687.2 miliardë lekë shpenzime në buxhetin 2023, më shumë financim për arsimin, shëndetësinë dhe mbrojtjen sociale - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

687.2 miliardë lekë shpenzime në buxhetin 2023, më shumë financim për arsimin, shëndetësinë dhe mbrojtjen sociale

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, prezantoi në komisionin parlamentar për Ekonominë dhe Financat shpenzimet e projektbuxhetit të shtetit për vitin 2023.

Ministrja tha se shpenzimet për vitin e ardhshëm janë programuar në nivelin e 687.2 miliardë lekë ose 31.6% e Produktit të Brendshëm Bruto, rreth 26.5 miliardë lekë më shumë se plani i përditësuar i shpenzimeve buxhetore për vitin 2022.

Investimet publike për vitin 2023 janë planifikuar në masën 5.6% e PBB-së ose 122.2 miliardë lekë, me një rritje prej 0.1% të PBB apo 9.8 miliardë lekë më shumë se plani i rishikuar i vitit 2022.

Ministrja theksoi faktin se shumica e shpenzimeve kapitale për vitin 2023 jan parashikuar për financimin e projekteve në vazhdim, si Unaza e madhe e Tiranës, Ndërtimi i Tunelit të Llogarasë, Rruga e Arbrit, Segmenti Orikum-Dukat, etj., ndërsa do të vijojë financimi me prioritet i rindërtimit me rreth 5 miliardë lekë.

Lidhur me financimin e sektorëve prioritarë si arsimi, shëndetësia dhe mbrojtja sociale, Ministrja nënvizoi se buxhetet e këtyre sektorëve janë rritur në krahasim me vitin 2022, përkatësisht: arsimi +3 miliardë lekë; shëndetësia +1.8 miliardë lekë dhe mbrojtja sociale +21.5 miliardë lekë.

“Duhet të mos harrojmë për asnjë moment që, pavarësisht objektivit të konsolidimit të pandalshëm fiskal, financimi për këta 3 sektorë prioritarë është në rritje dhe do të vijojë të jetë në rritje të qenësishme në vitet në vijim”, tha Ibrahimaj.

Në rritje me 9 % në krahasim me vitin 2022 janë edhe shpenzimet e buxhetit vendor, të cilat për vitin 2023 parashikohen të jenë në masën 65.5 miliardë lekë.

Në përfundim të fjalës së saj, Ministrja Ibrahimaj theksoi se përmes projektbuxhetit të vitit 2023 do të vijojë mbajtja e pandryshuar e çmimit të energjisë elektrike për familjet shqiptare dhe shumicën e bizneseve, një shifër rreth 12 miliardë lekë si mbështetje për sektorin elektroenergjetik.

Fjala e Ministres Ibrahimaj:

I nderuar kryetar,

të nderuar deputetë anëtarë të këtij Komisioni!

Sikurse është theksuar në prezantimet që janë bërë deri tani të projektbuxhetit të vitit 2023, shpenzimet buxhetore për vitin janë programuar në nivelin e 687.2 miliardë lekë ose 31.6% e Produktit të Brendshëm Bruto. Në terma nominalë, shpenzimet buxhetore për vitin 2023 janë rreth 26.5 miliardë lekë më shumë se plani i përditësuar i shpenzimeve buxhetore për vitin 2022.

Në vijim do të marr në analizë secilin nga komponentët kryesorë të shpenzimeve buxhetore sipas klasifikimit ekonomik, duke u ndalur më pas në disa sektorë apo aspekte, të cilat nuk i prezantova në seancat e mëparshme.

Tek zëri i Shpenzimeve të Personelit për vitin 2023, doja të ndalesha tek fakti që thuajse e gjithë rritja në vlerë absolute prej rreth 8 miliardë lekë më shumë se plani i rishikuar i vitit 2022 i dedikohet efektit shtesë të rritjes së pagave për sektorin e arsimit, shëndetësisë, mbrojtjes, strukturave të sigurisë publike, si dhe pjesës tjetër të administratës publike qendrore, duke përfshirë njëkohësisht dhe rritjen e parashikuar të pagave me rreth 6% për punonjësit arsimor dhe shëndetësor gjatë vitit 2023.

Ritheksoj se qeveria vijon të tregohet e kujdesshme në menaxhimin e numrit të punonjësve buxhetorë qendrorë duke akomoduar kërkesa për vitin 2023 që vijnë nga sektorë prioritarë dhe sensitivë për shërbimet ndaj qytetarit si: sistemi i drejtësisë, shërbimet sociale, parandalimi i pastrimit të parave dhe auditimi i jashtëm publik.

Për t’u ndalur tek shpenzimet operative dhe të mirëmbajtjes, doja të fokusohesha tek shifrat më domethënëse:

10.4 miliardë lekë transfertë për Institucionet e Arsimit të Lartë për të mbështetur 65 mijë studentë të ciklit të parë të studimeve dhe 28 mijë të ciklit të dytë dhe të tretë të studimeve, duke përfshirë këtu rreth 18,800 studentë që përfitojnë bursa ekselence dhe në formën e mbështetjes sociale.

7.5 miliardë lekë për shpenzimet operacionale dhe të mirëmbajtjes së forcave të armatosura, me një objektiv të mirëpërcaktuar, që në vitin 2024 shpenzimet totale për sektorin e Mbrojtjes të arrijnë nivelin e dakordësuar me NATO në 2% të PBB-së.

5.8 miliardë lekë për mirëmbajtjen e infrastrukturës dixhitale dhe rritjes së sigurisë kibernetike, me qëllim ofrimin e një game akoma dhe më të gjerë dhe më cilësore të shërbimeve publike dixhitale tek qytetarët.

3.3 miliardë lekë do të alokohet për skemat e ndryshme të granteve për fermerët me financim direkt nga buxheti i shtetit. Nëse kësaj shume do t’i shtonim dhe financimin e fondeve nga programi IPARD i Bashkimit Europian prej rreth 4 miliardë lekë në total për vitin 2023, të cilat aktualisht klasifikohen si financim i huaj, mbështetja totale për fermerët shqiptarë shkon në 7.3 miliardë lekë ose më shumë se gjysma e totalit të buxhetit të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural për vitin 2023.

Për të kaluar tek shpenzimet e mirëmbajtjes së sistemeve IT të administratës qendrore me rreth 4 miliardë lekë, shpenzimet e mirëmbajtjes së rrugëve nacionale me një total prej 2.6 miliardë lekë (1 miliardë lekë më shumë se viti i kaluar),

Zëri i shpenzimeve për subvencione për vitin 2023 parashikohet në 1.6 miliardë lekë ose rreth 89 milionë lekë më pak se plani i rishikuar i vitit 2022. Dëshiroj të theksoj këtu se për sektorin hekurudhor që përfiton nga subvencionet shtetërorë rreth 450 milionë lekë për vitin 2023, ka zhvillime të rëndësishme në kahun e shpenzimeve kapitale me projektet e iniciuara si linjat Tiranë-Durrës, Tiranë-Rinas, Shkodër-Hani i Hotit si dhe studimi i parafizibilitetit për linjën Durrës-Prishtinë. Jemi besimplotë se nëpërmjet këtyre investimeve të cilat kanë filluar dhe me reformat e zbatuara në menaxhim, ky sektor do të kërkojë gjithnjë e më pak subvencione nga buxheti i shtetit.

Tek shpenzimet për fondet speciale, doja të ndalesha tek disa tregues që lidhen me shpenzimet për fondin e sigurimeve shoqërore:

  • Sistemi do të vazhdojë të mbështesë me të ardhura mesatarisht 801.57 mijë persona që kanë përfituar dhe përfitojnë pensione publike, pensione suplementare, si dhe një sërë të ardhurash të tjera të parashikuara me ligje, si dhe vendime të veçanta apo kompensuese të Këshillit të Ministrave.
  • Numri mesatar i kontribuesve në skemën e sigurimeve shoqërore parashikohet mbi 830 mijë persona me një rritje në masën 3% më shumë se i pritshmi i vitit 2022.
  • Shkalla e mbulimit të popullsisë në moshë punë (kontribues/popullsi në moshë pune) do të jetë mbi 43%.
  • Mbulimi i efekteve financiare të shtesës natyrale të numrit të përfituesve, e cila në harkun e tre viteve parashikohet të jetë rreth 46,000 përfitues, pra një shtesë neto me rreth 15,300 persona në vit, me një efekt financiar rreth 19.8 miliardë lekë.
  • Mbulimi i efekteve financiare të skemave të reja të përfitimeve, naftëtarë minatorë, të cilat pas rishikimit parashikohet të sjellin një efekt financiar te harmonizuar prej rreth 1.45 miliardë lekë.
  • Bonusi i Pensionistëve i parashikuar në shumën 5 miliardë lekë për çdo vit përgjatë periudhës 2023-2025, nga e cila do të përfitojnë rreth 686 mijë pensionistë në Republikën e Shqipërisë.

Mbulimi i skemës së sigurimeve shoqërore nga të ardhurat prej kontributeve ka qenë gjithnjë në rritje, ku vlen të theksoj se në vitin 2015 përpjesa e tyre ndaj totalit të shpenzimeve ka qenë 56%, ndërkohë që në vitin 2023, kjo përpjesë parashikohet të zërë 67% të totalit.

Skema e Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor për vitin 2023 parashikohet në masën 54.5 miliardë lekë ose 2.5% e PBB-së, nga 52.8 miliardë lekë të planifikuara për t’u shpenzuar deri në fund të vitit 2022. Dëshiroj të theksoj se 400 milionë lekë nga kjo rritje e buxhetit për këtë Fond shkon për financimin e skemës së rimbursimit të barnave duke arritur vlerën 11.4 miliardë lekë për vitin 2023. Kjo rritje padyshim që përkthehet në shumëllojshmëri barnash me çmime të përballueshme për qytetarët.

Shpenzimet për fondin e kompensimit në vlerë të Pronarëve qëndrojnë në masën 4.5 miliardë lekë, duke i qëndruar angazhimit të ndërmarrë nga Qeveria ndaj Gjykatës së Strasburgut për një skemë financimi të mirpërcaktuar dhe të sigurtë financiarisht për dëmshpërblimin e kësaj shtrese.

Investimet Publike për vitin 2023 janë planifikuar në masën 5.6% e PBB-së ose 122.2 miliardë lekë, me një rritje prej 0.1% të PBB apo 9.8 miliardë lekë më shumë se plani i rishikuar i vitit 2022.

Dëshiroj të ritheksoj faktin se shumica dërrmuese e shpenzimeve kapitale për vitin 2023 shkon për financimin e projekteve në vazhdim, ku mund të përmend projektet madhore në infrastrukturën rrugore si: Unaza e madhe e Tiranës, Ndërtimi i Tunelit të Llogarasë, Rruga e Arbrit, Segmenti Orikum-Dukat, apo projektet e nisura në infrastrukturën e ujësjellës-kanalizimeve që kapin vlerën totale prej 14.7 miliardë lekë, si dhe projektet e zhvillimit urban të implementuara nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit të financuara me 17.8 miliardë lekë.

Gjithashtu, vijon financimi me prioritet i rindërtimit me 5 miliardë lekë për vitin që vjen. Ky proces i rëndësishëm po vijon me ritme shumë të kënaqshme dhe që parashikojmë të mbarojë plotësisht në vitet në vijim.

Lidhur me financimin e sektorëve prioritarë si arsimi, shëndetësia dhe mbrojtja sociale, dëshiroj të ndalem pak, pasi dëgjoj në diskutimet e disa deputetëve të nderuar gjatë diskutimit të këtij projektbuxheti, si dhe në media, se ka rënie të buxheteve respektive si në vlerë absolute ashtu edhe në atë relative.

Së pari, dëshiroj të sqaroj se buxhetet e të tre sektorëve janë me rritje në vlerë absolute krahasuar me buxhetin e vitit 2022, si vijon: Arsimi +3 miliardë lekë; Shëndetësia +1.8 miliardë lekë dhe Mbrojtja Sociale +21.5 miliardë lekë. Edhe ndaj % së PBB, dëshiroj të theksoj se Arsimi me 3.2% të PBB-së, Shëndetësia me 3.1% të PBB-së dhe Mbrojtja Sociale me 9.5% të PBB-së, shifra në mesataren e periudhës 2017-2019, duke lënë jashtë periudhën 2020-2022, pasi konsiderohen si vite anormale si pasojë e fatkeqësive të njëpasnjëshme si: tërmeti i 26 nëntorit 2019, pandemia COVID-19 dhe lufta në Ukrainë. Duhet të mos harrojmë për asnjë moment, që pavarësisht objektivit të konsolidimit të pandalshëm fiskal, financimi për këta 3 sektorë prioritarë është në rritje dhe do të vijojë të jetë në rritje të qenësishme në vitet në vijim.

Për t’u ndalur tek shpenzimet e buxhetit vendor, të cilat për vitin 2023 parashikohen të jenë në masën 65.5 miliardë lekë, me një rritje prej 9% më shumë se buxheti i vitit 2022.  Këto shpenzime për vitin 2023, zënë rreth 3.1% të PBB-së nga 2.3% që zinin në vitin 2013. Të ardhurat e veta të pushtetit vendor, nga viti 2015 në vitin 2023, kanë pësuar një rritje të ndjeshme me rreth 17.4 miliardë lekë, ndërkohë krahasuar me vitin 2022 janë rritur me 1.5 miliardë lekë.

Për vitin 2023, njësitë e vetëqeverisjes vendore do të përfitojnë një fond në masën 2 miliardë lekë për emergjencat civile, nga të cilat 1.2 miliardë lekë do të jenë investime për parandalimin dhe rikuperimin e emergjencave dhe 800 milion lekë për shpenzime operative dhe detyrime të tjera. Gjithashtu, do të rriten ndjeshëm pagat e zjarrfikësve, me qëllim përmirësimin e cilësisë së këtij shërbimi dhe të gjitha pagat për funksionet që ushtron qeverisja vendore.

Rritja e buxhetit vendor për vitin 2023 në masën 7.2 miliardë lekë krahasuar me buxhetin e vitit 2022, do të orientohet kryesisht në rritjen e investimeve dhe shërbimeve publike.

Në fund të fjalës time, do doja të ritheksoja mburojën që projektbuxheti i vitit 2023 vijon t’i ofrojë familjeve shqiptare, si dhe shumicës së biznesit shqiptar, nëpërmjet mbajtjes së pandryshuar të çmimit fundor të energjisë elektrike. Shifra prej 12 miliardë lekë, e parashikuar në këtë draft si mbështetje për sektorin elektroenergjetik, është një shifër që është subjekt i përdorimit në varësi të ecurisë së reshjeve përgjatë periudhës së dimrit e më tej, si dhe e çmimeve në bursat ndërkombëtare të energjisë. E thënë ndryshe, në varësi të situatës që do të prevalojë përgjatë vitit 2023, kjo shifër do të jetë subjekt rishikimi gjatë zbatimit të buxhetit.

Duke Ju falënderuar për vëmendjen, mbetem në dispozicion të plotë për t’ju përgjigjur pyetjeve apo sqarimeve që kërkohen nga anëtarët e këtij komisioni të nderuar!

Faleminderit.

Previous “Reforma administrative territoriale ka sjellë rritjen e të ardhurave dhe investimeve në çdo bashki”