Me rastin e 15-vjetorit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, Komanda e Forcës Tokësore në Zall Herr zhvilloi “Ditën e Hapur”, ku morën pjesë Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Sh. T. Z. Bajram Begaj, njëherësh Komandant i Përgjithshshëm i Forcave të Armatosura, Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi, I Ngarkuari me Punë i Ambasadës së SHBA-së David Wisner, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA Gjeneral major Arben Kingji, ministra, deputetë, ambasadorë, atashe ushtarakë, komandantë të forcave, etj.
Fillimisht të pranishmit ndoqën demonstrimet e kryera nga efektivët e Forcës Tokësore dhe trupat komando ndërsa vizituan stendat e Forcave të Armatosura, ku u prezantuan pajisjet dhe kapacitetet për mbrojtjen dhe sigurinë, sistemet e komunikimeve taktike, operacionale dhe strategjike.
Në fjalën përshëndetëse me këtë rast Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi u shpreh se “15 vjet më parë në shpërblim të vullnetit absolut të popullit shqiptar, të etjes properëndimore të një vendi të çliruar nga izolimi total Shqipëria u anëtarësua si vend me të drejta të plotë në NATO, aleancën më të madhe politiko-ushtarake që këtë vit mbushi 75 vjet, një arritje kjo e jashtëzakonshme jo vetëm në kuptimin politik dhe diplomatik, por gjithashtu në kuptimin më të plotë të nocionit mbi sigurinë dhe mbrojtjen u dhamë qytetarëve tanë mundësinë e mbrojtjes nga Aleanca më e madhe politiko-ushtarake e të gjitha kohërave dhe kjo nuk do të ishte e mundur pa mbështetjen e 26 vendeve aleate të NATO-s asokohe”. Ministri Peleshi falenderoi vendet aleate për këtë vendim, ndërsa shprehu mirënjohjen për aleatin strategjik SHBA-në, që qëndroi krah Shqipërisë në çdo hap të rrugëtimit drejt Aleancës.
Sipas Ministrit të Mbrojtjes, sot kontributi I Shqipërisë respektohet e vlerësohet lart nga vendet mike dhe partnere, por vlerësim të veçantë ka për vendosmërinë që Shqipëria ka për të qenë kudo ku Aleanca ka nevojë. “Përfaqësohemi me elitën e Forcave të Armatosura në krahun juglindor në Bullgari dhe Letoni si dhe kemi një prezencë të konsiderueshme ushtarake në KFOR Kosovë, aktivitetet detare në detin Egje dhe misionin trajnues në Irak. Ndërkohë djemtë dhe vajzat më të mira në uniformë, por edhe të tjerë kolegë të shërbimit civil shërbejnë me një profesionalizëm të spikatur në përfaqësinë tonë në Bruksel si dhe në shtabet dhe komandat e NATO-s në hapësirën euroatlantike”, u shpreh z.Peleshi.
“Tashmë 15 vite më pas besoj se kemi hyrë në një fazë tjetër të rolit tonë në Aleancë. Nuk ka më asnjë dyshim në vendosmërinë tonë në kontribute, në qasje dhe në qëndrime. Ne zgjedhim të jemi me aleatët tanë në çdo sfidë që kohët e turbullta, me të cilat po përballet njerëzimi do të na imponojnë. Ne qëndrojmë fort në krah të Ukrainës, popullit të saj, përpjekjeve të ushtrisë së saj për të përballuar agresionin e egër rus. Kemi ndihmuar dhe do të vijojmë të ndihmojmë popullin e Ukrainës në luftën e tij të drejtë për liri. Do të vazhdojmë gjithashtu të jemi garantët më luajalë të paqes dhe stabilitetit në rajonin tone”, theksoi ministri Peleshi.
Gjatë fjalës së tij, Ministri Peleshi vuri theksin te inaugurimi i bazës ajrore taktike të NATO-s në Kuçovë, por edhe projekti për Porto Romanon, për të vënë atë në dispozicion të Aleancës.
Nga ana e tij, Presidenti Bajram Begaj theksoi se: “Angazhimi ynë ndaj NATO-s është i pakushtëzuar dhe tregon se jemi të gatshëm të marrim pjesë jo vetëm për mbrojtjen e kufijve tanë, por edhe për të ndihmuar e kontribuar në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon e më gjerë”.
Kreu i Shtetit e cilësoi anëtarësimin në NATO jo destinacion, por si një udhëtim të vazhdueshëm të Shqipërisë, – siç u shpreh ai, për të forcuar demokracinë, investimet në kapacitetet mbrojtëse, si dhe bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë për të ndërtuar një të ardhme më të sigurt e më të qëndrueshme për të gjithë. Presidenti Begaj përcolli një falënderim të veçantë ndaj Shteteve të Bashkuara për ndihmën e vazhdueshme dhe ndërhyrjen e NATO-s për çlirimin e Kosovës, duke u shprehur: Kombi shqiptar nuk do ta harrojë kurrë këtë.
I ngarkuari me punë në ambasadën e SHBA, David Wisner, duke cituar fjalët e Presidentit George W. Bush, theksoi fuqinë e qëndrueshme të Aleancës: “Forca e qëndrueshme e aleancës së NATO-s është një testament për fuqinë e qëndrueshme të lirisë. Kjo Aleancë do të udhëheqë rrugën drejt një bote më të sigurt dhe më shpresëdhënëse. Shpresoj që fëmijët tuaj t’i nderojnë gjithmonë betejat që keni përballuar. Qofshin historitë e Shqipërisë dritë për ata që mbeten në errësirën e tiranisë. Dhe shpresoj që shembulli juaj le t’i ndihmojë ata drejt një ditë më të ndritshme.”, u shpreh përfaqësuesi i SHBA.
Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, gjeneral major Arben Kingji u shpreh se “vlerësimet pozitive që marrin Forcat tona të Armatosura në stërvitjet, operacionet apo strukturën e komandimit të NATO-s, përforcojnë përkushtimin tonë për të realizuar me sukses detyrën dhe për të zhvilluar më tej bashkëpunimin me vendet aleate dhe partnere”.
Në përfundim të aktivitetit të pranishmit përshëndetën në një lidhje live efektivët që shërbejnë në misionet paqeruajtëse ndërkombëtare.