Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 22 Shkurt 2023 - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 22 Shkurt 2023

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 22 Shkurt 2023:

 

V E N D I M
PËR

KALIMIN TE BASHKITË DURRËS DHE KAMZË TË NJËSIVE INDIVIDUALE TË BANIMIT

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 6, të nenit 21, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Kalimin te bashkitë Durrës dhe Kamzë të 133 (njëqind e tridhjetë e tre) njësive individuale të banimit, përkatësisht, sipas listave të inventarit, që i bashkëlidhen këtij vendimi, detajuar, si më poshtë vijon:

a) Bashkia Durrës 73 (shtatëdhjetë e tre) njësi individuale banimi;
b) Bashkia Kamzë 60 (gjashtëdhjetë) njësi individuale banimi.

2. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe bashkitë Durrës dhe Kamzë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E FORMATIT TË AKTIT ADMINISTRATIV QË VENDOS MASËN ADMINISTRATIVE DHE LLOJIN E MASAVE, QË PËRBËJNË SHKAK PËR KUFIZIMIN E HYRJES

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 6, pika 1, shkronja “dh”, e 141, pika 3, të ligjit nr.79/2021, “Për të huajt”, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Masat administrative, të cilat përbëjnë shkak për kufizimin e hyrjes, sipas ligjit nr.79/2021, “Për të huajt”, janë, si më poshtë vijon:

a) Urdhër largimi, nëse në të përcaktohet kufizim lidhur me ndalimin e hyrjes;
b) Urdhër dëbimi nga autoriteti përgjegjës vendor për kufirin dhe migracionin;
c) Urdhër dëbimi nga ministri i Brendshëm, si pasojë e shpalljes të të huajit person i padëshiruar.

2. Masat administrative, të parashikuara në nenin 141, të ligjit nr.79/2021, “Për të huajt”, vendosen nga autoriteti shtetëror përgjegjës vendor, sipas formatit të aktit administrativ, të parashikuar në aneksin nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
3. Ngarkohen Ministria e Brendshme dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES NDËRQEVERITARE, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS ITALIANE, TË PËRFAQËSUAR NGA MINISTRIA E PUNËVE TË JASHTME DHE BASHKËPUNIMIT NDËRKOMBËTAR, NË LIDHJE ME NJË HUA KONCESIONARE PËR “MBËSHTETJE PËR NGRITJEN E SISTEMIT TË MBROJTJES CIVILE NË SHQIPËRI”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 10 e 11, pika 2, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Miratimin, në parim, të marrëveshjes ndërqeveritare, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Italiane, të përfaqësuar nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar, në lidhje me një hua koncesionare për “Mbështetje për ngritjen e sistemit të mbrojtjes civile në Shqipëri”, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

2. Vendimi nr.829, datë 19.12.2022, i Këshillit të Ministrave, “Për miratimin, në parim, të marrëveshjes ndërqeveritare, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Italiane, përfaqësuar nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar, në lidhje me një hua koncesionare për “Mbështetje për ngritjen e sistemit të mbrojtjes civile në Shqipëri””, shfuqizohet.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES SË FINANCIMIT, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, PËRFAQËSUAR NGA KËSHILLI I MINISTRAVE I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, DHE KOMISIONIT EVROPIAN, NË LIDHJE ME PROGRAMIN VJETOR KOMBËTAR PËR SHQIPËRINË, PËR VITIN 2022, NË KUADËR TË INSTRUMENTIT TË ASISTENCËS SË PARAANËTARËSIMIT (IPA III)

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin, në parim, të marrëveshjes së financimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë, dhe Komisionit Evropian, në lidhje me programin vjetor kombëtar për Shqipërinë, për vitin 2022, në kuadër të Instrumentit të Asistencës së Paraanëtarësimit (IPA III), sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU

***

V E N D I M
PËR

PJESËMARRJEN E PERSONELIT TË FORCAVE TË ARMATOSURA TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË NË OPERACIONIN E NATO-S “FOCOPS”, NË DETIN MESDHE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 1, të nenit 7, të ligjit nr.9363, datë 24.3.2005, “Për dërgimin e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë jashtë vendit, si dhe për mënyrën e procedurat e vendosjes dhe kalimit të forcave ushtarake të huaja në territorin e Republikës së Shqipërisë”, dhe të shkronjës “ç”, të nenit 11, të ligjit nr.64/2014, “Për pushtetet dhe autoritetet e drejtimit e të komandimit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Dërgimin e 1 (një) anijeje të klasit “Iliria”, e kompletuar me efektivë, të përbërë nga 21 (njëzet e një) ushtarakë të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, në operacionin e NATO-s “FOCOPS”, pjesë e operacionit “Sea Guardian”, në Detin Mesdhe.

2. Misioni i anijes është kryerja e detyrave të patrullimit, zbulimit detar, dhënies së ndihmës, njohjes së situatës detare, identifikimit, verifikimit, ndalimit të objekteve detare, në përbërje të grupit të gatshëm të anijeve të NATO-s, Standing NATO Maritime Group-2 (SNMG2), në detin Adriatik dhe në detin Jon (Deti Mesdhe), në kuadër të operacionit të NATOS-s, “Sea Guardian”, në Detin Mesdhe.

3. Komandimi operacional i anijes gjatë periudhës së angazhimit në operacion kryhet nga komandanti i grupit të gatshëm të anijeve të NATO-s, SNMG2. Për çdo rast, anija ruan varësinë në nivelin kombëtar, duke raportuar në mënyrë periodike për mbarëvajtjen e operacionit.

4. Kohëzgjatja e këtij operacioni është deri në 20 (njëzet) ditë, afat i cili fillon të llogaritet nga data e dërgimit të anijes në operacion.

5. Ministria e Mbrojtjes përballon shpenzimet për personelin pjesëmarrës në këtë operacion dhe për anijen, për:

a) dieta për ditët e qëndrimit, në masën 12 000 (dymbëdhjetë mijë) lekë në ditë, përveç pagës mujore;
b) sigurimin e jetës;
c) ushqim;
ç) sigurimin e anijes;
d) siguracion shëndetësor jashtë zonës së operacionit;
dh) mbështetje shëndetësore;
e) shpenzime për telefon, internet dhe shërbime postare;
ë) karburant, lubrifikante;
f) transport personeli për në zonën e operacionit;
g) aktivitete social – kulturore në rastet e festave kombëtare, gjatë kohës së kryerjes së operacionit;
gj) transportimin e individëve të shkëputur nga operacioni për në atdhe, në rast vdekjeje, sëmundjeje ose thyerjeje disipline;
h) taksa portuale, shërbime portuale dhe të kalimit nëpër ngushtica;
i) riparim të nivelit të dytë pas kthimit nga operacioni;
j) çdo shpenzim tjetër për mbarëvajtjen e kryerjes së operacionit.

6. Transporti i personelit të anijes që merr pjesë në operacion, ndërsa nis, ndryshon dhe përfundon detyrën, për t’u kthyer në Shqipëri, mbështetja shëndetësore, akomodimi, ushqimi, lavanderia, transporti i individëve të shkëputur të operacionit për në atdhe, në rast vdekjeje, sëmundjeje ose thyerjeje disipline përballohen nga pala shqiptare, përveç rasteve kur arrihet nënshkrimi i marrëveshjeve dypalëshe, ku pala tjetër merr përsipër këto shpenzime.

7. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, përballohen nga fondet e miratuara në buxhetin e Ministrisë së Mbrojtjes.

8. Ngarkohet ministri i Mbrojtjes për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU

***

V E N D I M
PËR

SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “KRIJIM HAPËSIRE REKREATIVE NË ZONËN E LIQENIT ARTIFICIAL TË QYTETIT BALLSH, BASHKIA MALLAKASTËR”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga projekti “Krijim hapësire rekreative në zonën e liqenit artificial të qytetit Ballsh, Bashkia Mallakastër”.

2. Shpronësimi bëhet në favor të Bashkisë Mallakastër.

3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, që paraqitet në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, për pasuritë e llojit “arë”, me një vlerë të përgjithshme prej 405 900 (katërqind e pesë mijë e nëntëqind) lekësh.

4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 405 900 (katërqind e pesë mijë e nëntëqind) lekësh, përballohet nga buxheti i Bashkisë Mallakastër.

5. Vlera e shpenzimeve procedurale, në masën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, përballohet nga buxheti i Bashkisë Mallakastër.

6. Shpronësimi fillon menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit është brenda 3 (muajve) muajve nga data e hyrjes në fuqi të tij.

7. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, të pasqyruar në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, kompensohen për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim pranë Bashkisë Mallakastër.

8. Bashkia Mallakastër kryen procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.

9. Afati i fillimit dhe i përfundimit të punimeve është në përputhje me afatet e parashikuara nga Bashkia Mallakastër.

10. Agjencia Shtetërore e Kadastrës pezullon të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara, deri në momentin e realizimit të procesit të hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale dhe regjistrimin e kalimit të pronësisë në favor të Bashkisë Mallakastër për pasuritë e shpronësuara, sipas këtij vendimi.

11. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Fier, Zyra Vendore Mallakastër, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, nis procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe regjistrimit të kalimit të pronësisë në favor të Bashkisë Mallakastër për pasuritë e shpronësuara, sipas këtij vendimi.

12. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Bashkia Mallakastër, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Fier, Zyra Vendore Mallakastër, Agjencia Shtetërore për Shpronësimin dhe Drejtoria e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës pranë Këshillit të Qarkut Fier për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU

***

V E N D I M
PËR

SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURISË SË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKET NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “ZGJERIMI I VARREZAVE PUBLIKE “BURDULLIAS”, BASHKIA BERAT”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Shpronësimin, për interes publik, të bashkëpronarëve të pasurisë së paluajtshme, pronë private, që preket nga realizimi i projektit “Zgjerimi i varrezave publike “Burdullias”, Bashkia Berat”.

2. Shpronësimi bëhet në favor të Bashkisë Berat.

3. Bashkëpronarët e pasurisë së paluajtshme, pronë private, që shpronësohet, kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, që paraqitet në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, për pasurinë e llojit “arë”, me një vlerë të përgjithshme prej 491 260 (katërqind e nëntëdhjetë e një mijë e dyqind e gjashtëdhjetë) lekësh.

4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 491 260 (katërqind e nëntëdhjetë e një mijë e dyqind e gjashtëdhjetë) lekësh, përballohet nga Bashkia Berat.

5. Vlera e shpenzimeve procedurale, në masën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, përballohet nga Bashkia Berat.

6. Shpronësimi fillon menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit është brenda 3 (tre) muajve nga data e hyrjes në fuqi të tij.

7. Bashkëpronarët e pasurisë së paluajtshme, pronë private, të pasqyruar në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, kompensohen për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim pranë Bashkisë Berat.

8. Bashkia Berat kryen procedurat për likuidimin e bashkëpronarëve të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.

9. Afati i fillimit dhe i përfundimit të punimeve është në përputhje me afatet e parashikuara nga Bashkia Berat.

10. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Berat, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, nis procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe regjistron kalimin e pronësisë për pasurinë e shpronësuar në favor të Bashkisë Berat, sipas këtij vendimi.

11. Agjencia Shtetërore e Kadastrës pezullon të gjitha transaksionet me pasurinë e shpronësuar, deri në momentin e realizimit të procesit të hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale dhe regjistrimit të kalimit të pronësisë në favor të Bashkisë Berat për pasurinë e shpronësuar, sipas këtij vendimi.

12. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Bashkia Berat, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Berat, Drejtoria e Administrimit dhe e Mbrojtjes së Tokës pranë Këshillit të Qarkut Berat dhe Agjencia Shtetërore për Shpronësimin për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E STRATEGJISË KOMBËTARE PËR ZHVILLIM DHE INTEGRIM EVROPIAN 2022 – 2030

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Miratimin e Strategjisë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim Evropian 2022 – 2030, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

2. Ngarkohen të gjitha ministritë dhe institucionet qendrore, të përmendura në strategji, për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E STRATEGJISË KOMBËTARE PËR ZVOGËLIMIN E RISKUT NGA FATKEQËSITË 2023-2030 DHE PLANIT TË VEPRIMIT

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 10, të ligjit nr.45/2019, “Për mbrojtjen civile”, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Miratimin e Strategjisë Kombëtare për Zvogëlimin e Riskut nga Fatkeqësitë 2023-2030 dhe të planit të saj të veprimit, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

2. Ngarkohen të gjitha ministritë dhe institucionet përgjegjëse për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU

***

V E N D I M
PËR

TRANSFERIMIN NË PRONËSI TË BASHKISË FIER, PËR NJËSINË ADMINISTRATIVE FIER, TË NJË PJESE TË TRUALLIT TË PASURISË NR.3/656, ZONA KADASTRALE 8532, PËR NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.915, DATË 11.11.2015, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, TË NDRYSHUAR, DHE PËR NJË SHTESË NË VENDIMIN NR.574, DATË 28.5.2009, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 3, shkronja “f”, 5, 7 e 8, të ligjit nr.8744, datë 22.2.2001, “Për transferimin e pronave të paluajtshme publike të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Transferimin në pronësi të Bashkisë Fier, për njësinë administrative Fier, të një pjese të truallit të pasurisë nr.3/656, zona kadastrale 8532, me sipërfaqe 1 422 (një mijë e katërqind e njëzet e dy) m2, sipas formularit dhe planit të rilevimit bashkëlidhur këtij vendimi, me qëllim për t’u përdorur në fushën e transportit vendor.

2. Në pikën 1, të tabelës nr.2, që i bashkëlidhet vendimit nr.915, datë 11.11.2025, të Këshillit të Ministrave, “Për transferimin në pronësi, nga këshillat e qarqeve te bashkitë, të rrjetit të rrugëve rurale dhe të aseteve të luajtshme e të paluajtshme të ndërmarrjeve të mirëmbajtjes së këtyre rrugëve”, të ndryshuar, të dhënat e objekteve të pronës, me emërtimin “Ndërmarrja e Mirëmbajtjes së Rrugëve Rurale të Qarkut Fier”, të ndodhura mbi pasurinë nr.3/656, zona kadastrale 8532, ndryshojnë sipas formularit, planimetrive dhe planit të rilevimit, që i bashkëlidhen këtij vendimi.
3. Pasuria e përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, i shtohet listës së inventarit që i bashkëlidhet vendimit nr.574, datë 28.5.2009, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës përfundimtare të pronave të paluajtshme publike, shtetërore që transferohen, në pronësi ose në përdorim, të Bashkisë Fier, të Qarkut të Fierit”, të ndryshuar.

4. Bashkisë Fier i ndalohet ndryshimi i destinacionit, tjetërsimi dhe dhënia në përdorim te të tretët i pasurive të përcaktuara në pikat 1 dhe 2, të këtij vendimi.

5. Ngarkohen Bashkia Fier dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU

***

V E N D I M
PËR

TRANSFERIMIN NË PRONËSI TË BASHKISË MAT TË NJË PJESE TË PASURISË 638/5, ME VENDNDODHJE NË ZONËN KADASTRALE 1325, NJËSIA ADMINISTRATIVE KOMSI DHE PËR NJË SHTESË NË VENDIMIN NR.698, DATË 16.8.2013, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 3, shkronja “gj”, 5, 7 e 8, të ligjit nr.8744, datë 22.2.2001, “Për transferimin e pronave të paluajtshme publike të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Transferimin në pronësi të Bashkisë Mat të një pjese të pasurisë 638/5, me vendndodhje në zonën kadastrale 1325, njësia administrative Komsi, sipas formularit dhe planit të rilevimit, që i bashkëlidhen këtij vendimi, me qëllim për t’u përdorur në fushën e shërbimeve funerale.

2. Pasuria e përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, i shtohet listës së inventarit, që i bashkëlidhet vendimit nr.698, datë 16.8.2013, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës përfundimtare të pronave të paluajtshme publike, shtetërore, që transferohen në pronësi ose në përdorim të komunës Komsi, të Qarkut të Dibrës”.

3. Bashkisë Mat i ndalohet të ndryshojë destinacionin e përdorimit të pasurisë së përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, ta tjetërsojë ose t’ua japë në përdorim të tretëve.

4. Ngarkohen Bashkia Mat dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU 

 

 

*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.
Previous Fuqizim i nënave me shumë fëmijë, Manastirliu: Mbi 5200 gra kanë përfituar subvencionim të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për janarin