Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, prezantoi në seancë plenare projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 22/2018 “Për strehimin social”. Në fjalën e saj, Ministrja u shpreh se këto ndryshime ligjore synojnë të përmirësojnë politikat e strehimit social, i cili ka një impakt të rëndësishëm social dhe ekonomik.
Ministrja theksoi faktin se kujdesi ndaj qytetarëve ka qenë dhe mbetet një prioritet i vazhdueshëm i qeverisë, në mënyrë të veçantë kujdesi për familjet e reja, gratë kryefamiljare, personat me aftësi të kufizuara, komunitetet rome dhe egjiptiane.
Duke iu referuar shifrave, Ministrja tha se deri më tani janë alokuar 5.3 miliardë lekë nga buxheti i shtetit për strehimin social, ndërsa që nga viti 2020, çdo vit mbi 18 mijë familje kanë përfituar nga programet e strehimit social.
“Mbështetja për strehimin social do të përforcohet dhe në vitin 2025 ne kemi parashikuar të alokojmë 2.4 miliardë lekë shtesë për strehimin e 13 mijë familjeve shqiptare”, u shpreh Ibrahimaj.
Duke u ndalur në ndryshimet ligjore, Ministrja përmendi përfshirjen e punonjësve të administratës publike në skemën e programit të subvencionit të interesave të kredive, përmes të cilit ata do të mund të përfitojnë kredi me interes deri në 3 %, ndërsa diferenca e interesit do të subvencionohet nga buxhetit i shtetit.
Ministrja theksoi se ky program, së bashku me politikën e rritjes së pagave për punonjësit e administratës publike, dëshmon përkushtimin e qeverisë ndaj mirëqenies së punonjësve të administratës publike, motivimit të tyre për të qëndruar në administratë dhe për t’i shërbyer interesit publik.
Përmes ndryshimeve ligjore synohet dixhitalizimi i plotë i shërbimit dhe lehtësim i aplikimeve për programet e strehimit social, duke e bërë procesin më të lehtë për qytetarët, transparent dhe efikas.
Po ashtu, do të jepet një mbështetje më e madhe për disa kategori specifike, siç është ai i përfshirjes së familjeve të punonjësve të policisë së shtetit të rënë në detyrë dhe grupit që përfiton statusin e fëmijëve në përkujdesje të Republikës, të cilët përveç se përfitojnë kredinë me interes zero për çështje të strehimit, kanë edhe një grant të menjëhershëm të barabartë me 20 % të vlerës së banesës.
Nga ana tjetër, projektligji parashikon lehtësime dhe përcaktime të tjera për familjet e reja dhe rrit moshën e përfituesve të rinj në disa nga programet përkatëse, të cilat aktualisht aplikohen.
Aplikimi i ndryshimeve ligjore, tha Ministrja Ibrahimaj, parashikohet të sjellë rreth 2 mijë përfitues më shumë me kredi me interesa të lehtësuara, nga kategoritë e familjeve dhe të rinjve, punonjësve të administratës, familjeve të punonjësve të policisë së shtetit të rënë në krye të detyrës, si dhe fëmijët në përkujdesje të Republikës.
Pas diskutimeve, projektligji u miratua nga Kuvendi.
Fjala e Ministres Ibrahimaj:
E nderuar Kryetare,
Të nderuar deputetë,
Të dashur qytetarë,
Ndryshimi i ligjit që sjellim sot në Kuvend synon të përmirësojë politikat për një çështje thelbësore që ka impakt të rëndësishëm social, politikat për çështjen e strehimit social.
Në qeverisjen tonë, kujdesi ndaj qytetarëve ka qenë gjithmonë një prioritet i vazhdueshëm. Qeveria jonë në vitin 2016 miratoi Strategjinë Kombëtare dhe ndryshimet ligjore të nevojshme për të adresuar nevojat e grupeve më të prekura dhe për të përmirësuar bazën e të dhënave të banesave sociale.
Në fokusin tonë janë familjet e reja, çiftet që ndoshta nuk kanë mundësi të fillojnë një jetë të pavarur ekonomike, gratë kryefamiljare, personat me aftësi të kufizuara, komunitetet rome dhe egjiptiane.
Deri më tani janë alokuar 5.3 miliardë lekë nga buxheti i shtetit për strehimin social.
Që nga viti 2020, çdo vit mbi 18 mijë familje kanë përfituar nga programet e strehimit social.
Padiskutim ky ka qenë një ndër ato programe që ka ndihmuar një numër të konsiderueshëm familjesh me qera sociale edhe pas tërmetit të vitit 2019. Padiskutim që ka ende shumë nevoja për strehim dhe po ashtu ka nevoja për korrigjimin e politikave në këtë fushë, e për këtë sot jemi këtu me një propozim për ndryshime në ligjin e strehimit social.
Mbështetja për strehimin social do të përforcohet dhe në vitin 2025 ne kemi parashikuar të alokojmë 2.4 miliardë lekë shtesë për strehimin e 13 mijë familjeve shqiptare.
Çfarë synojmë me këto ndryshime?
Së pari ne do të përfshijmë në skemën e programit të subvencionit të interesave të kredive punonjësit e administratës publike. Një muaj më parë ne miratuam në Kuvend ndryshimet ligjore që do të sjellin një rritje thelbësore dhe shumë të rëndësishme në pagave në administratën publike. Ne jemi të angazhuar që ta mbështesim administratën duke synuar që të rrisim eficencën në çdo hallkë të saj. Në vazhdim të kësaj politike, ndryshimi ligjor që sjellim sot i mundëson punonjësve të administratës të marrin kredi me interesa të ulëta, më të ulëta se ato të tregut bankar.
Ky program ofron një zgjidhje për ato punonjës që plotësojnë kushtet e nevojshme për të përfituar kredinë, duke mundësuar blerjen e një banese me kushte të favorshme. I rëndësishëm është fakti se ne krijojmë këtë mundësi menjëherë pas politikës së rritjes së pagave. Kombinimi i këtyre dy zhvillimeve tregon se qeveria jonë është e përkushtuar nga mirëqenies së të gjithë trupës së punonjësve të administratës, duke i ofruar jo vetëm një pagë më të mirë, por edhe një mundësi më të madhe për të siguruar strehim të qëndrueshëm dhe të mirë.
Përmes këtij programi të kredive të lehtësuara punonjësit e administratës publike do të mund të përfitojnë shtëpi dhe kredi me interes deri në 3 %, ndërsa diferenca e interesit do të subvencionohet nga buxhetit i shtetit.
Lehtësimi i kredive me interesa të ulëta tregon se qeveria i vlerëson dhe i mbështet me përkushtim punonjësit e administratës publike.
Ky program siguron një stabilitet financiar dhe besueshmëri për punonjësit, duke i bërë ata më të motivuar për të qëndruar në administratë dhe për t’i shërbyer interesit publik.
Këto përfitime ofrojnë një perspektivë afatgjatë për punonjësit, duke i ndihmuar ata të planifikojnë dhe të ndërtojnë një të ardhme të qëndrueshme në administratë dhe të ndihen të inkurajuar që të vazhdojnë të qëndrojnë aty dhe të japin kontribut për zhvillimin e vendit.
Miratimi i këtij ndryshimi ligjor do t’i hapë rrugës VKM-së që qeveria do të miratojë, që për vitin 2023 parashikon që të mbështesë mjekët, policët dhe ushtarakët.
Së dyti, ndryshimet ligjore që ne paraqesim sot synojnë dixhitalizimin e plotë të shërbimit, ai që mund të zbatohet në çdo njësi të pushtetit lokal brenda vitit 2024.
Sot në seancë dëgjova shumë të flitej për AKSHI-n, të fliteshin gjëra të pavërteta dhe dëgjova me keqardhje se si hidhej baltë mbi një institucion, i cili ka ndikuar në dixhitalizimin e shërbimeve të gjithë popullatës. 95% e shërbimeve publike sot ofrohen online dhe pas kësaj qëndron puna e palodhur e AKSHI-t, i cili është një institucion që është angazhuar me qëllim ofrimin e shërbimeve sa më të mira, në kohë reale dhe përmirësimin e cilësisë së jetës së çdo qytetari në vend.
Ky është një progres i jashtëzakonshëm që na bën të jemi më afër se kurrë për t’i shërbyer qytetarëve, në mënyrë transparente, efikase dhe të thjeshtë.
Edhe në këtë ndryshim ligjor që paraqesim sot, është parashikuar lehtësim i aplikimeve për programet e strehimit social. Dixhitalizimi dhe modernizimi i sistemit tonë të strehimit social janë thelbësorë për të siguruar një ndihmë efektive dhe të drejtë për ata që kanë më shumë nevojë.
Ndryshimet ligjore do t’i japin frymë një procesi të ri të aplikimit, duke mundësuar bërjen e aplikimeve nëpërmjet portalit e-albania.
Po ashtu është ndërhyrë në përmirësimin dhe rregullimin e procesit të vlerësimit dhe të miratimit të kërkesave.
Ndryshimet ligjore e bëjnë procesin më transparent dhe më efikas, duke garantuar një përgjigje të shpejtë dhe të drejtë për kërkesat për programet e strehimit social.
Nga ana tjetër, ka lehtësime edhe për grupet vulnerabël, për grupet e minoriteteve Rom dhe Egjiptian, për kategoritë e familjeve pa të ardhura, të cilat kanë hasur vështirësi në plotësimin të dokumenteve bazë për të përfituar nga subvencionimi i qirasë. Tashmë ato mund të kryejnë procedura të thjeshtuara dhe pranë njësive të vetëqeverisjes vendore.
Këto nuk janë vetëm ndryshime teknike. Këto janë ndryshime të cilat tregojnë mënyrën se si ne si qeveri i përgjigjemi nevojave të qytetarëve, në ofrimin e shërbimeve publike.
Së treti, këto ndryshime ligjore japin një mbështetje më të madhe për disa kategori specifike. Këto mund të përmend përfshirjen e familjeve të punonjësve të policisë së shtetit të rënë në detyrë dhe grupit që përfiton statusin e fëmijëve në përkujdesje të Republikës, të cilët përveç se përfitojnë kredinë me interes zero për çështje të strehimit, kanë edhe një grant të menjëhershëm të barabartë me 20 % të vlerës së banesës.
Po ashtu, ky projektligj lehtëson përcaktime të tjera për të rinj dhe rrit moshën e përfituesve të rinj në disa nga programet përkatëse, të cilat aktualisht aplikohen.
Në fund, ne parashikojmë që këto ndryshime ligjore të sjellin rreth 2 mijë përfitues më shumë me kredi me interesa të lehtësuara, nga kategoritë e familjeve dhe të rinjve, punonjësve të administratës, familjeve të punonjësve të policisë së shtetit të rënë në krye të detyrës, si dhe fëmijët në përkujdesje të Republikës.
Të nderuar qytetarë, ne jemi këtu për të hartuar politika që vijnë në ndihmë të mirëqenies tuaj.
Unë inkurajoj sidomos punonjësit e administratës publike që të shfrytëzojnë këtë mundësi dhe të aplikojnë në të ardhmen në programet e kredive me interesa të favorshme, si një kolonë e re dhe e fortë e programit tonë të strehimit social.
Në besojmë se kjo masë do të përmirësojë jetën e shumë familjeve dhe individëve dhe do të ndikojë në rritjen e mirëqenies sociale, por edhe në rritjen ekonomike të vendit tonë.
Me keqardhje dëgjoj herë pas here fjalë e komente mbi mënyrën e qeverisjes, mbi zhvillimin ekonomik, mbi statusin e varfërisë, mbi statusin e mirëqenies, mbi papunësinë, për të cilat shifrat nga viti në vit kanë ardhur në përmirësim.
Është e vërtetë se Shqipëria si shumë vende të tjera të cilat janë në fazën e integrimit europian po ndikohet nga dukuria e emigracionit. Por unë t’ju kujtoj se ju duhet të shihni shifrat. Unë dua t’ju kujtoj se edhe kur ne nuk ishim në këto faza, edhe kur ne nuk i kishim dyert e hapura drejt Europës, shifrat e emigracionit ishin po kaq, por edhe më të larta. Shifrat e emigracionit para vitit 2013 arrinin në mbi 50 mijë emigrantë në vit, ndërsa tani janë më pak se 50 mijë. A është kjo një shifër për të cilën në krenohemi? Absolutisht jo, aspak jo.
Thuhet këtu se ne kemi krijuar kushtet që të rinjtë të largohen, ndërkohë që vetëm sot ne po paraqesim dy projektligje të cilët bëjnë të mundur që të rinjtë të kenë një të ardhme më të mirë në vend, kushte më të mira për tu aftësuar dhe punësuar, nëpërmjet skemës së garancisë rinore, e cila do të ndihmojë të rinjtë për tu integruar në tregun e punës.
Ne po ndërmarrim masa me qëllim që pagat në sektorin publik, por edhe në sektorin privat, të rriten me hapin e kohës.
Ne po marrim masa që punonjësit e administratës publike, të gjerë, dhe të disa kategori që u përmendën disa herë këtu sot si ajo e mjekëve të cilët janë të specializuar, të kenë kushtet e nevojshme për të pasur një jetë të denjë në vend.
Këto janë vetëm një pjesë e politikave që ne jemi duke ndërmarrë me qëllim që të reduktojmë dukurinë e emigracionit, me qëllim që të rinjtë dhe të reja të zgjedhin të qëndrojnë në Shqipëri.
Doja t’i kujtoja deputetëve të opozitës që nuk mund të bëhet opozitë me fjali të rreme dhe me shifra të rreme. Doja të përmendja vetëm një fakt për punësimin, pasi u përmend gjatë papunësia e rinisë në fjalime të ndryshme dhe u krahasua me vende të BE-së, duke përmendur një shifër të pavërtetë të BE. U tha se papunësia e të rinjve në BE është 6 %. Jo, nuk është 6 % papunësia e të rinjve në BE. Në BE 6 % është mesatarja e papunësisë totale, ndërkohë që papunësia e të rinjve është 13.8 %, ndërsa në Shqipëri vërtet është më e lartë se kaq, por është ndër më të ulëtat në vendet e rajonit. Papunësia e të rinjve në Shqipëri, në fund të tremujorit të I, ishte pak më shumë se 22 %, ndërkohë që më mirë se ne është vetëm Serbia pasi të gjithë vendet e tjera të rajonit kanë të njëjta problematika që në kemi dhe kjo është dhe arsyeja pse në bashkëpunim me BE ne jemi duke ndërtuar skemën e Garancisë Rinore, e cila ka pasur një impakt të jashtëzakonshëm në të gjithë vendet e BE dhe në presim që në 4 vitet e ardhshme të ketë po ashtu një impakt të jashtëzakonshëm në reduktimin e papunësisë rinore.
Këto janë ato që ne bëjmë, këto janë ato politika që ne synojmë me qëllim që shqiptarët të kenë një jetë më të denjë në vendin e tyre.
Faleminderit.