Kryeministri Rama ndodhet sot në Madrid, Spanjë, ku po merr pjesë në punimet e Samitit 2 ditor të NATO-s, së bashku me Ministren për Evropën dhe Punët e Jashtme Olta Xhaçka dhe Ministrin e Mbrojtjes Niko Peleshi.
Kryeministri Rama, së bashku me pjesëmarrësit e tjerë në Samit u mirëpriten nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s z. Jens Stoltenberg dhe Presidenti i qeverisë së Mbretërisë së Spanjës Pedro Sanchez.
Samiti i NATO-s ka mbledhur në Madrid kryetarët e qeverive dhe shteteve anëtare të NATO-s të cilët mes të tjerash do të miratojnë një Koncept të ri Strategjik, duke përcaktuar prioritetet dhe qasjet e Aleancës për dekadën e ardhshme, si dhe do të vendosin për një paketë ndihme gjithëpërfshirëse për Ukrainën.
Në vijim, Kryeministri Rama do të ndjekë seancën plenare të Samitit. Fjala e hapjes së Samitit do të mbahet nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s z. Jens Stoltenberg, ndërsa Presidenti i qeverisë së Mbretërisë së Spanjës Pedro Sanchez, do të mbajë një fjalë përshëndetëse.