Mbështetja e qeverisë ndaj sektorit të peshkimit dhe sfidat e zhvillimit të kësaj industrie përgjatë vitit, 2022 ishte tema e një takimi të zgjeruar me sipërmarrës dhe punonjës të sektorit të peshkimit. Takimi, në të cilin mori pjesë edhe Kryeministri Edi Rama u zhvillua në portin e peshkimit në Durrës, ku sot nisi puna për zgjerimin e kapaciteteve ankoruese për anijet e peshkimit, një investim i shumëpritur dhe tejet lehtësues për peshkatarët.
* * *
Unë jam shumë i kënaqur, por edhe njëkohësisht shumë i bindur që nuk ka vend për t’u kënaqur sepse ka akoma shumë që mund të bëjmë për këtë sektor, i cili mund të thuhet me plot gojën se sot është një industri e rilindur, por potenciali është i jashtëzakonshëm.
Më kujtohet kur kam ardhur këtu për herë të parë, ishte një kthim në historinë e letërsisë që më ka sjellë ndër mend një roman të famshëm që na e sugjeronin shumë në atë kohë të mëparshme për si vuanin minatorët në regjimin kapitalist feudal, gjysmë feudal, si të doni, kapitalizmin e egër, “Dhe yjet rrinë e vështrojnë”, me një situatë absurde ku, s’e përmendi Moli, por ju shkonit të merrnit naftë në Itali, apo jo? Sepse këtu ishte e pamundur që të furnizonit anijet me naftë, ju dilte më lirë të niseshit për Itali, të ngarkonit anijet me naftë në Itali e pastaj të vazhdonit të peshkonit. Rreth 90% informal, jo se do donit të ishit informal, por sepse s’kishte asnjë shans që t’i mbijetonit formalizimit me ato kushteve të tmerrshme, me atë burokraci dhe atë braktisje totale. I gjithë volume i punës se jashtëzakonshme dhe shumë të mundimshme torturuese për shumicën dërrmuese, përkthehej në diçka midis 20, 25 milionë euro eksporte nga gjithë kjo vijë bregdetare.
Sot, ne jemi në shifrën e 130 milionë euro eksporteve të vitit të kaluar, por ambicia është për të bërë shumë më tepër. Duam që Shqipëria të shkojë në 1 miliardë eksporte bujqësore ku peshkimi në këndvështrimin tonë dhe sipas projeksioneve të bëra dhe sipas diskutimeve me ju, duhet ta kapë patjetër tavanin e 200 milionëve dhe duhet ta kalojë dhe është plotësisht e mundur.
Natyrisht kjo kërkon e para që ne të lehtësojmë çdo lloj peshe në aspektin burokratik siç kemi bërë edhe falë faktit që kemi një dialog të vazhdueshëm me ju dhe jemi vazhdimisht nën presionin e kritikave tuaja, jo të kërkesave me thënë të drejtën, por të kritikave sepse faktikisht kemi arritur të funksionojmë si një komunitet midis Ministrisë, jush edhe meje që jam përfshirë në këtë përpjekje me shumë pasion dhe shumë dëshirë sepse e thashë, nuk kam për ta harruar kurrë kur kam ardhur t’ju takoj për herë të parë. Ka qenë e paimagjinueshme se si një komunitet punëtorësh kaq të apasionuar e kaq të vuajtur, mund të ishin aq të braktisur dhe aq të shkatërruar sa ishit ju në atë periudhë.
Nga një anë lehtësimi i të gjitha peshave burokratike deri tek ato certifikatat absurde dhe tek ato lejet për të dalë në det. Nga ana tjetër fuqizimi i flotës më kujtohet që kur e hodhëm idenë e një mbështetje financiare për të filluar riparimin e anijeve, por duhet ta çojmë realisht flotën në një standard tjetër. Ju e keni të gjithë eksperiencën, ju i keni të gjitha energjitë që ju duhen, ne duhet vetëm t’ju mbështesim. Ku kishte bërë vaki ndonjëherë që komuniteti i peshkimit të futej në procese aplikimesh për fonde?
Edhe logjistika nuk është mjaftueshëm thjesht flota ose përmirësimi i flotës, na duhet të rrisim standardet e porteve të peshkimit, siç po bëjmë këtu sot. I erdhi koha edhe kësaj faze tjetër, mbasi u garantua që porti është i juaji e nuk kishte realisht shans ta rrëmbenin për qëllime të tjera, siç u përpoqën shumë në fillim fare, por tani duhet të rrisni standardin. Lajmi i mirë është që e ardhmja jo shumë e largët është jo shumë më e bukur se e sotmja, sepse gjithë kjo zonë, siç jua kam treguar, por tani jemi pranë realizimit dhe fillimit të punës, do të kthehet në një zonë turistike. Pra ju do të vazhdoni punën tuaj. Këtu do të bëjmë një markatë peshku, më të bukurën e të gjithave që janë bërë deri tani, që janë të mira, që i plotësojnë kushtet, ajo e Vlorës është jashtëzakonisht e mirë por të shkojë përtej, që të jetë diçka me ambicien për të qenë një nga markatat më të bukura të Mesdheut, të peshkut dhe në të gjithë zonë këtu do të ndërtojmë një rrugë këmbësore me gjithë restorante, klube që do jenë të lidhura sigurisht, me detin dhe punën tuaj. Pra dhe markata dhe rruga këmbësore njëlloj, bulevardi dhe gjithë tregtia turistike, që do të bëhen si rezultat i faktit që gjithë kjo zonë është e përfshirë në portin e ri turistik të Durrësit.
Ne kemi marrë javën e shkuar edhe dokumentat e fundit për të plotësuar dosjen e plotë për gjithë procesin e kalimit të procedurës në qeveri dhe në Parlament dhe për të filluar punën dhe puna do të fillojë në dy ekstremet, në ekstremin lindor dhe këtu në ekstremin perëndimor. Falë atij investimi, ju do jeni ku e ku më mirë sesa sot për të vazhduar normal aktivitetin tuaj. Ky është porti juaj, këtë nuk e prek njeri, por në pjesën ku sot ka gjithë ato mure betoni, ku ka gjithë ato hekurishte, do të ketë një bulevard turistik dhe të kombinuar kjo edhe me ardhjen e trageteve të pasagjerëve nga ana tjetër, do plotësohet më së miri kjo panoramë.
E njëjta gjë vlen edhe për portin e peshkimit në Vlorë, që do jetë i standardeve europiane dhe ai dhe që do jetë pjesë e kompleksit të Triportit, ku po punohet intensivisht për portin e ri tregtar të Vlorës. Besoj që i kemi të gjitha mundësitë të vazhdojmë këtë transformim dhe nëse sot ne na duket se kemi bërë shumë në raport me ku e nisëm, duhet të bëjmë çmos që në raport me sot aty ku do të arrijmë të jetë njësoj shumë. Është një dekadë shumë e rëndësishme për Shqipërinë, na ka qëlluar që të përballemi me gjëra që janë absolutisht të rënda, të padëshiruara, nuk i kemi zgjedhur ne, por na zgjodhën në formën e sfidave kulmore, që nga tërmeti që Durrësin e goditi egërsisht, pastaj pandemia, tani një luftë e cila nuk ka ardhur në Shqipëri me bomba por ka ardhur me inflacionin e saj. Rritje çmimesh që nuk i ka sjellë qeveria dhe që qeveria nuk i zhbën dot sepse nuk ka qeveri që t’i zhbëjë, por që qeveria ka detyrë t’i lehtësojë duke rritur mbështetjen financiare për të gjitha kategoritë që kanë nevojë për mbështetje dhe kur them që kanë nevojë për mbështetje nuk kam parasysh vetëm ata më të dobëtit, por edhe ata që janë në mes, të gjithë ata që punojnë në sektorë të ndryshëm të shërbimeve, të gjithë ata që janë të angazhuar me mbrojtjen, që janë të angazhuar me rendin publik, të gjithë ata që janë të angazhuar me arsimin, që janë të angazhuar me gjithë strukturën e jashtëzakonshme në aspektin e punësimit dhe të ekonomisë së vogël familjare që është biznesi i vogël, pa diskutim pensionistët, pa diskutim nënat kryefamiljare me dy fëmijë, me tre fëmijë, që janë me ndihmë ekonomike, të moshuarit mbi 65 vjeç që janë me ndihmë ekonomike. Të gjithë këta kanë nevojë për ekstra. Ajo që ne praktikisht po bëjmë është pikërisht kjo, të shtojmë sa të mundemi pagat e tyre, të shtojmë sa të mundemi ndihmën për ta, të shtojmë sa të mundemi pensionet e tyre.
Nga ana tjetër, është e domosdoshme të mos ndalojmë mbështetjen e fermerëve. Kemi bërë një mbështetje masive për naftën. Nafta është rritur, por ajo që ne na intereson në rradhë të parë është që kjo rritje të mos prekë ata të cilët janë në frontin e parë të prodhimit, janë në frontin e parë të punës dhe të shërbimeve dhe për këtë arsye kemi investuar kaq shumë për naftën pa taksa dhe për këtë arsye kemi dhënë dhe një ndihmë ekstra për naftën për ju sepse ju e keni me një konsum të lartë karburanti gjithë aktivitetin tuaj, nuk është një konsum i zakonshëm.
Kjo çështja e një loje çmimit të naftës që bëhet këtu në portin e Durrësit do të mbarojë, do vendoset një çmim unik tavan për të gjithë peshkatarët në të gjithë vijën bregdetare, i detyruar dhe askush nuk ka për të bërë dot asnjë qindarkë lëvizje nga ai çmim, por do t’i shërbejnë peshkatarëve, do t’i shërbejnë kësaj industrie pa asnjë lëvizje nga çmimi i detyruar tavan sepse nuk ka këtu vend për të bërë lodra e aq më pak pastaj ka vend për të nxjerrë fitime nga djersa juaj dhe nga mundimet tuaja, duke bërë xhibla me furnizimin. Nuk është fare e drejtë dhe nuk do ta lejojmë që të ketë dallim mes një furnitori dhe një tjetri në portin e Durrësit. Të gjithë furnitorët e naftës për peshkimin do ta kenë çmimin njësoj, do ta kenë çmimin me tavan të vendosur nga Ministria e Bujqësisë dhe nga qeveria. Kjo do të bëhet dhe do të bëhet brenda kësaj jave dhe kush do të bëjë lëvizje nga ky detyrim, do të detyrohet pastaj të dorëzojë depozitat.
Shumë faleminderit të gjithëve!