KKP-Ibrahimaj: Të rrisim dialogun dhe bashkëpunimin mes institucioneve publike dhe biznesit kundrejt sfidave të tregut të punës - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

KKP-Ibrahimaj: Të rrisim dialogun dhe bashkëpunimin mes institucioneve publike dhe biznesit kundrejt sfidave të tregut të punës

Këshilli Kombëtar i Punës zhvilloi mbledhjen e tij të radhës nën drejtimin e Ministres së Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, e cila është dhe kryetare e tij. Qëllimi kryesor i kësaj mbledhjeje ishte prezantimi i disa nismave të rëndësishme që lidhen me tregun e punës në vend, si:

  • Strategjia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive 2023-2030, e cila tashmë është në fazë të konsultimit publik;
  • VKM nr. 751, datë 01.12.2022 “Një mbrojtje të veçantë nga shteti për gratë e papuna me tre apo më shumë fëmijë të moshës deri në 18 vjeç”.
  • Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9634, datë 30.10.2006, “Për inspektimin në punë”, të ndryshuar, i cili ka ardhur si rrjedhojë e rezultateve të Këshillimit Kombëtar.

Në fjalën e saj, Ministrja Ibrahimaj u ndal në mënyrë të veçantë në Strategjinë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive, për të cilën tha se synon të adresojë sfidat aktuale të tregut të punës, por edhe ato që pritet në të ardhmen, duke qenë se do të ketë një afat 7 vjeçar.

“Ne sot kemi një ambient ekonomik të ndryshëm nga ai i disa viteve më parë. Zhvillimet teknologjike dhe zhvillimet ekonomike të kohëve të fundit kanë nevojë për mbështetje dhe për politika të qarta dhe të integruara të tregut të punës”, tha Ibrahimaj.

Ministrja nënvizoi faktin se me politikat e saj, qeveria dhe MFE është munduar të qëndrojë pranë të punësuarve dhe bizneseve, duke i ardhur në ndihmë në periudha të vështira si ajo e pandemisë COVID 19. Një prej këtyre politikave ka qenë ajo lidhur me pagën minimale, e cila është rritur dy herë brenda vitit 2022, duke i ardhur kështu në ndihmë punonjësve në sektorin privat.

Nga ana tjetër, Ministrja vuri theksin në punën që është bërë gjatë këtij viti nga MFE dhe institucionet e saj të varësisë sa i përket luftës kundër informalitetit në ekonominë gri, punë e cila do të vijojë në vazhdimësi.

“Vetëm pas një nismë të DPT, në bashkëpunim me Inspektoriatin e Punës dhe me MFE për evidentimin dhe uljen e informalitetit në ekonominë gri të bërë gjatë fillimit të këtij viti ne patëm disa rezultate të menjëhershme. Kjo do të thotë se ka akoma hapësirë për të bërë më shumë punë për reduktimin e informalitetit në deklarimin e pagave”, u shpreh Ibrahimaj.

Në vijim të fjalës së saj, Ministrja theksoi nevojën e rritjes së dialogut dhe bashkëpunimit mes qeverisë dhe biznesit sa i përket sfidave të tregut të punës, si dixhitalizimi apo aftësimi i fuqisë punëtore drejt profesioneve më të kërkuara të momentit.

Deri më tani janë ngritur dy komitete sektoriale me qëllim diskutimin e problematikave në sektorë të ndryshëm të ekonomisë, për IT dhe turizmin, ndërsa një komitet i tretë pritet të ngrihet së shpejti. Në këtë drejtim, Ministrja ftoi anëtarët e KKP të japin propozimet e tyre për fusha konkrete që mendojnë se ka më shumë vëmendje specifike në përmirësimin e politikave tona të tregut të punës.

Fjala e Ministres Ibrahimaj:

Ju falënderoj për prezencën.

Shkurtimisht doja të thoja dy fjalë sa i përket Strategjisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive 2023-2030, e cila është hartuar nga MFE gjatë vitit 2022 dhe i është nënshtruar një procesi të gjerë të konsultimit publik.

Sot kjo Strategji i paraqitet për njohje Këshillit Kombëtar të Punës, para se të dërgohet për miratim në Këshillin e Ministrave dhe të marrë statusin e strategjisë kombëtare.

Kur flitet për strategji njerëzit shpesh tregohen skeptikë, pasi presin që strategjia të jetë një dokument politik dhe të mos ketë prekje dhe veprime konkrete. Nuk është kështu në rastin e Strategjisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive, e cila vjen e shoqëruar me një plan veprimi konkret, me indikatorë për përmbushjen konkrete.

Ajo synon të adresojë sfidat e momentit të tregut të punës, por edhe sfidat për të ardhmen, duke qenë se është një strategji e cila prek praktikisht 7 vitet e ardhshme.

Ne sot kemi një ambient ekonomik komplet të ndryshëm nga ambienti ekonomik që kishim disa vite më parë. Ky ambient, zhvillimet teknologjike, zhvillimet ekonomike të kohëve të fundit, kanë nevojë për mbështetje dhe për politika të qarta dhe të integruara të tregut të punës.

Politikat e përmirësimit të tregut të punës kanë qenë në qendër të vëmendjes tonë jo vetëm gjatë këtij viti dhe gjatë kësaj periudhe të përballimit të kësaj krize që ne në fakt po përballemi, por edhe në periudha të mëparshme.

Me politikat tona ne jemi munduar që të qëndrojmë pranë të punësuarve duke hartuar politika në kohë në rekord me qëllim për t’i ardhur në ndihmë atyre kategorive që dolën të papunë gjatë periudhës së pandemisë COVID apo bizneseve që kishin nevojë për suport shtesë gjatë periudhës së COVID.

Gjithashtu, kemi ndërmarrë shumë nisma gjatë këtij viti në ndihmë të bizneseve të cilat janë prekur. Ju me siguri e dini që përballimin e krizës ne kemi ndërhyrë me të vetmin instrumentin që ne kemi për të afektuar pagat në sektorin privat, me pagën minimale. Kemi ndërhyrë dy herë gjatë këtij viti me rritjen e pagës minimale. Megjithatë, mendojmë se këtu ka hapësirë për diskutime, pasi vetëm pas një nismë të DPT, në bashkëpunim me Inspektoriatin e Punës dhe me MFE për evidentimin dhe uljen e informalitetit në ekonominë gri të bërë gjatë fillimit të këtij viti, ne patëm disa rezultate të menjëhershme. Kjo do të thotë se ka akoma hapësirë për të bërë më shumë punë për reduktimin e informalitetit në deklarimin e pagave.

Kjo është një nga temat e tjera që do të duhet të diskutojmë gjatë ditës së sotme, por edhe ndërhyrjet ligjore që ne kemi bërë me qëllim pikërisht reduktimin e informalitetit gri.

Besoj se sfidat që kemi, qoftë në kuadër të dixhitalizimit, qoftë në kuadër të aftësimit të fuqisë punëtore drejt atyre profesioneve më shumë të kërkuara nga momenti mund të zgjidhen vetëm nëpërmjet dialogut, nëpërmjet tryezave të tilla ku qeveria qendrore bëhet bashkë me biznesin, por edhe me qeverinë lokale, me qëllim ndërthurjen sa më të mirë të të gjitha politikave.

Për këtë arsye gjatë këtij viti ne kemi vendosur që të hapim disa komitete sektoriale, me qëllim diskutimin më të thellë të problematikave në sektorë të ndryshëm. Tashmë kemi ngritur komitetin sektorial për turizmin dhe për IT dhe jemi në përgatitje të një komiteti të tretë, ku mendojmë që fusha e përzgjedhur do të jetë bujqësia, megjithatë nëse ju keni një propozim jemi shumë të hapur ta diskutojmë fushën që ka më shumë nevojë për koordinim, vëmendje dhe ndërhyrje specifike në përmirësimin e politikave tona të tregut të punës.

Ju falënderoj që keni ardhur sot këtu.

Previous Ibrahimaj prezanton Aktin Normativ për ndryshimin e buxhetit 2022, reflektohen të ardhurat shtesë prej 5 miliardë lekësh