Skema Kombëtare e Trajnimit në Bujqësi, kapitull i ri i marrëdhënieve mes universitetit dhe prodhuesve bujqësorë - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Skema Kombëtare e Trajnimit në Bujqësi, kapitull i ri i marrëdhënieve mes universitetit dhe prodhuesve bujqësorë

Për herë të parë në Shqipëri organizohet Skema Kombëtare e Trajnimit në Bujqësi, e cila synon të përditësojë informacionin e ekstensionistëve në bujqësi dhe fermerëve, për të arritur në një bujqësi më inovative, nëpërmjet transmetimit të njohurive të reja ose kombinimet e reja të njohurive ekzistuese.

Ky trajnim, është i pari që zhvillohet në shkallë vendi dhe përfitojnë 1800 fermerë që prodhojnë për tregun vendas dhe për eksport. Kurset do të zhvillohen në bashkëpunim me specialistë të qendrave të transferimit të teknologjisë dhe fermerë që përdorin praktika të reja kultivimi.

***

Fjala e Kryeministrit Edi Rama:

Për hir të vërtetës është, jo se duhet thënë kështu, por sepse kështu është, kënaqësi çdo vizitë që bëj këtu. Më kujtohet kur kam ardhur për herë të dytë, rektori atëherë tha: “je i pari Kryeministër në historinë e universitetit që vjen dy herë në këtë universitet”. Deri sot besoj janë bërë nja 20 herë dhe çdo herë është kënaqësi sepse ka diçka të re që ndodh, diçka të re që bëhet, diçka të re që zhvillohet.

Po të kthejmë kokën mbrapa për një moment, të gjithë ata që e kanë bërë këtë rrugë dhe kanë hyrë në këtë territor, nuk ka asnjë lloj krahasimi të imagjinueshëm dhe jo më të mundshëm mes çfarë ishte ky territor kur unë erdha për herë të parë dhe çfarë është ky territor sot, ku falë një bashkëpunimi gjithmonë e më të ngushtë me universitetin dhe një strukturimi gjithmonë e më të mirë të këtij bashkëpunimi, ne kemi arritur në një fazë dhe në një nivel tjetër. Pa diskutim që duhet të arrijmë shumë më larg dhe duhet të ngjitemi shumë më lart. Krahasimi me nga jemi nisur na ndihmon vetëm për të kuptuar se sa shumë potencial ka ky bashkëpunim dhe sa shumë mund të bëjmë, por jo për tu kënaqur dhe për të ndaluar rrugën tonë dhe punën tonë, qoftë dhe për një minutë të vetme.

Infrastruktura e këtij universiteti ishte një tmerr, kushtet dhe hapësirat dhe energjia e gjithë këtij territori ishte kundër nevojës më elementare të të gjithë trupës pedagogjike apo studentëve, për tu ndjerë të frymëzuar, të motivuar, të nxitur pozitivisht në çdo ditë të punës apo të mësimit. Sot gjërat kanë ndryshuar dhe po ndryshojnë ndjeshëm falë disa komponentëve.

Para se të vinim këtu, ne vizituam kampusin, i cili pa asnjë diskutim, është një kampus që në çdo vend të Europës, do ishte mes më të mirëve nga pikëpamja e infrastrukturës, nga pikëpamja e hapësirës, nga pikëpamja e kushteve që do të ofrojë, por ambicia jonë nuk është thjesht që aty ku kishim një grumbullim karakatinash të konvikteve të vjetra dhe që ishte një mishmash familjes të mbetura aty, të futura në momentin e ndryshimit, godinash të braktisura krejtësisht, një pjesë e vogël të banuara nga studentë, por jashtë çdo lloj kushti për tu konsideruar të dinjitetshme, të kthehet përsëri thjesht në një kompleks konviktesh.

Ne duam që ai të jetë një kompleks për studentët, për shkencën, kërkimin shkencor, teknologjinë dhe për biznesin si pikë referimi, jo për të marrë hapësirë, por si pikë referimi për start-up dhe për këtë po punojmë dhe jemi shumë të motivuar edhe nga dëshira dhe nga më shumë se sa dëshira, nga hapat e hedhur nga një prej qendrave më të rëndësishme kërkimore shkencore të Europës, në Barcelonë për të krijuar një sinergji, falë edhe një pedagogu shqiptar që është dhe shef departamenti dhe falë edhe një fryme pozitive të krijuar përreth vendit tonë, nga një rrjet i tërë kërkuesish shkencor në shumë vende të Europës, nën nxitjen e Akademisë sonë të Shkencave.

Këto kanë rëndësi të thuhen këtu, jo për të humbur kohën tuaj, por për të vazhduar me arsyen pse jemi këtu. Jemi këtu për një program, më vjen mirë se një prej profesorëve më legjendarë të universitetit e tha, është eksperienca e parë në 40 vjet dhe për hir të vërtetës, është një kompliment për ministren, është një kompliment për Ministrinë e Bujqësisë që e ka ndërmarrë këtë nismë sepse nëse në 30 vitet e fundit ky universitet ka pasur një periudhë rrëshqitjeje në humnerë dhe pastaj ngritje të ngadaltë dhe të mundimshme, por ende jo aty ku ne duam të jetë, në ato vitet e mëparshme ka qenë një institucion ekselence Europian, jo thjesht shqiptar. Pavarësisht ideologjisë, pavarësisht mbylljes, pavarësisht kushteve dhe mundësive më të pakta, këtu ne kemi pasur një nga të paktat oaze të dijes dhe të shkencës që ishin në nivel Europian dhe marrëdhëniet dhe reputacioni i këtij universiteti edhe në botën akademike europiane të asaj kohe, dihet që kanë qenë shumë të respektueshme.

Sot, me këtë program, ne hyjmë në një fazë të re dhe unë dua t’iu them të gjithëve pedagogëve të universitetit që kjo nuk është një nismë që bëhet tani dhe ndalet tani, kjo është një nismë për diçka që ne duam të mbetet në vazhdimësi, të jetë e përvitshme, të jetë e programuar, të përmirësohet hap pas hapi nga eksperienca, nga rezultatet, nga çfarë do sugjeroni ju, nga çfarë do të shohim ne në terren dhe të plotësohet me komponentë të tjerë.

Një nga komponentët me të cilën do të plotësohet është që të gjithë drejtuesit e strukturës sonë në territor të ndjekjes së zhvillimeve në fshat, të prodhimit të fermave, duhet të vijnë dhe të bëjnë këtu kurse nate dhe përtej punës me studentët, përtej punës me fermerët, ky universitet, sigurisht me financim nga kjo skemë, duhet të marrë përsipër të japë kredite për ata të cilët prezumohet që janë ekstensionistët dhe janë politikë-zbatuesit e pushtetit ekzekutiv dhe të Ministrisë së Bujqësisë në territor.

Është shumë e rëndësishme që ne të bëjmë çmos së bashku që ta shtrijmë sa më shumë kapilaritetin e rrugëve të dijes sepse çfarë kemi parë, çfarë kemi arritur të mësojmë dhe çfarë ju i mësoni përditë studentëve dhe i mësoni përditë kujtdo që është i interesuar për këtë sektor, është që si në çdo sektor tjetër, por mbase këtu në mënyrë shumë specifike, dija bën diferencën, dija rrit eficencën, dija ul shpenzimet dhe dija e kombinuar me teknologji bën suksese të hatashme.

Më erdhi dhe për të qeshur kur pashë atë zotërinë në Korçë, unë e kam takuar, kemi qenë me Fridën, i cili tregonte që satelitët ku ata paguajnë për të marrë shërbim dhe që nesër do t’i kenë në dispozicion, sepse do jenë satelitët e vendit tonë, i tregojnë, “shiko se në parcelën tënde ke një pemë me problem”. Më erdhi për të qeshur me faktin që më erdhi dhe mua momenti që të qesh sepse deri tani qeshin me mua kur unë them që satelitët do të na ndihmojnë për të gjitha fushat dhe do të na ndihmojnë për bujqërisë në mënyrë të veçantë sepse do të na japin të dhëna që ne përndryshe nuk i mbledhim dot në kohë reale dhe ne përndryshe nuk i vëmë dot në dispozicion edhe të një baze, që na jep pastaj mundësinë të bëjmë analiza, të bëjmë politika, të bëjmë programe, qoftë në aspektin akademik dhe qoftë në aspektin ekzekutiv dhe do të na japin mundësi që ta ndjekim të gjithë rrugën e prodhimit në kohë reale, të gjithë larminë e prodhimit në kohë reale. Dija bën diferencën dhe këtu ka shembuj të pafund.

Mbase e keni dëgjuar ju, do ta përsëris dhe ndjesë nëse dikujt i tingëllon përsëritje. Kemi parë fermerë të dalin në televizor në mes të rrugës të hedhin qershitë që nuk shiten, por kemi parë fermerë që bëjnë trefish, katërfish, pesëfish fitime me qershitë. Janë të dy palët fermerë shqiptarë. Janë të dy palët me të njëjtat mundësi në të njëjtën gjeografi, me të njëjtat hapësira. Si ka mundësi që disa bëjnë disa bëjnë trefish fitime dhe disa e marrin dhe e hedhin në rrugë. Kush e bën diferencën? E bën dija, asgjë tjetër. Sepse të dyja palët vënë punë e krahëve të tyre aty, të dyja palët bëjnë hyzmetin dhe shpenzojnë për prodhimin. Njëra palë fiton trefish, katërfish, pesëfish në raport me më parë, tjetra palë falimenton. Pse? Sepse njëra palë nuk i bën detyrat e shtëpisë në raport më përgatitjen dhe me planin e punës, ndërsa pala tjetër i bën. Nga vijnë këto? Vijnë nga dija, që është një lloj qershie që mund të shitet në tregun përkatës dhe është një lloj tjetër, që tregu nuk e merr, shumë e thjeshtë në këtë rast konkret.

Ka të tjera që janë më pak të thjeshta, por në të gjitha rastet sa më shumë ne të arrijmë të trajnojmë, të angazhojmë dije në funksion të fermerëve dhe ana tjetër të përçojmë shembujt e territorit të vet fermerëve shqiptarë, të të një njëjtës hapësirë gjeografike, të të njëjtave kushte klimaterike, por që tregojnë sukses dhe jo dështim, që tregojnë mundësi për të fituar më shumë dhe jo një rrugë për të vazhduar për të mbijetuar, aq më shumë ne do të arrijmë që nga njëra anë të realizojmë objektivin e çuarjes së eksporteve në një nivel shumë herë më të lartë sesa ky i sotmi, që është shumë herë më i lartë sesa ai i djeshmi. Nga ana tjetër, do të arrijmë që t’i japim një perspektivë ekonomike sipërmarrjeve në fshat. E kemi thënë qysh në të krye të herës që duam të përçojmë mesazhin që është koha e sipërmarrjes në fshat, nuk është më koha e mbijetesës tek e tek. Është e pamundur. Nuk është më koha e lëmoshës së shpërndarë për të gjithë njësoj kudo në të gjithë territorin, është e pamundur. Nuk çon asgjëkund, është rrugë qorre. Është një rrugë qorre që mbase mban gjeneratën e mëparshme ende të lidhur aty për 1001 arsye, por kurrën e kurrës nuk e tundon gjeneratën e re që të vazhdojë të ndjekë rrugën e të parëve, pavarësisht se ka tokën e babait apo të gjyshit apo të stërgjyshit aty, sepse gjenerata e re do të fitojë më shumë me të drejtë dhe do më shumë garanci të perspektivës. Nuk është e vërtetë që toka dhe fshati nuk i japin këto garanci, e kundërta është e vërtetë. Kush e gjen rrugën përmes dijes, shfrytëzimit të eksperiencave më të mira dhe natyrisht, kush është i gatshëm të bëjë punën e lodhshme, fiton dhe fiton goxha mirë.

Sot ne kemi një situatë e cila është absolutisht e vështirë botërisht. Kemi një situatë që për fat të keq ndërron natyrë nga pikëpamja e shkakut, por nuk ndërron përmbajtje nga pikëpamja e një krize që vazhdon dhe për ne në Shqipëri është edhe më e gjatë, sepse ne e nisëm me një tërmet, pastaj hyjmë dhe ne në atë krizën e madhe të pandemisë. Tani jemi në krizën e inflacionit të luftës që as nuk e kemi filluar ne dhe as nuk e ndalojmë dot ne, por ka një të dhënë që vazhdon njësoj. Bujqësia dhe prodhimi bujqësor shqiptar rritet në mënyrë të qëndrueshme, rritet në volum, rritet në masë financiare eksportesh. Kështu ndodhi gjatë kohës së pandemisë, kështu ndodh edhe sot që flasim. Praktikisht sot që flasim ne kemi konkretisht 55 milionë më shumë eksporte në 8 mujorin e parë të 2022. 55 milionë më shumë sesa viti i mëparshëm. Kjo flet për potencial të jashtëzakonshëm. Ashtu sikundër po ju jap një shifër tjetër, që thotë të kundërtën komplet të mitit se bujqësia shkon në drejtim të gabuar. E kundërta është e vërtetë. Nuk po marr shifrën e 2013 sepse është e pabesueshme për fidanët e certifikuar, që ka rezultuar pastaj në dështime dhe zhgënjime të panumërta, për shkak të fidanëve të falsifikuar po them, pra jo të shëndetshëm. Po marr shifrën e 2017-ës. 1.9 milionë fidanë të certifikuar. E dini sa kemi sot që flasim? Kemi 35 milionë fidanë të certifikuar, pra të garantuar, që nuk kanë surpriza brenda për fermerët. Sigurisht që nuk ka mbaruar ky proces, por ky është kapërcimi që ka ndodhur.

Ashtu sikundër ne sot punojmë falë shumë komponentëve, që nga investimet masive në ujitje dhe në kullim, deri tek programet mbështetëse, dyfishin e tokës dhe prodhojmë 97% të qumështit në Shqipëri. Ndërkohë që kemi parë protesta rrugëve duke derdhur qumësht dikur, por ja ku jemi sot. Për të gjithë ata që thoshin nuk do ketë më qumësht. Ndërkohë që flasim për një zhdukje të gjedhëve, ne kemi një rritje të prodhimit dhe kemi një shifër shumë domethënëse sepse nuk është e vërtetë, e para. Është e vërtetë diçka tjetër, që censusi i bërë në të shkuarën ka qenë komplet fiktiv, gënjeshtër i gjithi nga fillimi deri në fund. Kaq krerë kështu e kaq krerë ashtu, të gjitha të bëra në zyrë për të justifikuar pastaj statistika të tjera të rreme që shkonin zinxhir.

Sot jemi këtu në universitet për një program të ri por nuk është i vetmi. Jemi këtu edhe në një proces ndërkombëtarizimi në Universitetin Bujqësor të Tiranës. Ne duhet më çdo kusht, në të gjitha mënyrat dhe me përpjekjen e përbashkët ta kthejmë në një qendër akademike ekselence rajonale dhe më tutje pastaj pse jo europiane, por rajonale patjetër. Kemi gjithë kapacitetet e mundshme akademike, i kemi këtu pa diskutim.

Sigurisht që ky program është edhe një program stimulimi financiar për pedagogët, mbase jo i jashtëzakonshëm, por domethënës, por nuk është i vetmi program financiar. Ne kemi vendosur fondet e ndërkombëtarizmit dhe atyre që dalin në rruge dhe le të dalin se janë në të drejtën e tyre, s’ka asnjë problem, dhe që kërkojnë rritje pagash opshe, në emër të të gjithë pedagogëve iu them që nuk jeni mësues, as mësues gjimnazi, as mësues 9-vjeçareje, nuk jeni as mjek, as infermierë në shërbimin shëndetësor publik. Nuk jeni as punonjës policie, nuk jeni as ushtarakë, nuk jeni as nëpunës civilë, s’jeni as pensionistë, jo e jo. Të gjithë këta marrin një pagë apo një pension fiks. Ndërkohë që pedagogët janë në një hapësirë të ndërmjetme midis mbështetjes shtetërore dhe horizontit, ku mjafton të duash dhe ia bën vetes rrogën edhe dyfish, edhe trefish, edhe katër edhe pesë me fondet e tjera. Cilat janë fondet e tjera? Janë fondet e vetëfinancimit, janë fondet europiane, janë dhe fondet e universiteteve të tjera private ku shkohet, bëhet dhe mësim. Këtu nuk dua të thellohem se ndërkohë këtu ka dhe një histori tjetër, të pagave të deklaruara pjesërisht, kemi paga që nuk përkojnë në të vërtetë po kjo është temë tjetër. Këtu nuk e kam për të ngritur probleme, e kam për të thënë se sa shumë potencial ka universiteti dhe këtu ka një fakt. Përpara se të futeshim në procesin e ndërkombëtarizimit dhe përpara se sa lidershipi i Universitetit të Tiranës të ndryshonte, ne kishim 45 pedagogë që kishin pasur një akses në fondet evropiane me projekte. E dini sa kemi sot? Universitet i Tiranës ka rreth 800 pedagogë. Janë mbi 400 që kanë financim ekstra falë meritës së tyre, falë punë së tyre, falë angazhimit brenda për brenda strukturës dhe falë faktit që nga ne e nisëm këtë fazë tjetër pas zgjedhjes së rektorëve të rinj, me fondet evropiane, kemi bërë një kapërcim të madh. Mund të marrim akoma shumë më tepër por ama ishim të fundit, në fund të pusit, sot nuk jemi ndër të parët, por ama jemi duke hedhur hapa falë angazhimit të pedagogëve, falë angazhimit të rektorëve, falë dekanëve.

Kështu që ne do të bëjmë një rritje pagash të mërkurën  kur është mbledhja e qeverisë prej 7%, por ama do t’i njohim universitetit të drejtën e një tavani për të rritur më tej pagat e pedagogëve sipas vendimmarrjes së vet. S’mund të ketë për botën akademikët një pagë opshe, të gjithë njësoj. Nuk janë të gjithë njësoj. Ata të tjerët po, universiteti jo, është autonom, jeton dhe punon dhe zhvillohet në një hapësirë të ndërmjetme midis shtetit si ndërmjetës dhe tregut si ofertues. Kjo që bën Ministria e Bujqësisë është rezultat i një procesi të nisur që ne të vazhdojmë të thellojmë atë paktin për universitetin ku institucionet qendrore apo institucione të tjera jo vetëm ministritë t’i drejtohen universitetit për të marrë shërbime mendjeje, nuk kanë pse të shkojnë të kërkojnë në treg ku sidoqoftë dhe aty pedagogët janë prapë, po s’po llogaris ato, konsulencat e tjera se ato janë punë private.

Duke iu drejtuar universitetit ne edhe marrim një produkt si ky i trajnimit të fermerëve që është një produkt goxha i rëndësishëm dhe të cilin e fermerët nuk e marrin dot vetë, por edhe universiteti merr vetë një tjetër mundësi financiare. Pse është sot AZHBR-ja e Shqipërisë e para në rajon për thithjen e të gjitha fondeve evropiane? Ishim të fundit, në gropë, zero fare, pse? Se erdhën këtu fermerë nga Hëna? Jo, fermerët janë po ata. Erdhën këtu fermerë nga Evropa? Jo, janë po ata. Por sepse këtu u investua pikërisht në lidhjen mes nevojës së fermerit, nevojës së sipërmarrësit dhe dijes për të bërë projektet e duhura, për të bërë aplikimet e duhura. Dhe si u bë kjo? U bë duke rritur kapacitetet e dijes në AZHBR, por edhe duke stimuluar pikërisht këtë ndërveprim. Fare mirë ne këtë gjë mund ta bëjmë me universitetin. Fare mirë në këtë fazë të re ne mund t’i themi universitetit, “na jepni edhe këtë shërbim, jo neve po jepjani fermerëve këtë shërbim”. Ata pedagogë që hyjnë në këtë proces marrin të ardhurat e tyre, pse t’i marrin studiot e konsulencës? S’kishte bërë vaki që të kishte këtu studio konsulence këtu për këtë punë, por ja që u fut, u krijua një treg. Këtë treg ne ta tërheqim këtu dhe është në interes të përbashkët. Ne duam t’ju stimulojmë dhe t’ju motivojmë juve, pedagogët. Pse? Që ju të kaloni, të bëni gjithë transferimin e dijes tek studentët, por ama të bëni këtë duke qenë financiarisht gjithnjë e më të motivuar.

Kështu që për ta mbyllur këtë pjesë, nuk ka mundësi, është kundër sens, është antihistorike dhe është antilogjike dhe është komplet e papranueshme që të kërkohen opshe nga ky komunitet, flas për komunitetin universitar, nga qeveria gjëra të cilat duhet të jenë të ndara së bashku, se përndryshe për çfarë është autonomia? Për çfarë zgjidhje ju zgjidhni Bardhin dhe jo konkurrentët e tij? Për çfarë? Po të mos ishte autonomia, Bardhin nuk e zgjidhja unë se Bardhi është me PD-në, normal. Po unë bashkëpunoj me Bardhin shkëlqyeshëm se partitë i lëmë tek dera dhe këtu merremi me fidanët dhe me farat dhe me të ardhmen, apo jo? E sjell këtë shembull për të thënë pikërisht që ju vetëqeveriseni. Tani të jesh një komunitet që vetëqeverisesh e të thuash që “unë autonominë e dua për të mos dhënë asnjë llogari askujt, ama të gjitha të tjerat i dua nga ty o shtet e nga ty o qeveri”, kjo nuk bën sens. Nuk bën asnjë sens, është absurde dhe për më tepër të kërkohen sot qiqra në hell në raport me kohën që jetojmë. Ndërkohë që shërbimi që japim, shërbimin që jep universiteti nuk e kemi kudo aq të mirë se po ta kishim kudo aq të mirë, nuk do të kishim universitete në territor që kanë gjithmonë e më pak studentë dhe këtu nuk është rasti I UBT-së. Rasti I UBT-së është i kundërti. Është budallallëku i idesë se po të vish të studiosh këtu, nuk ke perspektivë. E kundërta është e vërtetë. Sa më shumë të kalojnë vitet, shikojeni kohën se si po vjen, aq më shumë vlerësohen njerëzit që kanë dije për ushqimin, për prodhimin, për përpunimin e ushqimit, për mjedisin, për ujërat, për burimet. Në këtë territor, do të vijë dita që kërkesat do të jenë të papërballueshme për të hyrë këtu sepse nuk do të zgjidhen problemet e ushqimit dhe të klimës me juristë dhe besoj që do vijë ishalla më shpejt sesa vonë momenti që shumëkush do ta kuptojë që është e humbur rruga duke u turrur të gjithë te juridiku.

Këtu, në këtë universitet, kush investon sot në dije, i jep vetes mundësi që jo në Shqipëri, po në çdo vend të botës të jetë i vlefshëm për gjithë pjesën tjetër të jetës sepse bota nuk po shkon drejt lehtësimit, po shkon drejt dhimbjeve, lehtësimi do vijë më vonë. Kjo është e vërteta.

E fundit që mos ju mbaj më gjatë, është vazhdimi i programit tonë për sinergjinë me universitetin e Vienës. Unë dua t’ju them diçka që s’kam pasur mundësinë t’ua them juve të gjithëve në sy, pedagogëve. Jam ndjerë realisht shumë i lehtësuar dhe i kënaqur kur rektori i Universitetit të Vjenës së bashku me delegacionin e tij, pasi kishin ardhur këtu, i takova në Vienë dhe më tha: “Kryeministër, kur ke ardhur për herë të parë të flasësh me ne dukeshe pesimist për se sa shumë mbrapa është Universiteti juaj. Po të them dhe nuk kam asnjë arsye të të bëj asnjë kompliment, sepse s’është kompliment, po është e vërteta duhet të jesh shumë optimist me pedagogët që keni në Tiranë”.

Natyrisht që ka probleme infrastrukture që janë në rrugën e zgjidhjes, sipas tij, po me atë grup pedagogësh që ne kemi mundur të kontaktojmë dhe me atë lloj mënyre se si drejtohet ai universitet, dhe këtu prap po i hyj vetes në hak se i bie që po bëj fushatë për Bardhin, por kjo s’është e vërtetë, unë shpresoj mos ta votoni Bardhin më, po e di që Bardhi do votohet prap, do të jeni absolutisht partnerë shumë dinjitozë të universitetit tonë.

Kjo është gjëja që desha t’ju them në fund për t’ju thënë që jam shumë i vetëdijshëm për vlerën e këtij komuniteti akademik. Jam shumë i vetëdijshëm që ata që janë më me eksperiencë dhe që janë më afër pensionit, janë më të mirë se ata që janë larg pensionit dhe duhet të bëjmë çmos që ata të parët t’i angazhojmë sa më shumë që edhe këta të dytët të bëhen sa më shumë si ata, në mënyrë që të garantojmë të gjithë vazhdimësi dhe në mënyrë që t’i japim gjithçka këtij universiteti. Kush i jep gjithçka këtij universiteti ka dhënë gjithçka për të ardhmen e këtij vendi sepse ka dhënë gjithçka për bazën e jetës që është ushqimi, mjedisi, shëndeti. Këto të treja janë të lidhura me këtë universitet. Kur vjen dita për të shkuar në spital, mund të jetë shumë vonë, por çfarë mësohet këtu dhe çfarë nga këtu transferohet në territor, është ndër të tjera edhe një mbështetje e madhe për shëndetin e të gjithë njerëzve tanë.

Shumë faleminderit!

Previous Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi mori pjesë në Ministerialin e Mbrojtjes në kuadër të Iniciativës “Adrion”, që u zhvillua në Venecia, Itali

Leave Your Comment