Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 24 Mars 2023 - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 24 Mars 2023

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 24 Mars 2023:

 

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E KALENDARIT TË MENAXHIMIT TË SHPENZIMEVE PUBLIKE PËR VITIN 2023

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 22, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Miratimin e kalendarit të menaxhimit të shpenzimeve publike për vitin 2023, sipas lidhjes nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

2. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Agjencia Shtetërore e Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës (SASPAC) si dhe të gjitha njësitë e qeverisjes së përgjithshme për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe i shtrin efektet nga data 1 janar 2023.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU

***

V E N D I M
PËR

KALIMIN TE BASHKIA DURRËS TË OBJEKTIT ARSIMOR, SHKOLLA 9-VJEÇARE DHE KOPSHTI “QEMAL MICI”, BASHKIA DURRËS

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 6, të nenit 21, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Kalimin te Bashkia Durrës të objektit arsimor, shkolla 9-vjeçare dhe kopshti “Qemal Mici”, Bashkia Durrës, sipas listës së inventarit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

2. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe Bashkia Durrës për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E MARRËVESHJES SË FINANCIMIT, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, PËRFAQËSUAR NGA KËSHILLI I MINISTRAVE I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, DHE KOMISIONIT EVROPIAN, NË LIDHJE ME PROGRAMIN VJETOR KOMBËTAR PËR SHQIPËRINË, PËR VITIN 2022, NË KUADËR TË INSTRUMENTIT TË ASISTENCËS SË PARAANËTARËSIMIT (IPA III)

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 19, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin e marrëveshjes së financimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë, dhe Komisionit Evropian, në lidhje me Programin Vjetor Kombëtar për Shqipërinë, për vitin 2022, në kuadër të Instrumentit të Asistencës së Paraanëtarësimit (IPA III), sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E MARRËVESHJES SË FINANCIMIT, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, PËRFAQËSUAR NGA KËSHILLI I MINISTRAVE I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, DHE KOMISIONIT EVROPIAN, NË LIDHJE ME PROGRAMIN VJETOR KOMBËTAR PËR SHQIPËRINË PËR VITIN 2023, NË KUADËR TË INSTRUMENTIT TË ASISTENCËS SË PARAANËTARËSIMIT (IPA III)

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 19, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin e marrëveshjes së financimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë, dhe Komisionit Evropian, në lidhje me Programin Vjetor Kombëtar për Shqipërinë për vitin 2023, në kuadër të Instrumentit të Asistencës së Paraanëtarësimit IPA III, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E MARRËVESHJES SË GRANTIT PËR PROGRAMIN KOMBËTAR TË MODERNIZIMIT TË SEKTORIT TË UJËSJELLËS-KANALIZIMEVE NË SHQIPËRI, NGA FONDI I MIRËBESIMIT ME NJË DONATOR, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE BANKËS NDËRKOMBËTARE PËR RINDËRTIM DHE ZHVILLIM, QË VEPRON SI ADMINISTRATORE E PROGRAMIT KOMBËTAR TË MODERNIZIMIT TË SEKTORIT TË UJËSJELLËS-KANALIZIMEVE NË SHQIPËRI, NGA FONDI I MIRËBESIMIT ME NJË DONATOR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 19, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin e marrëveshjes së grantit për Programin Kombëtar të Modernizimit të Sektorit të Ujësjellës-Kanalizimeve në Shqipëri, nga Fondi i Mirëbesimit me një Donator, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, që vepron si administratore e Programit Kombëtar të Modernizimit të Sektorit të Ujësjellës-Kanalizimeve në Shqipëri, nga Fondi i Mirëbesimit me një Donator, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU

***

V E N D I M
PËR

DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.752, DATË 19.12.2018, TË KËSHILLIT MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E RREGULLORES SË ORGANIZIMIT, FUNKSIONIMIT DHE PËRCAKTIMIT TË MASËS SË SHPËRBLIMIT TË ANËTARËVE TË BORDIT TË APELIT TË DREJTORISË SË PËRGJITHSHME TË PRONËSISË INDUSTRIALE”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikave 5 e 7, të nenit 193/b, të ligjit nr.9947, datë 7.7.2008, “Për pronësinë industriale”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Në rregulloren e organizimit, funksionimit dhe përcaktimit të masës së shpërblimit të anëtarëve të Bordit të Apelit të Drejtorisë së Përgjithshme të Pronësisë Industriale, që i bashkëlidhet vendimit nr.752, datë 19.12.2018, të Këshillit Ministrave, bëhen këto ndryshime:

1. Në nenin 2 bëhen këto ndryshime:

a) Pika 1 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“1. Bordi i Apelit përbëhet nga 5 anëtarë, nga të cilët 2 janë punonjës të DPPI-së dhe 3 anëtarë të jashtëm të fushës së PI-së, të cilët plotësojnë kushtet për ekspertë të PI-së.”;

b) Në fjalinë e parë, të pikës 3, numri “2” zëvendësohet me “3”;
c) Në pikën 4, numri “… dy …” zëvendësohet “ … tre …”.

2. Pika 6, e nenit 4 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“6. Kryetari i Bordit të Apelit cakton një anëtar të Bordit të Apelit, që brenda 10 (dhjetë) ditëve nga marrja e vendimit, të përgatisë vendimin e arsyetuar, një kopje e të cilit i dorëzohet sekretarit teknik nëpërmjet zyrës së protokollit për t’ia bashkëlidhur dosjes së çështjes.”.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU

***

V E N D I M
PËR

SHKARKIMIN NGA DETYRA TË KRYETARIT TË BASHKISË BULQIZË, Z. LEFTER ALLA

Në mbështetje të neneve 100 e 115, pika 1, të Kushtetutës, dhe të shkronjës “a”, të nenit 62, të ligjit nr.139/2015, “Për vetëqeverisjen vendore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Shkarkimin nga detyra, për shkak të shkeljeve të rënda, të kryetarit të Bashkisë Bulqizë, z. Lefter Alla.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E STRATEGJISË KOMBËTARE TË PUNËSIMIT DHE AFTËSIVE 2023-2030, PLANIT TË VEPRIMIT PËR ZBATIMIN E SAJ, SI DHE PLANIT TË ZBATIMIT TË GARANCISË RINORE 2023-2024

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Miratimin e Strategjisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive 2023-2030, planit të veprimit për zbatimin e saj, si dhe planit të zbatimit të garancisë rinore 2023-2024, sipas teksteve që i bashkëlidhen këtij vendimi.

2. Vendimi nr.659, datë 10.10.2019, “Për miratimin e Strategjisë Kombëtare për Punësim dhe Aftësi 2019–2022 dhe të planit të veprimit për zbatimin e saj”, të ndryshuar, shfuqizohet.

3. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive, Agjencia Kombëtare për Arsimin, Formimin Profesional dhe Kualifikimet dhe Inspektorati Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore për ndjekjen dhe zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU

***

V E N D I M
PËR

PËRCAKTIMIN E FORMAVE TË MBËSHTETJES NËPËRMJET SUBVENCIONIT PËR NDËRMARRJET SOCIALE, PËR PERIUDHËN 2023-2025

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 26, të ligjit nr.65/2016, “Për ndërmarrjet sociale në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Krijimin e fondit në mbështetje të ndërmarrjeve sociale, të njohura si të tilla nga ministri përgjegjës për çështjet sociale, me vlerë të përgjithshme prej 240 000 000 (dyqind e dyzet milionë) lekësh, për periudhën 2023-2025, sipas produktit përkatës të parashikuar në Programin Buxhetor Afatmesëm “Përkujdesi social”.

2. Format e mbështetjes së ndërmarrjeve sociale nëpërmjet subvencionit janë:

a) mbështetja e hapjeve të vendeve të reja të punës, në pagesën e pagës minimale të punonjësve të ndërmarrjeve sociale, që i përkasin grupeve të pafavorizuara;
b) mbështetja në pagesën e sigurimeve të detyrueshme shoqërore dhe shëndetësore të punonjësve të ndërmarrjeve sociale, që i përkasin grupeve të pafavorizuara.

3. Ndërmarrjet sociale që përfitojnë subvencione për krijimin e vendeve të reja të punës duhet të kenë:

a) një projektpropozim, shoqëruar me planbiznesin 3-vjeçar;
b) dokument që vërteton rritjen e numrit të të punësuarve, me përfaqësues nga grupet e pafavorizuara, të evidentuar në programet e mbrojtjes sociale dhe të punësimit, sipas legjislacionit në fuqi.

4. Kërkesa me shkrim shoqërohet dhe me dokumentacione të tjera shtesë, si më poshtë vijon:

a) Ekstraktin historik të kompanisë, të lëshuar nga Qendra Kombëtare e Biznesit;
b) Kopje të pasqyrave financiare të vitit paraardhës, në rast se organizata e ushtron aktivitetin prej më shumë se një viti dhe formularët e deklarimeve dhe pagesave për personat fizikë;
c) Vërtetimin nga dega e tatimtaksave për shlyerjen e detyrimeve tatimore, për aq kohë sa ushtron veprimtarinë, por jo më gjatë se për një periudhe kohore njëvjeçare nga çasti i aplikimit;
ç) Informacionin për numrin e të punësuarve dhe nivelin e pagës së dhënë për çdo person;
d) Vërtetimin për kontributet e sigurimeve shoqërore e shëndetësore për tatimpaguesit të specifikuar për tre muajt e fundit;
dh) një kopje të aktit të inspektimit në punë, në rast se organizata ka ushtruar më parë aktivitetin e saj.

5. Një ndërmarrje sociale mund të përfitojë subvencion për hapjen e deri 20 (njëzet) vendeve të reja të punës, ku përfshihen pagesat e pagës minimale për punëmarrësit, për një periudhë 3-vjeçare.

6. Financimi i dy formave të subvencioneve, të përcaktuara në pikën 2, të këtij vendimi, të pagës minimale dhe i sigurimeve të detyrueshme shoqërore dhe shëndetësore të punëdhënësit dhe punëmarrësit, sipas përcaktimeve të legjislacionit në fuqi, bëhet në masën 100%, kundrejt paraqitjes së listëpagesave të punonjësve pranë Shërbimit Social Shtetëror.

7. Ndërmarrjet sociale që paraqesin kërkesë për mbështetjen nga format e subvencioneve, të përcaktuara në pikën 2, të këtij vendimi, duhet të plotësojnë këto kushte:
a) Nuk duhet të kenë shkelur legjislacionin e punës dhe atë tatimor, lidhur me detyrimet ndaj punëmarrësve;
b) Kohëzgjatja e kontratës për të punësuarit nga kategoritë e grupeve të pafavorizuara të jetë jo më pak se 3 (tre) vjet, duke garantuar qëndrueshmëri në vitet në vijim;
c) Jo më pak se 50% e të punësuarve të jenë pjesë e programit të daljes nga skema e ndihmës ekonomike.

8. Subvencionimi i ndërmarrjeve sociale në një nga format e përcaktuara në këtë vendim nuk kushtëzon të drejtën e tyre për të përfituar nga forma të tjera të mbështetjes së ndihmës shtetërore, të përcaktuara sipas legjislacionit në fuqi.

9. Përjashtohen nga përfitimi i subvencionit të ndërmarrjeve sociale ato organizata jofitimprurëse, që kanë përfituar në 3 vitet e fundit nga programi i mbështetjes financiare të buxhetit të shtetit, fondi social.

10. Vlera totale e ndihmës së dhënë një ndërmarrjeje sociale, e siguruar nga të gjitha format e mbështetjes së ndihmës shtetërore, përfshirë dhe format e mbështetjes nga buxheti i shtetit, të përcaktuara në pikën 2, të këtij vendimi, nuk do të kalojë shumën 14 000 000 (katërmbëdhjetë milionë) lekë, për një periudhë prej 3 vitesh.

11. Ndërmarrja sociale, përfituese e formave të subvencioneve, të përcaktuara në pikën 2, të këtij vendimi, plotëson deklaratën për çdo ndihmë “de minimis”, të miratuar nga Komisioni i Ndihmës Shtetërore, të përfituar gjatë dy viteve të kaluara dhe vitin financiar në vazhdim.

12. Ministri përgjegjës për çështjet sociale ngre komisionin vlerësues të kërkesave të ndërmarrjeve sociale për përfitimin e subvencioneve dhe përcakton përbërjen, rregullat e organizimit e funksionimit të tij.

13. Ndërmarrjet sociale, që përfitojnë subvencione, raportojnë pranë ministrisë përgjegjëse për çështjet sociale lidhur me përdorimin e subvencionit të përfituar, sipas formatit të raportimit, të miratuar me udhëzim të ministrit përgjegjës për çështjet sociale.

14. Periudha e raportimit të veprimtarisë është viti kalendarik, i cili është në përputhje me vitin financiar të ushtrimit të veprimtarisë së saj.

15. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, përballohen nga buxheti i miratuar për ministrinë për çështjet sociale, sipas produktit përkatës të parashikuar në Programin Buxhetor Afatmesëm “Përkujdesi social”.
16. Ngarkohen ministri përgjegjës për çështjet sociale dhe Shërbimi Social Shtetëror për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E VLERËSIMIT TË RISKUT NGA FATKEQËSITË NË NIVEL QENDROR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3, të nenit 9, të ligjit nr.45/2019, “Për mbrojtjen civile”, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Miratimin e vlerësimit të riskut nga fatkeqësitë në nivel qendror, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

2. Ngarkohen të gjitha ministritë dhe institucionet përgjegjëse për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
BELINDA BALLUKU 

 

 

*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.
Previous Ministrja Xhaçka pret Sekretaren e Përgjithshme të OSBE: Një partner i besuar dhe i rëndësishëm për Shqipërinë