Fjala e Kryeministrit Edi Rama në seancën e sotme parlamentare - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në seancën e sotme parlamentare

Kërkoj ndjesë për ndërhyrjen në këtë moment sepse për shkak të protokollit të mikpritjes së Presidentit të Republikës së Italisë më duhet të jem në Kryeministri, dhe është shumë e nevojshme që të shfrytëzoj kohën për të nënvizuar një fakt që është besoj unë, më i rëndësishmi sot për qytetarët, që qeveria e Shqipërisë ka vendosur të ndërtojë një qasje mbështetëse afatmesme, e cila prek rreth 1.2 milionë subjekte, pra individë përshirë edhe biznese sepse ne besojmë që është shumë më e rëndësishme të garantojnë siguri në afat të mesëm në vend se të ndjekim nga mbrapa krizën me paketa afatshkurtra.

Natyrisht që përsa i takon shpenzimit ky është një shpenzim më i madh sepse këtu bëhet fjalë për një mbështetje, e cila është aty për të qëndruar edhe përtej krizës, por besojmë që kjo është rruga e duhur.

Më bëri përshtypje parafolësi sepse një ndër shumë pyetjet që ngriti në mënyrë retorike ngriti dhe një pyetje “çfarë evropiane ka sot në Shqipëri kur çmimet rriten”.

Unë nuk e di ku jetoni ju, jam i bindur që ju nuk jeni këtu, e kam një bindje të krijuar prej shumë vitesh që ju banoni në një planet tjetër, emri i të cilit mbetet mister, por nëse ka një gjë sot që shqetëson, jo vetëm Europën, por mbarë botën është pikërisht rritja potenciale  e çmimeve. Është një inflacion, i cili po kalon të gjithë kufijtë e parashikimeve të bëra për zgjatjen e tij në kohë dhe është një situatë në të cilën shifrat tregojnë dhe jo shifrat e qeverise, por shifrat e INSTAT tregojnë se Shqipëria e ka mbajtur inflacionin në një nivel që është më i ulëti në rajon.

Në rajon kemi një sërë vendesh me inflacion dyshifror dhe në një nivel më të ulët se mesatarja e vendeve të BE, pse? Sepse Shqipëria është i vetmi vend që ka vendosur përmes qeverisë të ndërmarrë një rrugë, e cila fundi do e tregojë nëse është shprehje e një ambicie dhe e një guximi të madh apo nëse është shprehje e një marrëzie të madhe për të mos e prekur çmimin e energjisë në faturën e konsumatorëve familjarë dhe të bizneseve të vogla, që e thënë ndryshe për të mbuluar diferencën dhe për të qenë shumë të qartë se për çfarë flasim sot për mbulim diference, dëshiroj t’i them publikut se piku i çmimit të energjisë në 10 gusht ishte 1040 euro për megavat orë, ndërkohë që përpara krizës çmimi i energjisë ka pasur maksimumin e vet në 90, 100, 105, 120 euro, jemi 10 herë më lartë, dhe ndryshe nga çfarë thonë ata që s’dinë se çfarë flasin, Shqipëria edhe në vitin e vet më të mirë nga pikëpamja e reshjeve që ka qenë viti 2011 kur ka pasur edhe nivelin më të lartë të eksportit të energjisë nuk ka arritur dot të mbulojë të gjithë nevojën vendase.

Shqipëria nuk ka kapacitet për të mbuluar të gjithë nevojën vendase dhe këtë e dinë të tërë ata që dinë të bëjnë një aritmetikë të thjeshtë, të ndryshme nga aritmetika juaj.

Shqipëria është e detyruar të dalë në tregun ndërkombëtar dhe në momentin që del në tregun ndërkombëtar për të importuar, Shqipëria afektohet nga çmimi dhe sot që flasim mbulesa e garantuar deri tani që flasim sot për të mos lejuar që në faturën e qytetarëve të shfaqet çmimi real është 330 milionë euro të shpenzuara nga buxheti i shtetit dhe nga kompania e prodhimit të energjisë. 330 milionë euro. Dhe parashikimi ynë është që kjo shifër mund të shkojë shumë më lartë.

Ne jemi të përgatitur për këtë dhe do të bëjmë çmos që ta mbajmë këtë, në ndërkohë që ne do të veprojmë me një riindeksim, për herë të parë në histori në fakt bëhet një riindeksim brenda të njëjtit vit i pensioneve, i cili do të hyjë në fuqi menjëherë dhe do të jetë efektiv për pensionistët qysh në muajin tetor; një riindeksim me efekt të drejtpërdrejtë bashkuar me indeksimin e prillit që e bën në total indeksimin e pensionit për këtë vit 9.3 %. Është një indeksim që mbulon plotësisht të gjithë rritjen e ardhur nga inflacioni në shportën e pensionistëve dhe është aty për të qëndruar, nuk është aty për të ndenjur deri kur të ndryshojë kurba. Ashtu sikundër, patjetër është aty për tu riparë në prillin e ardhshëm në rast se kurba e inflacionit do të vazhdojë të rritet.

Do të veprojmë me një ndërhyrje tjetër shumë të rëndësishme në mbështetje të familjeve në nevojë, duke rritur me 10% ndihmën ekonomike për të gjithë dhe duke shkuar nga gratë kryefamiljare me tre fëmijë që ndërkohë janë të mbështetura me dyfishim tek gratë kryefamiljare me dy fëmijë që do të mbështeten me dyfishim të ndihmës ekonomike.

Më tutje, do të bëjmë një ndërhyrje tjetër për indeksimin e mbështetjes për personat me aftësi të kufizuar me 7% dhe do të bëjmë një rritje të mbështetjes për energjinë për të gjithë personat e verbër, tetraplegjikë dhe paraplegjikë në mënyrë që të arrijmë atë pikë që ka ardhur si nevojë nga dialogu i zhvilluar mes ministres së Shëndetësisë dhe Mirëqenies dhe ministres së Financave dhe Ekonomisë dhe nga ana tjetër atij grupi interesi, mbase ju kujtohet që ishin te parlamenti të gjithë bashkë atëherë dhe filloi një dialog dhe ai dialog ka vazhduar me disa rezultate konkrete.

Po ashtu, do të rrisim pagat për dy grupe, të cilat nuk kanë pasur rritje pagash në periudhën e fundit, Policia e Shtetit që ka pasur një rritje masive të pagës në mënyrë të posaçme disa vite më parë.

Policia e burgjeve e cila ka nevojë për një rritje pagash dhe administrata dhe e gjithë kjo rritje pagash, përsëri shkon në funksion të eliminimit komplet të gjithë efekteve të inflacionit mbi shportë.

Po ashtu do të vendosim përsëri një mbështetje financiare për fermerët, për naftën. Numri i fermerëve qe marrin naftën pa taksa është rritur në mënyrë shumë të ndjeshme, kërkesat janë edhe më të mëdha por ndërkohë, të gjithë numrat janë të shkruar dhe janë të regjistruar. Ndërkohë faza e mëtejshme do të shoqërohet me nevojën për të pasur transparencë në raport me çdo subjekt që merr këtë mbështetje në këmbim të kontributit të tij në ekonomi. Nuk do të ketë në vazhdim dhënie thjesht dhe vetëm me regjistrim një kërkese dhe me hapje NIPT-i. Sot janë 34 mijë fermerë që kanë përfituar naftën pa taksa nga mbështetja e qeverisë.

Kemi vendosur një mbështetje e posaçme për prodhimin e grurit çka do të rrisë forcën investuese në prodhimin e grurit që është një element i cili është vënë në pikëpyetje nga të gjitha komplikacionet e krizës në Ukrainë, të tregjeve e të tjera e te tjera.

Njëkohësisht kemi vendosur që duke qenë se nuk e prekim çmimin e energjisë për konsumatorët familjarë dhe për bizneset, të vendosim një tavan. 96% e të gjithë konsumatorëve të energjisë elektrike konsumojnë më pak se 800 kWh. Janë vetëm 4% ata që konsumojmë mbi 800 kWh dhe këto janë fakte dhe shifra, këto nuk janë opinione, këto nuk janë qëndrime politike, këto nuk janë përralla demokratike, këto janë fakte dhe shifra. Çdo subjekt që konsumon energji mbi 800 kWh do ta paguajë çdo kW me çmimin e tregut, që do të thotë nuk do ta paguajë më me 9.5 lekë, por do ta paguajë me 42 lekë se aq është çmimi, 42 lekë, dhe diferencën midis 9.5 lekë dhe 42 lekëshit që është kilovat-ora që i jepet çdo konsumatori, sot e mbulon qeveria. Po qeveria dhe buxhetit i shtetit i cili krijohet nga taksat e qytetarëve nuk ka për të paguar për të subvencionuar pishina, për të subvencionuar dekoracione me drita nëpër oborre të gjera, për të subvencionuar ndezje dritash nga të katër anët apo ngrohje të vilave me kondicionerë dhe me dritare hapur, kështu që ne me llogari shohim; e para, që ky 4% konsumon 15% të totalit dhe e dyta, nga kursimi në këtë fashë, ne mund të arrijmë të mbrojmë ose të heqim nga shpenzimi masiv i subvencionimit afro 100 milionë euro. Kjo është një masë për të nxitur edhe kursimin patjetër edhe për sa i përket kursimit ka shumë humor në Shqipëri. Si do kthehemi ne tek kursimi, nuk kemi plan kursimesh si Gjermania, s’kemi as plan kursimi si Britania, nuk kemi asnjë masë si Zvicra që ka vendosur 3 vjet burg për atë që e ngroh shtëpinë me më shumë se 19 gradë, merreni lexojeni dhe 180 ditë burg për kë e ngroh shtëpinë me më shumë se 19 gradë pa dashje, nuk do vendosim as masa si në Gjermani për të fikur të gjitha dritat në rrugë e për të fikur të gjitha vitrinat, e për të mbyllur të gjitha dyqanet pas orës 10. Shpresoj që të mos vijmë deri aty, por sigurisht do të kërkojmë që të kursehet energji elektrike, patjetër. Kjo është pjesë e të tërës dhe lajmi i mirë sot është që pavarësisht të gjitha atyre që thuhen dhe do të vazhdojnë të thuhen, Shqipëria ka nivelin më të ulët të inflacionit në rajon, të tjerët janë dyshifrorë, Shqipëria nuk ka ndërprerje të energjisë elektrike. Për ata që vijnë na tundin paketat “one off” që dalin këtu dhe atje, ju them, meqë po flisnim për të qenë të drejtë dhe të sinqertë me popullin, kur i tundni ato paketa që dalin këtu dhe atje, shënoni poshtë që energjia pritet 6 deri në 8 orë në ditë dhe nëse do të ndërprisnin energjinë 6 deri në 8 orë në ditë, patjetër do të bënim paketa edhe më në dukje bindëse, por nuk është ky qëllimi ynë.

Ne duam ta mbajmë inflacionin sa më ulët, kuptohet në raport me të tërën dhe po ia dalim, pikërisht se nuk po rrisim çmim e energjisë. Ne duam të mos e prekim çmimin e energjisë dhe ata që janë me shumë para dhe që kanë hapësira të mëdha ku jetojnë, të paguajnë më shumë se të tjerët, ata patjetër ose ta kursejnë. Ne duam të mos e prekim biznesin e vogël në asnjë mënyrë dhe do të vazhdojmë të mos e prekim  biznesin e vogël dhe ne duam që t’i japim një mbështetje të qëndrueshme pensionistëve dhe atyre që kanë më pak dhe gjithë kjo është një paketë në fakt që s’është një paketë që shfaqet dhe mbaron, por është një paketë që shfaqet dhe qëndron aty në afat të gjatë sepse asgjë nga këto që shtohen sot nuk do të kthehen mbrapsht dhe t’u merren njerëzve nesër, pavarësisht se vijnë si rezultat i indeksimit të paktën dy herë në vit.

Ne do të rrisim përsëri dhe është hera e dytë në vit, pagën minimale nga 32 mijë në 34 mijë lekë. Ka funksionuar me 32 mijë, do ta rrisim në 34 mijë tani, pra nuk do të lejojmë që të ketë në Shqipëri pagë minimale nën 34 mijë lekë. Ligjërisht flasim dhe sigurisht për ta mbyllur meqë jemi te Europa, së pari një herë urime që jeni tharë pasi u zhytët në pishinat e Irfan Hysenbelliut tre ditë rresht, kjo tregon që ju punojnë mirë tharëset e flokëve edhe keni konsumuar goxha energji për t’u tharë. E dyta përsa i përket ndërtimeve pa leje, ne jemi sot në një kohë kur këto janë shfaqjet e fundit të brutalitetit kapitalist të disa kokave që kujtojnë se mund të bëjnë çfarë të duan në këtë vend, ndërkohë që kur e kemi nisur ne punën, ndërtimet pa leje dhe pallatet me kate shtese dhe godinat e zgjatura e të rritura nga të dy anët, e të shtuara nën ndenjëse, nën tokë, ishin pa fund. Sot në Tiranë numri i tyre është i vogël, nuk është i madh por sigurisht ato janë aty dhe se çfarë do të bëjmë ne do ta shikoni në ditët në vijim, që këta ose do t’i parablejnë më një çmim real tregu të indeksuar dhe do paguajnë edhe gjobën mbi çmimin real të tregut dhe është ligji fiks ky dhe me ato para ne do të çojmë tek fondi shpronësimit ose do ta dhurojmë dhe në këto dy raste, atyre u jepet mundësia që të ligjërohet gjëja e të mos përfundojë në ndjekje penale ose do të konfiskohen dhe pastaj vazhdojmë me ndjekjen penale. Thelbi është, sikur ne të kishim mentë tuaja, sot Shqipëria do ishte aty ku ishte aty ku e latë ju me mentë tuaja, po s’është aty i bie që s’kemi mentë tuaja. Këto zgjidhjet “ad hoc” që bëni ju nga vendi, janë zgjidhje që ju kanë lënë ne vend dhe aty ju nuk e ndjeni, po ndërkohë po zhyteni poshtë e më poshtë dhe ajo që do të ndodhë është: së pari askush nuk do ta çojë ndërmend të bëjë metra katrorë shtesë sepse do t’i dali aq shtrenjtë dhe do të jetë aq stres dhe do të kenë aq halle me ligjin sa do të jetë e kotë ta bëjnë një gjë të tillë.

Së dyti, në të gjitha metrat katrorë që kanë ndërtuar jashtë lejeve ose pa leje për qëllime fitimi, përfituesit do të jenë të pastrehët apo do të jenë ata tek Unaza e Re që kanë nevojë të shpronësohen dhe paratë nga parablerja do të shkojnë te Fondi i Shpronësimeve, një nga të dyja, ose do të jetë shteti që do t’i marri për mjedise pune në rastet kur mjediset janë mjedise të kateve të para, zyra e ku di unë se çfarë. Kjo do të ndodhi e do të ndodhi shumë shpejt. E kjo do të ndodhi në Tiranë, kjo do të ndodhi nga rëra te plazhi e deri te qendrat e qyteteve dhe ka ndodhur gjatë gjithë kohës dhe për këtë arsye ne kemi sot pak në krahasim me shumë, po sigurisht që për këtë jemi këtu ne se po të ishin zgjidhur të gjitha, nuk do kishit ju nevojë për mua. Unë jam këtu pikërisht se nuk janë zgjidhur të gjitha dhe për sa kohë duhen zgjidhur të gjitha, jam unë këtu bashkë me këta e për sa kohë duhen zgjidhur të gjitha, ju jeni aty për të krijuar për çdo zgjidhje një problem, kurse ne jemi këtu që për çdo problem të gjejmë një zgjidhje. Ky është ndryshimi jonë. Kuptuat?! Nuk e kuptuat! S’ka gjë nuk do e kuptoni as më vonë, po prapë s’ka gjë.

Po të përsëris edhe një herë tjetër, nuk ka asnjë metër katror, asnjë kat, asnjë zgjerim, asnjë nënshtresë që nuk do t’i kthehet popullit shqiptar. Le ta ketë bërë kush të dojë dhe jeni të lutur të na ndihmoni nëse juve keni informacion për më shumë, por me juve ka një problem, se ju nuk dini të lexoni. Këtu është problemi. Ju siguroj që me paratë që do të mblidhen nga çdo godinë apo metër katror që do të vijë si rezultat i denoncimit tuaj, do të hapim një kurs për t’iu mësuar juve leximin.

Previous Paketa e re e Rezistencës Sociale

Leave Your Comment