22 godina të tjera janë drejt përfundim në Krujë, ku 336 familje të prekura nga tërmeti do të sistemohen deri në 31 dhjetor. Programi i Rindërtimit vazhdon edhe në qytete të tjera të prekura nga tërmeti. Ditën e sotme Kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga zëvendëskryeministrja Belinda Balluku dhe kryetari i bashkisë së Krujës Artur Bushi, ishin në kantier për të parë nga afër ecurinë e punimeve.
“E kemi shtuar financimin për vitin 2023 me 12 miliardë të tjerë duke e çuar kështu financimin e programit të Rindërtimit në 17 miliardë për vitin 2023 dhe besojmë që në këto momente të gjitha kantieret janë të financuara dhe të gjitha bashkitë do kenë mundësi të avancojnë. Deri tani kemi rreth 3500 apartamente të cilat shumica janë dorëzuar, një pjesë e tyre do të dorëzohen deri në fund të vitit dhe mbi 2200 ndërtesa individuale, që e çojnë në total 6000 numrin e njësive të banimit, rreth 6000 familje deri tani” – u shpreh zëvendëskryeministrja Balluku, teksa shtoi se, – “për sa i përket gjithë programit për infrastrukturën shkollore janë mbi 143 shkolla, kryesisht të përfshira në projektin e programit EU4Schools, por të cilat tashmë janë funksionale duke nisur nga shtatori. Jemi duke ecur mirë, kemi bërë një ri koordinim me të gjitha bashkitë përveç bashkisë së Shijakut e cila tashmë e ka mbyllur procesin. Pretendojmë që brenda dhjetorit të mbyllim Rrogozhinën, Kavajën dhe Vorën dhe sigurisht Durrësi e Lezha janë ato të cilat duhen parë dhe duhet vazhduar”.
Pallatet e reja janë të gjitha të pajisura me parkime nëntokësore, ashensor si dhe mjedise të përbashkëta në funksion të familjeve, të cilat kanë patur durimin për të pritur përfundimin e këtyre godinave më të mira, më të bukura e sigurisht më të sigurta se ato që humbën natën e tërmetit. “Vonesa këtu ishte e lidhur me gjithë historinë e pronës që na mori aq shumë kohë. Edhe në vende të tjera na ka marrë kohë po këtu ishte problemi i madh, por tani duket se jemi në rregull”, – theksoi kryeministri Rama.
Përveç pallateve të reja, në Krujë është drejt përfundimit edhe procesi i përforcimi të 43 pallateve ekzistuese si dhe veshja me sistemin kapot.