30-vjetori i Prokurimeve Publike në Shqipëri: reflektim mbi arritjet dhe përgatitjet për të ardhmen

Me rastin e 30 vjetorit të Prokurimeve Publike në Shqipëri, u zhvillua sot një takim i zgjeruar me praninë e përfaqësuesve të institucioneve kombëtare, partnerëve ndërkombëtarë, si dhe profesionistëve të fushës së prokurimit. Takimi shërbeu si një hapësirë reflektimi mbi rrugëtimin tredekadësh të këtij sektori, sfidat e kapërcyera dhe vizionin për zhvillimet e ardhshme. Ky është një moment i rëndësishëm për sistemin e Prokurimit Publik në Shqipëri, një sektor, i cili ka kaluar një transformim rrënjësor gjatë këtyre dekadave, duke dëshmuar angazhimin e vazhdueshëm të institucioneve shqiptare për të garantuar integritet, transparencë dhe efikasitet. I pranishëm në event ishte edhe Kryeministri Rama, i cili vlerësoi progresin e arritur ndër vite, teksa theksoi se Shqipëria është transformuar në një vend lider në rajon për integritetin dhe efikasitetin e procesit të prokurimeve publike. “Pasqyrat e të dhënave të të gjithë procedurave të reja të viteve të fundit, kanë një dallim shumë të dukshëm nga ato të deri disa viteve përpara dhe ky dallim i dukshëm nuk është një rastësi, por është rezultat i një pune të jashtëzakonshme, ku Agjencia e Prokurimit Publik ka udhëhequr një proces në të cilin edhe Komisioni i prokurimit Publik në vitet e fundit është bashkuar, duke faktikisht e bërë Shqipërinë, të jetë një vend në këtë rajon, ku siç e dëgjuam edhe nga fjala e parafolësit, që këtu përfaqëson një partner të rëndësishëm në këtë proces siç është Banka Botërore, të jetë një vend lider për integritetit dhe për efikasitetin e procesit të Prokurimeve Publike.” – u shpreh kryeministri Rama. Duke u ndalur tek roli Ministres së Inteligjencës Artificiale, Kryeministri ritheksoi se Diella nuk do të veprojë në mënyrë të pavarur nga sytë e aktorëve të interesuar, por do të jetë plotësisht e auditueshme në çdo hap. “Ajo që është shumë e thjeshtë për t’u shpjeguar është fakti se Diella nuk do të veprojë në mënyrë totalisht të pavarur nga sytë e të gjithë aktorëve të interesuar, por do të jetë në çdo hap e auditueshme nga çdo aktor i interesuar, sepse i gjithë procesi, i cili do të zhvillohet përmes rrugëve digjitale dhe inteligjencës artificiale do të jetë sidoqoftë i bazuar në të gjitha kërkesat e ligjit të prokurimeve përsa i përket dokumentacionit përkatës. Dhe cilido që do të dojë ta rishikojë manualisht, me sytë e njeriut, procesi do të ketë mundësinë ta bëjë këtë. Dhe kjo do të thotë që asgjë që del nga procesi si rezultat nuk do të jetë e pagjurmueshme në rast nevoje për auditimin e hapave që sollën rezultatet. Është shumë e thjeshtë.” – tha Kryeministri. Takimi shënoi, jo vetëm një moment reflektimi mbi rrugëtimin e deritanishëm, por edhe një angazhim të qartë për të ardhmen: modernizimin e mëtejshëm, transparencën e plotë dhe rritjen e besimit të publikut në sistemin e prokurimit publik.