Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 19 Qershor 2024:
V E N D I M
PËR
AUTORIZIMIN E MINISTRIT SË DREJTËSISË TË NEGOCIOJË DREJTPËRDREJT ME SUBJEKTIN NDËRKOMBËTAR G37 CHAMBERS, PËR OFRIMIN E SHËRBIMIT TË KONSULENCËS PËR ANALIZIMIN DHE VLERËSIMIN E TË DHËNAVE QË DUHET TË MBLIDHEN NGA MINISTRIA E DREJTËSISË, ME QËLLIM VLERËSIMIN E FUSHAVE TË REKOMANDIMEVE PRIORITARE NË LUFTËN KUNDËR KRIMINALITETIT DHE PËR HARTIMIN E METODOLOGJISË PËR MËNYRËN E VLERËSIMIT E TË NDJEKJES NË VAZHDIMËSI TË ZBATIMIT TË KËTYRE REKOMANDIMEVE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 52, të igjit nr.16/2024, “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.162/2020, “Për prokurimin publik””, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Autorizimin e ministrit të Drejtësisë të negociojë drejtpërdrejt me subjektin ndërkombëtar G37 Chambers për ofrimin e shërbimit të konsulencës për analizimin dhe vlerësimin e të dhënave që duhet të mblidhen nga Ministria e Drejtësisë, me qëllim vlerësimin e fushave të rekomandimeve prioritare në luftën kundër kriminalitetit dhe për hartimin e metodologjisë për mënyrën e vlerësimit e të ndjekjes në vazhdimësi të zbatimit të këtyre rekomandimeve.
2. Negociimi të ketë në objekt:
a) identifikimin dhe analizimin e situatës aktuale të fushave kryesore që lidhen me luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit, pavarësinë dhe përgjegjshmërinë e prokurorëve, si dhe garantimin e të drejtave e të lirive themelore të qytetarëve, në kuadër të rekomandimeve prioritare;
b) identifikimin dhe analizimin e situatës aktuale mbi politikën penale të ndjekur deri më tani, me fokus krimin e organizuar e antikorrupsionin dhe tendencat e kriminalitetit në vend, duke dhënë edhe rekomandime për vendimmarrjen e ardhshme për politikën penale;
c) evidentimin, marrjen dhe analizimin e të dhënave për vlerësimin e rekomandimeve të dhëna në luftën kundër kriminalitetit, si dhe për vlerësimin e politikës penale, që duhet të hartojë Ministria e Drejtësisë në përmbushje të detyrimit ligjor;
ç) identifikimin e kritereve të qarta dhe të matshme të cilat do të shërbejnë si një pikënisje për daljen në konkluzione për rekomandimet që duhet të jepen, bazuar në vlerësimin e problematikave dhe gjetjeve mbi tendencat e kriminalitetit në vend, me fokus krimin e organizuar dhe antikorrupsionin në kategori të ndryshme të marrëdhënieve shoqërore që mbrohen nga Kodi Penal;
d) përgatitjen e formateve tip, platformave apo mjeteve/formave të tjera për mbledhjen e të dhënave dhe informacionit mbi tendencën e kriminalitetit, si dhe mënyrën e zbatimit të rekomandimeve prioritare të cilat do të duhet të identifikohen nga këto të dhëna;
dh) identifikimin e fushave dhe çështjeve që duhet të shërbejnë si bazë në përgatitjen e rekomandimeve prioritare të ardhshme të Këshillit të Ministrave;
e) hartimin e metodologjisë për mënyrën e vlerësimit e të ndjekjes në vazhdimësi të zbatimit të rekomandimeve prioritare në luftën kundër kriminalitetit dhe paraqitjen e saj për miratim pranë ministrit të Drejtësisë.
3. Ngarkohet ministri i Drejtësisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E KUOTAVE TË PËRGJITHSHME TË KREDIVE TË REJA PËR KATEGORITË PRIORITARE TË TË PUNËSUARVE PËRFITUES NË ADMINISTRATËN PUBLIKE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 64/3 e 64/5, të ligjit nr.22/2018, “Për strehimin social”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Kuotat e përgjithshme të kredive të lehtësuara për administratën publike për vitin 2024 janë, gjithsej, 300 (treqind) dhe ndahen, si më poshtë vijon:
a) 90 (nëntëdhjetë) për Ministrinë e Brendshme;
b) 90 (nëntëdhjetë) për Ministrinë e Mbrojtjes;
c) 30 (tridhjetë) për Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural;
ç) 30 (tridhjetë) për Ministrinë e Arsimit dhe Sportit;
d) 45 (dyzet e pesë) për Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale;
dh) 15 (pesëmbëdhjetë) për Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.
2. Përfituesit sipas shkronjave “b”, “c”, “d” dhe “dh”, të pikës 1, të këtij vendimi, përzgjidhen në bazë kritereve të parashikuara në sistemin e pikëzimit të përcaktuar në tabelën 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
3. Përfituesit sipas shkronjës “a”, të pikës 1, të këtij vendimi, përzgjidhen në bazë të kritereve të parashikuara në sistemin e pikëzimit të përcaktuar në tabelën 2, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
4. Përfituesit sipas shkronjës “ç”, të pikës 1, të këtij vendimi, janë punonjësit arsimorë në institucionet publike të arsimit parauniversitar, si pjesë e administratës publike, dhe përzgjidhen në bazë kritereve të parashikuara në sistemin e pikëzimit të përcaktuar në tabelën 3, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
5. Në rast se rezultojnë më shumë kandidatë me pikë të barabarta sesa kuotat e përcaktuara në pikën 1, të këtij vendimi, dhe tabelat bashkëlidhur, përzgjedhja e tyre realizohet sipas sistemit të pikëzimit të përcaktuar nga institucioni përfitues, për të realizuar numrin e kuotave të përcaktuara.
6. Punonjësit e administratës publike të përzgjedhur përfitojnë kredi të lehtësuar me interes 0 (zero) %.
7. Ngarkohen Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministria e Brendshme, Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Ministria e Financave dhe Ministria e Arsimit dhe Sportit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES NDRYSHUESE NR.2 TË MARRËVESHJES SË GRANTIT, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE BANKËS EVROPIANE PËR RINDËRTIM DHE ZHVILLIM, PËR FINANCIMIN E PROJEKTIT “HEKURUDHAT SHQIPTARE – REHABILITIMI I LINJËS HEKURUDHORE TIRANË – DURRËS DHE NDËRTIMI I LINJËS HEKURUDHORE PËR NË AEROPORTIN NDËRKOMBËTAR TË TIRANËS”, NË KUADËR TË GRANTIT TË INVESTIMIT NGA FONDI I PËRBASHKËT EVROPIAN I BALLKANIT PERËNDIMOR, RATIFIKUAR ME LIGJIN NR.52/2018
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 10 e 23, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë dhe të ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes ndryshuese nr.2 të marrëveshjes së grantit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, për financimin e projektit “Hekurudhat shqiptare – rehabilitimi i linjës hekurudhore Tiranë – Durrës dhe ndërtimi i linjës hekurudhore për në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës”, në kuadër të grantit të investimit nga Fondi i Përbashkët Evropian i Ballkanit Perëndimor, ratifikuar me ligjin nr.52/2018, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.468, DATË 10.6.2020, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR SHPALLJEN E ZONËS SË RE PËR ZHVILLIM NË FSHATIN VALIAS, BASHKIA KAMZË, DHE CAKTIMIN E FONDIT SHQIPTAR TË ZHVILLIMIT SI NJËSI ZBATUESE”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nënndarjeve “iii” e “iv”, të shkronjës “b”, të nenit 13, dhe të pikës 3, të nenit 16, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.468, datë 10.6.2020, të Këshillit të Ministrave, bëhen ndryshimet e mëposhtme:
a) Në pikën 1, togfjalëshi “… prej 86 710 (tetëdhjetë e gjashtë mijë e shtatëqind e dhjetë) m2 …” zëvendësohet me “… prej 63 310 (gjashtëdhjetë e tre mijë e treqind e dhjetë) m2…”;
b) Harta dhe koordinatat, bashkëlidhur vendimit, zëvendësohen, përkatësisht, me hartën dhe koordinatat që i bashkëlidhen këtij vendimi.
2. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Fondi Shqiptar i Zhvillimit, Bashkia Kamzë dhe Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.494, DATË 24.8.2023, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E UNIFORMËS, SHENJAVE DALLUESE DHE MODELIT TË DOKUMENTIT INDIVIDUAL TË IDENTIFIKIMIT, NGJYRËS, SHENJAVE DHE PËRDORIMIT TË MJETEVE LËVIZËSE TË POLICISË BASHKIAKE”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 46, pika 6, dhe 47, pika 2, të ligjit nr.89/2022, “Për Policinë Bashkiake”, me propozimin e ministrit të Shtetit për Pushtetin Vendor, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Lidhja nr.1, që i bashkëlidhet vendimit nr.494, datë 24.8.2023, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e uniformës, shenjave dalluese dhe modelit të dokumentit individual të identifikimit, ngjyrës, shenjave dhe përdorimit të mjeteve lëvizëse të Policisë Bashkiake”, zëvendësohet me lidhjen që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Ngarkohen njësitë e vetëqeverisjes vendore për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.41, DATË 24.1.2024, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E KUADRIT MAKROEKONOMIK E FISKAL PËR PERIUDHËN 2025 – 2027”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 23 e 27, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Lidhjet nr.1, nr.2/1 dhe nr.2/2, bashkëlidhur vendimit nr.41, datë 24.1.2024, të Këshillit të Ministrave, zëvendësohen përkatësisht me lidhjen nr.1, “Treguesit kryesorë makroekonomikë”, dhe lidhjet nr.2/1 e nr.2/2, “Treguesit fiskalë sipas buxhetit të konsoliduar”, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij.
2. Ngarkohet Ministria e Financave për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.712, DATË 11.11.2022, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “RIKONSTRUKSION I RRUGËS “AGO ÇELI” DHE I “RRUGËS SË RE”, SI DHE “RIKONCEPTIMI I PALESTRËS SË LAGJES “15 SHTATORI”, TEPELENË””
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.712, datë 11.11.2022, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime:
a) Në pikat 3 dhe 4, vlera “… 14 260 649.10 (katërmbëdhjetë milionë e dyqind e gjashtëdhjetë mijë e gjashtëqind e dyzet e nëntë pikë dhjetë) lekë …” zëvendësohet me “… 14 342 568 (katërmbëdhjetë milionë e treqind e dyzet e dy mijë e pesëqind e gjashtëdhjetë e tetë) lekë …”;
b) Në tabelën bashkëlidhur vendimit, të dhënat e nënndarjes me numër rendor 4, që i përkasin pasurisë nr.16/97, zona kadastrale 3574, zëvendësohen me të dhënat e pasurisë me nr.16/445 ND, të pasqyruara në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Shpenzimet procedurale shtesë, në vlerën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, përballohen nga Bashkia Tepelenë.
3. Ngarkohen Ministria e Financave, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Agjencia Shtetërore për Shpronësimin, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Tepelenë, dhe Bashkia Tepelenë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E PROJEKTDOKUMENTIT TË PROGRAMIT BUXHETOR AFATMESËM 2025–2027
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 25, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin e projektdokumentit të Programit Buxhetor Afatmesëm për periudhën 2025-2027, sipas dokumentit që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
PËRCAKTIMIN E PROCEDURAVE, KRITEREVE DHE RREGULLAVE PËR ZBATIMIN E PROGRAMIT TË NXITJES SË PUNËSIMIT NËPËRMJET RIINTEGRIMIT SOCIAL
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikave 2, shkronja “h”, e 4, të nenit 11, të ligjit nr.15/2019, “Për nxitjen e punësimit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
1. Ky vendim përcakton procedurat, kriteret dhe rregullat për zbatimin e programit të nxitjes së punësimit nëpërmjet riintegrimit social.
2. Programi i riintegrimit social është një program me kohëzgjatje deri në gjashtë muaj, i cili ka qëllim përfshirjen në tregun e punës të punëkërkuesve të papunë nëpërmjet ofrimit të këshillimit të specializuar për punësim, vetëpunësim dhe formim profesional.
II. PROGRAMI
1. Programi zbatohet nga Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive (në vijim AKPA), në bashkëpunim me institucione të tjera publike dhe organizata jofitimprurëse, (në vijim OJF), të cilat kanë në fokus të veprimtarisë së tyre fuqizimin ekonomik të grupeve të disavantazhuara, nëpërmjet ofrimit të këshillimit të specializuar për punësim, vetëpunësim dhe formim profesional, koordinimin dhe referimin në shërbimet e punësimit dhe shërbimet sociale, të cilat ndihmojnë përfituesit të integrohen në tregun e punës.
2. Për zbatimin e këtij programi, AKPA-ja kontrakton OJF-në, nëpërmjet procedurave konkurruese, të përcaktuara në kreun V, të këtij vendimi.
3. OJF-ja zbatuese ofron këshillim të specializuar për integrim në tregun e punës dhe koordinon e referon në punësim, vetëpunësim, formim profesional, si dhe në shërbimet përkatëse sociale.
4. OJF-ja zbatuese garanton ambientet e nevojshme për ofrimin e këtyre shërbimeve.
5. Me qëllim zbatimin e programit, për çdo dy grupe përfituesish, OJF-ja e kontraktuar vendos në dispozicion një mbikëqyrës dhe një këshillues për zbatimin e programit.
6. Mbikëqyrësi është personi përgjegjës i ngarkuar me kontrollin e zbatimit të programit, sigurimin e pjesëmarrjes, koordinimin e proceseve me strukturat e punësimit të AKPA-së, si dhe me institucionet e tjera publike të përfshira në zbatimin e këtij programi.
7. Këshilluesi është personi përgjegjës për përpilimin e planit individual të riintegrimit dhe punësimit, organizimin e takimeve individuale dhe në grup, ndjekjen dhe arritjen e objektivave të planit, si dhe ofron mbështetjen në punësim gjatë programit për përfituesit.
8. Plani individual i riintegrimit dhe punësimit përgatitet nga këshilluesi në bashkëpunim me përfituesin e programit dhe zyrën e punës. Plani individual i riintegrimit dhe punësimit përmban analizën e nevojave për punësim të përfituesit, objektivat individualë për punësim dhe afatet kohore të zbatimit.
9. OJF-ja zbatuese ofron shërbimet sipas këtij programi, për jo më shumë se 2 (dy) grupe përfituesish nga programi, secili me nga 20 (njëzet) pjesëmarrës.
10. Secili grup përfituesish takohet me këshilluesin 2 (dy) herë në javë në një format prej 8 (tetë) takimesh në muaj, me kohëzgjatje 3 (tre) orë për takim. Gjithashtu, këshilluesi kryen edhe 12 (dymbëdhjetë) takime individuale gjatë gjithë kohëzgjatjes së programit me secilin pjesëmarrës, me kohëzgjatje një orë për takim, përmbajtja e të cilave detajohet në rregulloren shoqëruese për zbatimin e këtij vendimi.
III. KRITERET PËR PËRFITUESIT DHE ZBATUESIT E PROGRAMIT
1. Përfituesit e këtij programi janë punëkërkuesit e papunë të regjistruar në zyrën e punës, të cilët evidentohen nga ndërveprimi me sistemin tatimor se kanë më shumë se 6 (gjashtë) muaj të papunë (në vijim “përfituesit”). Prioritet kanë përfituesit e skemës së ndihmës ekonomike, anëtarë të komunitetit rom dhe egjiptian, personat me aftësi të kufizuar, gratë që banojnë në njësitë administrative vendore, ku nuk ka struktura vendore punësimi, si dhe punëkërkues të tjerë nga grupet e veçanta.
2. Nëse përfituesi, sipas këtij programi, përfshihet në programe të tjera të nxitjes së punësimit apo punësohet, pjesëmarrja në këtë program ndërpritet.
3. Nëse pjesëmarrja në këtë program ndërpritet gjatë muajit të parë, OJF-ja zbatuese njofton strukturën vendore të punësimit dhe merr konfirmimin për zëvendësimin e pjesëmarrësit të larguar.
4. Personat, që largohen nga programi pa miratimin paraprak të këshilluesit dhe të specialistit përkatës në zyrën e punës, humbasin statusin e punëkërkuesit të papunë.
5. OJF-ja zbatuese e këtij programi duhet të plotësojë kriteret e mëposhtme:
a) Të jetë e regjistruar, prej jo më pak se një viti, sipas legjislacionit në fuqi dhe të kryejë aktivitet, në përputhje me qëllimin e caktuar në aktet ligjore dhe nënligjore që rregullojnë veprimtarinë e OJF-ve;
b) Të mos jetë në proces shpërndarjeje ose likuidimi;
c) Të ketë shlyer detyrimet tatimore në përputhje me legjislacionin në fuqi;
ç) Përfaqësuesi ligjor të mos jetë dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë;
d) Të ketë selinë ose vendin e ushtrimit të veprimtarisë në qarkun ku do të zbatojë programin;
dh) Të ketë kapacitetet dhe përvojën e duhur për zbatimin e programit apo projekteve të punësimit, këshillimit të specializuar dhe shërbimeve sociale;
e) Të ketë struktura operative, manuale praktikash dhe procedurash të standardizuara;
ë) Personat e angazhuar në menaxhimin dhe zbatimin e këtij programi të kenë të paktën tre vjet eksperiencë në ushtrimin e veprimtarive që janë relevante për këtë program, si dhe në menaxhimin e projekteve të riintegrimit social dhe punësimit të grupeve të disavantazhuara;
f) Të vendosë në dispozicion CV-të e mbikëqyrësit dhe këshilluesve që do të angazhojë përgjatë zbatimit të programit.
6. Në rast të largimit të mbikëqyrësit ose këshilluesit, OJF-ja është e detyruar ta zëvendësojë atë brenda 10 (dhjetë) ditëve pune, njofton zyrtarisht Drejtorinë Rajonale të Punësimit dhe siguron që programi ka vazhdimësi normale. Në rast të kundërt, programi ndërpritet dhe OJF-ja nuk ka të drejtë të financohet për pjesën e mbetur.
IV. MBËSHTETJA FINANCIARE
1. Programi i riintegrimit social u ofron punëkërkuesve shërbimet mbështetëse si edhe një mbështetje financiare për pjesëmarrjen në program, si vijon:
a) Pagesë për pjesëmarrje në program, në vlerën prej 8 000 (tetë mijë) lekësh në muaj, për çdo përfitues. Për përfituesit, persona me aftësi të kufizuara, pagesa është 10 000 (dhjetë mijë) lekë;
b) Bonus për shpenzimet e transportit, në rast se distanca e vendbanimit nga vendi i zbatimit të programit është më e madhe se 2 (dy) km, në vlerën prej 1 800 (një̈ mijë e tetëqind) lekësh në muaj;
c) Bonus për kujdesin e fëmijëve në ngarkim, deri në fillimin e arsimit bazë, në vlerën prej 4 000 (katër mijë) lekësh në muaj për fëmijë;
ç) Bonus për kujdesin e të moshuarve ose të të sëmurëve në ngarkim, në vlerën prej 3 000 (tre mijë) lekësh në muaj për person.
2. OJF-ja, që ofron shërbimet e këtij programi, në favor të përfituesve, mbështetet financiarisht me subvencionim të kostove vijuese:
a) Paga e mbikëqyrësit, në vlerën 100% të pagës minimale në shkallë vendi, të përcaktuar sipas legjislacionit në fuqi për dy grupe pjesëmarrësish. Në rastin e një grupi deri në 20 pjesëmarrës, mbikëqyrësi paguhet me 50% të pagës minimale.
b) Paga e këshilluesit, në vlerën 100% të pagës mesatare në shkallë vendi, të përcaktuar sipas legjislacionit në fuqi për dy grupe pjesëmarrësish. Në rastin e një grupi deri në 20 pjesëmarrës, mbikëqyrësi paguhet me 50% të pagës mesatare.
c) Kontributet e detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, të cilat i takojnë punëdhënësit, mbi pagat e mbikëqyrësit dhe këshilluesve gjatë gjithë kohëzgjatjes së programit;
ç) Tarifë për shërbimet administrative dhe organizimin e takimeve në grup, në vlerën 20 000 (njëzet mijë) lekë në muaj për çdo grup.
3. Financimi i programit për OJF-në zbatuese të këtij programi kryhet në formën e një granti, ku mbulohen të gjitha shpenzimet e përmendura në pikat 1 dhe 2, të kreut IV, të këtij vendimi.
4. Granti financiar disbursohet në këste të pagueshme, si më poshtë vijon:
a) Kësti i parë: 30% (tridhjetë për qind) e vlerës totale të grantit, të disbursuar me nënshkrimin e marrëveshjes së bashkëpunimit;
b) Kësti i dytë: 50% (pesëdhjetë për qind) e vlerës totale të grantit, të disbursuar me hartimin dhe miratimin e planit individual të riintegrimit për të gjithë përfituesit;
c) Kësti i tretë: 20% (njëzet për qind) e vlerës totale të grantit me përfundimin e kontratës dhe përmbushjes së të gjithë objektivave në programin individual të riintegrimit.
5. Përveç grantit financiar të sipërpërmendur, OJF-ja zbatuese e këtij programi përfiton një bonus, në vlerën prej 10 000 (dhjetë mijë) lekësh për secilin përfitues, nëse ai është punësuar drejtpërdrejt në biznes deri në një afat maksimal prej 6 (gjashtë) muajsh pa shkëputje pas përfundimit të programit, pas marrjes së konfirmimit të punësimit të tij.
V. PROCEDURAT DHE RREGULLAT PËR ZBATIMIN E PROGRAMIT TË RIINTEGRIMIT SOCIAL
1. AKPA-ja harton dhe publikon në Buletinin e Njoftimeve Publike dhe në platforma të tjera (faqe interneti, media sociale, shtyp) dokumentacionin e nevojshëm që do të përdoret përgjatë procedurave konkurruese për përfitimin e granteve financiare nga organizatat e shoqërisë civile, të cilat kandidojnë për zbatimin e këtij programi.
2. Në fillim të çdo shpalljeje për aplikim, AKPA-ja harton dhe publikon termat e referencës së bashku me kriteret e aplikimit, fushat dhe vlerat e financimit, si dhe afatet e procedurën e aplikimit.
3. OJF-ja bën kërkesën për përfshirje në program elektronikisht nëpërmjet portalit “e-Albania”, duke dorëzuar dokumentacionin e kërkuar, së bashku me:
a) autorizimin e OJF-së, në favor të strukturave të punësimit të AKPA-së për të kryer verifikimet e dokumenteve dhe të dhënave të aplikimit e të kërkesës për përfshirje në program;
b) vendimin e regjistrimit nga gjykata e rrethit gjyqësor, origjinal ose fotokopje e noterizuar;
c) vërtetimin e lëshuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor, Zyra e Regjistrit të OJF-ve;
ç) vetëdeklarimin mbi plotësimin e kritereve të kërkuara për OJF-të zbatuese, sipas pikës 5, të kreut III, të këtij vendimi, shoqëruar, kur është e mundur, me dokumentet provuese;
d) licencën apo lejen e vlefshme për ushtrimin e veprimtarisë, origjinal ose fotokopje të noterizuar, në rastet kur kjo është e nevojshme;
dh) deklaratën apo marrëveshje partneriteti (origjinale ose fotokopje të noterizuar), në rast se ka partneritet në këtë projektpropozim.
4. Pas marrjes së kërkesës për përfshirje në program, struktura rajonale e punësimit, brenda dhjetë (10) ditëve pune, kryen verifikimin paraprak të përmbushjes të kritereve.
5. Në rast të mangësive, struktura rajonale e punësimit i kërkon OJF-së plotësimin e dokumentacionit nëpërmjet portalit “e-Albania”, brenda 2 (dy) ditëve pune në seksionin “Dokumentet e mia”.
6. Vlerësimi paraprak i kërkesave për përfshirje në program kryhet brenda 5 (pesë) ditëve pune nga Komisioni i Vlerësimit, i cili përbëhet nga të paktën tre (3) anëtarë dhe ngrihet me urdhër të titullarit të strukturës rajonale të punësimit.
7. Struktura e punësimit i komunikon OJF-së përgjigjen përfundimtare me vulë elektronike mbi pranimin apo refuzimin e kërkesës nëpërmjet portalit “e-Albania” në seksionin “Dokumentet e mia”.
8. OJF-ja e përzgjedhur në bashkëpunim me strukturën vendore të punësimit, shërbimin social, bashkinë dhe komunitetin përgatisin listën e pjesëmarrësve në program. Palët e përcaktuara sipas pikës 8, të kreut II, të këtij vendimi, hartojnë planin individual të integrimit apo riintegrimit për secilin pjesëmarrës, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve pune.
9. Komisioni i vlerësimit miraton brenda tre (3) ditëve pune dosjen përfundimtare të projektit.
10. OJF-të, të cilat përzgjidhen për zbatimin e programit, lidhin marrëveshje bashkëpunimi me strukturën rajonale të punësimit.
11. AKPA-ja dhe strukturat e saj të varësisë kanë detyrimin të monitorojnë zbatimin e programit, ndërsa OJF-të kanë detyrimin të raportojnë mbi zbatimin e tij.
VI. DISPOZITA TË FUNDIT
1. Ministria përgjegjëse për çështjet e punësimit përcakton çdo vit prioritetet për zbatimin e këtij programi, sipas zonave gjeografike, sektorëve ekonomikë dhe nevojave të punëkërkuesve, dhe miraton planin e zbatimit të fondeve të nxitjes së punësimit pas propozimit nga AKPA-ja.
2. AKPA-ja përgatit raportin vjetor për zbatimin e programit brenda datës 31 mars të vitit pasardhës dhe ia paraqet ministrisë përgjegjëse për çështjet e punësimit dhe strukturës përgjegjëse të ndihmës shtetërore.
3. AKPA-ja ruan të dhënat për programet 10 (dhjetë) vjet, në përputhje me legjislacionin përkatës në fuqi.
4. Vlerësimi i ndikimit të programit kryhet çdo katër (4) vjet nga ministria përgjegjëse për çështjet e punësimit, nëpërmjet ekspertëve ose organizatave me përvojë në këtë fushë.
5. Afati i zbatimit të programit është pesë (5) vjet nga hyrja në fuqi e këtij vendimi.
6. Ngarkohet titullari i institucionit përgjegjës për punësimin dhe aftësitë për hartimin e rregullores në funksion të programit të nxitjes së punësimit nëpërmjet riintegrimit social, brenda 2 (dy) muajve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi.
7. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, përballohen nga buxheti i shtetit, në artikullin 603, në programin buxhetor “Tregu i punës”.
8. Ngarkohen Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit dhe Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
PËRCAKTIMIN E RREGULLAVE TË HOLLËSISHME PËR MARRJEN E MASAVE PARANDALUESE PËR PËRHAPJEN E ZJARREVE NË TOKA BUJQËSORE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 7, të nenit 16/1, të ligjit nr.9244, datë 17.6.2004, “Për mbrojtjen e tokës bujqësore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Djegia e masës bimore, pjesëve të tyre dhe mbetjeve bimore kryhet në periudhën, nga 30 nëntori deri në 1 prill, në përputhje me ligjin nr.9244, datë 17.6.2004, “Për mbrojtjen e tokës bujqësore”, të ndryshuar, dhe me përcaktimet e këtij vendimi.
2. Djegia kryhet në një zonë të kufizuar që nuk tejkalon 5% të sipërfaqes së përgjithshme të parcelës, ku prodhohet masa bimore që asgjësohet me djegie.
3. Subjektet, pronarë ose posedues, paraqesin kërkesën në njësinë e vetëqeverisjes vendore për kryerjen e procesit të djegies, e cila përmban:
a) të dhënat kadastrale të parcelës/ngastrës, në të cilën do të ndizet zjarri;
b) sipërfaqen e tokës brenda parcelës ku do të kryhet procesi i djegies;
c) shkaqet e asgjësimit me djegie;
ç) argumentimin agronomik të shkaqeve;
d) llojin e bimësisë që do të digjet;
dh) datën dhe orën e ndezjes së zjarrit;
e) masat mbrojtëse të marra prej tij për mbrojtjen nga zjarri;
ë) pëlqimin/miratimin me shkrim nga pronarët ose poseduesit kufitarë të tokës bujqësore, të vërtetuar nga kryetari i fshatit.
4. Njësitë e vetëqeverisje vendore, brenda 5 ditëve pune nga paraqitja e kërkesës:
a) bëjnë verifikimin në terren të ngastrës në të cilën do të ndizet zjarri;
b) njoftojnë strukturën e shërbimit të mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimin;
c) përcaktojnë specialistin e zyrës së mbrojtjes së tokës që do të mbikëqyrë kryerjen e ndezjes së zjarrit.
5. Shërbimi i mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimin kryen verifikimin e përmbushjes së kushteve sipas pikës 5, të nenit 16/1, të ligjit nr.9244, datë 17.6.2004, “Për mbrojtjen e tokës bujqësore”, të ndryshuar, dhe, brenda 5 ditëve pune nga data e njoftimit nga njësitë e vetëqeverisjes vendore, miraton kryerjen e procesit dhe përcakton masa parandaluese për djegien e kontrolluar, sipas formatit të miratuar nga drejtori i Përgjithshëm i Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin.
6. Njësitë e vetëqeverisjes vendore, brenda 5 ditëve pune nga dhënia e lejes nga shërbimi i mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimin, lëshojnë lejen e ndezjes së zjarrit, ku specifikohen:
a) subjekti pronar ose posedues që kryen procesin e djegies;
b) vendndodhja e sipërfaqes ku realizohet djegia, si dhe data dhe orari i procesit të djegies;
c) pëlqimi me shkrim prej pronarëve ose përdoruesve të ngastrave në kufi me ngastrën ku do të kryhet djegia;
ç) masat e detyrueshme që zbatohen nga subjekti pronar ose posedues i tokës, përgjegjës për procesin e djegies dhe organet e vetëqeverisjes vendore për mbrojtjen nga zjarri.
7. Djegia e mbetjeve bimore nuk kryhet nëse materialet janë të ndotura, kanë substanca të rrezikshme, konservues, regjës, veshje të tjera artificiale, lëndë druri, pemë, mbetje nga krasitja e pemëve, gjethe, ashkla ose mbetje të tjera të ngjashme, të krijuara nga kultivimi dhe punimet në parcelë/ngastër.
8. Ndalohet djegia e masës bimore, pjesëve të tyre apo mbetjeve bimore në tokat bujqësore të llojit arë, vresht, pemëtore dhe djegia në kullota, shkurre dhe ferra pa miratimin, sipas përcaktimeve të këtij vendimi. Përjashtimisht, asgjësimi me djegie realizohet bazuar në urdhrin e autoriteteve kompetente për shkaqe, që lidhen me shëndetin e bimëve, në përputhje me legjislacionin në fuqi për mbrojtjen e bimëve, mjedisit dhe shërbimi i mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimin.
9. Djegia e masës bimore në tokat torfike është e ndaluar.
10. Në procesin e djegies nuk përfshihen mbetje që nuk janë të përcaktuara në pikën 1, të këtij vendimi.
11. Ngarkohen Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Ministria e Brendshme dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E RREGULLORES “NIVELET E LEJUARA TË RADIOBËRTHAMAVE NË UJIN PËR KONSUM NJERËZOR PËR MBROJTJEN E SHËNDETIT PUBLIK”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 9, të ligjit nr.8025, datë 9.11.1995, “Për mbrojtjen nga rrezatimet jonizuese”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e rregullores “Nivelet e lejuara të radiobërthamave në ujin për konsum njerëzor për mbrojtjen e shëndetit publik”, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Me hyrjen në fuqi të rregullores “Nivelet e lejuara të radiobërthamave në ujin për konsum njerëzor për mbrojtjen e shëndetit publik”:
2.1. Në vendimin nr.379, datë 25.5.2016, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e rregullores “Cilësia e ujit të pijshëm”, pjesa D “Radioaktiviteti”, e shtojcës I, shfuqizohet;
2.2. Në vendimin nr.957 datë 25.11.2015, të Këshillit të Ministrave, “Për nivelet udhëzuese të përqendrimit të radonit në mjediset e brendshme dhe përqendrimet e radiobërthamave në mallra, me efekt mbrojtjen e publikut”:
a) Në nenin 1 hiqen fjalët “ujë të destinuar për konsum publik”;
b) Në nenin 2, shkronjat “gj,” “i” dhe “ii” shfuqizohen;
c) Nenet 6, 7, 8, 9 shfuqizohen.
3. Ngarkohen Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimin Rural, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Inspektorati Shtetëror Shëndetësor, Instituti i Fizikës Bërthamore të Zbatuar, organet qendrore dhe vendore për menaxhimin e integruar të burimeve ujore dhe çdo institucion tjetër, publik ose privat, që kanë sistemin e tyre të furnizimit me ujë, për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i fillon efektet nga data 1 janar 2025.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DHËNIEN E STATUSIT TË VEÇANTË “INVESTITOR NË STRUKTURË AKOMODUESE ME 5 YJE, STATUS SPECIAL” APLIKUESIT “GRAND HOTEL BORSH”, SH.P.K.
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 33/1, të ligjit nr.93/2015, “Për turizmin”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Dhënien e statusit të veçantë “Investitor në strukturë akomoduese me 5 yje, status special” aplikuesit “Grand Hotel Borsh”, sh.p.k.
2. Ngarkohet ministria përgjegjëse për turizmin për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
TRANSFERIMIN NË PRONËSI, NGA MINISTRIA E MBROJTJES TE BASHKIA SHKODËR, TË PRONËS ME EMËRTIMIN “AGJENCIA RRENC”, ME VENDNDODHJE NË RRENC, SHKODËR, DHE PËR NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.413, DATË 11.7.2007, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E LISTËS SË INVENTARIT TË PRONAVE TË PALUAJTSHME SHTETËRORE, TË CILAT I KALOJNË NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI MINISTRISË SË MBROJTJES (DREJTORISË SË PËRGJITHSHME TË REZERVAVE TË SHTETIT)”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 13 e 15, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, dhe të neneve 5, 7 e 8, të ligjit nr.8744, datë 22.2.2001, “Për transferimin e pronave të paluajtshme publike të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Transferimin në pronësi, nga Ministria e Mbrojtjes te Bashkia Shkodër, të pronës, me emërtimin “Agjencia Rrenc”, me vendndodhje në Rrenc, Shkodër, me numër pasurie 19/2, zona kadastrale 3168, Shkodër, me sipërfaqe totale 31 165 (tridhjetë e një mijë e njëqind e gjashtëdhjetë e pesë) m2, sipas planrilevimit, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij, për realizimin e projektit të ndërtimit të strehëzës së qenve endacakë.
2. Në listën e inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, që i bashkëlidhet vendimit nr.413, datë 11.7.2007, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, të cilat i kalojnë në përgjegjësi administrimi Ministrisë së Mbrojtjes (Drejtorisë së Përgjithshme të Rezervave të Shtetit)”, të ndryshuar, hiqet prona, me emërtimin “Agjencia Rrenc”, me vendndodhje në Rrenc, Shkodër.
3. Prona e përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, i shtohet listës së inventarit të pronave të paluajtshme publike, shtetërore, që i bashkëlidhet vendimit nr.421, datë 2.6.2010, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës përfundimtare (të pjesshme) të pronave të paluajtshme publike, shtetërore, që transferohen në pronësi ose në përdorim të Bashkisë Shkodër, të Qarkut të Shkodrës”.
4. Bashkisë Shkodër i ndalohet të ndryshojë destinacionin e përdorimit të pronës së përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, ta tjetërsojë ose t’ia japë atë në përdorim të tretëve.
5. Ngarkohen Ministria e Mbrojtjes, Bashkia Shkodër dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA