Në bypass-in e Vlorës, me Komisionerin Olivér Várhelyi - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Në bypass-in e Vlorës, me Komisionerin Olivér Várhelyi

Kryeministri Rama bashkë me Komisionerin e Bashkimit Evropian për Zgjerimin, Olivér Várhelyi dhe me ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, përshkuan në këmbë një pjesë të bypass-it të Vlorës, projekt ky i përfunduar dhe i aksesueshëm tërësisht nga qytetarët.

Bypass-i i Vlorës është një nga veprat më të rëndësishme të infrastrukturës kombëtare, e cila do të lehtësojë lëvizjen e pushuesve drejt brigjeve të Jonit dhe do të shmangë trafikun brenda në qytet. “Ky është segment kyç për vendin pasi më parë rruga kombëtare kalonte nëpërmjet qytetit të Vlorës që do të thotë që trafiku në Vlorë vështirësohej shumë gatë verës ndërsa tashmë me bypass-in, lehtësohet trafiku. Kemi dhe disa xhepa ku qytetarët mund të ndalojnë për të bërë fotografi”, –  tha Kryeministri Rama.

Pas inspektimit të realizuar në bypass, Kryeministri Edi Rama dhe komisioneri i Bashkimit Evropian për Zgjerimin, Oliver Varhelyi zhvilluan një konferencë për shtyp.

 

***

 

Kryeministri Edi Rama: Përshëndetje të gjithëve!

Ne rikthehemi këtu, së bashku me ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë si dhe me skuadrën e ARRSH, së bashku me  punonjësit që këtu vazhdojnë të merren me detaje jashtë trasesë së rrugës, përmirësime të mëtejshme të natyrës së rikualifikimit urban dhe mjedisor, pasi sot u bë e mundur që një mik i çmuar, përveçse Komisioneri Europian për Zgjerimin, të vinte këtu, në pamundësi për të qenë me ne në ditën e lajmëruar të çeljes së by-pass, në 7 korrik, gjë që lidhej me domosdoshmërinë për të çliruar fluksin e makinave, sidomos në fundjavë.

E pra, sot është një ditë shumë e bukur këtu dhe është gjithmonë kënaqësi e jashtëzakonshme të ngjitesh për të shijuar këtë panoramë të mrekullueshme të Vlorës dhe të Gjirit të Vlorës, por është edhe një ditë ku jam i bindur që Komisioneri do mund të na thotë diçka më shumë, lidhur me atë që ne presim dhe që është fillimi formal i negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Unë nuk dua të zgjatem me këtë pikë, gjërat i kemi thënë, i kemi stërthënë. Aktualisht, parlamenti i Maqedonisë së Veriut është i mbledhur, me gjasë dhe me shpresë, për të miratuar në fund të një debati tejet të politizuar dhe tejet padrejtësisht, për hir të vërtetës, atë që quhet “Propozimi i fundit francez”. Ndërkohë që përsa i përket Shqipërisë, Shqipëria nuk ka asgjë për të bërë më shumë sesa të presë dhe mundësisht të shohim dritën jeshile të ndezur, më në fund, një orë e më parë.

Nga ana tjetër, patjetër që do përsërisim dhe stër-përsërisim pa u lodhur të njëjtën gjë, që pavarësisht aspektit formal të procesit, ne do vazhdojmë përditë njësoj sikur negociatat të ishin hapur qysh atëherë kur duhet të ishin hapur, me reformat, me investimet, me financimet e garantuara falë edhe planit ekonomik të investimeve që u ideua dhe u çua përpara nga komisioni i ri, nën përkujdesin e posaçëm të Komisionerit Varhelyi dhe patjetër, edhe me punën e përbashkët me qeverinë holandeze për të siguruar që të kemi edhe propozime konkrete në Samitin e madh të Pragës, në tetor në mos gabohem, lidhur me si mundet që komuniteti i ri politik europian të përkthehet në hapa konkretë, komplementarë, hapa që nuk e ndryshojnë e as nuk e zëvendësojnë procesin e hedhjes së hapave për integrimin e plotë në Bashkimin Europia, por që e përshpejtojnë, në aspekte konkrete, përfshirjen e Shqipërisë dhe të vendeve të Ballkanit Perëndimor në gjirin e Europës së Bashkuar.

I dashur Komisioner, faleminderit edhe njëherë. Siç ne e premtuam, kështu po ndodh. Po ju presim me një super diell, në super gjirin e Vlorës dhe me bindjen që ju do ta shijoni këtë kënaqësi të veçantë, që është Vlora, ju kaloj fjalën me të gjithë mirënjohjen për gjithçka ju keni bërë deri më tani dhe gjithçka që do vazhdoni të bëni me të njëjtën kokëfortësi hungareze që ju karakterizon.

 

Komisioneri i Bashkimit Evropian për Zgjerimin, Oliver Varhelyi: Faleminderit shumë!

Së pari është vërtetë kënaqësi që kthehem në Shqipëri, pasi Shqipëria është një vend që vazhdon të më befasojë e çdo herë që unë vij këtu, zbuloj diçka të re dhe që të jem i sinqertë, rruga për këtu vërtetë më la pa frymë, më la shumë mbresa. Duke parë bregdetin, por edhe duke parë të gjitha këto punime që janë bërë këtu, e gjithë kjo punë, pra me pak fjalë ju po ndërtoni Shqipërinë për brezat tuaj të ardhshëm. Po e bëni të ngite këtë punë në vend të brezave të mëparshëm, të paktën dy brezave të mëparshëm, nuk kanë treguar rezultatet , nuk kanë dhënë rezultatet që duhet të jepnin për atë se cila duhet të ishte jeta moderne, për atë që ka nevojë shoqëria moderne.

Nuk ka ekonomi apo shoqëri pa ndërlidhje. Nuk ka ekonomi , nuk ka shoqëri pa rrugë për tregti, pra pa tregëti, rrugë të cilat lartësojnë tregëtinë dhe për këtë arsye ne kemi tejet të qartë që prej fillimit. Ky Komision i yni që ne dëshirojmë te jemi të rëndësishëm duke sjellë mbështetjen tonë në ato pika të rëndësishme në ato pika që ne të jemi bashkë me rajonin për të ecur përpara, pra e di që kemi bërë gjithë këtë punë gjatë gjithë kësaj kohe, por kemi bërë në fakt në fund atë shtysën e fundit, atë kilometrin e fundit për të arritur këtu, pasi me gjithë këtë punë që është bërë ne po ulim ndotjen e ajrit në qytet dhe gjithashtu ne po japim edhe këndvështrime tërësisht të reja.

Për shembull, më është thënë që më parë janë dashur orë vetëm për të bërë 20 kilometra rreth qytetit, ndërsa tani i bie që ajo gjë t’i mbetet historisë, pasi në këto rrugë besoj do të shikojmë shumë maune, shumë automjete të rënda që do të kalojnë këtu, pasi ato janë që tregojnë edhe rrugët për shembull për tregti me Greqinë dhe shpresoj shumë që ne do ta lidhim këtë rrugë edhe me veriun, në mënyrë që të kemi pikërisht këto rrugë tregtie të lidhura me njëra-tjetrën edhe me pjesë të tjera të BE.

Për ne konektivitieti, lidhja me njëri-tjetrin, ndërlidhja, ka qenë dhe vazhdon të jetë një nga çështjet më të rëndësishme që ka dalë nga plani i investimeve ekonomik. Unë e di nga përvoja jonë, nga përvoja e Hungarisë se çfarë  ndryshimi sjell kjo gjë, pra kur ti ke mundësi të lidhesh me tjetrin dhe kjo gjë është shumë e qartë këtu.

Kjo është pjesë e Korridorit të 8-të dhe jam shumë krenar për partnerët tanë, për BERZH-in, BE-në që e kanë bërë këtë gjë të mundur sepse sigurisht që komisioni mund të ketë dëshirën më të madhe të mundshme dhe natyrisht fonde pa fund, por që pa partnerët tanë që t’i vënë ato në zbatim, kjo gjë nuk do të ishte e mundur prandaj dëshiroj që t’i falenderoj dhe kjo tregon edhe sa e rëndësishme është që ne të bashkëpunojmë me njëri-tjetrin dhe sesa e rëndësishme është edhe puna që ata sjellin, dhe roli që ata luajnë.

Kjo është punë e cila në fakt është bërë për qytetarët, për bizneset. Kjo nuk është bërë për ne, kjo nuk është bërë për ndokënd tjetër veçse për të mirën  e përbashkët si shqiptare, ashtu edhe atë europiane.

Pra, Kryeministër, shpresoj që kjo të jetë vetëm një nga ato gjërat e para që ne bëjmë së bashku, e para në një listë të gjatë, shumë të gjatë, në një zinxhir shumë të gjatë i cili do të lidhë Shqipërinë jo vetëm sa u përket rrugëve, por edhe hekurudhave, energjisë apo energjisë së gjelbër, si edhe ndërlidhjeve digjitale apo edhe për të krijuar më shumë vende pune në zona të ndryshme të vendit dhe prandaj kjo tregon edhe vlerën e madhe të planit të investimeve ekonomike të cilën ne e kemi bërë dhe e kemi ideuar së bashku më qeverinë e Shqipërisë.

Për mua kjo do të thotë që ne duhet edhe të përshpejtojmë punën, pra pikërisht atë që po bëhet, sepse plani i investimeve ekonomike ka 2 vjet që ka filluar tashmë. Ne duhet t’i përshpejtojmë gjërat dhe duhet të japim , të tregojmë edhe më shumë rezultate për shumë projekte. Natyrisht që kjo shkon në formë paralele edhe me reformat. Edhe këtu më lejoni që të inkurajoj Shqipërinë që të përshpejtojë punën edhe në këtë fushë.

Ne e kemi parë që Shqipëria ka ecur shumë. Unë mbaj mend kur kam ardhur për herë të parë në fillim të vitit 2020 me të gjitha ato detyra që kishte për të bërë Shqipëria. Tani po t’i hedhim sytë pas, është bërë një punë vërtetë shumë e madhe dhe Shqipëria është gati për të filluar negociatat, pra me konferencën e parë ndërqeveritare dhe nuk ka dyshim, asnjë pikëpyetje që Shqipëria ka bërë çdo gjë që ishte e nevojshme për të arritur tek konferenca e parë ndërqeveritare dhe për këtë arsye unë jam shpresë plot se në ditët e pakta në vijim, ne do të kemi lajmin e mirë dhe që java e ardhshme do të jetë ajo javë për të cilën ne kemi kaq kohë që presim.

Po e lë me kaq fjalën time dhe edhe një herë sërish, Kryeministër, faleminderit shumë për bashkëpunim tonë shumë të mirë dhe për bashkëpunimin efektiv që kemi, shumë efektiv sepse është tjetër gjë që të jemi miq, por nuk mjafton kaq, pasi ne duhet të mbajmë premtimet, të japim rezultatet e të japim rezultate më shumë sesa vetëm ky bypass.

 

– Për sa i takon zhvillimeve në Maqedoninë e Veriut, zoti kryeministër ju thatë se ishte duke u mbajtur në fakt mbledhja në parlament, ka përfunduar në fakt mbledhja dhe duket se edhe pas vizitës së presidentes së Këshillit të Europës dhe pas fjalimit të saj sërish parlamenti i Maqedonisë së Veriut nuk e ka një përgjigje dhe nuk e pranon propozimin francez. Doja një përgjigje për qëndrimin tuaj për rastin?

 

Komisioneri i Bashkimit Evropian për Zgjerimin, Oliver Varhelyi: Nëse keni ndonjë pyetje për Maqedoninë e Veriut atëherë gjëja më e mirë është që atë pyetje tja bëni atyre. Nuk mund të jap përgjigje në emër te Maqedonisë së Veriut se për çfarë mund të presim prej tyre, por ama nuk është se po i bëj bisht pyetjes. Natyrisht që ne tashmë i kemi sytë dhe veshët drejt Shkupit. Mendoj që është thjesht gjëja e duhur që tani të ketë një debat demokratik pra dhe është gjeja e duhur që kemi këtë debat. Ju keni parë që presidentja jonë, Ursula von der Leyen ka bërë kontributin tonë në formë të drejtpërdrejtë tek kuvendi i Maqedonisë së Veriut dhe jam i sigurt që ky debat do të jetë përfundimtar dhe do të na japë një vendim të qartë, një vendim të qartë i cili do konfirmojë që Maqedonia e Veriut është gati për të ecur përpara me atë që është vënë në tryezë nga presidenca franceze dhe nga qeveria, nga presidenti Republikës angazhimi është i qartë, por për çështje të tilla është thjeshtë demokratike, është gjëja e duhur që të pyeten përfaqësuesit e qytetarëve dhe jam shpresëplotë që do të kemi një përgjigje të qartë dhe pozitive në fund të këtij debati, por ama ta lëmë këtë debat të shtjellohet, të kryhet e të përfundojë ashtu siç duhet të përfundojë në çdo parlament të cdo vendi.

 

Kryeministri Edi Rama: Unë nuk dua të zgjatem se vërtetë mund të ketë mbaruar një seancë, por në dijeninë time debati do vazhdojë në parlamentin e Maqedonisë së veriut.

Unë dua të shpresoj që rezultati do të jetë pozitiv. Nëse rezultati do të jetë pozitiv patjetër që konferenca mund të thirret shpejt. Nëse rezultati nuk do të jetë pozitiv ne menjëherë të nesërmen do të kërkojmë dhe do vazhdojmë të kërkojmë pastaj në vijimësi ndarjen e dosjes së Shqipërisë nga dosja bullgaro-maqedonase dhe patjetër që ne jemi të bindur që Shqipëria duhet t’i çojë negociatat këtë vit pa diskutim.

Tani të presim fundit e këtij debati maratonë që parashikohet të zhvillohet në parlamentin e Maqedonisë së Veriut dhe pastaj të shikojmë hapin tjetër që do të hedhim. Sigurisht që unë uroj të ndodhë që parlamenti i Maqedonisë së Veriut t’i hapë rrugë propozimit francez dhe kështu të dy vendet të hyjnë menjëherë në negociatat për anëtarësim, por kjo, siç e tha dhe komisioneri nuk është diçka që e vendosim ne, këtë e vendos parlamenti sovran i Maqedonisë së Veriut.

Ndërkohë dua të theksoj edhe një herë që falë kujdesit të veçantë të komisionerit Varhelyi dhe shtytjes që i ka bërë ky Komision Europian aspektit të bashkëpunimit dhe të mbështetjes ekonomiko-financiare të Ballkanit Perëndimor, ne jemi në përgatitje edhe për të tjera projekte që janë drejtpërdrejtë të mbështetura nga kjo strukturë financimi dhe projekte që nuk janë vetëm rrugë, por janë dhe hekurudhat, janë dhe projektet ne energji dhe ne do të kërkojmë edhe nga plani ekonomik i investimeve gjë që do ta bisedojmë sot me komisionerin edhe mbështetje për portin e ri të Durrësit, ku kemi kërkuar mbështetje nga paketa e investimeve të NATO-s për krahun ushtarak të portit dhe do të kërkojmë nga krahu civil i Aleancës, mbështetje edhe për krahun e veprimtarisë civile, të lëvizjes së mallrave në këtë rajon përmes portit të Durrësit, i cili do të marrë komplet tjetër peshë strategjike në ekonominë e vendit dhe ekonominë rajonale duke praktikisht krijuar një mundësi të re, më pak të kushtueshme dhe më shumë efektive për të gjitha vendet e rajonit. Këto janë ato që kanë një rëndësi të veçantë, por duhen thënë sot këtu në Vlorë.

 

– Pavarësisht pretendimeve të qeverisë shqiptare dhe Ministrisë së Turizmit përsa i përket sezonit turistik, që thuhet se ka një bum turistësh, konstatimet në terren flasin për njësi hoteliere dhe plazhe të qytetit që janë thuajse bosh si rrjedhojë e impaktit të çmimeve të larta. A do ketë një plan masash nga qeveria shqiptare për minimizimin e dëmit dhe për të vazhduar pyetjen drejtuar edhe komisionerit, a do ketë një plan edhe nga Bashkimi Europian apo një mbështetje për sektorin e turizmit?

Kryeministri Edi Rama: Nuk e kuptoj për cilin dëm bëhet fjalë. Ne jemi në një ekonomi tregu dhe pa e përkrahur konstatimin, natyrisht, që mendoj është minimalisht i nxituar lidhur me sezonin sepse ne kemi shifrat e vizitorëve të huaj që hyjnë në vendin tonë, nuk flasim këtu thjesht për shqiptarë që vijnë në këtë periudhë pushimesh, qoftë për pushime apo arsye të tjera, flasim për vizitorë të huaj dhe numri i vizitorëve të huaj në këtë 6-mujor të parë, akoma nuk kemi shifrat e korrikut, është shumë më i lartë sesa numri i vizitorëve të huaj në vitin apo vitet e shkuara. Natyrisht, nëse ka vërtetë një problem me çmimet e larta, kjo është për tu parë dhe për tu analizuar në fund, nuk mund ta analizojmë tani, por sigurisht që nëse dikush vendos çmim të lartë, jashtë logjike dhe pastaj nuk i vjen njeri, ky është një dëm që vetes së vet do ia paguajë vetë, nuk do presë që t’ia paguajë shteti, se prandaj kemi zgjedhur këtë sistem. Nëse në fund do kemi këtë konstatim, atëherë do jetë një mësim shumë i mirë për të kuptuar që për të qenë konkurrues, në një rajon që ka destinacione të tjera shumë të afërta dhe që janë cilësore dhe ku konkurrenca nuk është një lojë e thjeshtë, duhet menduar mirë përpara se të rriten çmimet. Kjo është shumë e thjeshtë. Nëse do jetë kështu, ky sezon do bëhet një mësim i madh për sezonin tjetër. Kështu mësojnë vendet që rriten dhe që maturohen në një proces ku të tjerët janë shumë më të vjetër se ne në këtë lojë dhe të mos harrojmë se ku ndodhemi! Ndodhemi në mes të konkurrentëve të fortë të Mesdheut. Kemi Greqinë afër, kemi Turqinë, kemi Malin e Zi më sipër, kemi Kroacinë. Italia, pa diskutim, por Italia i përket një tjetër niveli gjithsesi dhe këtu nuk mund të mendojmë që meqë iu hap nami Shqipërisë për të ardhur, si një vend për tu zbuluar, me të gjitha magjitë e veta, hajde se po i biem me top çmimeve. Kjo është përgjigja!

Sektorin e turizmit ne e kemi mbështetur dhe po e mbështesim si kurrë më parë, me investime të cilat kanë ndryshuar kartëvizitën e vendit. Vendi kishte një kartëvizitë pa identitet në rastin më të mirë dhe me një identitet të dyshimtë, në rastin më të keq. Një vend ku turistët e huaj numëroheshin me gishtat e dorës, një vend ku nuk kishte ku të ktheje kokën për të bërë ndonjë fotografi në rast se nuk ngjiteshe në ndonjë mal apo në rast se nuk futeshe në det.

Jo më larg se disa vite më parë, ku përsëri kemi përfituar një tjetër fond të Bashkimit Europian, Lungomarja ishte një shteg dhish ku kaloje përmes jashtë nxjerrjeve të deleve dhe ku nuk shikoje dot detin sepse në të djathtë kur vije apo në të majtë kur ikje kishe vetëm ndërtime pa leje, me ujërat e zeza që merrnin rrugët. Sot është situatë tjetër.

Sot është situatë tjetër por ama konkurrenca në këtë treg është konkurrencë shumë e fortë. Është njësoj si me bujqësinë. Nuk e di nëse i patë sot shifrat e reja të eksporteve; janë impresionuese për periudhën në të cilën kalojmë edhe me kostot e rritura nga kriza e luftës mbi fermerët dhe kjo është rezultat i asaj pjese, fatmirësisht të konsiderueshme, të komunitetit të fermerëve që kanë mësuar si të konkurrojnë në tregjet e huaja. Ndërkohë që, një pjesë tjetër po kërkon akoma kohë për të mësuar dhe del në rrugë me prodhime që thonë, “do t’i hedhim se nuk na i blen njeri”. Nëse nuk jua blen njeri, duhet të shohësh ti ku e ke problemin sepse nuk kanë ndaluar as shqiptarët e as të huajt së ngrëni qershia. Ka qershia që ikin në tregjet e huaja, përveçse në tregun vendas dhe sjellin të ardhura të larta për ata fermerët atje lart në zonën e Peshkopisë, ka qershi në një zonë tjetër në jug që nuk i do njeri. Atëherë, ku është problemi? Problemi është që duhet të adaptohemi me konkurrencën.

Komisioneri i Bashkimit Evropian për Zgjerimin, Oliver Varhelyi: Nuk dëshiroj të bëj sikur jam ndonjë ekspert për turizmin në Shqipëri megjithatë, më lejoni t’iu jap disa ide, të paktën se si  e shikojmë ne sektorin e turizmit sot, jo vetëm në Shqipëri, por në fakt në të gjithë rajonin.

Në rajon, në disa vende, ky sektor është vërtetë shumë i rëndësishëm. Po të shikojmë Malin e Zi, po të shikojmë Shqipërinë, Kroacia është shtet anëtar, por është në fakt një pjesë shumë e rëndësishme e ekonomisë. Sfida është që turizmi të mos jetë i vetmi mjet ose më i rëndësishmi i ekonomisë. E kemi parë sepse sjell rreziqe dhe e kemi parë këtë me krizën e COVID-it. Prandaj, po të shikosh planin tonë të investimeve, atëherë mund të shikoni që ne vërtetë dëshirojmë që të kontribuojmë për të diversifikuar ekonominë. Çfarë do të thotë kjo? Kjo do të thotë sektori i shërbimeve, prodhimet. Pra, sektorë të ndryshëm që do të krijojnë stabilitet afatgjatë si dhe rezistencën e ekonomisë.

Kur flasim për ndërlidhjen ose atë që është quajtur konektivitet, rrugët, hekurudhat sjellin dhe bëjnë të mundur lëvizjen e mallrave por edhe të turistëve. Prandaj, unë mendoj që është kaq e rëndësishme kjo që ne kemi tani, që ne krijojmë aksesin, mundësinë për të lëvizur dhe për turizmin shqiptar, për të arritur në një nivel më të lartë, kjo ndërlidhje që ne krijojmë me anë të rrugëve është shumë e rëndësishme dhe ndaj duhet t’i përshpejtojmë këto investime sa më shumë të jetë e mundur. Këtë gjë po bëjmë dhe këtë gjë mund ta shikoni dhe këtu përpara jush.

Sa i përket aspektit afatshkurtër ose përparësive, në aspektin afatshkurtër, ne shikojmë që në rajon ky mund të jetë viti i parë, pas krizës së COVID-it, ku ne do të shikojmë performancën e turizmit si përpara krizës, por diçka të përafërt, mjaft të përafërt me të.

Nga ana jonë, ne po shikojmë mundësi të ndryshme për të ndihmuar këtë sektor kaq të rëndësishëm të ekonomisë, jo vetëm thjesht për të mbijetuar, por për tu fuqizuar sa më shumë. Nga fondet e IPARD-it, për shembull, ne kemi caktuar fonde pikërisht për këtë sektor, atë të ushqimeve apo të fushës së zhvillimit rural, gjithsej 160 milionë euro mesa di unë, që do vihen në dispozicion të këtij sektori. Këto janë financime që janë duke u përçuar tek sektori.

Ne të gjithë e dimë se sa ka vuajtur sektori i turizmit gjatë krizës së COVID-it dhe nuk besoj se për një sezon do ta marrë veten tërësisht, por do duhen tre apo katër sezone pushimi që të arrihet kjo gjë por  shpresoj që ndërkohë, ne të rrisim kapacitetet që këtu të vijnë më shumë turistë. Ndaj, kjo që shoh këtu më jep kaq shumë shpresë. Faleminderit!

Previous Përmirësimi i klimës së biznesit, Ibrahimaj: Jemi të vendosur për vijimin e reformave

Leave Your Comment