150 mësues jo vetëm nga Evropa, por nga vende të ndryshme të botës, Britania e Madhe, Turqia, Greqia etj. janë mbledhur sot në Vlorë në seminarin treditor për mësimin plotësues në gjuhën shqipe në diasporë ku merrnin pjesë Ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi, Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit të Kosovës Arbërie Nagavci, Kryetari i Bashkisë Vlorë Ermal Dredha, Kryetari i nënkomisionit Parlamentar për Diasporën dhe Migracionin Lavdrim Krashi, etj.
Në hapjen e këtij seminari u vlerësua rëndësia e ruajtjes së gjuhës shqipe, kulturës, traditave dhe identitetit kombëtar shqiptar për brezat e rinj shqiptarë që po rriten përtej kufijve.
Në fjalën e saj Ministrja Kushi theksoi se sot bota po njeh nga afër vlerat e shqiptarëve në kulturë, sport e shkencë. Xhubleta shqiptare që është tashmë në UNESCO, Jaret shkodrane dhe polifonia labe.
Znj. Kushi shtoi se shqiptarët këtë krenari duhet t’ia përcjellin fëmijëve të tyre kudo ku janë në botë që të ndjehen krenarë që janë shqiptarë. Ky është misioni i përbashkët, ruajtja dhe forcimi i gjuhës është e para, por edhe kultura, tradita, dashuria për Shqipërinë, dashuria për Kosovën, ta thotë me zë të lartë që janë shqiptarë.
“Jam shumë krenare që së bashku me Ministren e Arsimit të Kosovës në këto vite kemi shumë arritje, shumë projekte të përbashkëta. Jo vetëm me përfitues shkollat apo arsimin në Shqipëri apo në Kosovë, por edhe në diasporë.
Seminare si ky janë shumë të rëndësishme që ne të marrim edhe ide të tjera nga ju, edhe kritika, siç thanë kolegët, por të diskutojmë bashkërisht se çfarë mund të bëjmë më shumë dhe si mund të bëjmë më shumë, si mund të bëjmë edhe më mirë.”
Ministrja Kushi dha edhe një lajm të ri në lidhje me mësimin e gjuhës shqipe në shkollë verore për mësues dhe nxënës të diasporës.
“Kemi lajme shumë të mira në fakt. Në shtator Qendra e Botimeve për Diasporën për herë të parë do të organizojë shkollën e parë verore për nxënësit dhe mësuesit e diasporës. Po e fillojmë pilotimin vetëm me nxënësit dhe mësuesit e Greqisë por natyrisht do të jetë një traditë të përvitshme, duke përfshirë mësues dhe fëmijë shqiptarë nga gjithë bota”.