Kryeministri Edi Rama mirëpret në Tiranë Kryeministrin e Mbretërisë së Spanjës Pedro Sanchez/ Konferencë e përbashkët për shtyp - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kryeministri Edi Rama mirëpret në Tiranë Kryeministrin e Mbretërisë së Spanjës Pedro Sanchez/ Konferencë e përbashkët për shtyp

Kryeministri Edi Rama mirëpriti sot në një ceremoni zyrtare, Kryeministrin e Mbretërisë së Spanjës Pedro Sanchez, i cili vizitoi Tiranën, në kuadër të një turi që po zhvillon në vendet e Ballkanit.

Kjo është vizita e parë zyrtare e një kryeministri spanjoll në Shqipëri dhe njëkohësisht është edhe vizita e parë e një kryeministri të një vendi të Bashkimit Europian, pas hapit historik të çeljes së negociatave për anëtarësim me Bashkimin Europian.

Pas takimit të zhvilluar mes dy kryeministrave dhe delegacioneve respektive, u firmos marrëveshja  dypalëshe për krijimin e një grupi të përbashkët hetimi në fushën e luftës kundër krimit të organizuar ndërkombëtar, duke përdorur instrumentet e inteligjencës policore dhe hetimit që të dy vendet vlerësojnë të përshtatshme. Në përfundim,  Kryeministri Rama dhe Kryeministri i Mbretërisë së Spanjës Pedro Sanchez dhanë një konferencë të përbashkët për shtyp.

 

Kryeministri Edi Rama: Përshëndetje të gjithëve! Është një kënaqësi shumë e veçantë që sot mikpresim në Tiranë kryeministrin e Mbretërisë së Spanjës, përveç të tjerash, një njohës i mirë i kahershëm i rajonit dhe një mik i mirë i Shqipërisë. Është vizita e parë zyrtare e një kryeministri spanjoll në Shqipëri dhe është edhe vizita e parë e një kryeministri të një vendi të Bashkimit Europian pas hapit historik të çeljes së negociatave për anëtarësim me Bashkimin Europian.

Na vjen jashtëzakonisht mirë dhe unë dëshiroj që edhe publikisht, sot këtu, ta falenderoj Pedron për mbështetjen pa rezervë të Spanjës në këtë proces, duke kujtuar se Spanja kishte një pozicion disi më të ngurtë sesa të tjerë, duke qenë, në njëfarë mënyrë, më kërkuese dhe fakti që sot Spanja është tërësisht e angazhuar në mbështetje të këtij procesi dhe ka qenë një nga aktorët më të zëshëm për të çelur negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut është edhe konfirmim i faktit se ne folëm me gjuhën e rezultateve konkrete që morën vlerësimin e të gjithëve.

Ne kemi një pritshmëri të lartë nga presidenca spanjolle, e cila do të udhëheqë Bashkimin Europian në 2023 në hapje të një sezoni, që sipas nesh është shumë i dëshiruar dhe i përshtatshëm për ne sepse fillon me Spanjën, vazhdon me Belgjikën dhe më tutje me Hungarinë. Është treshja që faktikisht, ka përfunduar me sukses negociatat e pranimit të Kroacisë në Bashkimin Europian, 3 vende me një pozicion absolutisht të qartë të palëkundur europeist dhe për më tepër që të treja, edhe me këtë vizitë të kryeministrit në rajonin tonë, të prirura të mbështesin në mënyrë të posaçme Ballkanin Perëndimor në këtë proces transformimesh dhe integrimi historik.

Kemi folur me kryeministrin, natyrisht për rajonin, të cilin ai po e viziton, kemi folur për nismat rajonale, kemi folur për mënyrën sesi ne mund ta integrojmë këtë proces nismash rajonale me procesin që nis me idenë e komunitetit të ri politik europian dhe sesi, pa e zëvendësuar kurrsesi dhe pa e anashkaluar procesin individual të çdo vendi në kuadrin e zgjerimit të Bashkimit Europian, të krijojmë sinergji të reja, të cilat do të na afrojmë shumë më tepër dhe shumë më shpejt me rrjetin e institucioneve europiane, sic po bëjmë aktualisht dhe po i shohim të mirat me integrimin tonë në sistemin e Emergjencave Civile Europiane.

Sot, ne shohim që është shumë më e shpejtë dhe me efikase mbështetja, kur vjen puna për zjarret për shembull, sepse jemi bërë pjesë e këtij sistemi dhe mekanizmi që i shërben të gjithë vendeve europiane na shërben dhe ne. Po ashtu, me energjinë kemi shumë për të bërë dhe siç jemi plotësisht të linjëzuar dhe integruar kur vjen puna për të përballuar agresionin rus në Ukrainë, dëshirojmë të jemi të linjëzuar dhe integruar edhe kur vjen puna për të bashkuar në një rrjet të vetëm universitetet tona në Shqipëri dhe rajon me universitetet europiane dhe kështu me radhë.

Është një proces që ne shpresojmë shumë që pa qenë absolutisht konkurrues dhe zëvendësues i procesit të integrimit, të jetë komplementar dhe pasurues i procesit të zgjerimit dhe vendeve tona.

Natyrisht, kemi folur për Kosovën. Dihet që Spanja ka një pozicion të ndryshëm dhe tradicionalisht të palëvizshëm për arsye që lidhen me vetë Spanjën dhe që nuk kanë të bëjnë me asnjë lloj diskriminimi apo paragjykimi ndaj bashkësisë së shqiptarëve në Kosovë dhe të drejtës së tyre, por sidoqoftë, ne kemi diskutuar aq më tepër në kuadrin e një situate që mbrëmë vonë ka pasur një përshkallëzim krejtësisht të paarsyeshëm pasi qeveria e Kosovës ka të drejtën, jo vetëm të drejtën, por edhe detyrën, që të zbatojë marrëveshjet, duke ushtruar sovranitetin territorial, që buron nga një pavarësi në administrimin e shtetit. Marrëveshjet e dakordësuara me palën tjetër janë marrëveshje për t’u zbatuar, nuk janë marrëveshje për t’u diskutuar.

Sidoqoftë, ne e përshëndesim edhe shtyrjen me 30 ditë të zbatimit të kësaj marrëveshjeje, gjë që pashë që e ka përshëndetur pak më parë edhe shefi i diplomacisë europiane, zoti Borrell, gjë që u kërkua edhe nga Shtetet e Bashkuara përmes ambasadorit në Prishtinë dhe unë i bëj thirrje autoriteteve në Beograd, Presidentit të Serbisë që të mos ushqejë me asnjë lloj justifikimi dhe asnjë lloj alibie, grupe të caktuara në veriun e Kosovës, që për arsye të tyre i kundërvihen zbatimit të një marrëveshjeje, që jo vetëm duhet zbatuar, por është e vlefshme të zbatohet edhe për t’i dhënë më shumë besueshmëri dialogut mes Serbisë dhe Kosovës.

Me Spanjën, në mënyrë bilaterale, ne duam të vazhdojmë.

Kryeministri ka folur edhe për një iniciativë të Spanjës për të afruar komunitetin e sipërmarrësve spanjollë me rajonin,  një iniciativë rajonale.

Kemi diskutuar për Ballkanin e hapur dhe për të gjitha nismat në rajon që nxisin ekonominë, që nxisin lëvizjen e lirë të njerëzve, mallrave dhe kapitaleve dhe është shumë e mirëpritur që kjo të ndodhë.

Ne po shohim një rritje të turistëve spanjollë në  Shqipëri, ne po shohim një rritje të interesit të sipërmarrjeve. Informova kryeministrin që kemi dy nga operatorët më të rëndësishëm të industrisë së turizmit në Spanjë, Melia Group dhe Iberostar që janë angazhuar në Shqipëri. Melia Group ka nënshkruar 5 apo 6 kontrata me struktura të reja hotelerie në Shqipëri. Iberostar po ashtu, ka aplikuar për resortin e parë turistik në zonën e Durrësit.

Nga ana tjetër, me shoqërinë Endesa ne kemi firmosur një marrëveshje mirëkuptimi në Madrid dhe po diskutojmë për përfshirjen e shoqërisë Endesa, shoqëria e energjisë dhe gazit në strukturën e shoqërisë sonë Albgaz.

Spanja është një model në Europë për energjinë e rinovueshme. Kryeministri Sanchez ka udhëhequr një proces të jashtëzakonshëm investimesh dhe transformimi në këtë drejtim. Ne kemi shumë për të mësuar, por njëkohësisht, siç e tha dhe kryeministri, ndajmë të njëjtën pasuri në këtë aspekt që është një diell shumë këmbëngulës përgjatë gjithë vitit dhe ne kemi ambicie, njësoj si edhe kryeministri dhe Spanja, që në një kohë të arsyeshme, të bëhemi eksportues neto të energjisë.

Kryeministër i dashur, Pedro shumë faleminderit për vizitën!

Unë, kur e kam uruar Pedron ditën që u bë kryeministër, i kam thënë që më në fund, në Spanjë do jetë në krye të qeverisë dikush që, jo vetëm e di ku bie Ballkani, por e ka jetuar Ballkanin në ditët e veta të vështira dhe mbase ky është shansi ynë i fundit që Spanja të jetë pak më e pranishme në Ballkan dhe kjo vizitë, e mirëseardhur, është besoj unë, prova, që kam pasur të drejtë që jam gëzuar shumë si socialist, por edhe si kryeministër i Shqipërisë për fitoret dhe zgjedhjen e kryeministrit Sanchez.

 

Kryeministri i Mbretërisë së Spanjës, Pedro Sanchez: Mirwdita! I nderuar Edi, I nderuar kryeministwr! Ju falënderoj, falënderoj popullin shqiptar dhe qeverinë e tij për mikpritjen që na ofruan delegacionit spanjoll dhe mua.

Me këtë takim në Shqipëri, ne mbyllim një vizitë që po bëjmë gjatë 5 ditëve në të gjithë rajonin në Ballkanin Perëndimor dhe me zotin Rama si një mik i madh dhe si një shok i Partisë Socialiste dua të them që është një nga politikanët më të shkëlqyer që unë në vitet e mia si shef i qeverisë, kam takuar. Dhe jo vetëm nga mënyra se si shprehet, por për të gjithë angazhimet e tij europiane dhe sigurisht për formën me të cilën ai vepron dhe bën politikë dhe që janë hapa shumë të rëndësishëm të Shqipërisë në plan ndërkombëtar.

Unë jam shumë mirënjohës dhe e falënderoj këtë figurë politike, kryeministrin shqiptar. Nuk është ky një kompliment, por këtë gjë unë e besoj me vërtet dhe i uroj shqiptarët që kanë këtë kryeministër. Dua të kujtoj gjithashtu që më pak se një vit, ne jemi takuar përsëri me kryeministrin shqiptar në pallatin e Moncloa në Madrid, që ishte hera e parë në histori vizita zyrtare e kryeministrit shqiptar në Spanjë dhe tani është hera e parë vizita e kryeministrit spanjoll në Shqipëri.

Është e vërtetë që atëherë bota ishte ndryshe. 24 shkurti na i ndryshoi hapat. Invazioni rus në Ukrainë na ndërpreu, prek të gjithë integritetin territorial që ve në dyshim, jo vetëm të Ukrainës, por të gjithë rendin ndërkombëtar dhe na ka dhënë shumë probleme dhe shqetësime kjo luftë.

Kjo luftë në Europë nuk do t’i ndryshojë kurrë vlerat që ne na bashkojnë dhe unë besoj që kjo luftë vetëm ka treguar fortësinë e Bashkimit Europian. Rrugë, të cilën ne duhet ta ndjekim për t’i bërë ballë këtyre pasojave dhe në këtë udhëtim në Shqipëri unë dua të nënvizoj gjithashtu se do të  japim një shembull të qartë, të plotë për rëndësinë që ka Ballkani Perëndimor. Objektivat na bashkojnë dhe unë e përkrah dëshirën apo vullnetin europeist të këtyre vendeve. Unë uroj që kjo rrugë që ka filluar Shqipëria drejt Bashkimit Europian me në krye zotin kryeministër të jetë i suksesshëm dhe ne në Spanjë në vitet ’80 të shekullit të kaluar nuk mund të konceptojë Europa pa futjen e Portugalisë dhe Spanjës dhe është një përvojë që ne e kemi kaluar në atë kohë. Tani kjo është e njëjta situatë. Nuk mund të kuptohet Bashkimi Europian pa Ballkanin.

Unë ja thashë dhe kryeministrit Rama, mendoj që është një ide pozitive që përveç proceseve të aderimit dhe marrëveshjeve që bëjmë ne për çdo vend, është e mirë ideja për të krijuar këtë komunitet politik europian. Pse?  Sepse kështu do të kemi mundësi të flasim për shumë tema për të vendosur këtë marrëdhënie në një nivel më të lartë politik midis shteteve të shefave të qeverive dhe në formate shumë më fleksibël. Ne nga qeveria e Spanjës e shohim me shumë interes këtë dinamikë pozitive që mund të gjenerohet midis vendeve që bëjnë pjesë në Bashkimin Europian dhe atyre që duan të futen në Bashkimin Europian.

Pra me formate shumë më fleksible, shumë më të mundshme që ne të kemi mundësi të flasim, jo për çështje specifike të rajonit në Ballkan, por edhe për çështje politike të përgjithshme. Për shembull, pandemia para dy vitesh ose tani kriza energjitike si rrjedhojë e luftës në Ukrainë.

Bashkimi nuk është thjesht një klub vendesh të themi, të zhvilluar, por është një komunitet vlerash dhe parimesh. Në të, na nxë të gjithëve të futemi, duke zbatuar drejtësinë për të drejtën ndërkombëtare, për integritetin dhe në fakt ne punojmë për lirinë dhe begatinë për të gjitha vendet tona. Kështu, ne kemi nevojë të zbatojmë rregulla të përbashkëta për të arritur të njëjtat qëllime. Është e vërtetë që ne jetojmë në kohë të vështira dhe ky agresioni i fundit ka prekur edhe situatën ndërkombëtare. Ka provokuar shumë gjëra, ka shkaktuar shumë probleme, ka shkaktuar vuajtje për njerëzit, çështje ekonomike, amulli dhe pasiguri se si do të vazhdohet me furnizimin e energjisë elektrike. Të gjitha këto janë probleme, siç është dhe inflacioni, rritja e çmimeve në të gjitha vendet, që janë pasojë e kësaj lufte. Prandaj është e rëndësishme do të thosha unë që vendet europiane të jemi të bashkuar, të vendosur në mbrojtjen e vlerave tona dhe padyshim në mbrojtje të integritetit territorial që është një nga çështjet kryesore.

Gjithashtu dua t’ju përgëzoj, zoti Rama dhe popullin shqiptar për sanksionet që Europa ka vendosur kundër qeverisë ruse dhe unë dua të bëhem i qartë, këto sanksione nuk kanë për qëllim të dëmtojnë popullin rus, por të detyrojnë udhëheqësit e saj t’i kthehen realitetit objektiv, të braktisin rrugën e luftës.

Në radhë të dytë, do më pëlqente të theksoja, për mua, siç tha dhe kryeministri, vizita e parë mbas takimit që u bë mes qeverisë shqiptare dhe Bashkimit Europian që ishte një rrugë e gjatë dhe e vështirë, unë e pranoj që kjo rrugë e suksesshme ka pasur shumë probleme, por deri më sot, Shqipëria ka pasur dhe do të ketë mbështetjen e thellë dhe të vendosur në rrugën e saj drejt Bashkimit Europian. Gjithashtu, ne përkrahim edhe integrimin e gjithë Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian dhe Shqipëria është një nga vendet kryesore që është në këtë rrugë.

Siç thashë më lart, Shqipëria ka një rrugë të gjatë që ka ecur dhe ka vënë në dukje dëshirën e madhe për tu bërë anëtare e Evropës dhe ne ju urojmë që të vazhdoni në këtë rrugë, në këtë luftë për të mbaruar të gjitha reformat dhe që janë reforma që, jo vetëm do t’iu afrojnë me Bashkimin Europian, por janë reforma që do të ndihmojnë edhe për përmirësimin e jetës në vendin tuaj.

Gjithashtu do desha të nënvizoj edhe një aspekt që në shumë raste e lëmë mënjanë, por që është i rëndësishëm kur flasim për Spanjën dhe Shqipërinë. Është shumë e rëndësishme që të japim një perspektivë mesdhetare procesit të integrimit europian dhe në këtë drejtim të dy vendet mund të bëjmë shumë. Gjithashtu, pjesëmarrja e kryeministrit Edi Rama në takimin e nivelit të lartë në Madrid, tregoi që aleanca doli nga ky takim shumë më e fortë, aprovuam një vijë strategjike dhe një perspektivë për futjen e vendeve të reja në NATO dhe gjithashtu kjo pjesa e jugut që ne duhet të zhvillojmë, me përkrahjen e Shqipërisë të cilën nuk duhet ta lëmë më mbrapa. Duhet ta nxisim që dhe kjo pjesë e jugut të bëhet sa më shpejt pjesë integrale e Bashkimit Europian dhe në këtë drejtim, të dy vendet mund të bëjmë shumë.

Gjithashtu, duhet t’i referohem dhe marrëdhënies bilaterale të dy vendeve tona, mendoj se duhet ta forcojmë akoma më tepër dhe ka mundësi të mëdha për ndërmarrjet spanjolle që të vinë në infrastrukturë, turizëm, në sektorin energjitik siç tha dhe kryeministri Rama ku ne duhet të përmirësojmë këtë marrëdhënie. Gjithashtu duhet të intensifikojmë edhe marrëdhëniet tona gjyqësore sepse bashkëpunimi jonë në këtë drejtim është shumë pozitiv gjë që na ka ndihmuar të zhvillojmë operacione policore të përbashkëta dhe vizita e Edi Ramës në Madrid para disa muajve, ne aprovuam një marrëveshje ekstradimi që tani është në fuqi. Sot ne bëmë një instrument tjetër që do ta çojë me tej bashkëpunimin midis vendit tonë dhe Shqipërisë në luftën kundër krimit dhe për bashkëpunimin policor midis dy vendeve.

I dashur kryeministër, i dashur Edi. Shumë faleminderit përsëri për mikpritjen tuaj dhe të popullit shqiptar. Në Spanjë ju e dini që keni një mik, një aleat dhe sigurisht keni një përkrahës sepse jeni një politikan i madh dhe e fiton me vlerat e tua këtë respekt që unë kam.

Shumë faleminderit!

 

 

-Kam një pyetje për të dy kryeministrat në lidhje me procesin e aderimit në Bashkimin Europian. Në vendet që keni vizituar ditët e fundit, ju i jeni referuar procesit të reformave, dhe e bëtë edhe këtu, dhe  nxitjes së reformave në Shqipëri po i jeni referuar dhe rëndësisë së presidencës spanjolle të Bashkimit Europian. Ju që do merrni presidencën në 2023, si e shikoni rrugën e aderimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian? Gjithashtu, Shqipëria ka marrë përsipër të thellojë reformat në drejtësi. Po ashtu, dëshiroja të pyes edhe kryeministrin tonë sepse dhe ai ka thënë që do bëjë reforma të mëdha në një zonë të Spanjës dhe do doja të dija për çfarë lloj reformash bëhet fjalë, për gjyqtarët apo prokurorët?

Kryeministri i Mbretërisë së Spanjës, Pedro Sanchez: Në lidhje me kohën dhe afatet, nuk mund t’i vendosim tani këtij procesi një afat të caktuar të aderimit, por thjeshtë duam të shprehim përkrahjen politike të vendit tonë që ne të bëjmë sa më shumë përpjekje që kjo rrugë e aderimit të jetë sa më e shpejtë. Në shumë raste, unë jam shumë optimist për të ardhmen e Bashkimit Europian dhe mendoj se e kemi të qartë se cilat janë detyrat tonë dhe për këtë arsye, këtë detyrë duhet ta bëjmë sa më shpejt. Unë jam optimist sepse me pandeminë dhe me luftën po shikojmë një proces të shpejtimit të këtij procesi. Ne po mbrojmë sovranitetin, po bashkëpunojmë në fushën e shëndetësisë e mbrojtje me NATO-n, në fushën e tregut të përbashkët, të monedhës unike madje edhe me monitorimit e borxhit për të ri industrializuar ekonominë tonë dhe atë europiane së bashku me këtë, ne duhet të vazhdojmë të forcojmë tregun tonë të brendshëm dhe duke forcuar tregun tonë të brendshëm do të thotë të futen dhe vende të tjera në këtë hapësirë begatie që ne luftojmë të kemi.

Këto dy rrugë, ajo e integrimit më të madh dhe përkrahja e Ballkanit Perëndimor duhet ta shohim me optimizëm për të ardhmen europiane. Unë mendoj që këto janë dy detyra që ne kemi përpara, ne evropianët dhe qeveritë europiane dhe padyshim, inkorporimi i Ballkanit do ta forcojë dhe do t’i shtojë anëtarët e Bashkimit Europian.

Gjithashtu mendoj, duke iu rikthyer pyetjes lidhur me afatet, siç i thashë dhe kryeministrit Rama, mua më duket thelbësore që të plotësojmë, të shtojmë marrëdhëniet bilaterale me shtetet që duan të aderojnë në Bashkimin Europian sepse bën pjesë në detyrat tona dhe është një mekanizëm debati, këmbimi strategjish dhe refleksionesh politike në këtë komunitet politik që ka filluar nga Franca dhe që kemi debatuar në lidhje me këto tema. Ne kemi parë sesi ka avancuar ky proces reflektimi dhe, siç tha dhe zoti Rama, shohim dhe marrëdhëniet pozitive mes vendeve.

Në lidhje me reformat ligjore, unë kam bërë fjalimin tim në parlament dhe kam shpjeguar qëndrimin që kam unë ndaj partive politike në Spanjë dhe unë jam partizan për ndryshimin e Kodit Penal të Spanjës sepse mendoj që Spanja është shoqëri e konsoliduar dhe duhet të logohet në këtë drejtim me demokracitë e tjera të Bashkimit Europian. Përveç kësaj, nuk është një çështje vetëm e një opinioni politik, por shumica e penalistëve, akademikëve që kanë lidhje me Kodin Penal gjithmonë e kanë sugjeruar, dhe unë jam pjesë e tyre, sepse është e nevojshme të reformohet Kodi Penal në Spanjë.

Qeveria dhe unë e kemi treguar në disa raste nevojën dhe mundësinë që duhet ta bëjmë sepse ka një Gjykatë të Përgjithshme, ka një Gjykatë Parlamentare dhe unë këtë shumicë parlamentare dua të votojë ndryshimin e Kodit. Qeveria e Spanjës duhet ta shtrojë këtë reformë sa më shpejt të jetë e mundur.

Në lidhje me llojet e emërimeve që do bëjmë, unë mendoj që janë disa çështje që duhen trajtuar. Në radhë të parë, nëse një parti cilësohet si Kushtetuese, duhet të zbatojë Kushtetutën çdo ditë të vitit, jo kur i konvenon. Kështu që, unë bëj një thirrje partisë kryesore të opozitës që të zbatojë Kushtetutën dhe për të rinovuar Këshillin e Përgjithshëm të Pushtetit gjyqësor dhe jam i bindur që Këshilli i Përgjithshëm Gjyqësor do të zbatojë ligjin dhe për këtë arsye, do të bëj propozimin për të rinovuar të gjithë Gjykatën Kushtetuese dhe siç e kemi thënë, në muajin shtator mund të fillojë ky proces.

Kryeministri Edi Rama: Unë dua të them se në procesin e gjatë drejt çeljes së negociatave, ne kemi marrë një mësim jashtëzakonisht të rëndësishëm; asnjëherë mos i vër vetes afate kur je duke ndërvepruar me Bashkimin Europian. Për ne është shumë e rëndësishme që negociatat janë çelur dhe që ne mund të shfrytëzojmë këtë kanal transferimi të jashtëzakonshëm të dijes së shtetndërtimit sepse procesi i negociatave është një proces që në fund fare na bën anëtar me të drejta të plota të Bashkimit Europian, por hap pas hapi është për ne, nuk është për Bashkimin Europian, është për të ndërtuar këtu të gjithë arkitekturë institucionale dhe të rendit ligjor demokratik që i jep mundësi bashkësisë sonë të funksionojë si një bashkësi e një vendi europian.

Në këtë aspekt, ne nuk presim nga presidenca spanjolle, apo nga presidenca belge apo nga presidenca hungareze më pas që të bëjnë punën tonë dhe as që të vënë afate për detyrat tona. Se kur i bëjmë ne detyrat tona është thjesht dhe vetëm aftësia, këmbëngulja dhe efikasiteti ynë. Ajo çka ne presim nga presidenca spanjolle dhe më tutje është që të elaborojnë më thellë dhe të zgjerojnë bazën e këtij ndërveprimi mes nesh, mes Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Europian duke hapur rrugë për sinergji të reja, të stimulojnë më tutje paqen dhe bashkëpunimin në rajon, të mbështesin nismat tona rajonale, të jenë më prezentë edhe në rrugë bilaterale, siç e tha kryeministri kur foli për Forumin e Biznesit spanjoll në gjithë rajonin, jo thjesht në një vend apo në një tjetër dhe të udhëheqin një proces që ky komunitet i ri politik europian të fillojë të marrë një formë konkrete, jo si zëvëndësues i procesit tonë të integrimit, por si një hapësirë të re ku ne jemi më të lidhur me njëri-tjetrin.

Nuk duhet të presim një luftë që të na bëjë bashkë në një tryezë. Nuk duhet të presim një pandemi që të na bashkojë një tryezë.

Nuk duhet presim që të mbulohemi nga zjarret që të bashkohemi në një tryezë, por duhet të jemi bashkë edhe kur vjen puna për të mbështetur të rinjtë, për të mbështetur rritjen e cilësisë së shkollimit në Vendet e Ballkanit Perëndimor, për të mbështetur sinergjinë mes universiteteve, për të mbështetur fermerët edhe këtu e kështu me radhë.

Është një proces ëin ëin dhe në këtë proces ëin ëin, unë jam i bindur që presidenca spanjolle dhe të gjitha presidencat e tjera më pas kanë një rol që mund ta luajnë për ta fuqizuar këtë sinergji europiane, rreth  vlerash dhe parimesh si ato që na kanë bërë bashkë edhe kundër agresionit rus.

Ne jemi të linjëzuar 100% me Bashkimin Europian në këtë betejë, jo sepse na ka urdhëruar njeri apo sepse na ka imponuar njeri por sepse i përkasim kësaj bote vlerash dhe parimesh.

 

* * *

-Zoti kryeministër, para disa kohësh, kryeministri shqiptar pati një vizitë në Spanjë, ku nga qeveria e Spanjës pati një angazhim për njohjen e Kosovës si shtet i pavarur. Nga ajo kohë deri më sot, nuk ka një vendim të qeverisë së Spanjës për njohjen e Kosovës si shtet të pavarur. A mund të më thoni se çfarë e pengon Spanjën në politikën e saj të brendshme dhe të jashtme për të mos ta njohur Kosovën si shtet të pavarur? A premtoni që gjatë kohës që ju do jeni kryeministër, do jepni shembullin e shumë vendeve të tjera të Bashkimit Europian  që e njohin Kosovën si shtet të pavarur? A do ndodhë kjo gjatë kohës që do jeni ju kryeministër?

-Zoti kryeministër, ngjarjet e ndjeshme në kufirin verior mes Kosovës dhe Serbisë vërtetuan edhe njëherë që Serbia, më shumë se një faktor stabiliteti, është një faktor konflikti. Ngjarjet e ndjeshme e dëshmuan që Kosova është në të drejtën e saj për të mos u ulur në tryezën e Ballkanit të hapur me Serbinë që herë pas herë i bën ftesa, por duket se këto ftesa më shumë janë të pasinqerta, të gënjeshtërta sesa të vërteta. A keni pasur një komunikim me mikun tuaj, Alexander Vuçiç dhe homologun kosovar, Albin Kurti lidhur me këtë ngjarje?

Kryeministri i Mbretërisë së Spanjës, Pedro Sanchez: Unë mendoj që miqtë e mirë, siç janë Spanja dhe Shqipëria, mund të kenë dhe ndryshimet e veta, mund të kenë dhe mosmarrëveshjet e veta. Ne këtë gjë kemi sepse ne mendojmë që një deklaratë e njëanshme për pavarësi, – ky është mendimi, opinioni i qeverisë spanjolle, me gjithë respektin që kam për opinionin e qeverisë shqiptare, – por ne mendojmë që është shkelur e drejta ndërkombëtare, ndaj nuk mund të jemi në favor të këtij pranimi. Me gjithë respektin që kemi për popullin shqiptar, por një opinion që nuk e ndajmë me qeverinë shqiptare.

Kjo nuk tregon që në kuadër europian të mos jemi në përkrahje të punës të përfaqësuesve tuaj dhe nuk do të thotë që ne nuk e nxisim dialogun me Prishtinën për t’u afruar ndaj Bashkimit Europian. Ky është pozicioni i qeverisë së Spanjës dhe me gjithë respektin që kam për ju, dua ta përsëris edhe njëherë që edhe miqtë e mirë mund të kenë diferencat apo kontradiktat e tyre mes njëri-tjetrit.

Kryeministri Edi Rama: Ju jeni në të drejtën tuaj të nxirrni konkluzione ekstreme, nuk ka asnjë problem; unë jam në të drejtën time t’iu them që e kundërta është e vërtetë.

Ngjarja e ndjeshme është pasqyrë e vështirësisë së thellë që ka në këtë marrëdhënie dhe siç e thashë më parë, ushtrimi i sovranitetit në të gjithë territorin e shtetit të Kosovës, bazuar në marrëveshjen e dakordësuar mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, lidhur me temën që është bërë shkak i këtij acarimi, nuk është vetëm një e drejtë, por edhe detyrë e institucioneve të Kosovës. Në këtë pikë, unë e mbështes 100% qeverinë e Kosovës dhe i mbështes 100% autoritetet në Kosovë që kërkojnë që marrëveshja të zbatohet. Nuk kam asnjë dilemë për këtë.

Ashtu sikundër, e përgëzoj kryeministrin e Kosovës, i përgëzoj autoritetet në Kosovë për sensin e vetëpërmbajtjes dhe për dëgjimin e aleatëve që sugjeruan një shtyrje 30 ditore, jo për të ndryshuar marrëveshjen, por për t’i dhënë kohë, kohës për të sqaruar, nëse ka nevojë të sqarohet çfarëdo qoftë, në mënyre që kur marrëveshja të hyjë në fuqi, të mos ketë probleme të kësaj natyre.

Thënë kjo, unë them të kundërtën; këto situata nuk tregojnë që Ballkani i Hapur është i panevojshëm apo është i gabuar, këto situata nuk tregojnë që qasja jonë ndaj Serbisë dhe politika e afrimit, dialogut, ndërtimit të paqes është e panevojshme apo është e gabuar. Këto situata tregojnë, pikërisht, pse ne kemi nevojë për këtë. Këto situata tregojnë pikërisht pse duhet Ballkani i Hapur.

Këto situata tregojnë pikërisht pse Kosova duhet të vijë dhe të ulet në tryezën e Ballkanit të Hapur.

Këto situata tregojnë se kur vjen puna që gjërat shkojnë nën thikë, ka dy rrugë; njëra është rruga e kthimit mbrapa dhe e luftës, nga e cila këtu, në këtë rast, nuk fiton më askush sepse nuk ka më asgjë për të ndarë sepse Kosova është një vend sovran, i pavarur, demokratik dhe kaq dhe rruga tjetër është ndërtimi i paqes.

Njëra rrugë është të ndalojmë trashëgiminë brez pas brezi të konfliktit dhe rruga tjetër është të trashëgojmë konfliktin dhe unë jam me të parën dhe këtë nuk e luan topi dhe as mos prisni që unë të kem një opinion tjetër. Përkundrazi, sa herë ndodhin këto gjëra, po aq herë konfirmohet kjo që ju thashë.

Na duhet të punojmë edhe më shumë kokëfortësisht për paqen, na duhet të punojmë edhe më shumë me këmbëngulje për të ndërtuar rrugë ndërveprimesh që na japin mundësi të kuptojmë që nuk jemi dy palë qenie, ca njerëz dhe ca alienë, por jemi të gjithë njerëz dhe kemi të gjithë, së bashku, detyrimin që fëmijëve tanë t’u lëë një hapësirë paqeje, jo një zonë të mbjellë me mina ku shpërthejnë për lloj-lloj arsyesh.

E fundit që kam është që me presidentin e Serbisë, marrëdhënia miqësore nuk më ka penguar dhe nuk më pengon që të ndahem aty ku nuk jemi dakord.

E dëgjuat kryeministrin? Nuk e njëjta gjë, por parimisht është e njëjta gjë. Spanja ka arsyet e veta që ta lexojë ashtu si e lexon marrëdhënien me Kosovën, por kjo nuk e pengon, absolutisht fare, Spanjën që të thotë “Ne jemi për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës”. Ashtu sikundër, kjo nuk është një shprehje mos respekti për dinjitetin, të drejtat dhe mënyrën se si ne shqiptarët e shohim këtë çështje, përkundrazi.

Nuk jetojmë në shekullin e 19-të, nuk jetojmë në Luftën e Parë dhe në Luftën e Dytë Botërore dhe kjo që ndodh me Rusinë duhet të na bëjë t’i thërrasim mendjes shumë fort.

Rrugën e paqes me rrugën e luftës në situata të trashëguara si kjo e jona i ndan një fije peri.

Është shumë kollaj të rrish ulur në Tiranë, me ajër të kondicionuar, me mikron dhe të thuash “Kjo gjë ndahet vetëm me luftë”, por kur vjen puna që atë mikrofonin ta zëvendësosh me pushkën dhe kur vjen puna që në vend se të kesh dialog dhe pyetje-përgjigje të kesh bomba dhe shkatërrime, ndryshon.

Për mua, qeveria e Kosovës ka bërë gjënë e duhur. Ka mbështetjen time dhe tonën 100%. Ka bërë dy herë gjënë e duhur, e para që ka kërkuar të implementojë marrëveshjen dhe e dyta që e ka shtyrë.

Por, thënë kjo, dialog, dialog, dialog.

Paqe, paqe, paqe.

Fqinjët nuk i zgjedhim. Ne do kishim dashur, mbase, të kishim fqinjë të tjerë, por këta janë. Të tjerët do kishin dashur të kishin fqinjë të tjerë, na kanë ne. Mbase po qe se në vend të serbëve do ishin danezët, në vend të grekëve do ishin norvegjezët, në vend të maqedonasve do ishin suedezët, edhe ne do ishim mbase më të qetë, në kuptimin, do ishim më të mërzitshëm, jo kaq  energjikë, kaq emocionale dhe pasionantë por nuk jemi.

Jemi në Mesdhe. Kështu që, fqinjët nuk i zgjedhim. Serbia është aty, nuk do ikë në ndonjë vend tjetër. Kosova është aty dhe nuk ikën asgjëkundi. E njoh apo nuk e njoh aty është. Ne jemi këtu.

Tani dy rrugë ka; ose të përsërisim ato që kemi parë në të shkuarën ose do tentojmë këtë gjënë tjetër. Unë do tentoj këtë gjënë tjetër deri në fund dhe historia do më japë të drejtë mua, jo juve.

Faleminderit.

-Unë dua të pyes për episodin e ri të tensionit, mos ekziston frika që Rusia duke shfrytëzuar këtë tension në zonë të rrisë agresionin e saj? Një pyetje për vendin tim, para një  muaj në koalicion me partitë e tjera për kontradiktat që kanë mes tyre në lidhje me NATON-n e problemet e tjera, nëse ky takim do të bëhet ndonjëherë, nëse mendoni se është një ngjarje e kaluar dhe nuk do ta bëni këtë takim? A keni për qëllim që në shtator të trajtoni edhe çështjen e Reformës së profesioneve të lira që ta kemi të gatshme gjatë periudhës që do të kemi presidencën e Bashkimit Europian?

Kryeministri i Mbretërisë së Spanjës Pedro Sanchez: Në lidhje me të parën do vazhdojë reflektimin e Kryeministrit Rama. Unë mendoj se është e rëndësishme që duhet jemi të ndërgjegjshëm se invazioni i Putinit në Ukrainë nuk mund të shtyjë zgjidhjen e konflikteve. Në këtë drejtim mendoj që sa më shumë të angazhohemi p.sh. në Bosnje Hercegovinë për të nxjerrë nga situata e bllokimit të këtij vendi që të arrijë statusin e kandidatit shumë më mirë do të jetë, duke bërë politikë siç komentoi dhe kryeministri shqiptar, duke bërë politikë të mirë, duke menduar për brezat e ardhshëm dhe çfarë hapësirash do t’u lëmë atyre bashkëpunimin, paqen në mund të bëjmë një punë të mirë. Madje mund të reduktojmë oportunitetet që ka Putin për të avancuar me invazionin e tij. Në lidhje me çështjet e tjera në plan kombëtar lidhur me dialogun është i rëndësishëm dhe ky dialog. Ne jemi në favor që të bëhet ky dialog me opozitën midis dy partive që bëjnë koalicionin dhe dua të kujtoj që qeveria spanjolle duhet të zbatojë kartën sociale evropiane që cakton 60 % të pagës mesatare e të jetë kështu deri në i në fund të legjislaturës sime.

Kryeministri Edi Rama: Pikërisht sepse Rusia ka një potencial ndikimi deri në një përshkallëzim që mund të çojë në luftë këtu në Ballkan ne duhet të jemi shumë të vëmendshëm dhe duhet të jemi shumë të vendosur për të vazhduar në rrugën e forcimit të lidhjeve që ndërtojnë paqe. Kjo është jo një arsye përsëri për të kaluar në prehrin joshës, por fatal të nacionalizmave dhe të qëndrimeve luftënxitëse, por është një arsye më shumë për të insistuar te mekanizmat e ndërtimit të paqes. Po ju jap një shembull, ata qe nuk duan paqe, ata që nuk duan asnjë lloji dialogu me Serbinë, duan që Kosova të bëhet anëtare e NATO-s, në kushtet kur pikërisht hija  e mundshme e agresionit rus në Ballkan kërcënon drejtpërdrejt që Kosovën. Pyetja e thjeshtë është si do bëhet Kosova anëtare e NATO-s? Spanja është në NATO, Rumania është në NATO, Sllovakia është në NATO dhe si mundet ne ta bindim Spanjën apo vendet e tjera që të pranojnë të fusin në NATO një vend që nuk e njohin, përveçse duke shtyrë një proces ku njohja të vijë si rezultat i dialogut mes Serbisë dhe Kosovës.

A e imagjinoni dot që Rusia deri dje ishte në partneritetin për paqe të NATO-s, a e dini që Serbia është në partneritetin për paqe të NATO-s, a e kuptoni që Kosovës nuk e fusim dot as në partneritetin e NATO-s, për të njëjtën arsye? Ama futja në NATO është në vizion strategjik, kurse këto luftërat që fillojnë si stuhi në gotë dhe mund të kthehen në lufta ballkanike nuk janë vizion strategjik. Këto janë dritëshkurtësi nacional folklorike.

Unë besoj shumë fort te Ballkani i Hapur. Unë besoj shumë fort tek intensifikimi i të gjitha marrëdhënieve rajonale. Unë besoj shumë fort te fuqia e njerëzve kur ulen rreth një tryeze edhe kur janë komplet në pozicione të ndryshme me njëri-tjetrin. Asgjë nuk vjen nga qëndrimi në distancë dhe nga qëndrimi me kurriz përveç se moskuptimi i tjetrit. I arsyeve të tjetrit. Nuk kam asnjë gjë tjetër për të thënë për këtë, por aq sa qeveria e Kosovës dhe institucionet e Kosovës kanë të drejtë 100% për të zbatuar marrëveshjen dhe aq sa e mbështes fuqimisht këtë, siç mbështes me përgëzim edhe shtyrjen me 30 ditë, duke u harmonizuar me aleatët aq edhe konfirmoj bindjen time që ka vetëm një rrugë për fëmijët tanë të cilën do ta ndërtojmë ne që është të garantojmë që bombat nga Dombasi të mos përfundojnë këtu në Ballkan.

Pyetja e parë për kryeministrin Sánchez. Ju thatë pak më herët se pavarësisa e Kosvës është në shkelje të të drejtave ndërkombëtare, por shtetet e fuqishme si SHBA apo vendet e tjera perëndimore nuk e mendojnë një gjë të tillë. A po përdoret e drejta ndërkombëtare nga ana e Spanjës për interesa të brendshme të politikës së brendshme të saj?

Për kryeministrin Rama: Zorti Rama, shikoni një sjellje të dyfishtë të perëndimit ndaj Kosovës, nga njëra anë kërkojnë dialog, dialog, dialog ndërkohë nga ana tjetër i bëhen pengesë për liberalizimin e vizave gjithashtu edhe për aderimin në këto organizata të cilat Kosova do të ndihej më e sigurt dhe ndoshta dhe Ballkani Perëndimor do të kishte stabilitet?

Kryeministri Edi Rama: Po përgjigjem unë i pari meqë u drejtua pyetja në shqip. Edhe njëherë, nëse fqinjët që kemi rreth e rrotull nuk i zgjedhim, nuk i kemi zgjedhur se s’i zgjedhim dot, Perëndimin e kemi dëshiruar 500 vjet, që nga koha e atij që mbante këtë përkrenare. Dhe tani të flasim ne për standarde të dyfishta të Perëndimit pa bërë detyrat tona dhe të flasim ne për çfarë kupton e çfarë nuk kupton Perëndimi, duke harruar që po mos ishte Perëndimi, Kosova nuk do të ishte jo shtet i pavarur, por s’do ishte as krahinë me autonominë e zgjeruar se nuk ja jepnin ata, është pak si e tepërt. Ne pa Perëndimin nuk kemi të ardhme. Që të jemi shumë të qartë dhe prandaj është shumë e rëndësishme që në çdo hap, ne të themi atë që mendojmë hapur, por të mos harrojmë kurrë se e kemi me një kalim rrugën, s’e kemi me dy kalime rrugën me Perëndimin dhe pikë. Që do të thotë, që për liberalizimin e vizave nuk është Spanja për shembull, por është një vend tjetër që e njeh Kosovën, që ka vënë veton, por kjo nuk është një arsye që ne të flasim për standarde të dyfishta të Perëndimit. Kjo është një arsye që ne të bëjmë çmos që të tregojmë që kjo sa është e padrejtë aq edhe kundërshtohet prej nesh me fakte, me vepra. Kjo është arsyeja pse Kosova duhet të jetë shumë e angazhuar në dialogun me Serbinë. Edhe sikur Serbia të mos dojë, Kosova duhet ta kërkojë dialogun pa pushim, pa pushim, pa pushim. Kjo është arsyeja pse bashkëpunimi me aleatët strategjikë, me Shtetet e bashkuara, me Bashkimin Europian është domosdoshmëri dhe mbi të gjitha pa atë dialog dhe pa njohjen reciproke, strategjikisht e ardhmja nuk është aq e ndritur sa mund të ishte. Përmenda rastin e NATO-s, ju flisni për organizatat e tjera. Por si mund të ndodhi kjo, në qoftë se aleanca me Perëndimin nuk është e konsoliduar 100%. Çfarë do e bëjë Spanjën apo vendet e tjera të ndryshojnë mendim?! Vetëm thellimi i dialogut dhe arritja e një zgjidhje me armikun e deri djeshëm. Me armiqtë bëhet paqja, nuk bëhet me miqtë. Me miqtë bëhet sherri. Paqja bëhet me armiqtë.

Kryeministri i Mbretërisë së Spanjës Pedro Sánchez: Shumë faleminderit. Është një çështje siç e thashë dhe e them me gjithë respektet se si e shohim ne nga Spanja këtë të drejtë ndërkombëtare.

Shumë faleminderit!

 

Kryeministri Edi Rama:

Besoj që mbaruam. Shumë faleminderit!

Previous Aeroporti Ndërkombëtar “Nënë Tereza” me Terminal të Ri

Leave Your Comment