Në Ditën Botërore të Eleminimit të Dhunës ndaj Grave, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale me organizatat e Kombeve të Bashkuara në Shqipëri çelën fushatën e 16 ditëve të aktivizmit kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës me bazë gjinore. Ministrja e Shëndetësisë: Rrisim 30% finacimin për Fondin Social për, për të zgjeruar shërbimet mbështetëse për grate dhe vajzat viktima të dhunës
Të bashkuar për t’i dhënë fund dhunës ndaj grave dhe vajzave! Nën këtë moto, me mirënjohjen për ata që kanë dhënë kontributin për mbështetjen e grave dhe vajzave viktima të dhunës, u çel sot në Tiranë fushata e 16 ditëve të aktivizimit kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës me bazë gjinore.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, së bashku me drejtuesit e organizatave partnere të Kombeve të Bashkuara në Shqipëri, të Bashkimit Europian, trupit diplomatik dhe aktivistët që janë angazhuar për këtë kauzë morën pjesë në aktivitetin hapës të 16 ditëve të aktivizimit për t’I dhënë fund dhunës ndaj grave dhe dhunës me bazë gjinore, organizuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale në bashkëpunim me UN Women në Shqipëri.
“Jemi mbledhur për të bashkuar zërin tonë, për të bashkuar përpjekjet tona, për të bashkuar nismat tona, për të bashkuar forcat tona, për qëllimin madhor të eleminimit të dhunës ndaj grave dhe vajzave. Të dhënat tregojnë së Shqipëria ashtu sikurse edhe vendet e tjera në Botë, vazhdon të përballet me dhunën ndaj grave dhe vajzave. Gjashtë gra kanë humbur jetën këtë vit nga dhuna në familje. Gjatë gra që do t’I kishim sot mes nesh, një humbje e madhe për shoqërinë, një humbje e madhe pë familjen, një humbje e madhe për fëmijët, një humbje e pazëvendësueshme”, tha Manastirliu.
Duke folur për parandalimin të dhunës, Ministrja Manastirliu tha: “Fjala kyçe është fuqizimi i grave. Duhet të forcojmë sinjalizimin e hershëm të dhunës. Po shtohen punonjësit socialë në shkolla por edhe po fuqizohet Njësia për Mbrojtjen e Fëmijëve. Janë më shumë se 600 punonjës në të gjithë sistemin e mbrojtjes sociale të mekanizmit kombëtar të referimit, të cilët janë trajnuar përgjatë këtij viti”, tha Manastirliu.
Duke folur për shërbimet sociale në mbështetje të grave, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u shpreh:
“Përgjatë këtyre viteve, kemi 35 shërbime të specializuara, të cilat mbështesin gratë dhe vajzat viktima të dhunës deri në ri-integrimin e tyre, dersa të fuqizohen e të ndihen të mbrojtura e të sigurta. Kjo është edhe një arsye pse kemi vendosur që edhe me buxhetin e vitit të ardhshëm, të rrisim me 30% financimin për Fondin Social, për të zgjeruar shërbimet për gratë dhe vajzat”.
Gjatë hapjes së fushatës së 16 ditëve të aktivizmit kundër dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore, në Ditën Ndërkombëtare të Eleminimit të Dhunës ndaj Grave, u ndanë disa çertifikata mirënjohje për aktivistë e punonjës të Drejtësisë, Policisë së Shtetit, Artit, Gazetarisë dhe ofrues të shërbimeve mbështetëse për gratë dhe vajzat viktima të dhunës.
Gjatë 16 ditëve të aktivizmit do të organizohen një seri aktivitetesh për të rritur ndërgjegjësimin për t’I dhënë fund dhunës ndaj grave dhe dhunës me bazë gjinore.