Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 17 Korrik 2024:
V E N D I M
PËR
KALIMIN TE BASHKIA TIRANË TË NJËSIVE TË BANIMIT NË NDËRTESA (PALLAT)
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 9, të nenit 19, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Kalimin te Bashkia Tiranë të 50 (pesëdhjetë) apartamenteve në 1 (një) ndërtesë me njësi banimi (pallat), përkatësisht, sipas listës së inventarit, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Bashkia Tiranë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
KALIMIN NË PRONËSI TE BASHKIA TIRANË TË OBJEKTIT “GODINË E SHËRBIMEVE KOMUNITARE, VAQARR”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 9, të nenit 19, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Kalimin në pronësi te Bashkia Tiranë të objektit “Godinë e shërbimeve komunitare, Vaqarr”, sipas listës së inventarit, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Bashkia Tiranë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.612, DATË 5.9.2012, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR DISPOZITAT ZBATUESE TË LIGJIT “PËR AKCIZAT””, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe tё neneve 54, pika 5, 108 e 109, të ligjit nr.61/2012, “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në vendimin nr.612, datë 5.9.2012, të Këshillit të Ministrave, “Për dispozitat zbatuese të ligjit “Për akcizat””, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
Neni 1
Neni 50/1 ndryshon në titull dhe në përmbajtje, si më poshtë vijon:
“Neni 50/1
Statusi i personave të autorizuar për veprimtarinë e pullave fiskale
Për qëllime të neneve 40-43, të seksionit 8, të kreut V, të ligjit, personi juridik publik i autorizuar nga Këshilli i Ministrave për prodhimin dhe shpërndarjen e pullave fiskale duhet të marrë statusin e depozituesit të miratuar prodhues.”.
Neni 2
Pika 2, e nenit 102, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“2. “Shënjues” ёshtё një substancë apo element, prezenca e së cilës/të cilit, në përgjithësi, nuk është e dukshme, por zbulohet me anë të reaksionit kimik, biologjik ose të proceseve teknologjike.”.
Neni 3
Pas nenit 102 shtohet neni 102/1, me këtë përmbajtje:
“Neni 102/1
Procedurat për ngjyrimin/shënjimin për nënproduktet e naftës me përjashtim apo reduktim nga akciza
Nënproduktet, të cilat përfitojnë përjashtim apo reduktim nga pagesa e akcizës ngjyrosen dhe/ose shënjohen sipas procedurës së përcaktuar në nenet 103-109, të këtij vendimi.”.
Neni 4
Pas nenit 109 shtohen nenet 109/1 dhe 109/2, me këtë përmbajtje:
“Neni 109/1
Shënjimi/ngjyrimi i produkteve energjetike, që i nënshtrohen pagesës së akcizës
1. Për qëllim të ushtrimit të kontrollit nga administrata doganore, produktet, të cilat kanë detyrim pagimin e akcizës, mund të shënjohen/të ngjyrosen. Produktet e shënjimit janë produktet e bardha (gazoil dhe benzen), produktet e zeza (solar dhe mazut), lëndët djegëse dhe produktet e ndërmjetme, specifikisht produktet me emërtimet dhe klasifikimin tarifor të NKM, si vijon: gazoil (27101943, 27101946 dhe 29101948), benzinë pa plumb (27101241, 27101245 dhe 27101249), solar/mazut (27101962, 27101964, 27101968). Administrata doganore është përgjegjëse për administrimin e procesit të shënjimit/ngjyrimit.
2. Substancat, që përdoren si shënjues/ngjyrues për qëllime kontrolli, njihen si të përshtatshme nga një komision i posaçëm, ngritur me urdhër të ministrit përgjegjës për financat, përpara përdorimit të tyre për herë të parë në territorin kombëtar. Këto substanca importohen vetëm nga administrata doganore.
3. Procesi i shënjimit/ngjyrimit realizohet përpara kryerjes së pagesës së akcizës dhe shoqërohet me një dokument, që vërteton kryerjen e shënjimit/ngjyrosjes.
4. Mbikëqyrja dhe kontrolli është procesi që kryhet nga administrata doganore me anë të teknologjisë së posaçme në dispozicion të saj, nëse këto produkte janë shënjuar/ngjyrosur.
5. Asnjë nga produktet e akcizës, për të cilat është i detyrueshëm shënjimi/ngjyrimi, nuk mund të hidhet për konsum/qarkullim të lirë i pashënjuar/i pangjyrosur.
Neni 109/2
Porositja dhe kryerja e shërbimit të shënjimit/ngjyrimit
1. Procesi i shënjimit/ngjyrimit kërkohet nga subjektet dhe realizohet përpara kryerjes së pagesës së detyrimeve të akcizës për produktet e shënjimit/ngjyrimit në zotërim të subjekteve të detyruara.
2. Kërkesa duhet të specifikojë:
a) identitetin e subjektit, që kërkon kryerjen e shërbimit të shënjimit;
b) veprimtarinë tregtare të zhvilluar nga subjekti zotërues i produktit të shënjimit;
c) llojin e produktit;
ç) vëllimin e produktit;
d) vendndodhjen e produktit dhe mënyrën e ruajtjes së tij.
3. Kërkesat e marra regjistrohen në regjistrin e posaçëm të porosive. Në përfundim të shënjimit/ngjyrimit, subjekti pajiset me dokumentin përkatës, që vërteton kryerjen e shënjimit/ngjyrimit.
4. Procedura më të hollësishme pёr administrimin e procesit të shënjimit/ngjyrimit, si dhe mbikëqyrjen e kontrollin e tij përcaktohen me udhëzim të drejtorit të Përgjithshëm të Doganave, i cili publikohet në “Fletoren zyrtare”.”.
Neni 5
Vendimi nr.498, datë 30.5.2013, i Këshillit të Ministrave, “Për procedurat e shënjimit të naftës bruto dhe nënprodukteve të naftës”, i ndryshuar, shfuqizohet.
Neni 6
Ky vendim botohet në “Fletoren zyrtare” dhe hyn në fuqi në datën 9.8.2024.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
PEZULLIMIN E MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS BASHKËPUNUESE TË GUAJANËS, PËR PËRJASHTIMIN NGA KËRKESAT PËR VIZË PËR MBAJTËSIT E PASAPORTAVE DIPLOMATIKE, PASAPORTAVE TË SHËRBIMIT DHE PASAPORTAVE TË ZAKONSHME
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 30, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe të ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Pezullimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Bashkëpunuese të Guajanës, për përjashtimin nga kërkesat për vizë për mbajtësit e pasaportave diplomatike, pasaportave të shërbimit dhe pasaportave të zakonshme, miratuar me vendimin nr.190, datë 4.3.2020, të Këshillit të Ministrave.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “NDËRTIMI I LINJËS 110 KV ELBASAN 1 – CËRRIK”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, dhe të nenit 13, të ligjit nr.8743, datë, 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Ndërtimi i linjës 110 kV Elbasan 1 – Cërrik”.
2. Shpronësimi bëhet në favor të Operatorit të Sistemit të Transmetimit, sh.a.
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse që paraqitet në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, për pasuritë e llojit “arë”, “truall” dhe “ullishte”, me një vlerë të përgjithshme prej 440 484 (katërqind e dyzet mijë e katërqind e tetëdhjetë e katër) lekësh.
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 440 484 (katërqind e dyzet mijë e katërqind e tetëdhjetë e katër) lekësh, përballohet nga buxheti i Operatorit të Sistemit të Transmetimit, sh.a.
5. Vlera e shpenzimeve procedurale, në masën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, përballohet nga buxheti i Operatorit të Sistemit të Transmetimit, sh.a.
6. Shpronësimi fillon menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit është brenda 3 (tre) muajve nga data e hyrjes në fuqi të tij.
7. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, të pasqyruar në tabelën që i bashkëlidhen këtij vendimi, kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim pranë Operatorit të Sistemit të Transmetimit, sh.a.
8. Operatori i Sistemit të Transmetimit, sh.a., kryen procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.
9. Afati i fillimit dhe i përfundimit të punimeve është në përputhje me afatet e parashikuara nga Operatori i Sistemit të Transmetimit, sh.a.
10. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Elbasan, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, nis procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe regjistron aktin e kalimit të pronësisë për pasuritë që shpronësohen, sipas këtij vendimi, në favor të shtetit, në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit për Operatorin e Sistemit të Transmetimit, sh.a.
11. Agjencia Shtetërore e Kadastrës pezullon të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin e realizimit të procesit të hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale dhe regjistron aktin e kalimit të pronësisë të pasurive që shpronësohen, sipas këtij vendimi, në favor të shtetit, në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit për Operatorin e Sistemit të Transmetimit, sh.a.
12. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Operatori i Sistemit të Transmetimit, sh.a., Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Elbasan, Agjencia Shtetërore për Shpronësimin dhe Drejtoria e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës pranë Këshillit të Qarkut Elbasan për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
DISA SHTESA NË VENDIMIN NR.1179, DATË 24.12.2020, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR RREGULLAT E PËRDORIMIT, ADMINISTRIMIT DHE RUAJTJES SË BAZËS SË TË DHËNAVE PËR PASURITË E PALUAJTSHME DHE PËR MIRATIMIN E LISTËS SË INSTITUCIONEVE QË KANË TË DREJTËN E AKSESIT NË SISTEMIN ELEKTRONIK TË TË DHËNAVE”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 6, të nenit 13, të ligjit nr.111/2018, “Për kadastrën”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. Në vendimin nr.1179, datë 24.12.2020, të Këshillit të Ministrave, “Për rregullat e përdorimit, administrimit dhe ruajtjes së bazës së të dhënave për pasuritë e paluajtshme dhe për miratimin e listës së institucioneve që kanë të drejtën e aksesit në sistemin elektronik të të dhënave”, bëhen këto shtesa:
1. Në pikën 7, pas shkronjës “g” shtohet shkronja “gj”, me këtë përmbajtje:
“gj) të dhënat e regjistrit të lejes së ndërtimit.”.
2. Pas pikës 8 shtohet pika 8/1, me këtë përmbajtje:
“8/1. Të dhëna parësore të regjistrit të lejes së ndërtimit, pjesë e bazës shtetërore të të dhënave kadastrale (ALBSCAD) janë:
a) dokumentacioni tekniko-ligjor, i cili përfshin praktikën administrative të regjistrimit të lejes së ndërtimit, aktet juridike paraprake (kontratat e sipërmarrjes/porosisë/premtimshitjes), vendime gjyqësore dhe akte administrative apo akte të tjera për vendosjen e hipotekave, të cilat merren drejtpërdrejt nga sistemi me aplikimin për shërbim nga platformat digjitale, ashtu edhe në format shkresor;
b) akte kadastrale, të krijuara nga veprimtaria administrative e ASHK-së, si pasojë e regjistrimit të lejes së ndërtimit dhe akteve juridike paraprake (kontrata e sipërmarrjes/porosisë apo premtimshitjes) në regjistrin e lejes;
c) skeda digjitale e regjistrit të lejes.”.
3. Pas pikës 9 shtohet pika 9/1, me këtë përmbajtje:
“9/1. Të dhënat dytësore të regjistrit të lejes së ndërtimit, pjesë e bazës shtetërore të të dhënave kadastrale (ALBSCAD), janë:
a) Të dhënat identifikuese për shtetasit, të cilat merren nga baza e të dhënave “Regjistri Kombëtar i Gjendjes Civile”, administruar nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile, si:
i. numri personal;
ii. emri;
iii. mbiemri.
b) Të dhëna identifikuese për subjektin, të cilat merren nga baza e të dhënave “Regjistri tregtar”, administruar nga Qendra Kombëtare e Biznesit, si:
i. NIPT/NUIS;
ii. emërtimi tregtar.
c) Të dhënat e lejes së ndërtimit, të cilat merren nga baza e të dhënave “Databaza e lejeve të ndërtimit “e-Leje””, administruar nga Agjencia e Zhvillimit të Territorit, si:
i. numër akti;
ii. data e aktit;
iii. autoriteti përgjegjës që ka miratuar lejen;
iv. lloji i lejes së ndërtimit, sipas përshkrimit të aktit të miratuar;
v. sipërfaqja e ndërtimit, sipas projektit të lejes;
vi. sipërfaqja e tokës, e zënë nga struktura e ndërtimit, sipas lejes;
vii. numri i kateve mbi dhe nën tokë;
viii. numri i njësive;
ix. investitori/subjekti zhvillues;
x. pjesët takuese të investitorit/subjektit zhvillues mbi ndërtimin për të cilin është miratuar leja.”.
II. Ngarkohet Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU
***
V E N D I M
PËR
PËRCAKTIMIN E SASISË NË PËRQINDJE TË SIPËRFAQES SË STOKUT TË NDËRTESAVE PUBLIKE PËR T’U RINOVUAR ÇDO VIT, KUNDREJT SIPËRFAQES TOTALE TË STOKUT TË NDËRTESAVE PUBLIKE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 9/4, të ligjit nr.124/2015, “Për eficiencën e energjisë”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
1. Qëllimi i këtij vendimi është përcaktimi në përqindje i sipërfaqes së stokut të ndërtesave publike për t’u rinovuar çdo vit, kundrejt sipërfaqes totale të stokut të ndërtesave publike.
2. Me hyrjen në fuqi të këtij vendimi, sektori publik ngarkohet me zbatimin e objektivit, të përcaktuar sipas pikës 1, të nenit 9/4, të ligjit nr.124/2015, “Për eficiencën e energjisë”, të ndryshuar.
3. Ky vendim shtrin efektet e tij për të gjitha ndërtesat në pronësi ose në përdorim nga:
a) organet e qeverisjes qendrore;
b) organet e qeverisjes vendore;
c) institucionet e varësisë.
4. Rinovimet që do të realizohen prej institucioneve, të përmendura në pikën 3, të këtij kreu, garantojnë të paktën zbatimin e kërkesave minimale të performancës së energjisë, sipas vendimit nr.537, datë 8.7.2020, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e kërkesave minimale të performancës së energjisë së ndërtesave dhe të elementeve të ndërtesave”.
5. Çdo rinovim realizohet duke u bazuar mbi rezultatet e auditimit të energjisë, i cili duhet të shoqërohet me një analizë të veçantë të kosto-përfitimit për çdo ndërtesë që kualifikohet.
6. Ndërtesat, të cilat kanë një performancë të ulët energjetike dhe që shfrytëzohen ose strehojnë fëmijë të sëmurë ose persona të moshuar, kanë përparësi në realizimin e rinovimit edhe kur nuk plotësohet kriteri i kostos optimale.
II. METODOLOGJIA PËR PËRCAKTIMIN E SIPËRFAQES SË STOKUT DHE PËRZGJEDHJES SË NDËRTESAVE QË DO TË RINOVOHEN
1. Sipërfaqja e stokut të ndërtesave publike përfshin të gjitha ndërtesat që nuk përjashtohen sipas nenit 4, të ligjit nr.116/2016, “Për performancën e energjisë së ndërtesave”, dhe akteve nënligjiore në zbatim të tij.
2. Agjencia përgjegjëse për eficiencën e energjisë përgatit inventarin e të gjitha ndërtesave publike, të identifikuara sipas pikës 3, të kreut I, ku përcaktohet sipërfaqja (në m2) që do të rinovohet çdo vit për ndërtesat e zëna nga organet e qeverisjes qendrore dhe ndërtesat e tjera publike.
3. Inventari i ndërtesave publike miratohet me urdhër nga ministri përgjegjës për energjinë dhe përmban informacionin sipas shtojcës II, që i bashkëlidhet këtij vendimi. Inventari i ndërtesave publike rishikohet çdo 10 (dhjetë) vjet.
4. Brenda 6 (gjashtë) muajve, pas miratimit të inventarit të ndërtesave publike dhe para 31 marsit të çdo viti pasardhës, agjencia përgjegjëse për eficiencën e energjisë, në bashkëpunim me ministrinë përgjegjëse për energjinë, përpilon listën e ndërtesave që kualifikohen për t’iu nënshtruar rinovimit, sipas metodologjisë së pikëzimit, të paraqitur në shtojcën IV, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
5. Në funksion të metodologjisë për pikëzimin dhe kualifikimin e ndërtesave përdoren gradë-ditët e ngrohjes, sipas shtojcës III, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
6. Lista e ndërtesave, që kualifikohen për t’iu nënshtruar rinovimit, miratohet nga ministri përgjegjës për energjinë çdo vit, në përputhje me objektivat kombëtarë të eficiencës së energjisë.
7. Sipërfaqja totale e ndërtesave të kualifikuara duhet të jetë më e madhe ose e barabartë me sipërfaqen e miratuar në inventar për secilën kategori. Diferenca me sipërfaqen e detyrueshme për t’u rinovuar çdo vit reflektohet në listën e ndërtesave që kualifikohen për t’iu nënshtruar rinovimit për vitin pasardhës.
8. Ndërtesat, që i janë nënshtruar një rinovimi mbi mbështjellësen e ndërtesës ose sistemet teknike, mund të përfshihen në inventarin e ndërtesave që do të rinovohen vetëm pas 10 (dhjetë) vjetësh, prej datës së përfundimit të rinovimit.
III. PROCEDURA PËR ZBATIMIN E PROCESIT TË RINOVIMEVE
1. Institucionet, të cilat kanë prona në përgjegjësi administrimi, parashikojnë buxhetin për vitin pasardhës, në përputhje me listën e miratuar të ndërtesave që kualifikohen për t’iu nënshtruar rinovimit, sipas pikës 4, të kreut II, të këtij vendimi.
2. Kostot e nevojshme për realizimin e investimit llogariten sipas metodologjisë së kostos optimale dhe specifikohen për çdo ndërtesë në listën e miratuar.
3. Njësitë e vetëqeverisjes vendore, në rastet kur nuk zotërojnë fondet e mjaftueshme, kërkojnë mbështetje financiare nga qeverisja qendrore, sipas parashikimeve të nenit 22, të ligjit nr.139/2015, “Për vetëqeverisjen vendore”, të ndryshuar.
4. Investimi realizohet vetëm nëse analiza e kosto-përfitimit rezulton pozitive, përveç rasteve kur kemi të bëjmë me ndërtesa që shfrytëzohen nga të sëmurët, të moshuarit mbi 65 (gjashtëdhjetë e pesë) vjeç dhe fëmijët nën 18 (tetëmbëdhjetë) vjeç.
5. Analiza ekonomike për realizimin e rinovimit dhe përzgjedhjen e masave që do të implementohen hartohet sipas rezultateve të auditimit të energjisë.
6. Me përfundimin e investimit, audituesi i energjisë bën vlerësimin e parametrave të përmirësuar dhe i raporton tek Agjencia për Eficiencën e Energjisë. Agjencia përfshin kritere të detyrueshme që audituesit e energjisë duhet të plotësojnë, kur një ndërtesë i nënshtrohet procesit të rinovimit, sipas këtij vendimi.
7. Agjencia përgjegjëse për eficiencën e energjisë, kur e vlerëson të nevojshme, dërgon rekomandimet për çdo rinovim brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga momenti i marrjes dijeni.
8. Të gjitha institucionet, që kanë në pronësi ose në përdorim ndërtesa, sipas pikës 3, të kreut I, njoftojnë agjencinë përgjegjëse për eficiencën e energjisë për rinovimet që parashikojnë të kryejnë në objektet e tyre, në përputhje me listën e miratuar të ndërtesave që do t’i nënshtrohen rinovimit, shoqëruar me informacionin e kërkuar, sipas shtojcës I, që i bashkëlidhet këtij vendimi. Ky njoftim bëhet përpara shpalljes së procedurës për realizimin e rinovimit, në përputhje me raportin e auditimit të energjisë.
IV. MONITORIMI I KURSIMEVE TË ENERGJISË
1. Agjencia përgjegjëse për eficiencën e energjisë është institucioni përgjegjës për monitorimin e kursimeve të energjisë.
2. Për çdo ndërtesë të rinovuar, autoriteti kontraktues dërgon tek Agjencia për Eficiencën e Energjisë informacionin e përcaktuar sipas shtojcës I, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
3. Informacioni i përfituar sipas shtojcës I, që i bashkëlidhet këtij vendimi, plotësohet në platformën e monitorimit dhe verifikimit, të ngritur për këtë qëllim.
4. Agjencia për Eficiencën e Energjisë raporton çdo vit te ministria përgjegjëse për energjinë për ecurinë e procesit të rinovimeve gjatë vitit paraardhës.
V. DISPOZITA TË FUNDIT
1. Agjencia përgjegjëse për eficiencën e energjisë përgatit inventarin e të gjitha ndërtesave publike, të identifikuara sipas pikës 3, të kreut I, brenda 12 (dymbëdhjetë) muajve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi.
2. Përjashtohen nga lista e miratuar e ndërtesave, që do t’i nënshtrohen rinovimit, të gjitha ndërtesat publike të rinovuara ose të ndërtuara pas vitit 2023.
3. Të gjitha rinovimet e ndërtesave publike, të cilat nuk janë të përfshira në listën e miratuar apo që realizohen jashtë planifikimeve të listës së miratuar duhet të raportohen tek Agjencia për Eficiencën e Energjisë, e cila merr masa për mospërfshirjen e tyre në listën e vitit pasardhës.
4. Përfitimet e kursimeve të energjisë prej ndërtesave që do të rinovohen çdo vit përfshihen si pjesë e objektivave të strategjisë afatgjatë të rinovimit të ndërtesave.
5. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Agjencia për Eficiencën e Energjisë, institucionet e administratës shtetërore dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU