Universiteti Bujqësor i Tiranës, pararojë e transformimit dhe perspektivë e re për të rinjtë

Universiteti Bujqësor i Tiranës (UBT) ka shënuar sot 74-vjetorin e themelimit, duke theksuar rolin e tij qendror në zhvillimin e bujqësisë në Shqipëri. Në kuadër të përvjetorit u zhvillua Konferenca e 5-të Ndërkombëtare mbi Shkencat e Jetës dhe Bujqësinë, me pjesëmarrjen e Kryeministrit Edi Rama, Ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, pedagogëve, ekspertëve dhe partnerëve nga Evropa dhe SHBA. Ministri Salla vlerësoi kontributin historik të UBT-së në formimin e specialistëve dhe modernizimin e sektorit bujqësor. Ai theksoi se universiteti po hyn në një fazë të re zhvillimi, të orientuar drejt kërkimit shkencor, inovacionit teknologjik dhe bashkëpunimit ndërkombëtar, veçanërisht prej bashkëpunimit me Universitetin e Burimeve Natyrore dhe Shkencave të Jetës në Vjenë (BOKU). “Bashkëpunimi mes UBT-së dhe BOKU është një shembull konkret se si arsimi dhe shkenca udhëheqin ndryshimin real. Kjo është rruga që duhet të ndjekim për të ndërtuar një bujqësi moderne dhe konkurruese në tregun evropian”, u shpreh Salla, duke vlerësuar partneritetet ndërkombëtare si një shtyllë kyçe për afrimin me standardet e BE. Në fjalën e tij, ministri u ndal te rrugëtimi i Shqipërisë në procesin e integrimit evropian dhe rëndësia e kapitujve 11, 12 dhe 13, që lidhen me bujqësinë, sigurinë ushqimore dhe peshkimin. Ai theksoi se krijimi i një sistemi transparent për regjistrimin e tokës, digjitalizimi i gjurmimit të produkteve bujqësore dhe menaxhimi i qëndrueshëm i burimeve detare janë prioritetet që do të udhëheqin këtë proces. “Përmes këtyre kapitujve, po ndërtojmë një standard të ri dinjiteti për njerëzit tanë në zonat rurale. Kjo është një punë që kërkon bashkëpunim të ngushtë mes institucioneve, Akademisë, sektorit privat dhe vetë fermerëve,” u shpreh Salla. Në vijim, ministri renditi disa nga prioritetet konkrete të ministrisë në këtë proces, si rritja e kapaciteteve profesionale dhe reformimi i strukturave për të garantuar efikasitet në çdo institucion; punësimi i të diplomuarve të ekselencës nga UBT, të cilët do të kenë përparësi në çdo vakancë në institucionet e varësisë; krijimi i Urdhrit të Agronomit, një nismë ligjore që do të rregullojë dhe licencojë profesionin e agronomit, duke garantuar cilësi, përgjegjësi dhe zhvillim profesional të vazhdueshëm. “Asnjë reformë nuk do të jetë e qëndrueshme pa dijen që lind në këtë universitet. Ministria e Bujqësisë do të jetë partnere e hapur dhe e palodhur për të ecur përpara së bashku me UBT-në. Do të bëjmë që fshati të jetë më i zhvilluar, fermeri më i mbrojtur, agronomi më i respektuar dhe produkti shqiptar më i vlerësuar. Stacioni ynë i ardhshëm është Bashkimi Evropian dhe UBT është një nga aleatët tanë më të çmuar në këtë rrugë”, përmbylli fjalën e tij Ministri Salla.