Konferencë për shtyp e Kryeministrit Edi Rama në lidhje me situatën në Veriun e Kosovës - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Konferencë për shtyp e Kryeministrit Edi Rama në lidhje me situatën në Veriun e Kosovës

Konferencë për shtyp e Kryeministrit Edi Rama në lidhje me situatën në Veriun e Kosovës

 

Kryeministri Edi Rama: Mirëdita! Jam këtu sërish pranë jush pas një tjetër dite të humbur pa dialog mes dy liderëve të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, ndërkohë që situata mes dy shteteve degradon përditë në një spirale absurditeti shumë të rrezikshëm.

Në fakt dje nuk kishte se si të ndodhte ndryshe për sa kohë tre efektivët e policisë së Kosovës vazhdojnë të mbahen në burg në Serbi, nuk ka asnjë mundësi që të ketë përparim në dialog apo dhe deeskalim konkret pa kthimin e tyre në shtëpi, madje nuk mund të ketë normalitet as në marrëdhëniet e Shqipërisë e Serbisë për sa kohë Serbia nuk i jep fund heqjes së lirisë së tre policëve, të cilët nuk kanë kryer asnjë krim. Edhe nëse e kanë kaluar vijën e kufirit, sikur ta marrim të mirëqenë këtë pretendim, dihet botërisht se në çdo legjislacion demokratik për kalimin e paligjshëm të kufirit, njerëzit arrestohen, pyeten dhe kthehen mbrapsht me masën e ndalimit të hyrjes në atë vend për një kohë të caktuar.

Mbajtja e tyre me ditë të tëra në burg, është e pajustifikueshme dhe është e papranueshme, ndërsa pastaj përpjekja për ta mbuluar këtë lajthitje shtetërore, për mbajtjen pa asnjë të drejtë të tre policëve të huaj në burgun e një shteti tjetër, duke ngritur zërin për arrestimin në veri, të individëve të caktuar të minoritetit serb nga forcat policore të Kosovës, – është tejet shqetësuese sepse shtetet demokratike nuk i përgjigjen kurrë në mënyrë simetrike shkeljeve të pretenduara të të drejtave të bashkëkombësve në një shtet tjetër.

Nëse Serbia ka pretendime për arrestime arbitrare në veri të qytetarëve të Kosovës me kombësi serbe, këto pretendime nuk argumentohen duke mbajtur peng tre policë shqiptarë në Serbi, po duke bashkëpunuar më faktorin ndërkombëtar, me KFOR-in, me EULEX-in dhe mbi të gjitha duke vepruar konkretisht aty ku është edhe origjina e kësaj problematike që është marrëdhënia, e cila duhet normalizuar, që është marrëveshja e cila duhet finalizuar.

Unë sot e përsëris edhe me zë, edhe me figurë apelin për lirimin e menjëhershëm pa kushte, pa “nëse” të tre efektivët e policisë së Kosovës, jo vetëm sepse kjo është një shkelje e të drejtave të njeriut që nuk mund të minimizohet në asnjë mënyrë, po sepse pa u kthyer në shtëpi ata tre burra, nuk ka asnjë hapësirë për të lëvizur me planin e deeskalimit.

Nga ana tjetër, dua t’ju informoj se pardje i kam nisur një letër të dytë pas asaj të draft-statutit, Presidentit Macron dhe Kancelarit Scholz, për dijeni edhe presidentit të Këshillit Europian Charles Michel, lidhur me domosdoshmërinë e një shtyse të re, konkrete të Francës dhe Gjermanisë si “kumbarët” e planit franko-gjerman, natyrisht me mbështetjen e SHBA, që plani franko-gjerman të zbatohet medoemos në kushtet kur degradimi i situatës në veri si rezultat i përplasjes së vazhdueshme të politikave të brendshme të dy udhëheqësve, të Kosovës dhe Serbisë, po e rrit me orë klimën e tensionit, duke rrezikuar seriozisht një përplasje fatale të armatosur mes grupeve, që operojnë në veriun e Kosovës dhe forcave të sigurisë, çka do të ishte një katastrofë në mes së cilës do të përfshihej pastaj paevitueshmërisht KFOR-i, përplasje, e cila edhe sikur tre orë të zgjaste, jo më tre ditë apo tre jave, do të rezultonte fatale edhe për gjithçka është bërë në këto vite, përpjekje, nisma, ndërveprime në Ballkanin Perëndimor nën ombrellën e procesit historik të Berlinit, një kthim mbrapa dramatik për krejt rajonin dhe për të ardhmen e tij, që nuk mund të bëhen peng i lodhjes politike për elektorat, as të atyre në Kosovë e as të atyre në Serbi.

Vendet tona, popujt tanë, flas për gjithë rajonin e Ballkanit, shtetet tona në këtë lagje të Europës kanë një moment krejt tjetër dhe një rrugë krejt tjetër nga kjo që adreson qorrsokaku i Veriut dhe nuk mund të vazhdojnë të presin me vite që ky proces dialogu të përfundojë, që marrëdhëniet mes Serbisë dhe Kosovës të normalizohen, njohja e ndërsjellë të ndodhë de facto, dhe ndërkohë sa herë duan politikat e brendshme në njërin apo në tjetrin breg, fillojnë konfliktet, sa për targa, sa për zgjedhje pa zgjedhës, që vazhdimisht ju kujtojnë të tjerëve se ky rajon është ai që mezi çdo vit, po përpiqet të heqë atë damkën e tmerrshme të historisë  dhe që papritur rizgjohet në anën e gabuar.

Prandaj është shumë e rëndësishme që ta kuptojnë të tërë, që nga ata që flasin për vëllezër të mëdhenj e vëllezër të vegjël, tek ata që kërkojnë arsye të mos arsyes në vazhdimësi për të shtyrë zvarrë këtë proces se interesi ynë kombëtar, interesi i Shqipërisë si shtet, kërcënohet nga kjo situatë dhe ky rajon nuk është as i Albinit as i Aleksandrit.

Ky rajon është i popujve, i shteteve që e popullojnë dhe që e administrojnë dhe ky rajon ka vuajtur boll nga nacionalistët, nga nacional folkloristët dhe nga përplasjet e vazhdueshme, të cilat mund dhe të kenë pasur justifikimet e tyre në kohërat e tjera, por si kanë më sot, kur sot jemi në mes të një Europe që kërkon me çdo kusht paqen dhe më falni, për ta thënë deri në fund, kjo situatë i shkon përshtat vetëm një fuqie, që është Rusia. Nuk i shkon përshtat asnjë tjetri. Nga këto përplasje dhe nga kjo paaftësi për t’u ulur me durim dhe për të çuar përpara një proces që është shumë i vështirë, por që është e vetmja rrugë e mundshme, nuk fiton as Europa në kuptimin Europa mes nesh jo Europa e madhe, por as ajo nuk fiton. Fiton vetëm Rusia.

Ndërkohë ka një marrëveshje bazë, e cila u dakordësua dhe të dyja vendet sillen sikur ajo marrëveshje nuk ka ndodhur. Kjo është  e vërteta dhe ky është fakti dhe kjo status quo nuk mund të vazhdojë më, prandaj duhet të dalim patjetër nga kjo lojë politike Tomi dhe Xherri.

Duhet të evitojmë po ashtu dhe skenarin e përkeqësimit të pozicionit të Kosovës, por edhe skenarin e izolimit të Serbisë sepse nuk janë aspak skenarë të mirë për ne, për interesin tonë kombëtar, interesin e Shqipërisë si një vend që kërkon të përparojë me çdo çmim, ekonomikisht dhe çdo gjë që ndodh rreth e rrotull na cenon ne në këtë rrugë, në rrugën për t’u bërë ata që duam dhe që do bëhemi me patjetër, si shtet në sytë e të gjithë dhe si portë për të gjithë.

Çfarë destinacioni turistik i nivelit të lartë do të bëhemi ne nëse Ballkani rri zhargavitet nga konflikti, sado thashë edhe tre orë konflikt të jetë. Aq më tepër që fakti që sot ka filluar një valë e parë sanksionesh, çfarë të mire i sjell të nesërmes nëse e nesërmja nuk matet me pikët elektorale? Prandaj duke i mbështetur totalisht të gjitha përpjekjet që janë bërë, duke mbështetur punën e jashtëzakonshme që është bërë edhe nga shefi i diplomacisë europiane Josep Borrell  edhe nga përfaqësuesi i posaçëm Lajçak, edhe nga Departamenti i Shtetit, nga zoti Escobar edhe të tjerë. Është e domosdoshme që presidenti i Francës dhe kancelari i Gjermanisë të ndërhyjnë dhe me patjetër të shtyjnë zbatimin deri në fund të asaj marrëveshjes bazë e cila mbeti dhe pa firmosur nëse ju kujtohet, por që palët thonë se janë dakordësuar dhe kështu thotë edhe BE.

Kështu që ardhjet në Bruksel me këto xhirot ku shkon puna deri në pikën që palët bëjnë dhe konferenca shtypi, do ta mendoj, a do shkoj apo s’do shkoj, ja ta shikojmë, janë kohë e humbur, ndërkohë që situata në terren degradon përditë, edhe kur duket dhe kur s’duket dhe shpërthimi i asaj situate në formën e një përplasjeje do të kishte pasoja të jashtëzakonshme për të gjithë prandaj mendoj që është shumë e rëndësishme që të dy liderët bashkë me këdo qoftë tjetër rreth tyre të merren dhe të mbyllen brenda në një konferencë nën kujdesin dhe trysninë e kumbarëve të planit që është dakordësuar në bazë, në një konferencë normalizimi pa të drejtë dalje deri kur të përfundojë bashkëbisedimi dhe të trajtohen ato pika, që është shumë interesante, askush nuk i kundërshton, por në të njëjtën kohë secili ia hedh tjetrit fajin pse nuk zbatohen. Se nuk ka vullnet, ky është fakti.

Ka dhe një dehje nga ky karshillëku me gjithë planetin demokratik në emër të nuk e di se çfarë, por realiteti i përditshëm sot po bëhet bazë për hierarkiket shumë negativ nesër në të gjitha aspektet.

Nuk po hyj fare se s’më takon mua të diskutoj ekonominë e Kosovës apo aq më pak të Serbisë. Kështu që mendoj që i vetmi përfitues në këtë situatë është ai zotëria që rri në bunkerin e tij në Kremlin dhe ju kam thënë dhe një herë tjetër që nëse do të bëhej një imazh, Rusia do të ishte me siguri me një fytyrë të ngërdheshur nga kënaqësia. Pa neglizhuar faktin e përpjekjeve për ta shfrytëzuar këtë situatë konkretisht në terren, edhe me ato grupet e armatosura, edhe me gjithë historitë e tjera të cilat janë absolutisht katastrofike dhe duhen ndaluar me çdo kusht. Loja luftash me facebook është diçka krejt tjetër nga përplasjet me armë. Kjo është pak a shumë ajo çka kisha për të thënë.

* * *

-Zoti Rama ju keni thënë dhe javën e kaluar që jeni 100% i fokusuar që të mundësoni të lehtësoni komunikimin dhe të bëni të mundur lirimin e tre policëve të policisë së Kosovës. A keni patur komunikim të drejtpërdrejtë me zotin Vuçiç? Këtë javë ju keni thënë që është java e fundit, një lloj ultimatumi në fakt për Beogradin, në të kundërt do kthehet prapë ajo ftohtësia mes dy vendeve. Do të thotë që kjo rrezikon edhe Open Balkan. Do shkohet drejt kësaj? Dhe nuk e di a keni një koment për atë çka ndodhi në kampin e Muxhahedinëve dhe nëse mund e gjithë kjo situatë të shkojë drejt prishjes së marrëveshjes dhe e largimit të muxhahedinëve nga Shqipëria? 

Kryeministri Edi Rama: Nuk kam asnjë koment për asgjë tjetër përveç se për temën për të cilën jemi këtu, e cila është 1 milion herë më e rëndësishme për interesin imediat dhe afatgjatë të Shqipërisë, nga sa duket ose nga sa vlerësohet ose nga sa kuptohet, nga disa që flasin për ‘’vëllai i madh’’ që duhet t’ia thotë ‘’vëllait të vogël’’ fshehtas, se nuk duhet t’ia thotë në sy e të tjerë. Është 1 milion herë më e rëndësishme.

Mund të ketë impakte krejt të padëshiruara dhe ndërkohë që angazhimi ynë është komplet në një drejtim tjetër, që nga dita e parë. Ne nuk kemi bërë asnjë lloj aktrimi, në asnjë rast, por kemi qenë shumë të qartë, të drejtpërdrejtë dhe të vendosur të ndjekim politikën që kemi ndjekur edhe me Serbinë. Pozicioni ynë, ka pasur gjithmonë parasysh që ne për sa na takon dhe aq sa kemi mundësi dhe peshë, të ndikojmë që çdo lloj kërcitje armësh, sado e shkurtër të mbahet larg nga Ballkani dhe patjetër që fakti që tre policë, në këtë rast janë tre policë të Kosovës, janë shqiptarë, po ju siguroj që të njëjtin qëndrim do mbaja dhe sikur të ishin tre policë serbë që hipotetikisht mund të mbaheshin peng. Se kjo është, një shtet të mbajë peng tre njerëz të cilët nuk kanë bërë asnjë krim. Ky është fakti dhe pa diskutim që kjo ndikon në marrëdhëniet tona dhe kjo tregon, sipas nesh që Serbia duhet të angazhohet shumë më seriozisht në këtë marrëdhënie me ne, sepse kjo nuk është, e përsëris, thjesht sepse janë tre policë shqiptarë, që nuk diskutohet është absolutisht e rëndësishme, por janë tre njerëz që mbahen atje nga një shtet. Dhe mbulohet kjo me jo u arrestua ky, jo u arrestua ai. Nuk kanë lidhje fare këto gjëra. Fare! Një shtet demokratik, edhe sikur të jenë të vërteta ato që thuhen, pra arrestimet që bëhen në veriun e Kosovës nga forcat legjitime të sigurisë në Kosovë, nuk reagon një shtet duke bërë simetri. Ti po kap të mitë, unë po kap të tutë. Po pse çfarë janë? Banda? Një shtet demokratik respekton të drejtat e njerëzve pavarësisht se të drejtat e njerëzve të vet, diku tjetër, në një shtet tjetër, mund të shkelen. Edhe sikur kjo të jetë kështu. Dhe e thashë, pretendimet që ka për arrestimet në Kosovë, Serbia ka ku i adreson. Ti adresojë tek ato organizma që janë atje për të monitoruar, për të sqaruar, për të trajtuar. Patjetër që kjo është rrugë pak më e gjatë, kërkon pak më shumë durim sesa të kapësh tre njerëz dhe t’i mbash atje, por kjo është rruga e një shteti demokratik. Nuk dua të komentoj se çfarë kemi bërë dhe çfarë po bëjmë për lirimin e tyre. Të jeni të sigurt që jemi shumë aktiv. Jo vetëm në një kanal, por në disa kanale dhe ndërkohë as nuk diskutohet që sa kohë ata njerëz të jenë atje, marrëdhëniet tona janë pa asnjë gjë të re, përkundrazi. Marrëdhëniet tona me Serbinë sot janë vetëm për këtë punë. Nuk kemi asnjë marrëdhënie tjetër, për asnjë gjë tjetër. Unë uroj që lirimi i tyre të ndodhë sa më parë. Çdo ditë është shumë e dëmshme. Po është e dëmshme jo thjesht për marrëdhëniet tona. Është e dëmshme për vetë Serbinë. Është e dëmshme për rajonin. Është e dëmshme për këtë proces. Është vetëm keq. Asnjë lloj të mire nuk ka. Asnjë lloj përfitimi nuk ka, në aspektin qoftë më cinik, duke mbajtur në burg tre efektivë policie të një shteti tjetër, për shkelje kufiri. Ta zëmë se e kanë shkelur kufirin, se nuk po i hy argumentit që kjo edhe mund të mos ketë ndodhur për sa kohë që KFOR-i nuk ka pasur pozicion të qartë në këtë pikë dhe në një farë mënyre ka fajësuar të dy palët. Nuk hyj fare në këtë. Edhe sikur të jetë kështu, çfarë kanë bërë? Pastaj Serbia nuk e njeh fare atë kufi! Çfarë problemi ka tani? Apo po njeh shtetin e Kosovës me këtë rast edhe kufirin. Kjo është një lajthitje shtetërore mendoj unë dhe nuk bëhet fjalë për të pasur asnjë zhvillim tjetër në marrëdhëniet tona pa u zgjidhur kjo. Nuk diskutohet! Nuk është ultimatum. Nuk është kërcënim. Nuk ka lidhje fare me këto. Është thjesht dhe vetëm pasojë e një fakti dhe prandaj edhe në raport me ditën e djeshme, edhe aleatëve dhe partnerëve ja kam bërë shumë të qartë që pa u liruar ata të tre, është e kotë që të diskutojmë të tjera. Mund të bëhen gjëra formale, jo folëm, po nuk bëhet dot asgjë. S’ka. Unë nuk jam i ëmbël me Albinin, po në këtë pikë do të bëja absolutisht njësoj të njëjtën gjë. Pa u liruar ata të tre, s’do bëj asgjë, se është e papranueshme fare. Nuk janë tre njerëz që i kanë kapur me pretendimin që kanë bërë krime, siç është rasti i atyre që janë arrestuar në Kosovë. Janë kapur me atë pretendim, me atë dyshim, i bazuar, i pabazuar e të tjerë nuk hyj fare unë në këtë. Janë tre efektivë policie që janë kapur pse kanë kaluar një vijë kufiri që është dhe e paqartë se ku ndodhet. Ta zëmë se e kanë kaluar, po pastaj? Çfarë bënë atje?

 

–  Zoti kryeministër, a do ja përsërisni të njëjtën ftesë si më 13 maj kryeministrit Kurti për një takim mes jush dhe ministrave të Jashtëm dhe të Brendshëm të Shqipërisë dhe Kosovës dhe në informacionin tuaj, cila është gjendja e trupave ushtarake shqiptare pjesë të KFOR-it, janë në gjendje alerte ato?

Kryeministri Edi Rama: Për mua është shumë e qartë ajo që ka ndodhur. Albini nuk e ka dashur konfrontimin, ballafaqimin e drejtpërdrejtë për këtë temë, sepse Albini lexon sondazhet dhe kënaqet që i rriten poenat, por mendoj që Shqipëria nuk është notere dhe nuk mund të jetë kurrë notere e çdo politike që ndjek Kosova, aq më tepër nëse Shqipëria quhet, trajtohet si “vëllai i madh” gjë që unë s’e kam thënë kurrë sepse unë mendoj që janë dy shtete të ndryshme dhe autoritetet e secilit shtet janë pa diskutim të barabarta me njëra tjetrën. Aq më tepër, nëse është kështu detyrimi jonë është të themi të vërtetën në sy dhe të mbajmë qëndrimet tona. Shqipëria është shtet më vete. Interesat e Shqipërisë për ne janë shumë të qarta. Duke mirëkuptuar arsyet pse ndonjëherë ndodh ndryshe, ne s’mund të jemi dakord me çdo gjë dhe pastaj propaganda që mbledhja ishte për qytetarët. Si ishte për qytetarët? Marrëveshjet që ishin gati për tu firmosur, mund të firmoseshin po njësoj pa pasur nevojë të jepnim një shfaqje sikur gjërat janë normale. Gjërat nuk janë normal.  Nuk ka asnjë normalitet. Gjërat janë keq dhe unë po përpiqem të bëj gjithçka për të shmangur më të keqen.

Natyrisht, në emër të qeverisë dhe në emër të Shqipërisë me aq sa ne kemi mundësi dhe me aq sa ne kemi ndikim. Po bëjmë gjithçka dhe të tjerët, por të vijë dita që të diskutohet luajaliteti i aleatëve strategjikë dhe partnerëve strategjikë ndaj Kosovës është keq, shumë keq.

Ju mendoni që mua më jep ndonjë kënaqësi fakti që meqë nuk jam dakord me Albinin në këtë temë dhe në këtë moment, Albinit nuk i hapet asnjë derë dhe i kthehen mbrapsht edhe vizitat e planifikuara në zyrat e homologëve në Europë apo në Amerikë? Përkundrazi, më duket e tmerrshme. Apo që programe të caktuara kanë ngrirë, të bashkëpunimit të Bashkimit Europian me Kosovën, e kështu me radhë?

Unë nuk hyj tek ata që i konsideroj ndërkombëtarët dhe partnerët si Zotin vetë. Zoti është mbi ne dhe mbi ndërkombëtarët dhe mbi aleatët. Zoti është mbi Amerikën dhe mbi Shqipërinë, por ama në këtë rast është katastrofë në këndvështrimin tim, që të këputen në këtë farë feje lidhjet aq të rëndësishme dhe aq të forta me bashkësinë euro-atlantike, bashkësinë euro-atlantike, e cila sipas disa filozofëve, në Kosovë nuk ekziston as si koncept.

Kështu që, unë jam i gatshëm të takohem me Albinin në çdo moment, ju kam thënë. Në nivelin personal nuk ka asnjë problem, fare, zero. Po të jeni prezent kur ne jemi bashkë ju mund të habiteni sesa mirë shkojmë, por në nivelin konceptual kemi probleme dhe probleme të mëdha shumë.

 

-Zoti kryeministër, çfarë nënkupton i kur ju thoni që do ngrini marrëdhëniet me Serbinë? Janë ngrirje marrëdhënie diplomatike-ekonomike? E dyta, nga dhurata e madhe që shqiptarët presin në 4 korrik  e keni deklaruar ju, përfshihen dhe shqiptarët e Kosovës nga kjo dhuratë? Përfitojnë dhe ata? Keni deklaruar që në 4 korrik presin një dhuratë të madhe.

Kryeministri Edi Rama: Mos i ekzagjeroni batutat. Mendoj do jetë një dhuratë e bukur, por meqë ju i lidhni të gjithë gjërat me lekë, nuk janë lekë, të jemi të qartë se gjithmonë thoni “Sa kushton”. Ndërkohë që, këtu nuk bëhet fjalë për prishje marrëdhëniesh diplomatike. Këtu bëhet fjalë për marrëdhënie, të cilat kthehen në një pikë zero që do të thotë nuk ka marrëdhënie. Natyrisht, ne nuk do ndalojmë tregtinë, nuk do ndalojmë asgjë, por ama nuk ka marrëdhënie, nuk ka komunikim tjetër. Çdo komunikim në çdo nivel me Serbinë do jetë “Lironi 3 policët” deri kur ata të lirohen. Shpresoj të lirohen dje, por nëse nuk do lirohen një vit, larg qoftë, dy, tre, pesë, vetëm kjo do jetë marrëdhënia; Lironi ata të tre, kaq. Nuk kemi asnjë fjalë tjetër. Këtë kuptoj unë, por nuk kuptoj që do ndalojmë kamionët e këto se këto punët e kamionëve dhe targave i ka qejf Albini, unë nuk merrem me këtë se nuk di as t’i jap kamionit.

 

-Në fillim kur rinisën tensionet në veri ju dukeshit shumë i bindur duke thënë në të gjitha deklaratat tuaja publike se Serbia nuk mund t’i prekë as fijen e flokut Kosovës. A vazhdoni t’i qëndroni të njëjtit mendim tashmë që forcat serbe kanë marrë peng prej disa ditësh 3 policë të Kosovës?

Kryeministri Edi Rama: Padiskutim, 100%.

 

-Është kërcënim i Kosovës rrëmbimi i tre policëve që mund të ishte një akt provokimi që t’i çonte gjërat akoma më keq?

Kryeministri Edi Rama: Padiskutim dhe unë jam i mahnitur, negativisht natyrisht, nga disa shqipo që u hodhën përpjetë nga gëzimi që “Ja, Serbia mund ta cenojë Kosovën”. Fare, zero po ju them prapë. Ju kam thënë që asnjë hap nuk hyn dot Serbia, një hap nuk hyn dot në Kosovë ushtarakisht, këtë ju kam thënë dhe këtë jua përsëris prapë dhe prapë e prapë e prapë.

Ndërkohë që, në këtë rast kemi të bëjmë me një akt, i cili niset nga diskutimi “Ishin këtu, ishin aty” dhe i cili në vetvete është një akt i papranueshëm, por cenim territorial dhe fizik “Mund të ndodhte kështu, mund të ndodhte ashtu”, ato mund të ndodhin tek Kinostudioja Qimi.net, kurse në realitet ka ndodhur ajo që ka ndodhur. Ne komentojmë atë që ka ndodhur, ama kjo nuk do të thotë që veriu i Kosovës mund të mos shkojë në përplasje të armatosur, por jo nga agresioni ushtarak nga jashtë, por nga situata brenda, gjë që do ishte katastrofë.

Mos harroni sesi ka ndodhur në Ukrainë dhe kijeni parasysh se cilët janë njerëzit ose forcat e interesuara që të përsëritet e njëjta histori, ku në këtë rast veriu i Kosovës do të ishte Donbasi Ukrainës, larg qoftë.

Çfarë duhet bërë nga ana jonë, çfarë duhet bërë nga të gjithë? Duhet bërë gjithçka që kjo të mos ndodhë, jo “Hajdeni se nuk ka problem, po ia marrim dhe njëherë kallashnikovin” se ajo nuk mbaron më pastaj.

 

-Ju thatë që Albin Kurtit i janë mbyllur dyert nga ndërkombëtarët, por ai ka qenë sërish sot në Bruksel dhe teksa e theksoni në fjalën tuaj që Shqipëria është një shtet tjetër, përse vazhdoni të ndërhyni në punët e brendshme të një shteti tjetër, kur në fakt nuk ju kërkohet kjo gjë, as nga ndërkombëtarët, drafti juaj është refuzuar dhe mesa duket thirrjet tuaja të vazhdueshme nuk dëgjohen as nga Albin Kurti as nga Alexander Vuçiç. Pse mendoni që po e ndihmoni Kosovën në këtë formë dhe me këto deklarata që po bëni?

Kryeministri Edi Rama: Së pari, ne jemi ekzaktësisht në të njëjtin vend së bashku dhe jua thashë dhe më përpara, kjo lagje ku ne jetojmë i ka kap shumë ngjitur shtëpitë dhe i ka kaq të ndërlidhura fatet sa po u dogj, larg qoftë, njëra shtëpi merr flakë gjithë lagja. Kështu ka ndodhur në histori dhe ky rajon nuk është as i Albin Kurtit dhe as i Aleksandër Vuçiç. Ne jemi këtu, ne kemi interesa në këtë rajon, ne kemi rol në këtë rajon dhe kjo nuk është ndërhyrje në punët e brendshme, se nuk ka sesi të jetë ndërhyrje në punët e brendshme se duhet ta mësoni se çfarë është ndërhyrja në punët e brendshme se me këtë teori i bie që e vetmja gjë që bëni ju është që hyni në punët e brendshme të të gjithë dynjasë, por nuk është ndërhyrje në punën e brendshme. Ju bëni detyrën tuaj dhe unë bëj detyrën time, ne bëjmë detyrën tonë. Çfarë ndërhyrjeje në punët e brendshme është kjo?

E dyta, ju thatë drafti është refuzuar. Nga kush? Unë nuk ia kam çuar draftin as Kosovës as Serbinë. Unë draftin ia kam çuar Francës dhe Gjermanisë dhe për dijeni Presidentit të Këshillit Europian dhe nuk kam pritur as që të miratohet nga Kosova, as që të miratohet nga Serbia sepse as Kosova e as Serbia as nuk e kanë lexuar dhe e refuzojnë pa e lexuar. S’ka problem fare. As nuk kam pretenduar që ai draft duhet të miratohet edhe kur të lexohet. Është një kontribut. Është thjesht në kontribut. A do vlejë rrugës apo nuk do vlejë rrugës, këtë le ta shohim, por edhe sikur në fund të mos vlejë, prapë është një kontribut për paqen, është një kontribut për normalizimin në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë,  është një kontribut për Kosovën sipas meje.

Do të thoni ju po se? Sepse ne jemi dy shtete, por jemi një popull, shumë e thjeshtë. Këtë gjë nuk mund ta zhbëjmë dot. Kurrsesi! Kur thashë që janë mbyllur dyert, e thashë me keqardhje  si pasojë e asaj që u paralajmërua dhe nuk dua të bëj komente më të gjata, por po ju them që kjo është e vërtetë se unë nuk mund të them, unë nuk jam as syri e as veshi që mund të thonë ça të duan. Unë mbaj përgjegjësi për ato që them dhe kjo është e vërteta.

Tani në fund fare, një gjë përsëri dua ta rithem. Shqipëria nuk është këtu për të bërë sehir në këtë lagje dhe as nuk ka sesi të rrijë pa i lëvizur të gjithë gurët kur sheh se si gjëja mund të shkojë për dreq sepse kjo impakton të gjithë të ardhmen tonë dhe të gjitha planet tona për të ardhmen në sensin e rritjes së ekonomisë dhe të mirëqenies këtu. Pra, ndërhyrja ime në punët e brendshme atje, ka lidhje edhe me rrogën tuaj këtu. Me atë që deklaroni dhe me atë që do të deklaroni në të ardhmen që do të jetë edhe më e lartë se kjo që deklaroni sot dhe kjo është e gjitha. Shumë e thjeshtë!

 

– Zoti Kryeministër kur thoni se ka nevojë për një shtysë të re nga ana e ndërkombëtareve dhe për këtë i keni dërguar dhe një letër Scholz dhe Macron, a do të thotë kjo që dialogu apo taktikat e ndjekura deri më tani për çtensionimin e situatës kanë dështuar dhe pyetja e dytë, a keni patur komunikim me presidentin serb Aleksandër Vuçiç për të liruar tre efektivët dhe cilat kanë qenë qëndrimet e tij, përgjigjja që ju ka dhënë. Faleminderit!

Kryeministri Edi Rama: Për të dytën s’kam asnjë koment, për të parën e thashë që duhet një shtysë e re, duhet një marrje dhe mbyllje brenda e të dyja palëve nën kujdesin e drejtpërdrejtë të kumbarëve të planit që është kthyer një marrëveshje bazë, që është Franca dhe Gjermania me mbështetjen e SHBA dhe natyrisht Franca dhe Gjermania janë njëkohësisht edhe Bashkimi Europian në të njëjtën kohë sepse mbështetje e BE nuk diskutohet. Duhet kjo dhe nuk është një ide e re e imja. E kam thënë dhe në tryezën e madhe të liderëve në Moldavi dhe tani mendoj që është koha sepse kjo ecejakja në Bruksel, ka ardhur në një moment që është vetëm status-quo. Nuk pres dhe nuk kemi çfarë presim të reja, pa një shtysë të re dhe pa një  përfshirje të drejtpërdrejtë të kancelarit dhe të presidentit të cilët duhet të shpëtojnë jo thjesht Kosovën dhe Serbinë nga përplasja, por duhet të shpëtojnë rajonin nga shkatërrimi i të gjitha proceseve të nisura dhe nga asgjësimi i vetë Procesit të Berlinit. Kaq e thjeshtë është kjo.

 

–  Zoti Kryeministër, ju e pranuat që keni komunikim në disa kanale edhe me ndërkombëtarët për zgjidhjen e kësaj situate, ndërkohë pranuat nga ana tjetër që Albin Kurtit po i mbyllen dyert, gjithashtu janë artikuluar sanksione ndaj Kosovës. Pse ndaj presidentit serb nuk ka masa të tilla kur në këtë situatë janë të dyja shtetet aktorë? Faleminderit.

Kryeministri Edi Rama: Tani më fal, ju e pranuat ç’do me thënë? Unë s’e pranova asgjë, unë thjesht dhashë një fakt. Nuk jam unë që vë sanksione, as nuk më marrin më pyesin, ore, si mendon ti. Aq sa kam pasur unë mundësi dhe jo i vetëm , kam bërë çmos që gjërat të zbuten, por vala e parë është vënë në lëvizje, vala tjetër mund të vihet shumë shpejt në lëvizje dhe pa diskutim që po u vu në lëvizje vala tjetër, do të jetë një valë e egër për të dyja palët. Nuk diskutohet, por ajo që mua më intereson më shumë, është faktori që iu thashë, se nuk e thashë për gjë tjetër, por për të nxjerrë në pah opinionin tim që këta që luftojnë në facebook me të shara dhe me agresivitet dhe që janë gati të marrin armët dhe nga ato që ngatërrojnë playstation me luftën dhe me përdorimin e armëve reale, me një lehtësi të madhe kanë arritur në konkluzionin që nuk na duhet as Europa, as Amerika, madje kanë pikturuar në imagjinatën e tyre një David të vogël që po lufton me Goliathët e planetit, ndërkohë që ajo që po “gatuhet” në veri është e tmerrshme dhe ajo duhet ndaluar me çdo kusht. Nuk ka nevojë të jesh atje brenda për të parë dhe për të kuptuar se çfarë po “gatuhet” atje. Ashtu sikundër nuk ka nevojë ta rishohësh historinë të riprodhohet kur e ke parë se si është riprodhuar me shumë se sa një herë nga shkulmat nacionaliste dhe nga pompimi i autoritetit falë nacionalizmit. Dihet ku çon!

 

–  Dhe me lejoni të vijoj pyetjen e Elias pavarësisht se ju nuk kishit një koment për shkak se u zhvilluar një nga aksionet më të mëdha të policisë shqiptare, nuk kemi patur një reagim tuajin.

Kryeministri Edi Rama: Nuk komentoj për këtë fare. S’kam asnjë komente për këtë.

 

–  Pavarësisht kësaj situate, Zoti Kryeministër, a do të vijojnë takimet e planifikuara në kuadër të Ballkanit të hapur?

Kryeministri Edi Rama: Jo, nuk ka asnjë takim, nuk ka asnjë zhvillim tjetër. Çdo kanal komunikimi ka vetëm një fjali: lironi tre policët e Kosovës. S’ka asgjë tjeër, fare.

 

– Zoti Kryeministër, meqë situata rajonale është pesimiste, më lejoni që të kërkoj pak optimizëm, le të themi, për realitetin lokal. A është dhurata me e madhe e 4 korrikut heqja e vizave nga Amerika? Faleminderit.

Kryeministri Edi Rama: Aman të keqen, mos ma përsërisni 100 herë këtë dhuratën e madhe se pastaj kur ta shihni, do ju duket që jo që s’është dhuratë por do ju duket sikur po ju bëjmë ndonjë të keqe, kështu që harrojeni këtë tani. E kam thënë në një kontekst të caktuar, merreni shiheni si e kam thënë që ta kuptoni pse e kam thënë. Tani a është kjo, a është ajo, a është zbritja në tokë e dikujt që kemi menduar gjithmonë që është lart dhe që nuk do vijë asnjëherë. Shumë faleminderit!

Previous Masat e Policisë për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, përgjatë sezonit turistik 2023