Spitali Infektiv në QSUT transformohet në qendër reference kombëtare ekselence për sëmundjet infektive, me kushtet dhe standardet më të larta ndërkombëtare - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Spitali Infektiv në QSUT transformohet në qendër reference kombëtare ekselence për sëmundjet infektive, me kushtet dhe standardet më të larta ndërkombëtare

Projekti madhor për rehabilitimin e plotë dhe zgjerimin e Spitalit Infektiv ka përfunduar dhe sot spitali i ri në QSUT hapi dyert për të ofruar shërbim mjekësor të standardeve më të larta për pacientët, me një kapacitet të ri, prej 130 shtretërish dhe trefishim të ambienteve të reanimacionit. Spitali Infektiv është transformuar në një qendër reference kombëtare ekselence për sëmundjet infektive, me kushtet dhe standardet më të larta ndërkombëtare, për t’iu përgjigjur me përkushtim e profesionalizëm të lartë çdo emergjence të shëndetit publik.

“ Përmes një financimi prej 5.6 milionë euro të qeverisë shqiptare dhe falë angazhimit të secilit prej jush, kemi sot një qendër të vërtetë të referencës kombëtare për sëmundjet infektive me standardet më të larta. Është bërë një investim që për të thënë të vërtetën, jo vetëm do t’i qëndrojë kohës, por është super standard.” – u shpreh Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu gjatë vizitës së Kryeministrit Rama në mjediset e transformuara të Spitalit të ri.

Më pas, në ceremoninë e rastit, Kryeministri Rama iu drejtua të pranishmëve me një fjalë.

* * *

Përshëndetje dhe shumë faleminderit për praninë tuaj dhe durimin! Do përpiqem të flas sa më shkurt edhe pse nuk është një ushtrim që më rezulton i lehtë.

Së pari, dua t’i shpreh të gjithë respektin dhe mirënjohjen të gjithë trupës së Spitalit Infektiv sepse pavarësisht se jemi tanimë përtej pandemisë, ajo çka ajo trupë bëri gjatë pandemisë nuk duhet harruar kurrë dhe nuk duhet lënë rast, mendoj unë, pa e shprehur respektin dhe mirënjohjen dhe besoj që ky investim është një shprehje konkrete e respektit dhe mirënjohjes për t’i dhënë mundësinë kësaj trupe që të punojë në kushtet më optimale, në standardet më të larta ndërkombëtare, me gjithë aparaturat, logjistikën, hapësirat e nevojshme në mënyrë që çka u bë një histori e madhe suksesi përgjatë luftës me një armik të padukshëm, të mos mbetet thjesht një episod falë lidershipit të mjekëve dhe mjekeve me më shumë eksperiencë, por edhe të trashëgohet tek brezi më i ri si një frymë e patjetërsueshme e punës së kësaj trupe.

Ishte kënaqësi që gjatë vizitës në këto mjedise të reja të takoja edhe ata më me eksperiencë edhe ata më të rinjtë dhe kam shumë besim që ky investim do të shërbejë edhe në këtë aspekt për të krijuar një sinergji më të madh dhe një sens më të fortë të një skuadre e cila e tregoi veten në momentin më tragjik për vendin. E tha profesori më parë, në sfidën më të madhe të mjekësisë shqiptare qysh nga themelimi i shtetit shqiptar, por duhet ta tregojë veten edhe në të përditshmen duke e vlerësuar, duke e respektuar dhe duke u kujdesur për çdo pacient.

Përfitoj nga rasti t’i shpreh një falenderim përfaqësuesit këtu të Bankës Botërore, për të njëjtën arsye që e falënderoi ministrja në të vërtetë sepse në mënyrën më të çuditshme, por dhe më të mirëpritur, Banka Botërore këtë herë na është përgjigjur në nevojën tonë për shpejtësi. Nuk e di se si e kanë realizuar, por e realizuan dhe besoj që është mbështetja dhe kuptimi i plotë i rëndësisë së madhe të këtij projekti, përveçse në aspektin e infrastrukturës edhe në aspektin moral në raport me këtë trupë fantastike që është krenaria e mjekësisë shqiptare.

 

Edhe dy fjalë për gjithë kompleksin këtu.

Është vënë një tjetër gur në këtë mozaik. Mbeten akoma për tu transformuar edhe pak hallka të tjera dhe besoj që brenda këtij mandati qeverisës ne do kemi një kompleks spitalor këtu në Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza tërësisht të transformuar dhe realisht shëmbëlltyrë të ambicies sonë, por edhe të përputhjes, të profesionalizmit të mjekëve dhe infermierëve të këtij kompleksi me mjetet dhe hapësirat në dispozicion.

Po ashtu, se e bukura e këtyre ndërhyrjeve është që i bëjnë edhe më vrastare për sytë ato që janë gjurmë të të shkuarës, kështu që do duhet të ndërhyjmë pa humbur shumë kohë edhe për pjesën e universitetit këtu sepse është e pamundur që të qëndrojë në atë gjendje, që dukej në fillim fare si godina më e mirë, tani nuk qëndron dot më në atë gjendje. Kështu që do bëjmë dhe një ndërhyrje plotësuese aty përveç atyre ndërhyrjeve që numëroi ministrja, që nuk po i përsëris, me Spitalin e ri të Sëmundjeve të Brendshme që do të  përfundojë në fillim të vitit të ardhshëm, me Psikiatrinë e re dhe me Spitalin Pediatrik apo Kardio-Kirurgjinë. Të gjitha këto janë tanimë në kantier, qoftë në përfundim të projekteve me financim të garantuar, qoftë dhe në përfundim të vetë punës.

Ajo që do të shtoja në fjalët e ministres është që ambicia jonë është që brenda këtij mandati ta çojmë në 100% rritjen e pagës në raport me pikënisjen. Me buxhetin e ri shkojmë në 70%, me ndihmën e Zotit që mos të na sjellë ndonjë tjetër katastrofë që të na detyrojë përsëri që të spostojmë fonde të dedikuara për qëllime të caktuara. Jam i bindur që do të arrijmë ta çojmë në 100% rritjen e pagës për të gjithë ju dhe për të gjithë ata që nuk janë këtu, por që shërbejnë në këtë kompleks.

Ashtu sikundër, për ta mbyllur, investimet do të vijojnë edhe në territore të tjera, që nga Dibra deri poshtë në Gjirokastër, nga Lezha dhe më tutje në zona të tjera për ta përmbyllur të gjithë mozaikun e infrastrukturës së shëndetësisë dhe për ta transformuar atë tërësisht.

Ne e dimë shumë mirë që kjo nuk mjafton. Na duhet të ecim tani me autonominë spitalore. Modeli i parë i cili do t’i hapë rrugën shtrirjes së autonomisë për të bërë të mundur rritjen e mëtejshme të pagave të mjekëve sipas performancës, në mënyrë që kush punon më shumë dhe kush ofron më shumë në dispozicion të shërbimit kombëtar shëndetësor të fitojë edhe më shumë sesa paga tavan. Kjo është ambicia për periudhën në vijim.

E di që është një fazë përsëri e vështirë për ju, për të gjithë njerëzit sepse jashtë vullnetit tonë jemi goditur përsëri nga një fenomen negativ që nuk e kemi prodhuar dhe as nuk e ndalojmë dot ne, qoftë me goditjen e çmimit të energjisë, të cilën po e përballojmë dhe po i japim mundësi të gjithëve, edhe ju këtu në familjet tuaja, që të mos ndjejnë asnjë qindarkë rritje të çmimit të faturës së energjisë. Ndërkohë që, ajo që ju keni në faturë është një përqindje e asaj që fatura kushton realisht dhe mesatarisht e kemi ndarë barrën, familjet 20% dhe qeveria 80%  të faturës. Do të vazhdojmë ta bëjmë dhe do vazhdojmë të mbajmë të njëjtën mburojë për biznesin e vogël sepse në rast se ne do të rrisim faturën e energjisë atyre njësive tregtare ku të gjithë ju shkoni për të blerë, atëherë vetvetiu do të keni çmime të rritura si pasojë e transferimit të barrës kështu që do ta mbajmë me të gjithë sforcon e nevojshme këtë goditje dhe nga ana tjetër do të bëjmë çmos që ta zbusim. Nuk mund ta eliminojmë dot, nuk e ka eliminuar askush, por ta zbusim efektin e inflacionit të luftës të cilin sot e kemi më të ulët sesa vendet e tjera të rajonit dhe arsyeja kryesore është mburoja mbi çmimin e energjisë. Sepse në vendet e tjera të rajonit, ne ishim në Maqedoninë e Veriut, aty faturat e energjisë elektrike janë dyfishuar. Ashtu sikundër, në vende të tjera kanë shkuar edhe më shumë sesa dyfish, gjë që patjetër ka ndikuar pastaj edhe në inflacionin shumë më të lartë sesa këtu.

Gjithsesi, unë kam besim që në ndërkohë, ne nuk do të lëvizim nga pikat kryesore të planit të investimeve dhe të mbështetjes dhe besoj që mbështetja jonë për gjithë mjeket, infermierët, të gjithë punonjësit e shërbimit shëndetësor kombëtar, ka qenë gjithmonë e materializuar në fakte dhe do të vazhdojmë ta materializojmë në fakte, pa asnjë dyshim sepse fjalët janë të rëndësishme, por nëse fjalët i merr era atëherë edhe fjalët vetë e humbasin rëndësinë e tyre. Shumë respekt dhe një herë tjetër dhe mbi të gjitha shumë faleminderit atyre që janë në këmbë në fund fare sepse mirë kur ju qëllon dhe s’keni ku ikni edhe ju dal në televizor apo në frigorifer, por jeni ulur të paktën, kurse të më shikoni dhe në këmbë dhe të më dëgjoni dhe në këmbë e marr me mend që nuk duhet të jetë dhe fort e lehtë, por gjithësi shumë faleminderit dhe ua paça borxh!

Edhe një akt solemn dorëzimi të këtyre trëndafilave për profesoreshë Najadën. Natyrisht, jo thjeshtë për të personalisht, por për të gjithë skuadrën dhe shumë mirënjohje të gjithëve.

Previous Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 16 Nëntor 2022