Fjala e zëvendëskryeministres, njëherësh Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku
Përshëndetje të gjithëve!
Tashmë, duke nisur nga 2020-ta, na është dashur shpesh të mblidhemi për të firmosur marrëveshje që ndoshta për publikun shpesh herë duken sikur nuk janë aksione të vërteta për ecurinë e projekteve. Por faktikisht një projekt nga zanafilla e tij deri në momentin e realizimit ka disa hapa të rëndësishëm që në fillim nuk duken dhe ato që nuk duken janë themelet, ashtu siç i ka çdo ndërtesë. Që në fillim duhet të ketë themele të fuqishme siç është kuadri ligjor, marrëveshjet dhe gjithçka tjetër dhe më pas të nisë ndërtimi i projektit.
I nderuar ambasador,
I dashur Alvaro,
I dashur Arturo,
Drejtor të Albgaz-it dhe të ENAGAS-it, miq dhe bashkëpunëtor.
Sot është një ditë e veçantë. Kemi nisur këtë bashkëpunim në pranverë të vitit 2022 me një vizitë të parë që ne kemi pasur në ENAGAS për të diskutuar për të gjithë bashkëpunimin dhe si ky bashkëpunim mund të ngrihej. Më pas me firmosjen e një marrëveshjeje mirëkuptimi ku është bërë në prezencë të Kryeministrit Rama dhe të Zëvendëskryeministres spanjolle ne kemi hapur rrugë në një periudhë të vështirë për energjisë gjatë verës, edhe ndoshta dhe periudhë që zakonisht puna nuk është se ecën shumë, por ne kemi bërë të kundërtën. Kemi punuar gjatë gjithë verës për të pasur rezultate dhe sot, në tetor, në javën e parë të tetorit, kemi arritur që të konkuldojmë në nënshkrimin e një marrëveshjeje bashkëpunimi.
Sot ne nuk po nënshkruajmë thjesht një memorandum, atë e kemi kaluar tashmë, por një marrëveshje të mirëfilltë bashkëpunimi e cila vendos në një kuadër të pastër ligjor hapat që do të hedhim në të ardhmen. Për të thënë të drejtën kur e kemi diskutuar në maj që ENAGAS kishte interes që të bëhet aksioner në kompaninë shqiptare të re relativisht në moshë, Albgaz, jemi entuziazmuar. Më pas kemi filluar të analizojmë sesi ky bashkëpunim mund të jetë i frytshëm për të dyja vendet tona.
Siç e tha dhe ambasadori, energjia, energjia, energjia. Ky është kyçi i problemit dhe patjetër çelësi i suksesit në ditët e sotme. Nuk ka asnjë shtet i cili është imun nga kriza ekonomike që ka krijuar në ditët e sotme energjia dhe jo vetëm kaq, energjia ka një problematikë e cila duhet mitiguar nga çdo vend që po hasemi gjatë vitit 2022 dhe ka të bëjë me sigurinë energjetike. Nuk është thjesht çështja e çmimit, nuk është thjesht tregu i cili po sillet në një mënyrë të paprecedentë, por ka të bëjë me sigurinë energjetike të Europës në kushtet kur gazi rus furnizonte më shumë se 70% të nevojave të këtij tregu. Dhe sot i përdorur si një pengmarrje për shtetet europiane duhet patjetër që ti gjendet një zgjidhje.
Shqipëria ka qenë imune nga ky problem përsa i përket përdorimit të gazit rus, por nga ana tjetër ne nuk jemi imun nga importet e energjisë elektrike. E kemi thënë dhe e kemi përsëritur dhe më duhet ta përsëris çdo herë që kam mundësi të flas në publik, që në të vërtetë në Republikën e Shqipërisë ne prodhojmë 100% energji të rinovueshme dhe e prodhojmë nga hidrocentralet tona, por edhe në ditët më të mira, sasi e energjetike që ne prodhojmë nuk është më shumë se 75% e nevojës së tregut, çka do të thotë që ne jemi të detyruar që 25% edhe në ato vite ku reshjet e shiut janë të konsiderueshme, 25% ne e blejmë në import.
Sot kur parashikimet e janarit 2022 për ecurinë e tre mujorëve të vitit janë komplet të ndryshme nga realiteti, e kemi nisur me parashikime për rreth 350 euro për megavatorë ose dhe më pak në tre mujorin e parë dhe kemi përfunduar që të përballemi me çmime më të larta se 600 apo 700 euro për megavatorë. Asnjë shtet nuk është i përgatitur për të përballuar këtë krizë ekonomike.
Çfarë duhet në ditët e sotme? Në ditët e sotme duhet rritje e kapaciteteve prodhuese përmes burimeve alternative të energjisë. Padyshim energjia e rinovueshme është një prioritet për Shqipërinë që është shembulli më i mirë për të gjithë Europën ku prodhohet vetëm energji e rinovueshme dhe sigurisht ne kemi nisur që në 2019-ën një strategji kombëtare përsa i përket diversifikimit të këtyre burimeve. Sot ka nisur ndërtimi i disa parqeve fotovoltaike të cilët do të rrisin kapacitetet prodhuese të vendit dhe sigurisht do të balancohen përmes kaskadës të Drinit. Nga ana tjetër jemi në një proces ekselent me BERZH përsa i përket ankandeve për ndërtimin e parqeve eolike. Por sërish janë energji të rinovueshme, shpesh herë të ekspozuara edhe ndaj kushteve atmosferike, siç ka ndodhur në Detin e Veriut ku të gjitha parqet eolike të ndërtuara në Britaninë e Madhe, Danimarkë, Norvegji dhe kudo tjetër kanë prodhuar gjatë vitit 2021, 50% më pak energji për shkak të erës që ka fryrë më pak.
Kështu që për të pasur një burim të qëndrueshëm, një burim të kontrollueshëm nga ne kemi nisur prej kohësh një projekt, me ndihmën e partnerëve tanë amerikanë, një projekt i cili nisi si një projekt për Shqipërinë, me pak ndikim në rajon përsa i përkiste shpërndarjes në shkallë të vogël të gazit të lëngshëm, por që vetëm pas 6-muajsh nga lançimi i tij ky projekt u kthye në një projekt rajonal me interes për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor dhe çka është më e rëndësishme dhe çfarë na bën krenarë është që ky projekt u kthye në një projekt interesant për kompanitë e mëdha dhe prestigjioze në tregun e gazit. Siç kemi rastin konkret ENAGAS-in.
Arbri e tha dhe CEO i ENAGAS u mundua pak të përmendte kompaninë, me modesti, por unë do ndalem për ti prezantuar shqiptarëve se kush është ENAGAS-i në të vërtetë. ENAGAS është një nga operatorët e transmetimit më të mëdhenj me potenciale të shkëlqyera në Europë i cili operon jo vetëm në Spanjë, por edhe në disa vende të tjera duke përfshirë këtu Meksikën, jashtë kontinentit europian, por edhe në rajonin tonë duke operuar në Greqi. ENAGAS është një nga kompanitë që operon në Europë të cilët në këto momente ashtu siç mund ta dini se ne e përsërisim dhe për të thënë të drejtën sot publiku ka shumë informacion mbi fushën e gazit, padyshim janë nga kompanitë të cilat siç e tha edhe CEO i ENAGAS kompanitë e transmetimit të gazit mbajnë çelësin e sigurisë energjetike të Europës në këto kushte.
Fakti që një kompani e re, një kompanie e cila ka nevojë për mbështetje dhe për ekspertizë, siç është Albgaz-i në këto momente ka këtë ofertë të shkëlqyer nga një nga kompanitë më të mëdha të Europës përsa i përket transmetimit të gazit nga ENAGAS-i na bën ne besimplotë që projektet tona në të ardhmen do të jenë të suksesshme, pasi kjo është një rrugë e vështirë, një rrugë të cilën ne nuk e kemi shkelur më parë pavarësisht të gjithë punës së mirë që po bëhet nga stafet tona, të gjithë punës për të mësuar sa më shumë edhe nga gabimet, por edhe nga arritjet e operatorëve të tjerë europianë, sërish të kemi në krah dhe të kemi brenda Albgaz-it si aksioner një kompani me kaq vlera si ENAGAS kjo do të jetë padyshim një ndihmë e jashtëzakonshme.
Megjithatë duke qenë se do të ngrihen shumë pyetje edhe nga operatorët e tjerë të interesuar për projektin e gazit të lëngshëm në Vlorë që është një projekt i integruar që është i lidhur me rivendosjen në punë të TEC-it të Vlorës për prodhimin e 350 megavatorëve energji, me ndërtimin e pjesës së parë të tubit të transmetimit IAP, nga porti i Vlorës deri në exitpoint e TAP në Fier dhe nga ana tjetër parashikimi i ekspansionit të të gjithë këtij projekti duke shpërndarë edhe nëpër vendet e tjera si sasitë e energjisë elektrike ashtu edhe volume të gazit, e bën këtë projekt të integruar shumë të rëndësishëm jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për pjesën tjetër të Ballkanit dhe jo vetëm Perëndimor duke pasur parasysh që një nga aktorët e këtij projekti i cili është me ne i lidhur në një memorandum është edhe OVERGAS bullgar.
Duhet thënë dhe duhet sqaruar që kjo pjesëmarrje dhe zhvillimi i një procesi ndërkombëtar, transparent, tenderimi për të pasur një aksioner brenda kompanisë Albgaz është diçka që palët e kanë diskutuar dhe që ne nuk do ta anashkalojmë. Kjo do shkonte në përputhje me të gjitha kërkesat e Bashkimit Europian duke pasur parasysh që Shqipëria tashmë është në fazën e negocimit dhe siç e tha dhe ambasadori i Spanjës ky është një momentum shumë i rëndësishëm për ne. Ne i kemi hedhur hapat me transparencë të plotë gjatë gjithë marrëveshjeve për investime që kemi bërë, por sidomos në këto momente kur Shqipëria është e ulur në tryezën e Bashkimit Euriopian duke bërë një llogaridhënie dhe duke negociuar për hapjen e mëtejshme të kapitujve, padyshim ne jemi shumë të kujdesshëm dhe do bëhet përmes një procesi transparent të një gare ndërkombëtare, ashtu siç është parashikuar dhe nga ligji.
Dua të theksoj gjithashtu që ENAGAS është një nga aksionerët e projektit të madh i cili kalon Shqipërinë, TAP dhe duke pasur parasysh që një nga elementët shumë të rëndësishëm të suksesit për projektin e integruar të gazit të lëngshëm të Vlorës është dhe marrëdhënia jonë me TAP, kjo ka qenë dhe arsyeja pse kemi marrë vendimin për të nisur menjëherë në vitin 2023 nga ndërtimi i segmentit të parë të IAP, pra të linjës së transmetimit Adriatiko-Joniane, e cila prej kohësh ka mbetur e bllokuar edhe për shkak të vendimmarrjeve të vendeve të tjera, siç është Mali i Zi apo Kroacia, por ne do ta bëjmë realitet dhe do ta nisim nga Shqipëria me 33 kilometrat e para të cilët do të jenë 33 kilometra në një tub 24 inxh që ka veti për të transmetuar dhe për të tërhequr gaz nga TAP-i.
Duhet thënë gjithashtu që ENAGAS ka edhe një eksperiecnë të shkëlqyer përsa i përket depozitave natyrale të gazit. Një plan që ne e kemi lançuar prej kohësh që ka të bëjë dhe me depozitat natyrale të gazit në zonën e Dumresë ku Albgazi tashmë po përgatitet për ta vënë në jetë edhe këtë projekt të rëndësishëm dhe projekt shumë të diskutuar në Shqipëri. Pra partneri që kemi zgjedhur këtë radhë është padyshim një partner i cili ka ekspertizë në të gjitha projektet që ne synojmë të realizojmë në të ardhmen. Është një partneritet i mirë studiuar në një kohë të shkurtër pasi grupet tona kanë punuar intensivisht dhe unë duhet të them me kënaqësi që pavarësisht se Spanja nga ana gjeografike është pak më larg se vendet e tjera ky lloj bashkëpunimi do të na sjellë akoma dhe më afër, ashtu siç ka ndodhur gjatë gjithë kësaj periudhe kur ne kemi ndjerë suportin tuaj ambasador edhe këtu në Shqipëri me punën e mirë që ju bëni, por edhe me vizitën e Kryeministrit tuaj dhe me të gjithë suportin që ju na keni dhënë në Bruksel.
Ne jemi vend i vogël, por jo i pafuqishëm. Shqipëria ka treguar që pavarësisht shtrirjes territoriale apo pavarësisht numrit të vogël të popullsisë që ne kemi, ne jemi një vend me qytetërim të lashtë. Jemi një vend që i njohim dhe i respektojmë miqtë dhe nuk i harrojmë kurrë ata që na kanë mbështetur në kohë të vështira. Kështu që fakti që sot po lidhim konkretisht një marrëveshje bashkëpunimi e cila do ta sjellë Spanjën në ndoshta sektorin më të rëndësishëm, më strategjik për këtë dekadë që është energjia, unë besoj që kjo do të jetë një marrëveshje që do të thellojë më tej marrëdhëniet tona diplomatike dhe të gjithë mirëkuptimin dhe bashkëpunimin që ne natyrshëm kemi pasur në gjithë këto vite.
Unë gjej rastin që të falënderoj të dy drejtuesit e ENAGAS dhe Albgaz për kontributin që kanë dhënë deri tani dhe i dashur Arturo jua kam kërkuar edhe jashtë kamerave, por po ua them publikisht, ne kemi të gjithë dëshirën e mirë për të shkuar përpara, shqiptarët janë njerëz që mësojnë shpejt. I kemi nisur këto projektet e gazit vetëm para 2-3 vitesh dhe ju vetë na thoni sa herë ulemi në tryeza sa mirë ky projekt ecën dhe sa interes ka nga të gjithë operatorët e rëndësishëm europianë. Unë do të thoja që prezenca juaj në kompani, sigurisht pasi kjo garë të përfundoj do të ishte e rëndësishme për të transmetuar dhe njohuritë që ju keni. Kjo do ishte një ndihmë e drejtpërdrejt dhe jo thjesht një marrëdhënie komerciale me Shqipërinë, por do ishte një ndihmë e drejtpërdrejt pasi ngritja e kapaciteteve njerëzore është synimi ynë kryesor. Çka Qeveria Shqiptare ka kërkuar gjithmonë të bëj, aty ku ne investojmë është padyshim tek kapacitetet njerëzore që janë kapitali ynë kryesor dhe vlerat tona më të rëndësishme.
Do ta vlerësonim shumë ndihmën tuaj dhe unë i uroj të gjithë grupit suksese dhe ky është një moment i rëndësishëm nga i cili duhet vendi të përfitojë.
Shumë faleminderit.