Kryeministri Edi Rama mikpret Kryeministrin e Hungarisë Viktor Orbán/ Konferencë e përbashkët për shtyp - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kryeministri Edi Rama mikpret Kryeministrin e Hungarisë Viktor Orbán/ Konferencë e përbashkët për shtyp

Kryeministri Edi Rama mikpriti sot Kryeministrin e Hungarisë Viktor Orbán, i cili ndodhet për një vizitë zyrtare në vendin tonë. Kryeministri Rama zhvilloi një takim kokë më kokë me homologun hungarez, që u pasua nga takimi me dy delegacioneve.

Në kuadër të bashkëpunimit mes vendeve, gjatë takimit të sotëm u nënshkruan: Memorandumi i mirëkuptimit ndërmjet Ministrisë për Europën dhe Punët e jashtme të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Hungarisë për zhvillimin e një bashkëpunimi më të madh në fushën e Integrimit Europian, si dhe Memorandumi i Mirëkuptimit për bashkëpunimin në fushën e menaxhimit të ujit ndërmjet Agjencisë së Menaxhimit të Burimeve Ujore të Shqipërisë dhe ministrisë së Brendshme të Hungarisë.

Në përfundim, Kryeministri Rama dhe Kryeministri i Hungarisë Viktor Orbán dhanë një konferencë të përbashkët për shtyp:

 

Kryeministri Edi Rama: I nderuar Kryeministër, Shumë i dashur Viktor! Është një nder dhe një kënaqësi e posaçme, jo thjeshtë sepse duhet thënë për formalitet diplomatik, por sepse vizita e kryeministrit të Hungarisë sot në Tiranë është vizita e një miku të vjetër do thoja dhe të palëkundur të Shqipërisë dhe të shqiptarëve në të gjitha kohët.

Falë kryeministrit Orban dhe përkushtimit të ministrit të Jashtëm dhe të qeverisë së tij ne kemi hyrë në një fazë të re të marrëdhënieve tradicionale miqësore, por tanimë edhe ekonomike mes Shqipërisë dhe Hungarisë dhe kjo vizitë përveçse vizita e një miku të çmuar është dhe një vizitë për të vazhduar në atë rrugë të re bashkëpunimi që hapi një fazë të re pas vizitës së delegacionit tonë kur u ftuam nga kryeministri në Budapest dhe ku u vendosën disa piketa mbi të cilat ne po vazhdojmë të bashkëpunojmë dhe falë të cilave ne po shohim rezultate të prekshme.

Hungaria është një ndër avokatët më të zëshëm të Ballkanit Perëndimor në BE dhe një nga forcat më progresive në raport me zgjerimin e Bashkimit Europian. Hungaria dhe kryeministri Orban në mënyrë të veçantë siç e thashë qysh në fillim, e kanë mbrojtur vijimisht pa kushte procesin e përshpejtimit të integrimit të Ballkanit Perëndimor dhe Shqipërisë në BE.

Nga ana tjetër unë i jam mirënjohës Kryeministrit dhe qeverisë së tij për faktin se kjo mbështetje nuk ka qenë vetëm me fjalë në instancat europiane, por ka qenë një mbështetje e konkretizuar me ekspertizë të vënë në dispozicion për qeverinë tonë në të gjithë aspektet dhe sektorët ku ne kemi kërkuar mbështetje, si dhe në kuadrin e projekteve të binjakëzimit të fondit të Ballkanit Perëndimor.

Ne ndajmë absolutisht të njëjtën bindje me kryeministrin dhe qeverinë e Hungarisë lidhur me interesin e lartë gjeo-strategjik të BE, për integrimin sa më shpejt të Ballkanit Perëndimor dhe personalisht ndihem jashtëzakonisht mirë kur dëgjoj  nga kryeministri Hungarisë atë çfarë në mënyrë të përsëritur jam përpjekur ta them, se Bashkimi Europian ka nevojë për Ballkanin Perëndimor siç ka Ballkani Perëndimor për Bashkimin Europian dhe në këtë aspekt, është me fort rëndësi që ky zë, ky argument të dëgjohet pa ngurrim nga ana e të gjithë shteteve anëtare.

Nga ana tjetër jam jashtëzakonisht mirënjohës se kryeministri Orban ka qenë dhe është vijimisht shtytësi kryesor i investimeve të drejtpërdrejta hungareze në Shqipëri dhe ne sot kemi në Shqipëri disa kompani që janë kompani, po themi të flamurit të ekonomisë së re hungareze me të cilat jemi tërësisht të kënaqur për cilësinë e lartë që kanë sjellë dhe njëkohësisht për respektin që tregojnë ndaj vendit, jo thjesht ndaj ligjeve të vendit, por edhe ndaj nevojave të vendit. Duam të kemi më shumë kompani. Kemi folur për të sjellë më shumë ekspertizë dhe investime nga Hungaria në fushën e energjisë dhe shpresoj shumë edhe në fushën e turizmit. Turizmi është bërë një urë shumë e rëndësishme lidhëse mes nesh.

Turistët nga Hungaria shtohen në numër çdo vit. Ata janë ambasadorët më të mirë të Shqipërisë në Hungari dhe në këtë fazë, ne besojmë shumë që është koha për të menduar dhe për investime që nga Hungaria, e cila ka sot një industri ekselence në turizëm, është një vend që nuk ka bekimin të ketë një det, por që ka një ekonomi të turizmit që është ndër më të vibrantet në Europë sot.

Edhe një herë Kryeministër, shumë mirënjohje për gjithçka! Shumë faleminderit për vizitën! Kjo vizitë pason vizitën e presidentes e cila ishte në Shqipëri shumë pak kohë më parë dhe konfirmojnë së bashku me vizitën e presidentes, gjendjen absolutisht të shëndetshme, pozitive dhe premtuese të marrëdhënies mes dy vendeve tona dhe në fund unë dua të përsëris atë që kam thënë edhe kur isha në Budapest. Në një farë mënyrë Hungaria ka dhe diçka të vetën këtu në Shqipëri, sepse në kohën kur nuk mund t’i jepte Shqipërisë mbështetje për në BE , nuk mund t’i jepte Shqipërisë investime direkte, i dha një princeshë e cila u bë mbretëresha e Shqipërisë kështu që unë jam i bindur që mbretëresha Geraldinë po të shikon dhe është shumë mirënjohëse në emër të shqiptarëve që ti je këtu.

 

Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban: I nderuar zoti kryeministër, të nderuar zonja dhe zotërinj, do doja dhe unë t’ju falënderoja sidomos do doja të falënderoja mikun tim Edi Rama dhe ftesën që na bëri për të ardhur këtu në këtë vend shumë interesant.

Mund t’ju them që në 30 vitet e fundit kam ardhur gjithmonë me shumë dëshirë në Shqipëri dhe të paktën mund të kem qenë këtu 12 herë nëse nuk gaboj. Kishte vizita që kanë qenë në kuadër të vizitave të partive demokratike, kanë qenë vizita dhe në kuadër shtetëror, por gjithmonë kam qenë i mendimin se përsa i përket shqiptarëve dhe hungarezëve nuk ekzistojnë vetëm marrëdhënie diplomatike ndërmjet tyre. Mendoj se ndërmjet vendeve ka një lidhje shumë më të thellë dhe mendoj se kjo lidhje e thellë i ka rrënjët në historinë dhe në vuajtjen e përbashkët që kemi pasur ne të dy si vende, sepse edhe ne për fat të keq kemi pasur një sistem komunist për 40 vjet dhe mendoj se kjo përvojë e përbashkët nuk mund të harrohet kurrë, pavarësisht se kanë kaluar 40 vjet. Mendoj se këto 40 vite kanë qenë 40 vite vuajtje për të dy vendet dhe mendoj se kjo gjë i afron të dy vendet tona edhe nga ana shpirtërore prandaj vij gjithmonë me shumë dëshirë, sa herë kam mundësi në Shqipëri. Përsa i përket pjesës personale jam tej mase i gëzuar që mund të jem këtu dhe kam qenë i ftuar i Edi Ramës.

Për fat të keq bota shkon drejt një standardizimi global, hamburger, smartphone, firmat e ndryshme dhe për fat të keq kjo duket dhe në politikë dhe shpresoj nga njëra anë që kjo gjë nuk do të na përfshije të gjithëve, por jam shumë i kënaqur kur takohem me dikë që është origjinal dhe autentik që nuk e lë veten të përfshihet nga këto firma apo nga këto gjëra të përditshme dhe që sjell një pikëpamje të re në politikat tona  dhe do doja t’ju thosha që sa herë kam mundësinë të vij këtu dhe të kemi shkëmbime të mendimeve tona kam dhe një freski nga ana mendore përsa i përket ideve tona politike dhe shkëmbimeve që mund të kemi bashkë, bashkërisht.

Pra përveç kësaj do të thoja që mos të harrojmë, kemi të bëjmë me fushën e sportit, me basketbollin dhe me futbollin që janë të dyja temat tona për të cilat jemi të interesuar, por le të dalim në argumente konkrete. Mund të themi që vizita e sotme është në një periudhë shumë të rëndë pasi kemi të bëjmë me një ri stabilizim, me një ri ndarje ekonomike të rënde që po ndikon në Europën e sotme dhe mendoj që këto janë dhe pikat e dobëta të politikës ekonomike të Europës së sotme. Nuk kemi qenë në gjendje të sjellim përmirësime në këtë drejtim dhe përpjekjet tona kanë patur shumë pak rezultate për fat të keq. Kurse përsa i përket pjesës globale, kapacitetet, konkurrenti i Europës mund të themi se është në rënie e sipër dhe çështja e sotme është që si mund ta konsiderojmë sot Ballkanin Perëndimor dhe sidomos anëtarësimin e tyre, anëtarësimin e Ballkanit Perëndimor dhe vendeve te Ballkanit Perëndimor në Europë. Është një problem apo është një mundësi? Ajo që kam dashur të them gjithmonë për kolegët e mi në Europë, ju kam thënë: përpiquni të imagjinoni Europën e sotme ku Sllovenia, Hungaria, Çekia, Polonia, Kroacia nuk janë anëtarë të BE. Pra cila do të ishte pamja e Europës së sotme? Cila do të ishte pamja e zhvillimit ekonomik të Europës së sotme? Nuk do të kishim rritje ekonomike. Mendoj se kemi rritje ekonomike sot në BE jo vetëm zero pikë disa përqindje, por me numra dhe me përqindje të rëndësishme sepse ne, vendet e BE, vendet e Europës qendrore dhe lindore kemi sjellë si zhvillim në Europë dhe është ajo që ne shpresojmë që do të sjellë Shqipëria dhe është ajo që ne mendojmë se do të sjellë Ballkani Perëndimor në këtë drejtim sepse Shqipëria ka kapacitet rritjeje zhvillimi dhe Europa në qoftë se nuk do të ngelet pas në këtë ecje globale, në këtë zhvillim global përgjigja është e thjeshtë. Pra rezervat e rritjes janë ekskluzivisht në Ballkan, nuk gjenden në vende të tjera të Europës dhe nuk jam në gjendje sot të përmend asnjë vend europian që ka rezerva në rritje dhe në zhvillim qoftë ekonomik, qoftë politik. Prandaj për këtë arsye ne kërkojmë gjithmonë që Shqipëria të anëtarësohet në Bashkimin Europian. Për fat të keq, situata është e kundërt sepse në qoftë se ne jemi në gjendje që Shqipëria të bëhet anëtare e BE, nga ana tjetër nuk jemi në gjendje të pengojmë këtë rënie të vazhdueshme të aftësive konkurruese të Bashkimit Europian dhe rënien ekonomike që po pëson Europa këto vitet e fundit. Mendoj se një tendencë në anë të kundërt mund të arrihet nëse bashkohemi të gjithë bashkë, në qoftë se arrijmë të përforcojmë qoftë pjesën ekonomike, qoftë pjesën e sigurisë përsa i përket BE dhe për këtë do të thosha me fjalë të pranueshme, por është e papranueshme dhe është e turpshme sesa avash po ecën ky proces i zgjerimit të BE. I hodha një sy agjendës dhe shikoj se Shqipëria ka duruar 13 vjet për të arritur deri në fillimin  e negociatave për anëtarësim. Pas 10 vitesh në qoftë se perspektivat janë të sakta mendoj se vetëm gjermanët, vetëm Gjermania do të ngelet në 10 vendet më të zhvilluara të botës sepse në qoftë se zgjerimi i BE do të ecë me këtë ritëm kaq të ngadaltë mund të them që është një ritëm vetëvrasës, nuk e di si do ia bëjë Europa në të ardhmen. Për këtë arsye Hungaria mbështet gjithmonë dhe do ta mbështesë edhe në të ardhmen anëtarësimin e Shqipërisë, integrimin e Ballkanit Perëndimor, jo vetëm për arsyet e miqësisë që lidhin dy vendet tona, pra për arsyet që lidhin Shqipërinë dhe Hungarinë, por edhe për arsyet që përmenda pak më lart, të strategjisë politike dhe ekonomike.

Nga ana tjetër, dëgjova me shumë gëzim vlerësim që bëri zoti kryeministër për sa i përket investimeve hungareze në Shqipëri. Na bëhet qejfi kur njerëzit kanë mendime të mira për ne se dhe ne fundja-fundit njerëz jemi, kështu që na bëhet shumë qejfi në këtë drejtim dhe jam shumë i gëzuar edhe për faktin që investuesit hungarezë sillen me respekt qoftë ndaj ligjit, qoftë ndaj vendit dhe nevojave të këtij vendi. Flasim për investime, por siç thonin romakët e lashtë, paraja nuk mban erë, por i zoti i atyre lekëve, mban erë. Mund të jemi investues të mirë, por mund të jemi edhe investues të keq sepse kemi investitorë që e respektojnë vendin, kemi investitorë që nuk e respektojnë vendin dhe Hungaria për fat të keq ka patur përvoja në këto raste sepse kemi pasur dhe ne investues që nuk e kanë respektuar vendin tonë. Thjesht ekonomia globale botërore dhe nuk ka rëndësi se kush jeton në atë vend. Ne kemi vuajtur shumë nga kjo sjellje dhe besoj që ndërmarrjet hungareze, firmat hungareze që vijnë në Shqipëri nuk do të sillen kurrë në këtë mënyrë. Ato do të jenë gjithmonë respektuese ndaj vendit, ndaj ligjit, ndaj nevojave të këtij vendi dhe do ju falënderoja shumë për mundësinë që na jepni për bashkëpunim, pavarësisht se jemi ne ata që sjellim kapitalin.

I nderuar miku im Edi Rama, unë ju siguroj që edhe në të ardhmen do të kemi investues hungarezë që do të vazhdojnë veprimtarinë e tyre në Shqipëri dhe mendoj se edhe në të ardhmen do të përpiqemi të gjejmë forma të tjera të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve tona.

Do të ndaloja thjesht te pika e turizmit, që përmendet. Hungaria është një vend që nuk ka det. Pavarësisht nga kjo, turizmi përbën 15% të prodhimit të brendshëm në Hungari. Nuk është diçka e lehtë dhe jemi shumë të gëzuar nëse kemi mundësinë ta ndajmë përvojën tonë në këtë fushë me ju sepse Hungaria ka një strategji të veçantë në këtë fushë. Ne mbështesim gjithmonë investimet e huaja në këtë drejtim brenda vendit, pra përsa i përket turizmit dhe këtu nënkuptoj pikërisht politikat e Hungarisë lidhur me investimet e turizmit në Shqipëri. Këtë mund ta shtrijmë po ashtu edhe në sektorin e telekomunikacionit, në sektorin bankar, në sektorin energjetik, në sektorin e bashkëpunimit të menaxhimin e ujërave dhe mendoj që turizmi është një sektor kyç për bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve tona.

I nderuar zoti kryeministër, faleminderit që mundëm të ishim këtu dhe ju uroj suksese të mëtejshme!

 

* * *

-Pyetje nga TV hungarez. Para së gjithash do doja pyesja zotin Orban se përse vendet e Europës ngadalësojnë këtë proces të zgjerimit europian dhe meqenëse do kemi Presidencën e radhës së shpejti nuk e di nëse do jemi në gjendje ta përshpejtojmë këtë fenomen dhe nuk e di nëse Shqipëria, sipas mendimit tuaj, çfarë shansesh ka në këtë drejtim?

Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban: Kemi dy praktika në Europën Perëndimore. Njëra nga praktikat është pikërisht ajo që thotë se, ideja domethënë që kapaciteti konkurrencial i Europës është në rënie pikërisht sepse u anëtarësua në vendet e Europës Lindore dhe drejtimi tjetër thotë pikërisht të kundërtën sepse thotë se falë këtyre vendeve u rrit kapaciteti konkurrencial i Europës.

Mendoj që çështja nuk është e thjeshtë për t’u vlerësuar. Përsa i përket Europës Perëndimore nuk kemi një bindje të patundshme, të palëkundshme që zgjerimi i Bashkimit Europian është diçka pozitive. Kjo është një luftë, pra, politika e zgjerimit është një luftë e vazhdueshme, nuk është thjeshtë diçka që e mendova sot dhe nesër do ta realizoj. Duhen marrë gjithmonë perspektivat e reja, nuk mund të ulemi me duar kryq dhe të presim pavarësisht se këtu kemi interesa të ndryshme që ndërthuren, por duhet punuar për këtë.

Pra, siç ju thashë dhe më parë, ne jemi të përkushtuar që Shqipëria të anëtarësohet në BE dhe në këtë rast, Shqipëria ka nevojë për një përshpejtim të menjëhershëm, duhet të nxitojë të anëtarësohet.

Unë gjithmonë i kam mbështetur të gjitha iniciativat që ka bërë zoti Edi Rama në të kaluarën dhe ato që do kryejë në të ardhmen. Kuptohet, është diçka shumë logjike dhe thjeshtë të gjitha ato kohezione që arrijnë, flitet për shumat që arrijnë nga Europa në Shqipëri apo në Hungari, të arrijmë atë nivel që kanë vendet e tjera që janë të anëtarësuara në BE. Pra, të mos presim formalizimin e anëtarësimit, por ta fillojmë që tani atë punë zhvilluese për Shqipërinë që ajo të mund të arrijë atë nivel të burimeve nga BE-ja siç e kanë edhe shtetet anëtare.

Ne e kemi përgëzuar shumë edhe Ballkanin e Hapur, projektin e Ballkanit të Hapur sepse edhe përsa i përket zgjerimit të Shengenit nuk duhet të pritet që të formalizohet ky zgjerim për të mundësuar, për të lehtësuar vendet, dmth veprimtarinë e një vendi që synon të futet në këtë hapësirë. Prandaj, Hungaria gjatë gjithë kohës do të mbështesë të gjitha këto iniciativa.

Europa nuk është në një gjendje të mirë sot. Do të paguajmë një çmim shumë të lartë nëse nuk do të anëtarësohen vendet e Ballkanit, duhej bërë dje, jo sot dhe jo nesër.

Pyetje: Situata në veri të Kosovës nuk ka ndryshuar. Tre policët ende nuk janë liruar ndërkohë që ka patur sot të tjera episode tensionimi. Ndaj dua t’iu pyes kryeministër Rama nëse ju po vazhdoni ende përpjekjet tuaja për të komunikuar me Albin Kurtin për të dalë me një zgjidhje të përbashkët apo pas dështimit të takimit në Gjakovë ju jeni dorëzuar?

Kryeministri Edi Rama: Së pari, është imediate nevoja, domosdoshmëria, urgjenca që të tre punonjësit e policisë së Kosovës të kthehen në shtëpi. Përtej pretendimeve që janë kapur këtu, kanë hyrë atje, janë marrë këtu apo janë gjendur atje, për të cilat KFOR-i nuk do të japë konkluzion publik, por do të depozitojë dosjen përkatëse në NATO, është absolutisht e qartë që në të gjitha rastet, tre efektivët nuk kanë bërë asnjë krim dhe edhe nëse do të supozonim që kanë shkelur vijën e kufirit, shkelja e vijës së kufirit, ka vetëm një përgjigje, kthimin e tyre në shtëpi.

Ne jemi të fokusuar qysh nga momenti i parë për ta bërë këtë të mundur, po përdorim të gjithë kanalet e mundshme që kjo të ndodhë sa më parë ndërkohë që sa i përket pyetjes tjetër apo anës tjetër të pyetjes, zgjidhje të përbashkët, zgjidhja e përbashkët është zgjidhja e ofruar nga bashkësia euro-atlantike, me pikat shumë të qarta dhe të palëvizshme, siç dhe ju po e shikoni dita-ditës të deeskalimit dhe ajo që është më e rëndësishmja për interesin tonë është që paqja është në tryezë, dokumenti i marrëveshjes është në tryezë dhe mundësia historike është në tryezë për të mbyllur një kapitull shumë të gjatë dhe të dhimbshëm dhe për të hapur një kapitull të ri dhe për ta bërë Kosovën një vend të njohur ndërkombëtarisht, jo vetëm nga ata që e njohin sot, por nga të gjithë dhe edhe nga Serbia.

Është kaq e madhe kjo mundësi, është kaq i rëndësishëm ky moment në histori sa të gjitha këto të tjerat janë produkt i një devijimi tërësisht të panevojshëm nga fokusi, fokusi është të bëhet paqja përfundimtare në tryezë dhe sot bashkësia euro-atlantike i ka dhënë Kosovës mundësinë e artë dhe propozimi në tryezë, i mbështetur nga Bashkimi Europian dhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është gjëja më e mirë që mund t’i ndodhë Kosovës.

Prandaj, edhe një gjë do shtoja. Unë nuk kam eksperiencën e kryeministrit, por besoj që mund ta them me plot gojën që ajo marrëveshje që është në tavolinë dhe kjo mundësi e artë që është në këtë moment nuk është e thënë që të jenë aty përgjithmonë, situatat mund të ndryshojnë, konjukturat mund të ndryshojnë, dinamikat mund të ndryshojnë dhe pastaj mund të hyjmë në një tjetër kohë të gjatë në histori ku nuk do kemi zgjidhje.

Unë jam 100% i fokusuar tek kjo zgjidhje. Të tjerat, po e përsëris, mund të jenë pilula ekzaltimi për ata që e identifikojnë veten si patriotë në luftëra imagjinare, por nuk sjellin asgjë përveç zhgënjimit, boshllëkut, humbjes së kohës dhe, larg qoftë, dhe të mundësisë.

Pyetje: Të dy përmendët që investimet e Hungarisë në Shqipëri janë gjithnjë e më në rritje. Nuk e di nëse keni mundësi të na përmendni disa shembuj konkret të firmave dhe do doja të pyesja se cilat janë mundësitë që qeveria hungareze do të mbështeste nga ana financiare këto investime në Shqipëri?

Kryeministri Edi Rama: Atëherë, ne kemi dy realitete shumë domethënëse, kemi realitetin e investimit në Telekomunikacion nga kompania 4IG, e cila, jo vetëm ka ardhur në Shqipëri si një ofruese cilësore e një shërbimi që sot është kaq i lidhur me jetën e përditshme të të gjithë qytetarëve 24 orë, por po bën në Shqipëri një ristrukturim aq shumë të pritur dhe të nevojshëm të të gjithë tregut të telekomunikacionit me krijimin e një kompanie që është frut i bashkimit të dy kompanive të tjera, gjë që do ta përmirësoje cilësisht ofertën, do ta shëndoshë tregun dhe patjetër që do të sjellë edhe impakt të rëndësishëm në ekonomi.

Realiteti tjetër është realiteti në sektorin bankar i OTP Bank, një bankë e mirënjohur hungareze që tanimë është shtrirë në disa vende dhe ka ardhur të ofrojë edhe në Shqipëri shërbimet e veta me një ambicie të qartë, por edhe me një qasje shumë të mirëseardhur për ne. Nuk është një bankë që është këtu thjesht për të marrë për të mbajtur depozita me paratë e shqiptarëve dhe pastaj për të, thjesht çuar fitimet në Hungari, por është një bankë e orientuar në mbështetjen e kompanive këtu, në mbështetjen e biznesit këtu dhe për këtë na vjen shumë mirë.

Kemi në proces dhe është vetëm çështje e një momenti legjislativ në Kuvend së shpejti për të përcaktuar mirë në ligjin për tokën bujqësore hapësirat për energjinë diellore, aplikimin e një tjetër kompanie të ekselencës hungareze. Pra, sektor bankar, telekomunikacione, energji, mungon sipas nesh shtylla e katërt që është investimet në turizëm dhe shpresojmë që edhe kënaqësia e të bërit biznes në Shqipëri e këtyre kompanive do t’u vlejë kompanive të tjera hungareze për të kuptuar që këtu është një treg i hapur, një treg mikpritës, një treg ku kompanitë hungareze janë në shtëpinë tyre.

E thashë dhe më parë, janë kompani të huaja po, janë kompani me aktivitet edhe jashtë Hungarisë, pra ndërkombëtare po, por kanë një qasje shumë të respektueshme dhe për këtë ne i respektojmë shumë dhe presim të kemi shumë me tepër prej tyre sepse nuk sjellin thjesht para, por nga ana tjetër sjellin edhe kulturë pune dhe sjellin dhe një respekt për vendin.

Nëse do i kthehesha perifrazimit që i bëri Kryeministri shprehjes romake, kompanitë hungareze në Shqipëri nuk sjellin vetëm para që nuk mbajnë erë, por sjellin dhe një erë të mirë, ato vetë.

Kryeministri Viktor Orban: Do të doja vetëm të bëja një shtesë të vogël përsa i përket asaj që tha zoti Kryeministër. Kjo është një rrugë me dy dalje. Pra, unë  i kërkova zotit Kryeministër që të vijnë edhe investues shqiptarë në Hungari. Do të donim të shikonim në Hungari veprimtari të bizneseve shqiptare. Të vogla, të mesme , të mëdha, nuk ka rendësi. Ne kemi një politikë siç ju thashë më parë, që ne mbështesim investimet huaja dhe jemi të gatshëm të mbështesim investues shqiptarë që duan të investojnë në Hungari dhe kam shpresë që brenda një kohe të shkurtër do të kemi investues shqiptarë që vijnë në Hungari dhe nuk kemi të bëjmë vetëm me dimensionin e investimeve hungareze në Shqipëri, por do t’ju them që ftesa jonë është që ne do t’ju presim me krahë hapur, pra bizneset shqiptare që duan të investojnë në Hungari sepse mendoj se ndihma reciproke është nga të dyja palët.

– Zoti kryeministër, ju thatë që po punoni që prej të mërkurës për lirimin e tre policëve të Kosovës. Deri ku kanë shkuar rezultatet e kësaj pune dhe meqë thatë se lirimi i tyre varet nga Serbia, nga autoritetet serbe, a keni arritur të komunikoni me presidentin serb?

-Ndërkohë për kryeministrin Orban. Ju njiheni për një marrëdhënie të mirë me Beogradin. Ju, keni menduar me presidentin Vuçiç pikërisht për lirimin e tre policëve të Kosovës dhe për të mos shkuar drejt një tensioni më të lartë mes Beogradit dhe Prishtinës? Faleminderit!

Kryeministri Edi Rama: Ajo që mund të them unë, është ajo që thashë. Qysh nga sekonda e parë e daljes së lajmit, ne jemi angazhuar nga të katër anët, nga të gjitha kanalet e mundshme për lirimin një orë e më parë të 3 punonjësve të policisë. Debati mbi shkeljen apo mos shkeljen e të cilëve është i rëndësishëm në nivelin politik, në nivelin e marrëdhënieve ndërshtetërore dhe në nivelin e marrëdhënieve ndërkombëtare, por nuk ka asnjë rëndësi për 3 burra që janë larg sot shtëpisë së tyre dhe që do të kthehen menjëherë, pastaj debati ishin këtej apo ishin andej dhe konkluzionet përkatëse për të mund të vazhdojnë. Ajo që është me rëndësi është që ata nuk mund të mbahen për shkelje kufiri në Serbi. Duhet të kthehen në shtëpitë e tyre se s’kanë bërë asnjë krim edhe sikur t’a pre supozojmë që janë kapur disa qindra metra në anën tjetër apo në këtë anë, njëra pale thotë kështu, njëra palë ashtu, pala e tretë që merret me këtë punë thotë edhe kështu edhe ashtu, nuk ka asnjë vlerë kjo në raport me ata. Shkelje kufiri do të thotë kthehu prapa. Kaq! Mbajtja e tyre është e pajustifikueshme nëse vazhdon përtej ditës së sotme. Është e pajustifikueshme që në fillim, por po them, duhet të mbarojë.

Kryeministri Viktor Orban: Javën tjetër do të kemi një takim bilateral me Beogradin, pra hungarez dhe serb dhe shpresoj që kjo çështje deri atëherë do të zgjidhet.

Kryeministri Edi Rama: Mirë, ju falënderoj shumë. Edhe një herë shumë faleminderit Kryeministrit dhe delegacionit për këtë vizitë kaq shumë të mirëpritur!

Previous Ministri i Shtetit për Rininë dhe Fëmijët nënshkroi memorandumin e bashkëpunimit me UNICEF Shqipëri për Thirrjen e Tretë të projekt-propozimeve për organizatat rinore dhe për të rinjtë, të shpallur nga Agjencia Kombëtare e Rinisë