Ministrja Ibrahimaj: Buxheti 2021 mbështeti rimëkëmbjen e ekonomisë - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Ministrja Ibrahimaj: Buxheti 2021 mbështeti rimëkëmbjen e ekonomisë

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, prezantoi në komisionin parlamentar për Ekonominë dhe Financat buxhetin faktit të vitit 2021, një detyrim që buron nga menaxhimi i sistemit buxhetor në vend, në drejtim të transparencës dhe llogaridhënies së qeverisë për zbatimin e buxhetit të një viti më parë dhe arritjen e objektivave të përcaktuar.

Fillimisht, Ministrja bëri një paraqitje të situatës ekonomike të vitit 2021, ku ekonomia i rikuperua ndjeshëm pas efekteve të pandemisë COVID dhe arriti në nivelin e 8.54 %, ndjeshëm më lart se sa parashikimet fillestare.

Rritja ekonomike, sipas Ibrahimaj, ishte e shpërndarë në të gjithë sektorët e ekonomisë, ku ndikimin kryesor e ka pasur sektori i ndërtimit, tregtia dhe industria.

“Të gjithë sektorët kanë rezultuar në rritje. Nëse do t’i referohemi shifrave të vitit 2021, rritja për këtë vit ishte 4.76 % në krahasim me vitin 2019, i cili ishte një vit me një ecuri ekonomike normale për vendin tonë. Pra, ka pasur një përshpejtim të rritjes si në krahasim me vitin 2020, ashtu edhe në krahasim me vitin 2019”, tha Ibrahimaj, ndërsa shtoi se ecuria pozitive e aktivitetit ekonomik është mbështetur edhe nga punësimi, ku papunësia është ulur.

Ministrja theksoi faktin se përmes politikës fiskale të vitit 2021, qeveria vijoi të synonte rimëkëmbjen e ekonomisë, duke siguruar një sistem taksimi të drejtë, të balancuar dhe që nxit produktivitetin dhe qëndrueshmërinë afatgjatë të ekonomisë.

Të ardhurat totale të buxhetit për periudhën vitin 2021 arritën në 510.6 miliardë lekë, me një realizim në masën 101% të planit vjetor sipas aktit normativ të dhjetorit të vitit 2021.

“Të ardhurat totale rezultuan 5.5% më të larta se plani fillestar i vitit 2021 dhe 19.9 % ose 85 miliardë lekë më shumë se realizimi vjetor në vitin 2020. Rritja e kontributit të të ardhurave të buxhetit të shtetit për vitin 2021, krahasuar me vitin paraardhës, është rezultat i ecurisë së mirë ekonomike, rezultat i miradministrimit fiskal duke pasqyruar rimëkëmbjen e ekonomisë së vendit tonë pas krizës dhe pasojave që shkaktoi tërmeti i vitit 2019”, u shpreh Ibrahimaj.

Borxhi publik gjatë vitit 2021 u karakterizua nga një ecuri pozitive, duke qenë në përputhje me objektivat makro-fiskale, buxhetin e planifikuar për vitin 2021 dhe objektivat e Strategjisë Afatmesme të Menaxhimit të Borxhit. Në fund të vitit 2021, borxhi publik u vlerësua në nivelin 73.2% e PBB, nga 78.1% që ishte parashikimi i i MFE, ndërsa treguesi i deficitit shënoi nivelin 4.5% nga 4.8% që ishte në parashikimet fillestare.

Shpenzimet e përgjithshme publike për vitin 2021 arritën në rreth 595.97 miliardë lekë me një realizim në masën 100.5% të planit vjetor sipas Buxhetit fillestar dhe 94.9% të planit vjetor sipas Aktit Normativ të dhjetorit të vitit 2021. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2020 ky zë ka rezultuar 11.1% më i lartë ose rreth 59.5 miliardë lekë më shumë.

Sa i përket shpenzimeve kapitale për vitin 2021, Ministrja tha se ato rezultuan në rreth 98.2 miliardë lekë ose 88.3% e planit vjetor, 15.1% ose rreth 12.9 miliardë lekë më shumë në krahasim me vitin 2020.

Sipas Ministres, ky realizim erdhi si pasojë e ecurisë pozitive të projekteve të investimeve me financim të brendshëm, të cilat shënuan një realizim në masën rreth 72.1 miliardë lekë ose 90.8% e planit vjetor të ndryshuar.

“Fondet buxhetore të alokuara për investime kanë prekur fusha të rëndësishme të ekonomisë. Një prej prioriteteve të buxhetit 2021 për shpenzimet kapitale ishte rindërtimi i infrastrukturës së dëmtuar nga tërmeti i nëntorit të vitit 2019, kryesisht në fushën e arsimit, infrastrukturës publike dhe strehimit. Sektorë të tjerë prioritarë ishin edhe infrastruktura e ujësjellës kanalizimeve; transporti rrugor, shëndetësia, mbrojtja, etj. Realizimi i investimeve në total ka qenë në nivele të larta, veçanërisht për financimin e brendshëm”, vijoi Ministrja në fjalën e saj.

Një vend të rëndësishëm në shpenzimet e buxhetit të vitit të kaluar zinin dhe fondet për procesin e Rindërtimit, të cilat u realizuan në masen 29.5 miliardë lekë.

Po ashtu, me buxhetin e vitit 2021, në ministritë e linjës janë financuar dhe mbyllur rreth 138 kontrata të rëndësishme investimesh me financim të brendshëm me vlerë të plotë projektesh me rreth 31 miliardë lekë.

Treguesit e zbatimit të buxhetit të vitit 2021 kanë qenë pjesë e auditimit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, ashtu sikurse çdo vit vjetër, i cili ka paraqitur një raport përfundimtar.

Ministrja nënvizoi faktin se raporti në tërësinë e tij nuk përmban aspekte apo të meta sensitive/parimore, sa i takon planifikimit dhe zbatimit të buxhetit për vitin 2021, që të përkthehen në dëme ekonomike apo shkelje ligjore domethënëse.

Gjetjet dhe rekomandimet e KLSH janë shqyrtuar dhe argumentuar nga ana e MFE, ku sipas rastit janë reflektuar, po merren masa për reflektimin e përmirësimeve të ndryshme, apo janë dhënë argumentimet për qëndrimet e MFE.

Ministrja vlerësoi bashkëpunimin e deritanishëm dhe atë në vijimësi mes dy institucioneve, në funksion të mirëmenaxhimit të sistemit buxhetor.

Fjala e Ministres Ibrahimaj:

 

I nderuar zoti Kryetar,

Të nderuar deputetë,

Më lejoni të kthej vëmendjen tuaj sot në prezantimin e buxhetit faktik të vitit 2021, një detyrim që buron nga Ligji nr. 9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, si pjesë e transparencës dhe llogaridhënies të Qeverisë për zbatimin e buxhetit të vitit të mëparshëm, për arritjen e objektivave të përcaktuara në çdo sektor, përballimin e sfidave dhe ndikimin në jetën e qytetarëve shqiptarë.

Situata ekonomike

Ekonomia shqiptare u rekuperua ndjeshëm gjatë vitit 2021 pas recesionit të një viti më parë. Efektet e pandemisë ishin të përmbajtura si pasojë e mbështetjes nga politikat fiskale e monetare ndërthurur me masat rregullative. Rritja ekonomike rezultoi më e fortë dhe me bazë më të gjerë krahasuar me atë që pritej në fillim të vitit. Efekti bazë dhe ndikimi nga prodhimi i energjisë elektrike ishin gjithashtu faktorë të veçantë që dhanë kontribut në rritje. Rekuperimi i kërkesës ka qenë i shpejtë dhe prodhimi ka tejkaluar nivelet e para tërmetit dhe të para pandemisë. Edhe tregu i punës paraqet përmirësim me rritje të punësimit dhe rënie të normës së papunësisë. Si sektori i prodhimit, ashtu edhe ai i shërbimeve, kanë përfituar nga këto zhvillime, duke siguruar rimëkëmbje për biznesin dhe punësimin dhe duke krijuar premisa të mira për perspektivën afatmesme. Për vitin 2021, rritja ekonomike prej 8.54% paraqet një rikthim shumë të fortë, dukshëm mbi parashikimin fillestar dhe mbi nivelin prej -3.5% që ishte në vitin 2020. Kjo rritje ishte e shpërndarë në të gjithë sektorët e ekonomisë, ku ndikimin kryesor e ka pasur sektori i ndërtimit me 1.75 pikë %je, ndërkohë që tregtia ka pasur gjithashtu një kontribut të lartë pozitiv në rritje me 1.66 pikë %je dhe Industria me 1.48 pikë %je.

Të gjithë sektorët kanë rezultuar në rritje, ndërkohë që sipas metodës së shpenzimeve, rritja ka ardhur si nga treguesit e konsumit final të popullatës, i cili ka pasur një kontribut me 4.4 pikë %je, ashtu edhe nga Formimi Bruto i Kapitalit Fiks (Investimet) me një kontribut prej 4.53 pikë %je. Nëse do t’i referohemi shifrave të vitit 2021, rritja për këtë vit ishte 4.76 % në krahasim me vitin 2019, i cili ishte një vit me një ecuri ekonomike normale për vendin tonë. Pra, ka pasur një përshpejtim të rritjes si në krahasim me vitin 2020, ashtu edhe në krahasim me vitin 2019.

Shifrat e punësimit kanë mbështetur vijimin e ecurisë së aktivitetit ekonomik ku për tremujorin e katërt të vitit 2021 papunësia ka vijuar të shënojë rënie dhe papunësia për grup moshën mbi 15 vjeç ka shënuar 11.4 %, ndërkohë që edhe shkalla e punësimit ka vijuar të shënojë rritje duke rezultuar në 53.5 % për popullsinë mbi 15 vjeç. Gjithashtu, edhe paga mesatare ka ndjekur të njëjtin trend dhe ka pësuar një rritje me 8% në krahasim me vitin e kaluar, duke rezultuar në 59.565 lekë në fund të vitit 2021.

Përsa i përket të dhënave të tregtisë së jashtme, ato gjithashtu kanë rezultuar pozitive, si në vëllim, ashtu edhe në vlerë. Për vitin 2021 eksportet e mallrave arritën  vlerën 369 mld lekë, duke u rritur me 35.6%, ndërkohë importet e mallrave arritën vlerën 801 mld lekë, duke u rritur me 32.3%, krahasuar me një vit më parë. Deficiti tregtar arriti vlerën 432 mld lekë, duke u rritur me 29,6%, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2020.

Shkëmbimet tregtare, për vitin 2021, me vendet e BE-së zënë 60% të totalit të tregtisë. Në periudhën Janar–Dhjetor 2021, eksportet drejt vendeve të BE-së zënë 72.2%  të eksporteve gjithsej dhe importet nga vendet e BE-së zënë 54.4% të importeve gjithsej. Partnerët kryesorë tregtarë janë: Italia (29.9%), Turqia (7.8%), Greqia (7.3%) dhe Gjermania (6.4%). Përgjatë vitit 2021, Bilanci i Pagesave u zgjerua, duke shënuar vlerën 936 milion EUR, nga 655 milion EUR që ishte një vit më parë (2020). Kjo situatë u ndikua kryesisht nga Investimet e huaja direkte dhe të hyrat nga shërbimet të lidhura përgjithësisht me Turizmin, duke shënuar rritje vjetore respektivisht me 8% dhe 93.5%, krahasuar me vitin 2020.

Për vitin 2021, rritja ekonomike rezultoi 8.54%, e shpërndarë në të gjithë sektorët e ekonomisë.

Treguesi i borxhit në vitin 2021 shënoi 73.2% të GDP-së, nga 78.1% që ishte parashikimi i Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë dhe treguesi i deficitit shënoi nivelin 4.5% nga 4.8% që ishte në parashikimet fillestare. Pra, në të dyja rastet kemi pasur një permirësim të këtyre parametrave makroekonomikë. Ecuria pozitive e aktivitetit ekonomik gjatë vitit të kaluar është mbështetur edhe nga punësimi, ku papunësia është ulur.

Gjatë vitit 2021, inflacioni mesatar rezultoi 2%, ndërkohë që inflacioni i fundvitit rezultoi 3.7%. Nga tërësia e mallrave dhe shërbimeve që përbëjnë shportën e konsumit, ato që ndikuan më tepër në inflacionin e përgjithshëm ishin:

  1. “Ushqime dhe pije joalkolike” me rritje vjetore të çmimit prej +6.4%, duke kontribuar me +2.22 pikë %je në inflacionin e përgjithshëm prej +3.7%.
  2. “Transport” me rritje vjetore të çmimit prej +9.0%, duke kontribuar me +0.48 pikë %je në inflacionin e përgjithshëm prej +3.7%.
  • ”Komunikim”, me rritje vjetore +3.3%.
  1. “Hotele, kafene dhe restorante” ka pёsuar rritje vjetore të çmimit prej +3.3%.
  2. “Pije alkolike dhe duhan” me rritje vjetore të çmimit prej +2.1%.

Stoku total i kredive bankare pati një rritje me 9.5% krahasuar me vitin 2020.  Stoku i kredive në lekë shënoi rritje prej 8.5%, ndërsa ai në valutë rritje prej 10.7%.

Importet e mallrave për periudhёn janar – dhjetor 2021 shënuan rritje prej +32.3% krahasuar me një vit më parё;

Eksportet për periudhёn janar – dhjetor 2021 shënuan rritje prej +35.6%;.

Ashtu siç e përmenda edhe më sipër, Deficiti fiskal në 2021 arriti në 4.5% të PBB-së, nga një mesatare prej afro 3.4% në tre vitet e mëparshme, por megjithatë rezultoi më i ulët se sa kufiri ligjor prej 8.4% e PBB-së/

Borxhi publik

Borxhi publik gjatë vitit 2021 përgjithësisht u karakterizua nga një ecuri pozitive, duke qenë në përputhje me objektivat makro-fiskale, buxhetin e planifikuar për vitin 2021 dhe objektivat e Strategjisë Afatmesme të Menaxhimit të Borxhit. Në fund të vitit 2021, borxhi publik u vlerësua në nivelin 1,383.0 miliard Lekë ose 73.2% e PBB.

Rishikimi i projeksioneve për rritjen nominale të rritjes ekonomike ka sjellë një rishikim dhe të treguesit të borxhit ndaj PBB, kur për vitin 2021 borxhi u vlerësua në nivelin 73.2% e PBB, nga 78.1% që ishte parashikimi fillestar. Në vitet në vijim, duke filluar nga viti 2022, raporti i borxhit publik ndaj PBB është planifikuar më i ulët se sa në vitin 2021 dhe ne presim që ky raport për vitin 2022 të mbyllet në nivelin 69.9 %.

Huamarrja në terma bruto u realizua në vlerën 481.2 miliard Lekë, nga të cilat 71.7% u financuan nëpërmjet burimeve të brendshme dhe 28.3% nëpërmjet burimeve të huaja. Kushtet e favorshme në tregjet e brendshme dhe të jashtme, përsa i përket kërkesës për borxh si dhe mjedisi i favorshëm i normave të interesit, shoqëruar me një strategji huamarrje të mbështetur kryesisht në titujt afatgjatë me norma interesi fikse, mundësuan reduktimin e mëtejshëm të ekspozimit ndaj risqeve si edhe mbajtjen e kostos nën kontrroll.

Kosto për njësi e portofolit të borxhit shtetëror ka vazhduar tendencën rënëse, ku kosto mesatare e borxhit të jashtëm ka pësuar një ulje me rreth 0.31 pp dhe kosto mesatare e borxhit të brendshëm është ulur me 0.12 pp. Ulja e kostos mesatare të borxhit të brendshëm ka ardhur kryesisht si rezultat i normave të interesit në nivele ende të ulëta në tregun e brendshëm gjatë vitit 2021, shoqëruar me rifinancimin e borxhit që maturohet (kryesisht atij afatgjatë) me borxh më pak të kushtueshëm.

Gjatë vitit 2021, normat e interesit në tregun e letrave me vlerë kanë shënuar ulje krahasuar me ato të vitit 2020, pavarësisht nga nevoja e lartë për financim. Normat e interesit të instrumenteve me maturitet më të gjatë (5Vj, 7Vj dhe 10Vj) kanë qenë më të ulta se vitin e kaluar. Instrumentat afatshkurtër, bonot e thesarit kanë pësuar gjithashtu një ulje të lehtë të normës. Instrumentat me maturitet afatmesëm (2VJ dhe 3VJ) gjatë 2021 kanë shfaqur norma lehtësisht më të larta krahasur me ato të vitit 2020. Gjithashtu, në muajin tetor të vitit 2021 është prezantuar për herë të parë obligacioni 15 vjeçar me një normë interesi 5.88%.

Në përputhje me objektivat e Strategjisë Afatmesme të Menaxhimit të Borxhit, gjatë vitit 2021 u vijua me aktivitete në drejtim të zhvillimit të tregut të titujve shtetërorë. Në vazhdim të angazhimit të ndërmarrë në lidhje me përmirësimin e mëtejshëm të tregut primar dhe zhvillimin e tregut sekondar të titujve shtetërorë, përgjatë këtij viti është vijuar me praktikat që kontribuojnë në krijimin e madhësive referencë dhe konsolidimin e kurbës së yield-it. Kërkesa për tituj shtetërorë, megjithëse mbetet ende jo shumë e diversifikuar dhe e bazuar kryesisht tek sektori bankar, gjatë vitit 2021 ka qenë e kënaqshme dhe ka mbuluar plotësisht nevojat e qeverisë për huamarrje të brendshme, edhe pse nevojat edhe këtë vit kanë qenë të larta krahasuar me një vit normal.

Politika Fiskale

Përsa i përket Politikës fiskale në vitin 2021, ne kemi vijuar të synojmë rimëkëmbjen e skonomisë, duke siguruar një sistem taksimi të drejtë, të balancuar dhe që nxit produktivitetin dhe qëndrueshmërinë afatgjatë të ekonomisë. Ndryshimet në paketën fiskale 2021 synuan përgjithësisht korrektime në elementë të veçantë tatimesh dhe taksash, si tatimi mbi vlerën e shtuar, tatimi mbi të ardhurat dhe taksat vendore. Qëllimi i paketës fiskale ka pasur për objektiv harmonizimin e dispozitave përkatëse të ligjit për tatimin mbi vlerën e shtuar që lidhen me faturimin me përcaktimet e ligjit për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit, pra Fiskalizimit, thjeshtimin e procedurave dhe mbështetjen e biznesit dhe sektorëve të ndryshëm të ekonomisë me synim përballimin e vështirësive të mëdha të shkaktuara nga pandemia globale COVID-19, si dhe të pasojave të shkaktuara nga tërmeti i Nëntorit 2019,  duke synuar rritjen e konkurrueshmërisë dhe atë ekonomike.

Ndryshimet kryesore kanë qenë si mëposhtë:

Të ardhurat totale të buxhetit të konsoliduar për periudhën 12-mujore 2021, arritën në 510.6 miliardë lekë, me një realizim në masën 101% të planit vjetor sipas Aktit Normativ nr.34 të dhjetorit të vitit 2021. Të ardhurat totale rezultuan 5.5% më të larta se plani fillestar i vitit 2021 dhe 19.9 % ose 85 miliardë lekë më shumë se realizimi vjetor në vitin 2020. Rritja e kontributit të të ardhurave të buxhetit të shtetit për vitin 2021, krahasuar me vitin paraardhës, është rezultat i ecurisë së mirë ekonomike, rezultat i miradministrimit fiskal duke pasqyruar rimëkëmbjen e ekonomisë së vendit tonë pas krizës dhe pasojave që shkaktoi tërmeti i vitit 2019. Faktorë të tillë si vaksinimi me ritme të shpejta i popullsisë, hapja shkallë- shkallë e ekonomisë dhe sezoni i verës, i cili rigjallëroi turizmin  dhe të gjithë sektorët e tjerë të ekonomisë të lidhur direkt apo indirekt me turizmin, kanë ndikuar pozitivisht në rritjen ekonomike dhe të ardhurave që ekonomia ka gjeneruar për buxhetin e shtetit. Njëkohësisht, sektorë të tillë si ndërtimi, përfshirë edhe rindërtimin për shkak të pasojave të  tërmetit, kanë ndikuar në rritjen e qarkullimit, importeve, prodhimit të brendshëm si dhe të ardhurave të buxhetit.

Zërat kryesorë në të ardhurat totale të buxhetit të shtetit janë ndihmat, të ardhurat nga tatimet dhe doganat, të ardhurat e pushtetit vendor, të ardhurat nga fondet speciale dhe të ardhurat jotatimore; të cilat zënë përkatësisht 2.6%, 69%, 5.4%, 22.6% dhe 0.3% të të ardhurave të përgjithshme publike në vitin 2021. Kontributin me të madh në realizimin e të ardhurave totale e kanë dhënë të ardhurat tatimore, ndër të cilat peshën kryesore e zënë Tatimi mbi Fitimin (2.6 mld lekë më shumë se plani fillestar) dhe Taksa Nacionale (4.5mld lekë me shumë se plani fillestar).

Të ardhurat tatimore, ku përfshihen të ardhurat nga tatimet dhe doganat, të ardhurat nga pushteti vendor dhe të ardhurat nga fondet speciale, për periudhën 12-mujore arritën në vlerën 475.6 miliardë lekë, me një realizim ndaj planit vjetor të rishikuar në masën 101.9 % dhe me realizim kundrejt vitit të kaluar në masën 119.3 % ose 76.9 miliardë lekë më pak.

Të ardhurat nga “Tatimet dhe Dogana”  janë burimi kryesor i të ardhurave të përgjithshme dhe kontribuojnë në buxhetin e shtetit me rreth 17.9% të PBB-së. Krahasuar me një vit më parë, ky zë shënon një performancë pozitive në vlerën 59.1 miliardë lekë ose 21.2% më shumë. Në krahasim me planin, realizimi ishte 101.6% e planit të rishikuar vjetor, duke rezultuar në 5.3 miliardë lekë më shumë. Këto të ardhura, të cilat administrohen nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, përfshijnë Tatimin mbi vlerën e shtuar; Tatimin mbi fitimin; Tatimin mbi të ardhurat personale; Akcizat; Taksat doganore dhe Taksa të tjera kombëtare.

DPT administron gjithashtu mbledhjen e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore. Burimet nga të gjitha të ardhurat e administruara nga DPT dhe DPD për vitin 2021, janë realizuar në vlerën 444.3 mld lekë, 19.1% më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Rezultati pozitiv krahasuar me vitin e kaluar është tregues i qartë i rimëkëmbjes së ekonomisë shqiptare, e reflektuar me rritjen e aktivitetit ekonomik, kërkesës së brendshme dhe të jashtme; si edhe rritjen e numrit të të punësuarve dhe si rrjedhoje rritje e të ardhurave nga mbledhja e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.

  • Të ardhurat nga Administrata Doganore për vitin 2021 arritën në 192.8 miliardë lekë ose 11 miliardë lekë më shumë se plani i rishikuar.
  • Të ardhurat nga Administrata tatimore rezultojnë 251.5 miliardë lekë nga 219.7 miliardë lekë të një viti më parë, me një rritje vjetore prej 14.5% ose 31.8 miliardë lekë më shumë.

Të ardhurat nga “Fondet Speciale” rezultuan 110.9 miliardë lekë, me një realizim ndaj planit të rishikuar në nivelin 102.6 % ose 2.8 miliardë lekë më shumë.

Të ardhurat nga “Pushteti vendor” u realizuan në masën 26.7 miliardë lekë, rreth 3% ose 0.7 miliardë lekë më shumë se plani i rishikuar për vitin 2021.

Të ardhurat jotatimore rezultojnë në vlerën 19 miliardë lekë krahasuar me 23.5 miliardë të një viti më parë, me një rënie vjetore prej 19.2 % ose 4.5 miliardë lekë më pak dhe me një realizim ndaj planit të rishikuar në masën 92.3 % ose 1.5 miliardë lekë më pak.

Shpenzimet Publike

Shpenzimet e përgjithshme publike për vitin 2021 arritën në rreth 595.97 miliardë lekë me një realizim në masën 100.5% të planit vjetor sipas Buxhetit fillestar dhe 94.9% të planit vjetor sipas Aktit Normativ të dhjetorit të vitit 2021. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2020 ky zë ka rezultuar 11.1% më i lartë ose rreth 59.5 miliardë lekë më shumë. Struktura e shpenzimeve gjatë vitit 2021 paraqet disa ndryshime në krahasim me planin fillestar, për shkak të vazhdimit të masave për përballimin e situatës së pandemisë, ecurisë së procesit të rindërtimit si dhe mbështetjes në kuadër të krizës së sektorit energjitik, të cilat sollën nevojën për disa rishikime të buxhetit.

Sipas natyrës funksionale, sektori me peshën më të lartë në shpenzimet buxhetore është mbrojtja sociale, me 30% të shpenzimeve të përgjithshme publike në vitin 2021, e dominuar nga shpenzimet për fondin e pensioneve si edhe programet në mbështetje të familjeve dhe individëve në nevojë, si ndihma ekonomike dhe aftësia e kufizuar. Shëndetësia dhe strehimi përbëjnë 11% të shpenzimeve të përgjithshme publike në vitin 2021. Çështjet ekonomike dhe Arsimi përbëjnë përkatësishit 12% dhe 10% të shpenzimeve të përgjithshme publike në vitin 2021. Shpenzimet e përgjithshme publike përbëjnë 15% të buxhetit për vitin 2021, përfshirë edhe pagesat e borxhit. Në shmangien e vërejtur kundrejt rezultatit faktik 2021, ka ndikuar shpërndarja gjatë vitit 2021 e atyre shpenzime të paklasifikuara, të lidhura respektivisht me shërbimin e borxhit, shpenzimet e pushtetit vendor, fondin rezervë dhe fondin e rindërtimit. Këtu, një vend të konsiderueshëm zënë edhe rishpërndarjet dhe alokimet e fondeve në kuadër të financimit të masave anti-COVID, të cilat kanë qenë në fokus të të gjashtë Akteve Normative të buxhetit 2021. Në çdo rast, rezultati faktik i korrigjuar tregon nivele optimale të realizimit të planit sipas funksioneve për vitin 2021.

Shpenzimet korrente për vitin 2021 rezultuan në rreth 461.1 miliardë lekë ose 97.5% e planit vjetor sipas AN të fundit. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, shpenzimet korrente për vitin 2021 rezultuan 9.4% më të larta ose rreth 39.7 miliardë lekë më shumë, duke arritur nivelin rreth 26% të PBB-së dhe pothuajse në të njëjtin nivel me vitin 2020. Ndërkohë që, në vitet paraardhëse niveli mesatar i shpenzimeve korrente ndaj PBB-së rezultonte rreth 24.4%. Kategoritë kryesore që kanë ndikuar në realizimin e shpenzimeve korrente ishin kryesisht:

  • Shpenzimet Operative Mirëmbajtje të cilat rezultuan 93.6% e planit vjetor përfundimtar.
  • Shpenzimet për fonde speciale të cilat rezultuan 98.7% e planit vjetor përfundimtar.
  • Shpenzimet e tjera sociale të cilat rezultuan 97% e planit vjetor përfundimtar.

 

Shpenzimet kapitale për vitin 2021, pa përfshirë këtu fondin e Rindërtimit, rezultuan në rreth 98.2 miliardë lekë ose 88.3% e planit vjetor. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2020, ky zë është 15.1% më i lartë ose rreth 12.9 miliardë lekë më shumë. Ky realizim erdhi si pasojë e ecurisë pozitive të projekteve të investimeve me financim të brendshëm, të cilat shënuan një realizim në masën rreth 72.1 miliardë lekë ose 90.8% e planit vjetor të ndryshuar. Fondet buxhetore të alokuara për investime kanë prekur fusha të rëndësishme të ekonomisë. Një prej prioriteteve të buxhetit 2021 për shpenzimet kapitale ishte rindërtimi i infrastrukturës së dëmtuar nga tërmeti i nëntorit të vitit 2019, kryesisht në fushën e arsimit, infrastrukturës publike dhe strehimit. Sektorë të tjerë prioritarë ishin edhe infrastruktura e ujësjellës kanalizimeve; transporti rrugor, shëndetësia, mbrojtja, etj. Realizimi i investimeve në total ka qenë në nivele të larta, veçanërisht për financimin e brendshëm.

Me buxhetin e vitit 2021 në ministritë e linjës janë financuar dhe mbyllur rreth 138 kontrata të rëndësishme investimesh me financim të brendshëm me vlerë të plotë projektesh me rreth 31 miliardë lekë. Konkretisht:

  • Janë mbyllur 16 kontrata investimi të transportit rrugor me vlerë totale rreth 14.2 miliardë lekë.
  • Janë mbyllur 23 kontrata investimi për ujësjellësa dhe kanalizime me vlerë totale 5.3 miliardë lekë.
  • Janë mbyllur 27 kontrata për rikonstruksione të ambieneteve në disa spitale dhe poliklinika, qendra shëndetësore, furnizim dhe vendosje pajisjesh spitalore etj me vlerë totale projektesh prej 2.1 miliardë lekë.
  • Janë mbyllur 41 kontrata investimi për përmirësimin e kanaleve ujitëse në disa zona, ndërtimi i argjinaturave të lumenjve dhe mbrojtja prej tyre, përmirësimi i sistemit VMS, skema e naftës dhe rikonstruksione etj. me vlerë totale  rreth 2 miliardë lekë.
  • Janë mbyllur 8 kontrata investimi për sisteme armatimi, paisje individuale ushtarake, sisteme kompjuterike etj me vlerë totale rreth 2 miliardë lekë.
  • Janë mbyllur 6 kontrata për përshtatje mjedisesh pune për SPAK, Drejtoritë vendore të Policisë, janë blerë paisje për Policinë Rrugore, ndërtuar datacenter për Policinë e Shtetit etj. me vlerë totale projektesh prej 1.8 miliardë lekë.
  • Janë mbyllur 5 kontrata të rëndësishme për rikonstruksione/ndërtime në mjedise zyrash, kopshte, shkolla, universitete dhe ambientesh sportive me vlerë totale projektesh prej 565 milionë lekë.
  • Janë mbyllur 3 kontrata kryesore për rehabilitime dhe pyllëzime, bova ankoruese, përmirësim situatash mjedisore, me vlerë totale 130 milionë lekë
  • Dy kontrata projekt pilot për përmirësimin e eficencës së energjisë në impiantet e trajtimit të ujërave të zeza dhe furnizimit me ujë me vlerë  rreth 117 milionë lekë.
  • Kanë përfunduar 6 kontrata në fushën kulturore për rikonstruksione blerje paisjesh, restaurime etj. me vlerë totale 100 milionë lekë.

 

Proçesi i Rindërtimit

Fondet e Rindërtimit në vitin 2021 u realizuan në masen 29.5 miliardë  leke dhe u përdorën me Vendime të Këshillit të Ministrave. Këto fonde u perdoren nga Njesiste e qeverisjes vendore dhe nga njesite qendrore si mëposhtë:

  • Fondet e mbartura në 2021 janë 9.8 miliardë lekë nga të cilat:
    • 3 miliardë lekë për Njësitë e Qeverisjes Qendrore
    • 5 miliardë lekë për Njësitë e Vetëqeverisjes Vendore
  • Fondet e akorduara gjatë vitit 2021 janë 28.9 miliardë lekë, nga të cilat:
    • 8 miliardë lekë shpenzime për Njësitë e Qeverisjes Qendrore
    • 20 miliardë lekë për Njësitë e Vetëqeverisjes Vendore

 

Nga Fondi i Rindërtimit për njësitë e qeverisjes qendrore, deri në 31 dhjetor 2021, u akorduan fonde në projekte specifike në masën 8.79 miliardë lekë dhe 3.35 miliard lekë janë trashëguar në buxhetin e vitit 2021, si fonde të papërdorura nga viti 2020. Konkretisht:

  • Fondi Shqiptar i Zhvillimit shpenzoi 11.36 miliardë lekë (nga 11.6 miliardë lekë të akorduara) për rindërtimin e 1711 objekteve.
    • Gjatë vitit 2021, nfa FSHZH janë dorëzuar tek Njësitë e Vetqeverisjes Vendore 775 objekte nga të cilat 34 objekte arsimore; 37 godina kolektive, 704 banesa individuale.
  • Agjenci të tjera qendrore shpenzuan 261 milionë lekë (nga 398 milionë të akorduar); për rindërtimin e urës së Tapizës, hartimin e planeve të konservimit dhe ndërhyrje restauruese, etj.
  • Në kuadër të Strehimit, në fund të dhjetorit 2021 rreth 13 000 familje ishin të akomoduara në apartamente me qira të subvencionuar nga shteti dhe u subvencionuan qiratë për këto familje me një kosto totale prej 2.98 mld lekë dhe kanë qenë në proces rindërtimi rreth 5.620 banesa, pa përfshirë Bashkinë Tiranë.
    • Fillimisht nevoja për fonde u parashikua rreth 1,5 milion lekë, ose 49% më pak se viti 2020.
    • Por, bashkitë kanë informuar në vazhdimësi se si pasojë e rivlerësimeve të objekteve nga Instituti i Ndërtimit, numri i banesave që duhen shembur u rrit. Kjo solli që kërkesa për mbështetje buxhetore nga ana e bashkive të jetë afro e njëjtë si nivel financimi, me atë të vitit 2020.

 

Nga Fondi i Rindërtimit për njësitë e vetëqeverisjes vendore deri në 31 dhjetor 2021, u akorduan fonde në projekte specifike në masën 20.1 miliardë lekë dhe 6.5 miliard lekë janë trashëguar në buxhetin e vitit 2021, si fonde të papërdorura nga viti 2020. Nga këto, u shpenzuan nga njësitë zbatuese 17.1 miliardë lekë ose 64.2% e fondeve të akorduara; ndërsa pjesa tjetër është mbartur në buxhetin e vitit 2021 në formën e transfertës së pakushtëzuar për NJVQV, në përputhje me parashikimet e veçanta ligjore.

Detaje mbi shpenzimet, deficitin, borxhin, kontrollin e brendshëm publik, përdorimin e fondit rezervë i kemi paraqitur në raportet bashkëlidhur projektligjit. Këta tregues kanë qenë pjesë e auditimit të ekspertëve të Kontrollit të Lartë të Shtetit, raporti përfundimtar i të cilëve u paraqit në tetor 2022. Sjellim në vëmendje se ky është një auditim i përvitshëm periodik, me fokus primar vlerësimin e përputhshmërisë së hartimit dhe zbatimit të politikave makro-fiskale e buxhetore të Qeverisë.

Vlen të theksojmë gjithashtu se bashkëpunimi mes strukturave të MFE dhe ekipit auditues të KLSH, ka qenë dhe vazhdon të mbetet në nivele optimale, me një frymë koordinimi dypalësh dhe përkushtim të ndërsjellët në përmbushjen e përgjegjësive respektive. Aktualisht, sa kohë që tashmë kemi në duar Raportin final, janë ezauruar të gjitha etapat e ballafaqimit, observacioneve dhe diskutimeve mes palëve. Lidhur me këtë, vlen të nënvizohet fakti se Raporti në tërësinë e vet nuk përmban aspekte apo të meta sensitive/parimore, sa i takon planifikimit dhe zbatimit të buxhetit për vitin 2021, që të përkthehen në dëme ekonomike apo shkelje ligjore domethënëse.

Sidoqoftë, si çdo Raport i këtij niveli, ai përmban gjetje dhe rekomandime specifike, të cilat në cdo rast, janë shqyrtuar dhe argumentuar me kujdes dhe rigorozitet nga ana e stafit të MFE, zë për zë. Për një pjesë të tyre kanë marrë dhe po merren masat për reflektimin e përmirësimeve dhe/ose përditësimeve, ndërkohë që për një pjesë të tjetër janë dhënë argumentat shteruese në mbështetje të qëndrimit të MFE. Në çdo rast, çmoj të theksoj se gjetjet dhe rekomandimet në fjalë janë, në tërësinë e tyre, të një karakteri teknik dhe mbase nuk është vendi këtu për t’i parashtruar apo listuar përpara këtij Komisioni.

Në përfundim, dëshiroj të nënvizoj edhe njëhërë frymën e lartë të bashkëpunimit reciprok në vazhdimësi mes dy institucioneve tona, bashkëpunim i cili është thelbësor në drejtim të arritjes së qëllimit final të përbashkët, atij të mirëmenaxhimit të sistemit buxhetor në tërësi dhe perfeksionimit të aspekteve dhe hallkave më kyç të tij, në veçanti.

Ju faleminderit!

Previous Shupenzë, Bulqizë, së bashku me njerëzit e punës për më shumë mbështetje dhe investime të reja