Mbërrijnë 48 mijë vaksinat e para të adaptuara që përfshijnë edhe nënvariantet e reja të Covid19
Vaksinat e adaptuara për Shqipërinë, falë marrëveshjes së qeverisë shqiptare me kompaninë Pfizer, kanë filluar me aplikimin tek të gjitha moshat, në çdo qendër shëndetësore.
“Vaksinat e adaptuara janë bivalente, të cilat mbrojnë nga variantet e Covid19, kryesisht ato të Omicrom, BA4, BA5. Tashmë kanë mbërritur në Shqipëri dhe janë shpërndarë dhe po shpërndahen në qendrat tona shëndetësore 48 mijë vaksinat e para të adaptuara, që përfshijnë nënvariantet e Omicron”-tha Manastirliu.
Gjatë vizitës në Qendrën Shëndetësore nr. 1 në Tiranë, Ministrja Manastirliu tha se në këtë periudhë fokusi do të jetë te vaksina përforcuese.
“Duhet të vijojmë me dozat përforcuese, që të rrisim këtë mbulesë vaksinale. Tashmë që kemi në dispozicion dhe do të vijojmë të kemi brenda muajit nëntor, rreth 700 mijë vaksina Pfizer, të cilat do të jenë vaksina të adaptuara, me variantet e reja, do të kemi mndësunë që të kemi dhe një intensitet të shtuar për kryerjen e dozës përforcuese”, tha Manastirliu.
Përsa i përket vaksinimit ndaj gripit, Ministrja Manastirliu tregoi interesin e lartë e treguar nga qytetarët.
“Rreth 170 mijë janë qytetarët të cilët janë vaksinuar me vaksinën kundër gripit, të moshuar mbi 60 vjeç, gra shtatëzëna, fëmijë. Dhe do të vijojmë gjithashtu në të gjitha qendrat shëndetësore me vaksinimin e kombinuar”-tha Manastirliu.
Deri tani në vendin tonë janë aplikuar rreth 3 milion doza vaksine antiCovid dhe ka një përthithje të konsideruar të kënaqshme nga ekspertët të vaksinave disponibël, në nivelin 87%.