Ministrja Ibrahimaj komunikon vendimet e miratuara nga Këshilli i Ministrave, të propozuara nga MFE - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Ministrja Ibrahimaj komunikon vendimet e miratuara nga Këshilli i Ministrave, të propozuara nga MFE

Këshilli i Ministrave miratoi në mbledhjen e sotme katër vendime të rëndësishme, të cilat ishin propozuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë. Në komunikimin me mediat pas mbledhjes së qeverisë, Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, informoi mbi miratimin dhe detajet e këtyre akteve.

Kështu, qeveria miratoi Aktin Normativ Për disa shtesa në ligjin nr. 29/2023, “Për tatimin mbi të ardhurat”, përmes të cilit Ministria e Financave dhe Ekonomisë i vjen në ndihmë bizneseve eksportuese, veprimtaria e të cilëve është prekur nga lëvizjet e kursit të këmbimit në muajt e fundit, ku monedha Lek është forcuar ndaj Euros.

“Subjektet që eksportojnë mbi 70% të produkteve të tyre nuk do të parapaguajnë këstet e të tatim fitimit, por do të paguajnë vetëm gjatë vitit të ardhshëm, në bazë të bilancit të tyre, pra nëse do dalin mbi fitim do të paguajnë tatimin mbi fitimin dhe nëse do të dalin me humbje nuk do të kenë për të paguar detyrim. Kjo është një masë që vjen si mbështetje për efekt të mungesave në likuiditet që bizneset kanë, shkaktuar nga forcimi i lekut në tregun valutor, kryesisht ndaj euros që është monedha me të cilën kryhen më së shumti shkëmbimet tregtare”, tha Ibrahimaj.

Vendimi i dytë që miratoi Këshilli i Ministrave është ai që parashikon rimbursimin e plotë të akcizës së paguar për “Gazet e naftës dhe hidrokarbure të tjera gazoike”.  Lidhur me këtë vendim, Ministrja Ibrahimaj u shpreh se ai i vjen në ndihmë bizneseve që operojnë në sektorin prodhues, të cilët së fundmi kanë nisur të përdorin gazin e lëngshëm, si një masë më miqësore me ambientin.

Vendimi i tretë i miratuar nga Këshilli i Ministrave lidhet me Bordin e Transparencës së çmimeve të hidrokarbureve. Ministrja Informoi se qeveria vendosi shfuqizimin e Bordit të Transparencës, bazuar në stabilizimin e çmimeve të vërejtura në muajt e fundit në treg.  “Në tremujorin e parë të këtij viti ne kemi ndjekur me vëmendje të veçantë zhvillimet në tregun e bursës së hidrokarbureve dhe mund të themi se tregjet janë stabilizuar në çmimet që ishin para krizës”, u shpreh Ministrja mbi këtë vendim, ndërsa theksoi se qëllimi i funksionimit të Bordit ishte monitorimi dhe limitimi sa më shumë të ishte e mundur i spekulimeve që mund të bëheshin me çmimet e hidrokarbureve.

Një tjetër vendim i miratuar në mbledhjen e sotme nga Këshilli i Ministrave ishte dhe marrëveshjes në fushën e sigurimeve shoqërore me Kroacinë, nga e cila parashikohet të përfitojnë rreth 42000 të punësuar në të dy vendet.

Fjala e Ministres Ibrahimaj pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave:

Mirëdita të gjithëve,

Sapo mbaroi mbledhja e Këshillit të Ministrave, ku MFE propozoi dhe u miratuan një sërë vendimesh, të cilat do t’i kategorizoja si shumë të rëndësishme.

Në radhë të parë ne miratuam një Akt Normativ, i cili parashikon një ndryshim në ligjin e Tatimit mbi të ardhurat. Është një ndryshim të cilin e kemi anonçuar edhe më parë dhe ka ardhur si pasojë e situatës së krijuar nga zhvlerësimi i euros ndaj lekut dhe situatës së krijuar për disa kategori biznesesh që preken më së shumti nga ky zhvlerësim, pra nga forcimi i lekut. Kategoria e bizneseve që preket nga kjo dukuri, e cila e analizuar nga MFE dhe BSH është një dukuri që vjen nga zhvillimet ekonomike të njëpasnjëshme prej disa vitesh tashmë, është ajo e eksportuesve dhe kryesisht ata që punojnë me kontrata porositëse.

Gjatë muajit të kaluar, MFE në bashkëpunim me BSH ka pasur disa takime me shoqata të eksportuesve në disa sektorë, qoftë të fasonëve apo të turizmit, ku janë diskutuar ndërhyrjet potenciale që mund të zbatohen për shkak të situatës dhe për t’i ardhur në ndihmë këtyre kategorive biznesesh. Ajo që ka ndodhur është se, ato biznese që punojnë me kontrata porositëse, të cilat kanë çmime të fiksuara paraprakisht në euro, tashmë gjenden në një situatë ku shpenzimet i kanë në lek, ndërkohë që të ardhurat i kanë në euro dhe kanë pamundësi për të rishikuar kontratat e tyre në bazë diferencave të kursit të këmbimit.

Një nga masat që u vendoset se do të merret është pikërisht shtyrja e afatit të kësteve të tatimit mbi fitimin për të gjithë periudhën deri në mars të vitit të ardhshëm, kur bizneset mbyllin bilancet e tyre dhe deklarojnë fitimin apo humbjen në vitin paraardhës. Pra, subjektet të cilët janë eksportuese të cilët eksportojnë mbi 70% të produkteve të tyre, nuk do të parapaguajnë këstet e të tatim fitimit por do të paguajnë vetëm gjatë vitit  të ardhshëm, në bazë të bilancit të tyre, pra nëse do dalin mbi fitim do të paguajnë tatimin mbi fitimin dhe nëse do të dalin me humbje nuk do të kenë për të paguar detyrim. Kjo është një masë që vjen si mbështetje për efekt të mungesave në likuiditet që bizneset kanë, shkaktuar nga forcimi i lekut në tregun valutor, kryesisht ndaj euros që është monedha me të cilën kryhen më së shumti shkëmbimet tregtare.

Janë edhe disa masa të tjera të cilat janë rakorduar dhe nuk kanë nevojë për ndërhyrje ligjore. Një prej masave lidhet me rimbursimin e TVSH, që është detyrim ligjor që për kategorinë e eksportuesve të jepet brenda një afati 30 ditor. Tashmë ky rimbursim do të jepet brenda një afati shumë më të shkurtër.

Nga ana tjetër, me bankat e nivelit të dytë jemi në diskutim me qëllim që ato të ofrojnë produkte ku bizneset të mund të fiksojnë kursin e këmbimit për kontratat që i vendosin një vit më përpara.

Siç e kam thënë edhe më parë, çështja e kursit të këmbimit është një çështje e cila ka ardhur gradualisht. Ne që nga viti 2016 kemi pasur një forcim relativ të lekut kundrejt euros dhe zhvillimet e viteve të fundit në ekonominë shqiptare, të lidhura kryesisht me sektorin e turizmit dhe me eksportin e shërbimeve, pra me hyrjen e më shumë eurove si pasojë e numrit të madh të turistëve dhe nga zhvillimi i këtij sektorit, kanë ndikuar në kursin e këmbimit. Gjithashtu, vlera e lartë e investimeve të huaja direkte, të cilat lidhen gjithashtu me zhvillimet ekonomike të vendit, ka sjellë hyrje të valutës dhe ka shkaktuar forcimin e lekut kundrejt euros. Kjo është një dukuri e cila nuk është një dukuri shqiptare, por është një dukuri që ka ndodhur në të gjitha vendet që kanë qenë në këtë fazë të zhvillimit të tyre ekonomik dhe ne e konsiderojmë si një dukuri që ka ardhur si pasojë e rritjes së potencialit dhe kapacitetit ekonomik të vendit. Megjithatë, MFE, në bashkëpunim me BSH dhe me bizneset është duke monitoruar situatën me qëllim që të përkrahë të gjithë ato biznese që nuk përfitojnë nga zhvillimet e kursit të këmbimit.

2- Sot miratuam një vendim të Këshillit të Ministrave, i cili parashikon rimbursimin plotësisht të akcizës së paguar për “Gazet e naftës dhe hidrokarbure të tjera gazoike”. Për sektorët industrialë, agroindustrialë apo prodhimin e serave, pocedurat doganore parashikojnë rimbursimin e hidrokarburave, pra të gazoilit, të mazutit, i cili përdorej për ngrohje apo për procese industriale. Gjatë viteve të fundit shumë kompani, duke dashur dhe të mbrojnë ambientin e të shkëputen nga përdorimi i atyre produkteve që kanë emetim të lartë të karbonit, kanë filluar të përdorin gazin dhe kjo është arsyeja që ne në vendimin e Këshillit të Ministrave, në zbatim të ligjit, kemi përfshirë dhe rimbursimin e plotë të gazit, për këto procese teknologjike që unë përmenda. Kjo është një masë që i vjen në ndihmë bizneseve që operojnë në sektorin prodhues.

3- Një tjetër vendim i rëndësishëm që miratuam sot është ai që lidhet me një çështje shumë të diskutuar edhe gjatë vitit të kaluar. Vitin e kaluar, me fillimin e krizës së çmimeve, qeveria shqiptare, me propozim të Ministrit të Financave dhe Ekonomisë dhe Ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, ngriti një Bord të Transparencës për kontrollin, monitorimin dhe transparencën e çmimeve në tregun e hidrokarbureve. Që prej asaj kohe çmimet kanë pasur luhatje të ndryshme. Ju të gjithë e dini se çmimet e hidrokarbureve gjatë vitit të kaluar, ato të naftës, të benzinës dhe të gazit, kanë pasur luhatje të mëdha dhe kanë qenë ndjeshëm mbi normat e tyre historike. Kjo ishte arsyeja pse ne vendosëm që të përcaktojmë nëpërmjet një akti normativ disa marzhe fitimi, të cilat nuk mund të ndryshonin, me qëllim limitimin sa më shumë të ishte e mundur të efektit të spekulimeve me çmimet e hidrokarbureve, në mënyrë që qytetarët të paguanin atë që realisht ishte për tu paguar dhe të limitonim abuzimin që mund të bënin kompanitë e tregtimit. Ne kemi bërë mbledhje sa herë që ka pasur ndryshimeve të qenësishme të çmimeve në bursën e hidrokarbureve dhe bazuar në çmimet e bursës, sipas një metodologjie të përcaktuar, përcaktoheshin dhe çmimet e tregtimit për konsumatorët, si ato të tregtimit me shumicë, ashtu edhe ato me pakicë.

Në tremujorin e parë të këtij viti ne kemi ndjekur me vëmendje të veçantë zhvillimet në tregun e bursës së hidrokarbureve dhe mund të themi se tregjet janë stabilizuar në çmimet që ishin para krizës, pra tremujori i tretë dhe i katërt i vitit 2021. Gjithashtu, bazuar edhe në vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila la në fuqi Bordin e Hidrokarbureve, si dhe në stabilizimin e çmimeve, ne sot morëm vendimin për shfuqizimin e Bordit të Hidrokarbureve dhe të situatës së veçantë në këtë treg.

4-Vendimi i katërt dhe gjithashtu i rëndësishëm që u mor sot në mbledhjen  Këshillit të Ministrave ka të bëjë me miratimin e marrëveshjes në fushën e sigurimeve shoqërore me Kroacinë, e cila vjen në vazhdën e marrëveshjeve që MFE është duke lidhur me shumë vende të BE e jo vetëm, me qëllim njohjen e ndërsjellët të viteve të punës dhe të kontributeve të sigurimeve shoqërore. Pritet që nëpërmjet këtij vendimi të përfitojnë rreth 4200 të punësuar në të dy vendet.

Previous Konferenca “Zbatimi i Axhendës së Gjelbër për Prosperitet Ekonomik dhe Shoqëror në Ballkanin Perëndimor”