës, i ndërtuar rreth 50 vite më parë dhe që, sipas ministrit, siguron rreth 28% të prodhimit të KESH-it. Investimi parashikon zgjatjen me 30 vite të jetëgjatësisë së hidrocentralit, si dhe rehabilitimin e aseteve, transformatorëve dhe sistemit SCADA.
Projekti i tretë parashikon dixhitalizimin e sistemeve të Operatorit të Sistemit të Transmetimit në rreth 40 nënstacione. Ndërhyrja synon të krijojë kapacitete shtesë për integrimin e burimeve të rinovueshme të energjisë në rrjet dhe të mundësojë menaxhimin më dinamik dhe të saktë të flukseve të energjisë. Në kuadër të projektit do të investohet në sistemet IT dhe SCADA, si dhe në ndërlidhjen në distancë ndërmjet Operatorit të Sistemit të Transmetimit dhe nënstacioneve.