Ibrahimaj në Kuvend: Buxhetit 2023, mburojë për mbi 1.2 milion qytetarë, garantojmë furnizimin me energji elektrike dhe nuk rrisim çmimin - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Ibrahimaj në Kuvend: Buxhetit 2023, mburojë për mbi 1.2 milion qytetarë, garantojmë furnizimin me energji elektrike dhe nuk rrisim çmimin

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj,  prezantoi në seancën plenare të rradhës Projektbuxhetin e vitit 2023 dhe Paketën fiskale që e shoqëron.

Në fjalën e saj Ministrja bëri një parantezë të situatës makroekonomike  të vendit dhe vlerësoi se ky buxhet adreson mbrojtjen e shtresave në nevojë.

“Siç kemi bërë përgjatë gjithë vitit 2022, Ne nëpërmjet buxhetit të vitit 2023,  kemi një rritje të konsiderueshme të shpenzimeve për gjithë efektet sociale që ka sjellë kriza. Janë rreth 50 miliardë lekë, të cilat janë të alokuara në buxhet vetëm për mbështetjen sociale”, tha Ministrja.

Sipas saj, nëpërmjet këtij buxheti do të garantohet rritja ekonomike, e cila do të vijojë me investime të rëndësishme, qoftë në infrastrukturë, qoftë në ato sektorë të ekonomisë që sjellin rritje, si dhe rritjen e kapaciteteve digjitale të ekonomisë dhe të qytetarëve.

“Buxheti që ju keni përpara parashikon konsolidim fiskal, parashikon reduktim të borxhit. Ndryshe nga sa u tha që kjo qeveri di vetëm të marrë borxh, në fakt kjo qeveri ka treguar se vullnetin për të reduktuar borxhin ndaj GDP e ka dhe e ka të qëndrueshëm”, theksoi në prezantimin e saj Ministrja Ibrahimaj.

Tre do të jenë drejtimet kryesore të buxhetit :

  • përforcim i sistemeve të mbrojtjes sociale për të mbrojtur shtresat më në nevojë
  • garantim i furnizimit pa ndërprerje me energji elektrike dhe nuk rritet cmimi i energjisë
  • vijim i investimeve në rritjen e kapaciteteve digjitale të ekonomisë dhe të qytetarëve

Buxheti për vitin 2023 është:

Të ardhurat                              631 711       milionë lekë ose  29 % e PBB

Shpenzimet                              687 209     milionë lekë ose     31.6% e PBB

Deficiti                                       55 498       milionë lekë

Fjala e plotë e  Ministres Ibrahimaj:

E nderuar kryetare e Kuvendit,

Të nderuar deputetë,

Të nderuar qytetarë,

Lista e të pavërtetave që sapo dëgjuat është një listë e cila fillon dhe mbaron me fillimin dhe mbarimin e fjalimit që sapo u mbajt.

Unë në fakt jam mësuar të dëgjoj të pavërteta, në shifra dhe aq më shumë të dëgjoj të pavërteta në interpretime shifrash.

Tashmë u bënë dy javë që buxheti diskutohet në komisione parlamentare, ku dëgjojmë shifra inekzistente dhe të imagjinuara, ku dëgjojmë interpretime dhe efekte jo ekzistente, nga deputetët e djathtë.

Po a mund ta kuptoj unë se si në një periudhë lufte mund të ketë një vend që është më mirë? A mund të më përmendni një vend në rajon, në Europë, në të gjitha vendet që janë prekur nga lufta, që sot është më mirë se sa ka qenë një vit më parë? Nuk ka. Sepse lufta ka pasoja dhe ne kemi për detyrë që këto pasoja t’i mitigojmë, kemi për detyrë të hartojmë politika në mënyrë që të mbështesim ato kategori që nuk i përballojnë dot efektet e luftës.

Dëgjova sot nga parafolësja që inflacioni në vend është 15 %. Mbase ngatërrohet në shifrat e rritjes së inflacionit vetëm për kategorinë e ushqimeve dhe shifrat e inflacionit total.

Po a e dini ju se nëse në Shqipëri ushqimet janë rritur me 14.6 % në muajin e fundit dhe në të gjithë 10 mujorin janë rritur me 10 %, në vendet e rajonit janë rritur me 20 %?

A e dini ju se çmimet e energjisë elektrike dhe çmimet e karburanteve në të gjithë vendet e rajonit, por edhe në vendet e Europës janë dyfishuar?

Çfarë kanë ndodhur me to në Shqipëri? Ato nuk kanë ndryshuar. Në peshën e shportës së familjeve shqiptare produkti më i rëndësishëm është energjia elektrike. Nëse ne do të kishim bërë atë që kanë bërë gjithë vendet e tjera, energjia elektrike do të ishte 5 fishuar në shportën e tyre. Kjo nuk përmendet, sepse merret e mirëqenë, sepse nuk lexohet buxheti, sepse nuk interpretohet buxheti.

Periudha e hartimit të buxhetit është periudha më e rëndësishme e vitit për Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë dhe qeverinë, pasi ne me shumë kujdes që në fillim të vitit planifikojmë dhe parashikojmë të gjitha politikat të cilat do të ndikojnë rritjen ekonomike dhe mirëqenien e qytetarit në vitin e ardhshëm. E prapë ne do të vijmë para jush me një buxhet të hartuar në një periudhë krize dhe emergjence, i cili në tërësinë e tij i kthen përgjigje të gjitha problematikave që kriza ka sjellë.

Së pari, ky buxhet adreson shtresat në nevojë. Siç kemi bërë përgjatë gjithë vitit 2022, ne nëpërmjet buxhetit të vitit 2023 kemi një rritje të konsiderueshme të shpenzimeve për gjithë efektet sociale që ka sjellë kriza. Janë rreth 50 miliardë lekë të cilat janë të alokuara në buxhet vetëm për mbështetjen sociale. Ajo që thuhet se janë rritur taksat dhe taksat nuk shkojnë më mbështetje sociale nuk është e vërteta, dhe të gjitha të pavërtetat që u thanë do ti rendis gjatë fjalimit tim.

Ky vit sigurisht nuk ka qenë i lehtë. Ky vit ka qenë i rrethuar nga pasiguri. Ky vit ka qenë një vit rezistence. Por ne i kemi bërë ballë deri tani kësaj krize që po jetojmë, siç i kemi bërë ballë krizave të viteve të fundit, si tërmetit, i cili shkaktoi tërmet edhe në financat publike. Po a e dini pse ndodhi kjo? Sepse ne morëm një zotim, që askush nuk do të mbetej vetëm, që tërmeti që pësoi Shqipëri, i cili ishte i papritur dhe i pa lajmëruar, do të përballohej dhe çdo qytetar do të mbështetej nga qeveria shqiptare. Ishin më shumë se 13 mijë qytetarë që mbetën pa shtëpi dhe ne iu përgjigjëm menjëherë, duke iu subvencionuar qeranë e shtëpive. Iu përgjigjëm menjëherë duke bërë një program rindërtimi, në bazë të të cilit do të ndërtoheshin banesa për çdo qytetar që mbeti pa shtëpi dhe këto banesa tashmë janë fakt dhe qytetarët kanë filluar të hyjnë në to.

Nga ana tjetër, po rindërtojmë të gjitha ato godina publike që janë shkatërruar dhe i keni parë shkollat që janë rindërtuar me fondet e rindërtimit, me mbështetjen e buxhetit shqiptar dhe qeverisë shqiptarë. Por, sigurisht të gjitha këto ju nuk i shihni dhe nuk doni ti shihni, por i shohin qytetarët sepse i ndiejnë përditë.

Fill pas tërmetit ne u përballëm me pandeminë, e cila ishte gjithashtu një katastrofë huumane, shëndetësore e globale, e pa lajmëruar, e cila gjithashtu shkundi financiar publike. Por ne, i qëndruam pranë të gjithë qytetarëve që mbetën të papunë për shkak të pandemisë. I qëndruam pranë të gjithë bizneseve, të cilët iu deshën të mbylleshin për shkak të pandemisë. Nga pandemia dolëm më të fortë.

Nëse do t’i referohemi parashikimeve që u përmendën sot, dhe nga institucionet ndërkombëtare, unë dua që ju të ktheni kokën mbrapa dhe të kujtoni se çfarë u parashikuar për ekonominë shqiptare gjatë vitit të errët të pandemisë. Në fillim të pandemisë, të gjithë institucionet ndërkombëtare parashikonin që ekonomia e Shqipërisë do të binte me 8.5 %, por kjo nuk ndodhi. Recesioni në vitin 2020 shkoni në nivelin 3.5 %, kjo falë politikave të ndërmarra nga qeveria shqiptare dhe falë rezistencës së bizneseve shqiptare, të cilat u mbështetën nga politikat duke diversifikuar ofertën e tyre, duke e çuar përsëri në territor pozitiv rritjen ekonomike që në tremujorin e katërt vitit 2020. Edhe pas pandemisë, rikuperimi ishte shumë më i shpejtë se sa kishim parashikuar ne dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar apo Banka Botërore. Dua tu kujtoj se kur diskutonim vitin e kaluar për buxhetin, në këtë Parlament, parashikimi i FMN për rritjen ekonomike për vitin 2021 ishte 5.7 %. Por kjo nuk ndodhi. Rritja ekonomike shkoi në 8.5 %. Kjo nuk ndodh rastësisht, pa punë, pa politika dhe pa mbështetje. Nuk ndodh në një vend, siç thoni ju, ku “ekonomia është e shkatërruar, ekonomia është pa themele, ku ekonomia është bërë Pazar, ku ekonomia është e varur nga oligarkia”, etj. Të gjitha të pavërteta.

Ekonomia është e qëndrueshme dhe këtë e ka treguar përballimi i krizave të njëpasnjëshme, por edhe situata ekonomike në të cilën ne ndodhemi sot. Është e pavërteta se ekonomia shqiptare është duke rënë. Në 6 mujorin e parë rritja ekonomike ishte 4.2 % dhe kjo rritje do të vazhdojë të jetë e tillë në tremujorin e tretë falë turizmit. Në tremujorin e tretë ne kemi pasur një sezon turistik si asnjëherë më parë. Kemi pasur një fluks turistësh të huaj ndjeshëm më të lartë se ai i vitit 2019 dhe kjo përkthehet në më shumë të ardhura për familjet shqiptare, për bizneset shqiptare, në mirëqenie më të madhe për popullatën shqiptare, në konsum më të madh, në incentiva më të mëdha për bizneset shqiptare, pasi ne kemi adoptuar një politikë e cila nxit zhvillimin ekonomik, nxit turizmin dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë. Ndonëse deputetëve të opozitës i duket një politikë e gabuar, është një politikë e cila ka dhënë rezultatet e veta dhe ne do ti qëndrojmë fort stimujve fiskalë në turizëm dhe sektorët që sjellin rritje ekonomike, në sektorët prioritarë të vendit tonë.

Gjatë këtij viti, përveç rritjes ekonomike ne kemi pasur një rritje të importeve dhe të eksporteve, në vlerë vërtetë.

Por dua të ndalem te bujqësia, e cila u përmend pak më parë.

E si mund të thuhet që bujqësia këtë vit dhe në buxhetin e vitit 2023 është e shkatërruar, kur vetëm gjatë këtij viti ne kemi pasur rritje të eksporteve bujqësore, qoftë në vlerë, qoftë në vëllim?! Ku për herë të parë buxheti i bujqësisë, i cili është më i larti që ka qenë ndër vite, është më shumë se në gjysmën e tij i alokuar për mbështetje të drejtpërdrejtë për fermerët?! E si mund të flasim për një bujqësi të rrënuar kur numri i fermave po rritet nga dita në ditë, me mbështetje të qeverisë shqiptare dhe mbështetjen e Bashkimit Europian, përmes fondeve IPARD.

E si mund të flasim për rrënim të ekonomisë shqiptare kur numri i bizneseve vazhdon dhe rritet! Janë më shumë se 5600 biznese që janë çelur në vitin 2022, në një vit krize. Si mundet që individët të vendosin të çelin bizneset e tyre në një ambient të rrënuar, në një ambient i cili nuk nxit sipërmarrjen e lirë, ku nuk ka shpresë dhe ku çdo gjë është zi.

Unë do t’ju lutesha që shifrat ti shikoni dhe ti interpretoni. Sigurisht që e ardhmja nuk është fushë më lule. Sigurisht që ne si ekonomi, pjesë përbërëse e ekonomisë europiane, ku partnerët tanë kryesorë tregtarë janë në Europë, do të ndikohemi nga kriza, nga çmimet e rritura në vendet e tjera. 60 % e inflacionit tonë është i importuar dhe nuk është i prodhuar në vend. Për pjesën tjetër prej 40 % të inflacionit unë dua të ndalem pak. Thuhet se çmimet janë rritur në mënyrë katastrofale. Inflacioni mesatar në vend është 6.5 %, më i ulëti i gjithë vendeve të rajonit. Të gjithë vendet që na rrethojnë kanë një inflacion dy shifror në 10 mujorin e vitit 2022. Të gjithë ne jemi të ndikuar njësoj, sigurisht, nga importet dhe nga inflacioni i importuar, por ama ajo që ka bërë çdo qeveri për të ndikuar çmimet në vend, për të ndikuar kostot e prodhimit në vend, është e ndryshme nga vendi në vend.

Sa i përket krahasimit me vendet e rajonit për llojet e ndryshme të mbështetjes, qeveritë gjykohen për efektivitetin e politikave të tyre dhe inflacioni është një shifër, e cila garanton efektivitetin e politikave që ne kemi ndërmarrë deri më sot. Të gjithë jemi të ndërgjegjshëm që çmimi i energjisë elektrike nuk ka ndryshuar në asnjë segment të popullatës dhe biznesit. 99 % e biznesit ka një çmim të subvencionuar nga qeveria. Si ka mundësi që inflacioni ynë është më ulët se sa në vendet e tjera? Ka mundësi sepse kostot e prodhimit shqiptar nuk janë rritur për shkak të rritjes së çmimit të energjisë elektrike. Kostot e prodhimit të cilat po rriten në të gjitha vendet e Europës, ne nuk i kemi, sepse këtë barrë e ka mbajtur qeveria, buxheti i shtetit, të cilit ju dini vetëm ta kritikoni, por mbase nuk dini ta lexoni, mbase nuk i shihni shifrat ose mbase nuk doni ti shihni.

Një efekt tjetër shumë pozitiv dhe i rëndësishëm lidhur me normën e ulët të inflacionit është rritja e prodhimit bujqësor vendas. Shifrat janë kokforte dhe e tregojnë qartë se sa është rritur prodhimi bujqësor vendas.

Ne disa vite më parë kishim një raport të importeve dhe eksporteve 1 me 7, që do të thotë që për çdo 1 sasi të eksportuam importonim 7 sasi, të të njëjtit produkt. Sot ky raport është 1 me 3. Kjo shifër flet qartë për politikat tona në këtë sektor, për nxitjen e eksporteve bujqësore shqiptare, por flet qartë edhe për rritjen e prodhimit bujqësor shqiptar, i cili ka mbajtur poshtë inflacionin në vend duke qenë se pjesa më e madhe e produkteve që prodhohen në vend prodhohen me kosto më të ulët se produktet e importuara. Ky është një fakt dhe një e vërtetë, e cila duket qartë në xhepat dhe faturat e çdo familjeje shqiptare në momentin që shkojnë dhe blejnë produktet.

Ka dhe një element të tretë që ka ndikuar inflacionin, që është kursi i këmbimit. Qeveria shqiptare, shteti shqiptar, nëpërmjet Bankës së Shqipërisë ka vendosur prej vitesh tashmë një regjim të liberalizuar të kursit të këmbimit, që do të thotë se kursi i këmbimit përcaktohet nga ecuria e ekonomisë, nga flukset hyrëse dhe dalëse të monedhës dhe të tregtisë. Në vitin 2022 ne kemi pasur një vlerësim të monedhës shqiptare ndaj monedhës europiane. Kjo nuk ndodh vetë dhe papritur. Arsyeja kryesore e këtij përmirësimi në kursin e këmbimit janë tregtia e mallrave dhe e shërbimeve, fluksi i parave të hyra në ekonominë shqiptare, e ndikuar nga rritja ekonomike, nga rritja e investimeve të huaja direkte, të cilat nuk do të ishin në rritje nëse ne do të ishim një vend kaq i rrënuar sa e përshkruani ju, nuk do të ishin me rritje nëse ambienti ekonomik vendas nuk do të ishte i përshtatshëm për ti tërhequr këto flukse hyrëse ë investimeve të huaja direkte.  Mund të vazhdoj më gjatë në analizën e ekonomisë dhe pse ekonomia shkon siç e tregojnë shifrat dhe jo siç e përshkruani ju. Por nuk jam këtu për të dhënë leksione ekonomie, por për të folur për buxhetin.

Në buxhetin e vitit 2023 ne parashikojmë një ngadalësim të rritjes ekonomike. Nga 3.7 % që është parashikimi për këtë vit, ne parashikojmë që në vitin 2023 ekonomia të rritet me 2.6 %. Ne parashikojmë që norma e inflacionit gjatë vitit të ardhshëm të bjerë në nivelin 3.6 % nga niveli që është sot. Sigurisht që ne nuk kemi një sferë të qartë. Ne nuk mund të parashikojmë me përpikmëri se si do të shkojë ecuria ekonomike dhe arsyeja është e thjeshtë, ndikimet ekonomike do të varen nga lufta Rusi-Ukrainë dhe nga sanksionet dhe të gjitha ato që do të ndodhin në ekonominë botërore, sepse jemi pjesë e një ekonomie të ndërlidhur me të gjithë ekonomitë e tjera. Kjo është dhe arsyeja pse në buxhetin që ju shihni përpara ne kemi parashikuar skenarët më negativë për ecurinë e ekonomisë shqiptare, sepse ne jemi këtu që të tregohemi të përgjegjshëm, që mund të përballojmë çdo sfidë që parashikohet në të ardhmen, aq sa mund të parashikohet.

Buxheti që ju keni përpara parashikon konsolidim fiskal. Parashikon reduktim të borxhit. Ndryshe nga sa u tha që kjo qeveri di vetëm të marrë borxh, në fakt kjo qeveri ka treguar se vullnetin për të reduktuar borxhin ndaj GDP e ka dhe e ka të qëndrueshëm. Që në vitin 2013 kur ne na u desh që të përballemi me të gjithë detyrimet e prapambetura të pakontabilizuara nga qeveria Berisha, ne morëm masa për reduktimin e nivelit të borxhit në ekonomi. Ne morëm masa që pasi të gjitha detyrimet e prapambetura u shfaqën dhe borxhi u rrit në mënyrë të paimagjinueshme, të hyjmë në konsolidim duke e reduktuar borxhin në vitin 2019. Sigurisht nuk arritëm në 60 %. A e dini se cila është arsyeja që ne nuk arritëm në 60 %? Arsyeja është se ne nuk e kishim imagjinuar detyrimet e prapambetura dhe të pakontabilizuara, të gjithë borxhet që qeveria u kishte lënë bizneseve, pasi kishte vite pa paguar faturat e tyre, të cilat as nuk i pranonte. Ndërkohë sot dëgjojmë për detyrimet e prapambetura të kësaj qeverie. Po sigurisht që ju do të nxirrni në pah atë që dini të bëni vetë. Detyrimet e prapambetura janë transparente, të publikuara, pasi ne nuk dimë të gënjejmë. Dimë të jemi të përgjegjshëm dhe të ndërgjegjshëm për politikat që ndërmarrim.

Në buxhetin e vitit 2023 ne kemi marrë parasysh të gjithë ambientin e përgjithshëm makroekonomik.

Buxheti ka disa objektivë kryesorë.

Objektivi kryesor dhe më i rëndësishëm është që ne do të garantojmë furnizimin me energji elektrike dhe nuk do të rrisim çmimin e energjisë elektrike, duke mbajtur peshën e ruajtjes së këtij çmimi brenda buxhetit të shtetit.

Unë dua të kujtoj se pjesa më e madhe e vendeve i kanë rritur çmimet e energjisë elektrike duke e transferuar koston te qytetarët. Ne kemi zgjedhur rrugën më të vështirë dhe do t’i mbrojmë qytetarët shqiptarë.

Paralelisht, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë do të nxisë diversifikimin e prodhimit të energjisë elektrike nëpërmjet të gjithë instrumenteve që do të prezantohen nga vetë Ministrja.

Së dyti, ne do të përforcojmë sistemet e mbrojtjes sociale për shtresat në nevojë, për të siguruar që kriza e çmimeve do të ndihet sa më pak dhe për të shmangur kështu ashpërsinë e varfërisë.

U fol këtu për një shifër varfërie në nivelin 40 %, fakt i pavërtetë. Sipas Eurostat, niveli i varfërisë në vend, sipas publikimit më të fundit, është 21.8 %, rreziku për të qenë i varfër. Ky rrezik ka ardhur duke u reduktuar nga viti në vit, nga 23.7 që ka qenë në vitin 2017. Nëpërmjet politikave tona ne kemi bërë të mundur që ai të reduktohet nga viti në vit dhe do të vijojmë ta reduktojmë. Unë dua që qytetarët të dinë të vërtetën dhe të mos dëgjojnë aludime dhe gënjeshtra.

  • Së treti, ne nëpërmjet këtij buxhet do të garantojmë rritjen ekonomike, e cila do të vijojë me investimet e rëndësishme, qoftë në infrastrukturë, qoftë në ato sektorë të ekonomisë që sjellin rritje, siç i përmenda edhe më parë. Ne do të vijojmë rritjen e kapaciteteve digjitale të ekonomisë dhe të qytetarëve. Pandemia përshpejtoi zhvendosjen në plan të parë, të ekonomisë digjitale dhe të dijes që po nxit produktivitetin dhe prosperitetin në shekullin e 21-të. E ardhmja është digjitalizimi dhe ne do të ecim drejt kësaj rruge, duke mbështetur investimet në dixhitalizim dhe investimet në zhvillimin e kapitalit njerëzor, për të përforcuar themelet e kësaj ekonomie në ekonominë shqiptare.

 

Nëpërmjet buxhetit të vitit 2023, në kuadër të mburojës sociale, ne do të mbështesim mbi 1.2 milionë qytetarë, mbi 1.2 milionë familje dhe masat, siç i prezantoi kryeministri, i drejtohen: kategorisë së pensioneve; familjarëve në ndihmë ekonomike apo individë në nevojë; familjarëve të cilët kanë të punësuar me pagë minimale; familjarëve të cilët kanë paga nga 40-50 mijë lekë; rritjen e pagave të arsimtarëve, të sektorit shëndetësor, të ushtarakëve apo zjarrfikësve;

do të mbështesim rreth 30 mijë fermerë nga buxheti i shtetit;

do të mbështesim për strehimin 1 mijë familje të reja, përmes Garancisë Sovrane nga qeveria shqiptare, me qëllim financimin e blerjes së apartamenteve të tyre.

Projektligji që ju paraqitet për miratim do të vijojë mbështetjen për sektorin e energjisë me 12 miliardë lekë;

Përveç kësaj, janë 80 milionë euro që do të akordohet nga BE me qëllim përballimin e krizës që po përjetojmë.

 

Fondi për mbështetjen sociale që është pjesë e këtij buxheti do të rritet me 2.4 miliardë lekë, duke faktorizuar rritjet e shtatorit të vitit 2022, por edhe politikën e re të mbrojtjes sociale për nënat të papuna me 3 fëmijë, ku një fëmijë është deri në 5 vjeç, për pagesën e kontributeve të sigurimeve shoqërore.

Fondi i pagave rritet me rreth 8 miliardë lekë, duke faktorizuar rritjen e bërë këtë vit, por edhe rritjet për vitin e ardhshëm, për sektorin e shëndetësisë, arsimit, për ushtarakët dhe për zjarrfikësit.

Premtimet që ne kemi bërë në prezantimin e programit qeverisës vitin e kaluar do të mbahen dhe në fund të mandatit ne jemi angazhuar rri rrisim me 40 % pagat për arsimtarët dhe për shëndetësinë, dhe ky është një premtim që dhe me një buxhet si ky i këtij viti vijon të materializohet dhe është një premtim që do të mbahet.

Ne do të mbështesim familjet me të ardhurat të ulëta, duke e rritur pagën minimale në 36 mijë lekë. Sigurisht që dikush që nuk është në kontakt me personat që marrin pagë minimale, mbase nuk e kupton që ku rritet paga minimale bruto rritet edhe paga minimale neto. Me anë të dy rritjeve që ne kemi për pagën minimale në vitin 2022 paga neto e cila merret nga një i punësuar me pagë minimale është rritur me 35 mijë lekë dhe me rritjen e mëtejshme kjo rritje do të jetë 52 mijë lekë të vjetra, në krahasim me pagën që merrej në vitin 2021. Sigurisht që kjo është një mbështetje. Ju ftoj të pyesni personat e punësuarve pagë minimale, a e ndiejnë si mbështetje apo jo. A është kjo mjaftueshëm? Asnjëherë nuk është mjaftueshëm por ne po mundohemi të marrim vendime të cilat ndikojnë në familjet shqiptare pa shkaktuar shkatërrim qoftë në buxhetet e bizneseve shqiptare, qoftë në buxhetin e shtetit.

Ne do të zerojmë tatimin mbi të ardhurat personale për të gjithë paga marrësit nga 40 deri në 50 mijë lekë me një kosto në të ardhurat e buxhetit të shtetit, të cilat ju nuk i faktorizoni kur bëni llogaritë, por është një kosto e konsiderueshme. Janë 1.2 miliardë lekë të cilat do të mungojnë në buxhetin e shtetit. Janë 1.2 miliardë lekë të cilat do të jenë më shumë në buxhetet e 70 mijë familje shqiptare që janë përfituese të kësaj lehtësie. A janë ato të kënaqur? Sigurisht që ato preferojnë të mos e paguajnë taksën dhe të kenë më shumë të ardhura në buxhetet e tyre. A është kjo mjaftueshëm? Sërish do të jap të njëjtën përgjigje: Asnjëherë nuk është mjaftueshëm. A jemi ne të kënaqur me atë që po bëjmë? Asnjëherë nuk do të jemi të kënaqur, por ama kjo dhe këto janë nisma të cilat garantojnë një qëndrueshmëri për vitin e ardhshëm, qoftë në përballimin e rritjes së çmimeve, qoftë për përballimin e atyre sfidave ndërkombëtare të cilat ne tashmë po i përballojmë.

Fondi për pensionet në vitin 2023 rritet me 12.4 miliardë leke, duke faktorizuar dy rritjet e njëpasnjëshme që ne bëmë për pensionet, për indeksimin në fillim të vitit dhe për përballimin e kostove shtesë të inflacionit në mes të viti. Pensionet gjatë vitit 2022 janë rritur me 9.5 %, një goditje e konsiderueshme për financat publike dhe duke u përpjekur që ne të rrisim forcët e përballimit të pensionistëve ndaj rritjes së çmimeve e cila mesatarisht për vitin 2022 ka qenë 6.5 %. Ne pensionet i kemi rritur me 9.5 %, ndërkohë që gjatë vitit të ardhshëm ne do të vijojmë të indeksojmë pensionet, ne do të vijojmë të japim bonusin e fundvitit, i cili për vite e vite me radhë ka qenë një pikëpyetje, por tashmë është një zë buxhetor më vete, një siguri për të gjitha familjet e pensionistëve shqiptarë. A do të bëjmë më shumë? Sigurisht që nëse do të jetë e nevojshme ne do të bëjmë më shumë.

Ne kemi vendosur një fond të konsiderueshëm kontigjence, i cili do të na lejojë që gjatë vitit, nëse do jetë e nevojshme dhe kushtet do të jenë më të përkeqësuara se sa ato që ne parashikojmë, ti vijmë në mbështetje qytetarëve.

Po a e dimë ne këtë sot? Nuk mund të merren të gjitha vendimet në një kohë pasi më vonë, nëse do të ketë përkeqësim, ne nuk mund të çojmë financat e buxhetit te shtetit në shkatërrim. Ne jemi këtu për të garantuar të ardhmen e qytetarëve për vitin 2023, 2024, 2025 dhe më tutje. Nuk jemi këtu për të ndërmarrë vendime të nxituara, të cilat do të krijon destabilitet në financat e shtetit shqiptar.

Në projektbuxhetin që ju paraqitet, shpenzimet buxhetore do të jenë në nivelin 687.2 miliardë lekë ose 31.6% e PBB. Në vlerë nominale këto shpenzime janë rritur me 6.5 %,  26.5 miliardë lekë krahasuar me planin e rishikuar të vitit 2022. Siç e thashë edhe më parë, janë 50 miliardë lekë që shkojnë për mbështetjen sociale, pra dyfishi i rritjes nominale të shpenzimeve qeveritare për vitin 2023 shkon për mbështetje sociale. Sigurisht që na është dashur të shkurtojmë zëra të ndryshëm me qëllim që të japim më shumë buxhet mbështetjes sociale, por kjo është ajo që ne kemi vendosur të bëjmë që në fillim të kësaj krize, me qëllim që të përballojmë të gjithë efektet më të këqija të saj.

Investimet Publike janë planifikuar në masën 5.6% e PBB-së ose 122.2 miliardë lekë, normë kjo me e lartë se mesatarja e para vitit 2019. Në zbatimin e buxhetit do të jemi të kujdesshëm më qëllim që të japim përparësi atyre investimeve që tashmë janë të nisura, të cilat kanë prioritet maksimal për të vijuar.

Në buxhetin 2023, shpenzimet buxhetore parashikohen dyfishi i atyre që ishin 10 vite më parë, ndërkohë që borxhi publik dhe deficit buxhetor parashikohen në ngadalësim.

Borxhi parashikohet në 67.5% për vitin 2023, nga 68.8% në vitin 2022, ndërkohë që deficiti i synuar fiskal shkon në 2.6%.

Këto tregues parashikohen të jenë në rënie, duke konfirmuar angazhimin e qeverisë shqiptare për të pasur një konsolidimin fiskal me qëllim që ne të krijojmë hapësirat e nevojshme për t’i bërë ballë çdo të papriture. Objektivi për të bërë dhe për të pasur konsolidim fiskal në një periudhë krize dëshmon kujdesin në përdorimin e parasë publike për të garantuar stabilitetin makroekonomik të vendit dhe qëllimin e mbrojtjes së interesit publik.

Shpenzimet për vitin e ardhshëm do të përqendrohen kryesisht në mbështetjen e energjisë elektrike dhe shtresat në nevojë, por pa lënë mënjanë financimin e sektorëve prioritarë si:

Shëndetësia do të vijojë të financohet si sektor prioritar, duke qëndruar në nivelin prej 3% të PBB-së përgjatë 2023-2025, me synim rritjen e cilësisë së shërbimeve shëndetësore parësore dhe dytësore, si dhe duke motivuar në vijimësi personelin shëndetësor me rritje pagash.

 

Arsimi është shumë i rëndësishëm për ne dhe ndërkohë që mund të përballemi me presione të përkohshme, ne do të vazhdojmë të investojmë në sistemin tonë arsimor.

Arsimi do të vijojë të financohet me 3% të PBB-së përgjatë periudhës 2023-2025, ku ofrojmë më shumë mbështetje buxhetore ndaj Arsimit Universitar, në kuadër të Paktit për Universitetin, si dhe procesit të Ndërkombëtarizimit të Arsimit të Lartë Publik. Projektbuxheti i Ministrisë së Arsimit dhe Sportit planifikohet në nivelin 47.2 miliardë lekë, 2.2 miliardë lekë më shumë se buxheti i rishikuar 2022.

Arsimi profesional, i cili do të na garantojë profesionistet e të ardhmes, do të vijohet të mbështetet nga ky buxhet me 2.8 miliardë lekë, duke e pasuruar me kurrikula që do i shërbejnë tregut të punës, me një vëmendje të veçantë në aftësitë më të kërkuara të kohëve të fundit, në IT dhe në sektorin që përmenda më sipër, hoteleri turizëm, i cili garanton një rritje të njëpasnjëshme të peshës së tij ndaj GDP në ekonominë shqiptare.

Në arsimin profesional do të stimulohen nxënësit të cilët kanë pamundësi dhe nuk kanë shumë interes për degë të caktuara, por që janë të rëndësishme për ekonominë shqiptare, me bursa deri në 50 %.

Në vitin 2023 do të fillojë zbatimi i Skemës së Garancisë Rinore, nëpërmjet të cilës do të sigurojmë që çdo i ri, apo e re, do të ketë në dispozicion një ofertë trajnimi, punësimi apo arsimi, brenda 4 muajve nga momenti i identifikimit të tyre që janë të papunë apo janë duke kërkuar punë.

Ne do të bashkëpunojmë me sektorin e privat për të ofruar kurset më të avancuara për kodim dhe programim, që janë profesionet më të mirëpaguara të ditëve të sotme.

 

Bujqësia këtë vit ka buxhetin më të madh që ka pasur në të gjitha kohërat dhe 51 % e këtij buxheti shkon për mbështetjen e drejtpërdrejtë të fermerëve.

Ne do të vijojmë me subvencionimin e naftës. Ne do të vijojmë me mbështetjen e peshkimit. Ne do të vijojmë me skemat kombëtare. Ne do të vijojmë me programin IPARD.

Infrastruktura, që është zemra e zhvillimit ekonomik të vendit, do të vijojë të financohet ndjeshëm nga buxheti i vitit 2023, me një total prej 54.7 miliardë lekë ose 2.5% e PBB-së. Më shumë rrugë, më shumë ndërlidhje dhe më shumë vepra do të të garantojnë më shumë atraktivitet për investimet e huaja, qoftë në sektorët që mbulon MIE, qoftë në sektorët që janë primarë për ekonominë shqiptare, për të stimuluar rritjen ekonomike, për të stimuluar ndërlidhjen më të mirë të të gjithë vendeve të rajonit dhe vendet e BE.

Energjia është kryefjala e kësaj sfide dhe e këtij buxheti. Ne do të vijojmë të mbështesim për çmimin e energjisë elektrike, por ndërkohë do të vijojmë dhe të mbështesim rritjen e eficencës në përdorimin e energjisë elektrike, ku do të mbështeten 2 mijë familje, duke iu mbuluar 70% të kostove për vendosjen e paneleve diellore. Nëse kjo skemë do të jetë e suksesshme, ne do të vijojmë me financimin e saj edhe për periudhat në vijim.

Infrastruktura digjitale, si qasja e së ardhmes për çdo qytetar, do të jetë në qendër të buxhetit të vitit 2023. Ne kemi treguar se që në vitin 2013 i kemi dhënë vëmendje të vençantë dixhitalizimit dhe sot 95 % e shërbimeve që ofrohen nga qeveria janë online.ne do të kemi një vëmendje të shtuar qoftë për infrastrukturën dixhitale, qoftë për sigurinë kibernetike, ku ky sektor do të përfitojë rreth 5.8 miliardë lekë.

Përsa i përket Drejtësisë– ju të gjithë e dini se reforma në drejtësi ka qenë një ndër angazhimet më të mëdha të qeverisë tonë. Që nga viti 2016 kur kjo reformë nisi, plani financiar i mbështetjes së reformës në drejtësi ishte 12.7 miliardë lekë. Në buxhetin e vitit 202, mbështetja për reformën në drejtësi ka një vlerë totale prej 21 miliardë lekë. Kjo tregon se nëpërmjet këtij buxheti në vijojmë të mbështesim reformën madhore në drejtësi.

Mbrojtja- Ne kemi parashikuar në buxhetin e vitit 2023 financimin me prioritet të asaj që kemi premtuar kundrejt NATO. Buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes për vitin 2023 është 1.85% të PBB-së. Ne synojmë që për vitet në vijim të arrijmë në 2% të PBB-së, sipas angazhimit si shtet anëtar i NATO-s.

Kultura është gjithashtu një element i rëndësishëm në promovimin e vlerave, traditave dhe zhvillimin e projekteve të artistëve të rinj. Këtë komponent me buxhetin e vitit 2023 do ta mbështesim me 3.9 miliardë lekë, përmes një sërë iniciativash, qoftë në infrastrukturë kulturore, qoftë në projekte ambicioze në art, trashëgimi në të gjithë vendin,

Aspekt tjetër shumë i rëndësishëm i buxhetit është dhe vetëqeverisjes vendore.

Ministria e Financave dhe Ekonomisë në vitin 2023 do të vijojë me reformimin e financave publike vendore, duke u fokusuar në rritjen e investimeve, digjitalizimin e operacioneve të menaxhimit financiar në nivel vendor, rritjen e të ardhurave nga taksat vendore, si dhe në reformimin e skemave të financimit të qeverisjes vendore.

 

Shpenzimet e buxhetit vendor për vitin 2023 janë parashikuar në masën 65.5 miliardë lekë, me një rritje prej 9% më shumë se buxheti i vitit 2022.  Këto shpenzime zënë rreth 3.1% të PBB-së nga 2.3% që zinin në vitin 2013. Të ardhurat e veta të pushtetit vendor nga viti 2015 në vitin 2023 kanë pësuar një rritje të ndjeshme me rreth 17.4 miliard lekë, ndërkohë krahasuar me vitin 2022 parashikohet të rriten me 1.5 miliard lekë.

 

Të nderuar deputetë,

 

Siç e shihni, buxheti i vitit adreson jo vetëm sfidat për mbështetjen sociale, jo vetëm sfidat e kësaj krize, por garanton që viti i ardhshëm do të ketë stimul të mjaftueshëm fiskal për të vijuar me zhvillimin ekonomik.

Vitin e ardhshëm ne parashikojmë një rritje ekonomike prej 2.6 %. Rritja në vend ka qenë e qëndrueshme dhe e mbështetur në një sërë reformash. Rritja në vend ka qenë e qëndrueshme. Gjatë vitit të kaluar dhe gjatë këtij viti ajo ka qenë e shpërndarë në të gjithë sektorët e ekonomisë, qoftë nga ana e ofertës, qoftë nga ana e kërkesës.

Reforma fiskale është një ndër reformat që ne kemi vendosur ta ndërmarrim që në fillim të vitit dhe përmirësimi i performancës së mbledhjes së të ardhurave është fakt dhe ka qenë element kyç i politikave tona.

Vetëm një nivel i konsiderueshëm i të ardhurave do të na mundësojë që të vijojmë financimin e atyre sektorëve të ekonomisë që kanë ndikim të drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve.

Që nga fillimi i krizës ne kemi vendosur të mos ndryshojmë politikën tonë fiskale, të mos reduktojmë taksat, duke siguruar kështu balancimin e atyre parametrave fiskalë që janë të domosdoshëm për qëndrueshmërinë e ekonomik,e cila garanton të gjitha politikat sociale që ky shtet bën.

Në kushtet kur zgjedhja e politikëbërësve është midis të keqes dhe më të keqes, ne kemi vendosur të mbajmë këtë politikë dhe ti qëndrojmë asaj.

Për të ilustruarmë konkrtisht se çfarë do të thoshte një destabilitet në të ardhurat e vendit në politikat tona fiskale, unë mund tju sjell një shembull rastin ë një prej vendeve më të zhvilluara ekonomisht dhe institucionalisht në botë, që ka vlerësim rating në nivelin A dhe po kalon një periudhë të vështirë ekonomike. Kjo vetëm sepse politika  e ditës nuk i dha rëndësinë e duhur kredibilitetit të financave publike. Reagimi i tregut për këtë neglizhencë, nëse mund ta quajmë të tillë të politikës së ditës, në një vend i madh siç është Anglia, dhe pasojat negative që ende politika e ditës solli, besoj që i shërbejnë si një ilusturim shumë i qartë i rëndësisë së konsolidimit, i rëndësisë së mos ndryshimit të politikave fiskale kryesore,  i rëndësisë së qëndrueshmërisë makroekonomike të vendit.

Bazuar në këto parashikimi makroekonomike dhe bazuar në politikat tona fiskale, ne parashikojmë që të ardhurat buxhetore për vitin 2023 të jenë 631.7 miliardë lekë. Ato janë dyfishi i të ardhurave që ne kishim në vitin 2013. Këto shifra nuk janë të rritura vetëm në vlera nominale. Këto shifra janë të rritura edhe në raport me Produktin e Brendshëm Bruto. Të ardhurat gjatë vitit të ardhshëm parashikohen të jenë sa 29 % e Produktit të Brendshëm Bruto. Niveli i vitit 2013 ka qenë 24,2 % të të ardhurave totale ndaj PBB-së dhe rritja me rreth 5 pikë përqindje brenda një periudhe 10 vjeçare, flet qartë për trendin pozitiv në konsolidimin e financave publike shqiptare.

Ky trend pozitiv, i përfaqësuar nga rritja me rreth 5 pikë përqindje ndaj PBB-së, reflektohet edhe në grupin e “të ardhurave tatimore” të cilat nga 22,2 % në fund të 2013, arrijnë në 27 % në fund të vitit 2023. Nuk është e vërtetë që ne kemi rritur barrën fiskale. 95 % e bizneseve pagujanë zero taksa sot, ndërkohë që para 2013 paguanin një nivel kontant taksash të gjitha bizneset. Ne do ti qëndrojmë politikës tonë të taksimit progresiv. Ne do ti qëndrojmë taksimit zero për bizneset e vogla, pasi ato jo vetëm gjenerojnë ekonomi, por edhe gjenerojnë mirëqenie për familjet shqiptare.

Ne kemi rritur bazën e tatimpaguesve duke rritur në mënyrë të konsiderueshme numrin e bizneseve aktive në vend.

Ne kemi ulur taksat dhe kemi rritur të ardhurat pasi jemi përqendruar të miradministrimi fiskal.

Qëllimi ynë me Paketën Fiskale që ju paraqitet është të bëjmë disa ndryshime minimaliste, të cilat do të çojnë në rritjen e miradministrimit të të ardhurave.

Përmes ndryshimeve që ju paraqesim në Paketës Fiskale jemi siguruar dhe jemi përpjekur që të marrim një informacion sa më të mirë dhe më të saktë, në mënyrë që bizneset të preken sa më pak nga këto politika që ne jemi duke ndërmarrë.

Përveç sa mund të pretendohet si rëndesë masash ndëshkimore, më lejoni të them se 98% e penaliteteve nuk janë prekur. Ne kemi ndërhyrë në tre lloje penalitetesh, dy prej të cilave në mënyrë të ndjeshme dhe kjo si pasojë e efekteve që këto penalitete japin në deformimin e tregut shqiptar, në rritjen e evazionit.

Penalitetet nuk i rrisin të ardhurat. Penalitetet shërbejnë si një masë për të penguar krijimin e evazionit.

Nga ana tjetër nëpërmjet projektligjeve të Paketës Fiskale kemi hequr një element shumë të rëndësishëm të bizneseve dhe të goditjes ndaj bizneseve, atë të kallëzimit penal. Sot Administrata Tatimore, pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, nuk do të ketë mundësi të cojë për kallëzim penal një subjekt, me gjobën e parë, por do ta çojë nëse subjekti do të jetë përsëritës.

Gjatë diskutimit në komisione parlamentare ka pasur diskutime të forta sa i përket taksimit të profesioneve lira. A e dini ju se sa është numri i këtyre profesioneve të lira persona fizikë që do të hyjnë në taksim? Janë rreth 7 mijë tatimpagues persona fizikë profesione të lira, nga 95 mijë të tillë, të cilët do të hyjnë në nivel taksimit. A e dini ju se sa do të tatohen realisht këto biznese? Nuk janë ato shifra që dëgjoni, nuk janë ato shifra që diskutohen.

Një biznes që do të gjenerojë të ardhura neto 100 mijë lekë, normën efektive të tatimit do ta ketë 4.2 % dhe këtu flitet vetëm për profesionet e lira. Të gjithë kategoritë e tjera të bizneseve do të vijojnë deri në vitin 2029 zero tatim.

Ato shifrat që dëgjoni të 23 % apo taksimin e shtresave të mesme, nuk janë të vërteta. Ju lutem të uleni dhe t’i bëni llogaritë me letër dhe me laps, se sa realisht do të jetë norma efektive e tatimit.

Sigurisht që ne këto diskutime do t’i bëjmë gjerësisht në komisione kur ligji i tatimit mbi të ardhurat do të diskutohet, por ndjeva të nevojshme që të bëj këtë shpjegim me qëllim që të mos abuzohet me gënjeshtra dhe me të pavërteta.

Sigurisht që qëllimi ynë është rritja e të ardhurave, por ne duhet të garantojmë një tatim të duhur dhe të drejtë.

Kur ne morëm vendimin për tatimin zero për bizneset e mesme dhe të vogla,  nuk e morëm këtë vendim me qëllim që t’i hapnim rrugë sjelljeve evazive, me qëllim që t’i hapnim rrugë atyre bizneseve që nga të punësuar me pagë, nga paga marrës, i nxirrnin stafin e tyre dhe i kërkonim të hapnim NIPT-e me qëllim që të mos paguanin tatimin mbi të ardhurat, me qëllim që të paguanin më pak kontribute të sigurimeve shoqërore, me qëllim që të frynim shpenzimet e tyre.

Ne këtë nuk mund ta lejojmë më dhe kjo është arsyeja pse profesionet e lira, të cilat më së shumti janë ndikuar nga kjo sjellje evazore, do të fillojnë të taksohen gjatë vitit të ardhshëm.

Nëpërmjet projektligjeve të Paketës Fiskale, ne kemi ndërmarrë një sërë masash të tjera të cilat nuk diskutohen dhe nuk fliten, por që janë të rëndësishme.

Në kemi vendosur të përjashtojmë nga TVSH-ja drutë e zjarrit dhe paletave që përdoren për ngrohje, qoftë në import, qoftë në qarkullim vendas, pasi synojmë të reduktojmë koston e ngrohjes për dimrin e vështirë që do kemi përpara.

Ne, nëpërmjet propozimeve të projektligjeve Paketës Fiskale, do të përmirësojmë kuadrin ligjor ekzistues në lidhje me Tatimit mbi Vlerën e Shtuar, sa i takon fondeve IPA dhe fondeve nga donatorët e tjerë. Kjo është një kërkesë e hershme e Komisionit Europian me qëllim që të ketë lehtësi më të madhe në zbatimin e projekteve me financim të huaj.

  • Ne do të përjashtojmë nga TVSH tregtimin e energjisë elektrike përmes Bursës Shqiptare të Energjisë, në import apo furnizimi brenda vendit, ndërkohë që TVSH do të paguhet nga blerësi fundor, nëpërmjet mekanizmit të autongarkesës.
  • Në fushën e fushën e akcizave propozojmë:
  • heqjen e akcizës për akumulatorët e automjeteve elektrike, të cilat janë politika me qëllim nxitjen e përdorimit më me eficencë të burimeve të energjisë..
  • unifikimin e akcizës së birrës me qëllim eliminimin e diferencimit të akcizës për këtë artikull, në vlerën 710 lekë/HL/shkallë alkoolometrike.

Politikat fiskale ndërmerren me një qëllim të caktuar. Nëse ne vendosim të nxisim nga ana fiskale një sektor, vendosim ta nxisim që ai sektor të zhvillohet dhe ritet. Politika që ne kemi ndërmarrë për diferencimin e akcizës të prodhuesve të birrës deri në 200 HL nuk i ka dhënë rezultatet e veta. Prodhimi i birrës ka mbetur në po ato nivele që ishte përpara se të bëhej ky diferencim. Pra nuk ka dhënë efektet e veta. Ndërkohë, përmes kësaj politike ne përafrojmë legjislacionin tonë me direktivat e Bashkimit Europian.

  • Për procedurat tatimore, ndryshimet ligjore nisin miradministrimin e të ardhurave, por ka dhe disa ndryshime që prekin elementë edhe për qytetarët.

Para dy ditësh ne futëm në detyrimin për deklarimin individual të të ardhurave, individët të cilët ishin të dy punësuar. duke qenë se ka kategori të ndryshme të individëve të dypunësuar, ne nëpërmjet këtij projektligji do të ulim gjobën për mosdorëzimin në afat të deklaratës individuale vjetore të të ardhurave, nga 5.000 lekë aktualisht në 3.000 lekë;

Gjithashtu, ne kemi bërë një ndryshim në ligjin për procedurat tatimore, i cili synon reduktimin e parasë cash në ekonomi dhe uljen e shkallës së evazionit, si dhe përcakton që çdo biznes do të ketë një limit të caktuar të arkës, me qëllim reduktimin e cash-it në ekonomi.

 

Të nderuar qytetarë,

Siç mund ta vëreni, fatura financiare që Qeveria duhet të përballojë për mbrojtjen e çmimit fundor të energjisë elektrike dhe për mbështetjen e familjarëve është e madhe. Ndaj, unë dua të përsëris thirrjen për më shumë ndërgjegjësim nga ana e të gjithëve në konsumin e energjisë elektrike, si qytetarët, ashtu edhe bizneset.

Sot dhe nesër gjatë diskutimeve të buxhetit do të dëgjoni diskutime të ndryshme, këndvështrime të ndryshme, mendime, gjykime, paragjykime, të vërteta dhe gënjeshtra, pro faktet janë faktet janë fakte, flasin vetë dhe janë aty.

Unë pohoj përpara jush se përtej gjithë kësaj situate të vështirë, ekonomia jonë ka arritur t’i përballojë relativisht mirë pasojat deri tani të kësaj krize.

Ju keni besuar të qeveria jonë. Ju keni besuar te Partia Socialiste sepse ne kemi treguar se në momente të vështira dimë të bëjmë atë që kemi bërë gjatë gjithë kësaj periudhe. Ne dimë të punojmë. Dimë të kujdesemi dhe dimë të sigurohemi që ju do të keni një të ardhme më të mirë.

Faleminderit.

Previous Manastirliu në Rrogozhinë: Fuqizojmë rrjetin e pajisjeve mjekësore, 18 aparatura digjitale të fjalës së fundit në spitale e poliklinika