Një shekull marrëdhenie diplomatike Shqipëri – SHBA - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Një shekull marrëdhenie diplomatike Shqipëri – SHBA

Viti 2022 shënon 100 vjetorin e vendosjes së marrëdhënive diplomatike mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ngjarje e përkujtuar në një sërë eventesh, përgjatë këtyre muajve, që nga nisja e vitit.

Nën logon “ 100 – Së bashku krah për krah”, e cila simbolizon miqësinë mes popullit amerikan dhe atij shqiptar, e dakordësuar si logo e përbashkët mes 2 vendeve, u kremtua sot, 100 vjetori i lidhjes jetike së miqësisë dhe partneritetit, me vendin simbol të demokracisë, e cila kaloi përmes një historie të trazuar nga perdja e hekurt, për t’u rikthyer me e fortë se kurrë.

Si sot një shekull më parë, më 28 korrik të vitit 1922, në Ministrinë e Jashtme mbërriti dokumenti zyrtar që njoftonte qeverinë shqiptare se SHBA-të e njohin qeverinë shqiptare dhe se Maxwell Blake emërohet ambasadori i parë në Shqipëri.

Kryeministri Edi Rama, i cili  ishte i pranishëm në këtë kremtim, u shpreh në nderim të kësaj dite:

* * *

 “Ishte dita e pavarësisë kur i thashë presidentit Wilson ta shpëtonte këtë racë heroike dhe të pashpresë dhe t’i kthejë asaj bukën e jetës, lirinë, dhe përgjigja e tij ishte “Unë do kem një zë në Kongresin e ardhshëm të Paqes dhe atë do ta përdor në favor të Shqipërisë”.

Shumë e nderuar ambasadorja Kim,

Zoti President, me kërkesën për mirëkuptim që iu drejtova më parë ambasadores sepse sot është më shumë se asnjëherë tjetër, dita e saj dhe Shteteve të Bashkuara,

Zonja kryetare e Kuvendit,

Ministra, të nderuar miq!

Çka lexova ishin prej kujtimeve të Fan Nolit, i cili në 4 korrik të vitit 1918 mori nga Presidenti Wilson premtimin se do ta mbronte Shqipërinë në Konferencën e Paqes dhe ai është momenti kur mori jetë kjo marrëdhënie kaq speciale.

Nuk besoj se ndodh në ndonjë vend tjetër që gjithë qeveria dhe gjithë paria e vendit të mblidhen me ambasadoren apo ambasadorin e Shteteve të Bashkuara dhe të kremtojnë ditën kur kanë firmosur marrëdhëniet diplomatike, por kjo nuk e bën aspak të pakuptueshme apo qesharake këtë që ndodh këtu në vendin tonë, sepse ndryshe nga gjithë vendet e tjera, pa asnjë përjashtim, në këtë marrëdhënie ka hyrë në mes një histori e pangjashme me asgjë tjetër që ka përcaktuar dhe këtë nivel dhe thellësi të marrëdhënies sonë me Shtetet e Bashkuara.

Ne sot jemi këtu për 100 vjetorin sepse pikërisht si sot 100 vjet më parë, më 28 korrik të vitit 1922, në Ministrinë e Jashtme mbërriti dokumenti zyrtar që njoftonte qeverinë shqiptare se Shtetet e Bashkuara e njohin qeverinë shqiptare dhe se Maxwell Blake emërohet ambasadori i parë në Shqipëri.

Në fakt, nuk është një 100 vjetor që vjen pas një miqësie të lumtur, është një 100 vjetor që vjen pas një historie që, siç thashë, është përcaktuese për këtë marrëdhënie sot, historia e ndarjes me dhunë, me zjarr dhe hekur e Shqipërisë dhe shqiptarëve nga bota dhe e shkëputjes totale të çdo lidhje me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, madje e vendosjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në shënjestrën e përditshme të diktaturës komuniste.

Në njëfarë mënyre, Enver Hoxha është njeriu që ka punuar më shumë se të tërë për këtë ditë që ne jemi sot këtu dhe për thellësinë dhe dashurinë pa kushte, ende pa kushte sot për sot, të shqiptarëve ndaj Shteteve të Bashkuara, ka punuar thuajse gjysmë shekulli, për ta kthyer Shqipërinë dhe për t’i kthyer shqiptarët në dashnorët më të paepur të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Të gjitha ato që regjimi komunist bëri për t’i larguar në ekstrem shqiptarët prej Shteteve të Bashkuara të Amerikës u përkthyen në kalimin e shqiptarëve në ekstremin tjetër. Ky është një ekstrem, i cili i bën mirë Shqipërisë në këtë fazë të historisë së saj sepse Shqipëria është një vend i vogël, është një vend që është në nevojë të madhe për t’u zhvilluar dhe për tu forcuar, është një vend që e ka të domosdoshme një aleat të madh dhe aleat më të madh dhe më të fortë sesa Shtetet e Bashkuara të Amerikës as Shqipëria dhe askush tjetër  nuk mund të gjejë dot.

Për të ardhur sot në këtë ditë ku Shqipëria është ndryshe nga sa ishte, pasi u rivunë marrëdhëniet, dhe në këtë ndryshim, padiskutim, ka një rol të veçantë kjo marrëdhënie dhe ka një kontribut të veçantë kjo miqësi. Nëse do ta parafytyronim për një moment të vetëm rrugëtimin e këtyre 30 viteve, pa Shtetet e Bashkuara të Amerikës, edhe pse mund të kishim lirinë dhe mund t’i kishim hapur vetes rrugën për të ndërtuar demokracinë,  e marrim vetë me mend se çfarë do ishte Shqipëria sot; gjithçka tjetër, por jo një vend ku po zhvillohet një reformë e thellë në drejtësi, gjithçka tjetër, por jo një vend ku vazhdon përpjekja e përditshme për t’u ndarë nga e shkuara, gjithçka tjetër, por jo një vend dhe popull i mbrojtur nga vetë xhagajdurët e tij, që kanë qenë historikisht arsyeja kryesore pse shqiptarët nuk kanë mundur të nxjerrin në pah të gjithë potencialin e tyre.

Sot, janë të panumërta arsyet, pse bazuar në historinë e këtyre 30 viteve, kjo është një marrëdhënie e pazëvendësueshme strategjike dhe arsyet pse ne duhet ta durojmë me buzëqeshje, madje dhe me kënaqësinë, protagonizmin e ambasadorëve amerikanë në Shqipëri.

Është shumë e thjeshtë. Shtetet e Bashkuara në Shqipëri janë në shtëpinë e tyre sepse kështu e kanë vendosur shqiptarët dhe sepse kështu e ka dashur gjithë kjo rrugë ku pa zërin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në atë vit kur Fan Noli iu lut përulësisht presidentit Wilson, Shqipëria mbase nuk do ekzistonte.

Pa Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Shqipëria sot nuk do ishte as anëtare e NATO-s dhe as anëtare e Këshillit të Sigurimit, por më shumë se kaq, pa Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Shqipëria sot nuk do ishte në gjendje të përballej me të keqen dhe me të shkuarën, e cila vazhdon të jetë pjesë e përpjekjes sonë të përditshme, e cila vazhdon të rishfaqet përpara nesh në forma nga më të ndryshmet, që nga rezistenca ndaj ndryshimit dhe rezistenca ndaj krijimit të kushteve që në këtë vend të ketë drejtësi të drejtë për të gjithë e deri tek hijet e të shkuarës më të errët komuniste që ne mendojmë se i ka tretur e kaluara por që prapë, pa prit e pa kujtuar, na dalin përpara.

E mira është që në vendin tonë nuk ka një forcë të mundshme anti-amerikane apo dhe anti-europiane dhe edhe kur ka mllef, edhe kur ka ndjenjë hakmarrjeje, jo ndaj SHBA, por ndaj politikës së SHBA-së, siç është mllefi dhe ndjenja e hakmarrjes ndaj reformës në drejtësi, kjo shfaqet në formën e një gare dashurie se kush e do më shumë Amerikën, madje deri në pikën që “ne e duam Amerikën më shumë se ambasadorët amerikane”. Ky është aspekti komik i historisë së kësaj marrëdhënieje, por nga ana tjetër edhe dhe shumë domethënës për faktin që s’ka dot këtu një burrë që ia thotë Shteteve të Bashkuara të Amerikës në sy ato që realisht mendon kur i dridhen gjunjët nga reforma në drejtësi apo kur i vjen tmerr të dalë nga shtëpia se i shikojnë damkën në lule të ballit. Gjithmonë, të gjithë jemi për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, disa janë për marrëdhëniet me këto Shtete të Bashkuara të Amerikës, disa duan ato shtete të Bashkuara të Amerikës se janë pasardhës të Lincolnit apo të Rooseveltit edhe kanë probleme me nivelin.

Në fund dua të them se është vërtetë nder dhe privilegj që ne kemi arritur të nënshkruajmë një marrëveshje partneriteti strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe që së fundmi pak ditë më parë kemi marrë nga Washingtoni propozimin për ta thelluar dokumentin e partneritetit strategjik. Është diçka jashtëzakonisht domethënëse që flet për një angazhim strategjik dhe thelbësor për Shtetet e Bashkuara të Amerikës me Shqipërinë, por jo vetëm me Shqipërinë, përmes Shqipërisë edhe me rajonin. Shqipëria është baza politike e Shteteve të Bashkuara në këtë rajon, është epiqendra e veprimtarisë së Shteteve të Bashkuara në të gjitha planet. Është fiks gjëja që Enver Hoxha luftoi 50 vjet që mos të ndodhte. Dhe shkoi e ndodhi komplet në ekstremin tjetër të asaj që ai u përpoq të pengonte. Dhe ne jemi jashtëzakonisht të privilegjuar dhe unë jam shumë besimplotë që falë kësaj marrëdhënieje ne do ta ndryshojmë rajonin. Do ta ndryshojmë rajonin një herë e përgjithmonë. Natyrisht që, do të vazhdojmë të përballemi me forca që duan ta mbrojnë edhe Ballkanin, edhe Kosovën nga çartja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por ne do ta ndryshojmë rajonin dhe me Ballkanin e Hapur që është një projekt 100% i dakordësuar dhe 100% i mbështetur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ne do të bëjmë të mundur që e shkuara e cila vazhdon të jetë kërcënim edhe sot, është e vërtetë, të mos jetë më kurrë kërcenim për Ballkanin, por të jetë vetëm një thesar dijesh dhe mësimesh për sesi historia nuk duhet të përsëritet. Nuk po hyj më thellë në aspektet më konkrete të këtyre marrëdhënieje, të cilat i takojnë bashkëpunimit qoftë në fushën ushtarake, qoftë në fushën ekonomike, aq më tepër që pas meje do flasë dhe shefi i shtabit të përgjithshëm të Forcave të Armatosura deri pak ditë më parë dhe fatmirësisht presidenti i ri i Republikës! Faleminderit!

Previous Kumbaro: Bizneset kanë detyrimin e transparencës së çmimeve për turistët

Leave Your Comment