Konferencë për shtyp e Kryeministrit Edi Rama dhe Kryeministrit të Maqedonisë së Veriut Dimitar Kovačevski, pas takimit bilateral të mbajtur në Shkup - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Konferencë për shtyp e Kryeministrit Edi Rama dhe Kryeministrit të Maqedonisë së Veriut Dimitar Kovačevski, pas takimit bilateral të mbajtur në Shkup

Kryeministri Edi Rama po zhvillon një tur dy ditor në kryeqytetet e Ballkanit Perëndimor ku do të takohet me liderët e shteteve. Shkupi është ndalesa e parë e Kryeministrit ku u takua me Kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovačevski, takim i cili u pasua dhe nga konferenca për shtyp e dy liderëve.

Pas Maqedonisë së Veriut, ndalesa e radhës do të jetë Kosova. Ndërkohë ditën e premte kreu i qeverisë shqiptare do të udhëtojë drejt Bosnje dhe Hercegovinës, Malit të Zi dhe Serbisë, ku do të zhvillojë takime bilaterale me liderët e këtyre vendeve.

***

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovačevski: I dashur Edi,

Delegacione të Shqipërisë dhe Maqedonisë,

Të nderuara media, të nderuar qytetarë,

Sot kisha nderin bashkë  me ministrat të jem mikpritës i homologut tim të dashur dhe mikut tim të dashur, Edi Rama me të cilin çdo herë kemi shumë tema për te diskutuar që i prekin dy  vendet tona por edhe rajonin.

Maqedonia e veriut dhe Shqipëria zhvillojnë  miqësi dhe partneritet që është model për rajonin me atë që dy vendet tona ndajnë shumë bashkëpunime në shumë fusha, por edhe vlera europiane.

Meqë rruga evropiane prej së cilës nuk heqim dorë as ne as Shqipëria, është qëllim strategjik i të dyja shteteve. Në këtë rrugë të integrimeve europiane si rajon dhe në mënyrë bilaterale ne ndërmarrin hapa për evropianizimin e shoqërive tona me qëllim sa më shpejtë t’i arrijmë standardet evropiane në çdo kuptim, si sistematike dhe ligjore përsa i përket standardit të jetës së qytetarëve tanë.

Pikërisht një hap i tillë ishte edhe procesi i Berlinit në kuadër të të cilit vendet e Ballkanit Perëndimor vitin e kaluar gjatë Samitit në Berlin nënshkruan tre marrëveshje rajonale për mobilitet që kanë të bëjnë me njohjen e kualifikimit të arsimit të lartë midis vendeve të Ballkanit Perëndimor, njohje të ndërsjellë të diplomave të doktorëve të mjekësisë, mjekësisë dentale, arkitektët si edhe për qarkullimin me letërnjoftime midis të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Në këtë samit që do të ndodhë në Tiranë, siç i thashë edhe Edit dhe homologëve të tij në takimin që patëm, Shqipëria si kryesues dhe ai si kryeministër, e kanë mbështetjen tonë në atë proces që e dimë që e gjithë kjo është mirënjohje për vendin, për rezultatet e arritura edhe për rajonin në tërësi. Ne e kishim atë rol të jemi kryesues në vitin 2020 kur kishte një sfidë dhe të gjitha takimet u organizuan online që nuk është rast për momentin dhe prandaj mund ta kemi kryetarin e qeverisë së Shqipërisë të jetë mysafir me kolegët e tij në Shkup.

Procesi i Berlinit është i rëndësishëm për rajonin jo vetëm për shkak të marrëveshjeve që i theksova po edhe për shkak të nismave që pastaj duhet të ndërmerren dhe kanë të bëjnë me energjetikën, ekonominë, digjitalizimin, infrastrukturën, mundësinë për investime si edhe mobilitet shtesë të qytetarëve, bizneseve dhe gjithsesi zhvillimit i bashkëpunimit në shumë fusha përfshirë kulturën, arsimim, integrimet evropiane dhe shkëmbimit të shumë përvojave të tjera midis vendeve. Krahas nismave politike dhe mesazheve që vijnë nga ky proces, ne si rajon na nevojiten përfitime të shpejta, të nevojshme që do të rrisin potencialin ekonomik të rajonit dhe do të reduktojnë hendekun midis vendeve kandidate për anëtarësim në BE dhe vendet anëtarë të BE veçanërisht në rajonin e Europës juglindore.

Nevojitet diçka që qytetarët do ta ndiejnë si përfitim gjatë anëtarësimit dhe para anëtarësimit në BE që do ta mbajë idenë europiane dhe përkushtimin ndaj këtij procesi. Për të gjithë faktorët e shoqërive të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor. Në fund të ditës ajo që është më e rëndësishme për qytetarët, është gjendja ekonomike, zhvillimi ekonomik, standardi jetësor, sundimi i ligjit dhe parimet e demokracisë ne vendet ku jetojnë. Në këtë plan bashkërisht mund të lavdërohemi se e kemi bërë shumë, këtë e bëmë dhe akoma e bëjmë në kuadër të nismës Ballkani i Hapur që së shkurti dha rezultate konkrete midis 3 shteteve, Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe Serbisë dhe janë të dukshme dhe i pamë të gjithë dhe i përshëndetën si qytetarët ashtu edhe kompanitë e të tria shteteve.

Kjo nismë nga Open Balkan, qytetarët dhe bizneset presin edhe më tej të ofrojë risi, që do t’i sigurojnë zhvillim por edhe zhvillimin e bashkëpunimit midis vendeve që u konfirmua se është rritur pasi kësaj nisme.

Për mua është me rëndësi që kjo nismë tregoi se përmes bashkëpunimit mund të rritet tregtia, shkëmbimi tregtar midisi vendeve dhe më tej është komplementare të proceseve që i përfshijnë të gjitha vendet dhe këtu para së gjithash mendojmë për Procesin e Berlinit dhe për nismat e tjera që ekzistojnë, para së gjithash mendoj për CEFTA, CEI, SECP, por duhet ta dini se në hapësirën e Europës Juglindore ka 72 nisma për bashkëpunim. Një pjesë e tyre janë formale dhe një pjesë jo formale, ekonomike dhe politike, por këto veçohen si kryesore ku ndodhin edhe pjesa më e madhe e nismave dhe më vjen mirë që nismat që u nënshkruan në kuadër të Procesit të Berlinit u tregua se mund të zbatohen midis vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe kjo ndodhi në kuadër të nismës Ballkani i Hapur dhe kjo do të jetë stimulim për edhe procesi i Berlinit t’i japë rezultatet e pritshme dhe të dëshiruara.

Maqedonia e Veriut dhe ku jemi sot është shembull konkret si për sjelljen si burrështetasi dhe miratim të vendimeve jo të lehta, pra bëhen dallime për një kohë të shkurtër nga shteti i kapur, u bëmë shtet anëtar i NATO-s,  u bëmë shtet që i filloi negociatat me BE me gjuhën e mbrojtur dhe kulturën e mbrojtur  dhe identitetin vetë në dobi të misioneve paqësore, sot jemi mikpritës dhe e ndamë përvojën për tejkalimin e sfidave dhe dialogut me shtetet fqinje që midis tyre kanë çështje të hapura.

Pikërisht me këtë rast si fqinj i drejtpërdrejtë i Kosovës dhe Serbisë apelojmë për de-eskalim të gjendjeve dhe zbatim të obligimeve të ndërmarra midis dy palëve, përkatësisht implementimin e dy marrëveshjeve që Kosova dhe Serbia e arritën në 27 shkurt në Bruksel dhe marrëveshjen e arritur nw Ohër për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve.

E di se ky është një provës që përfshin vendime në të dyja shtetet fqinje, por politikanët në çdo vend kanë detyrim të sillen si burrështetas dhe me guxim dhe t’i qasen zgjidhjes të çështjeve të hapura, sado që të jetë e vështirë kjo dhe sado që të duket pa zgjidhje.

Pikërisht për këtë qasje të dialogut mund të them se krenohem që këtu flasim për ardhmërinë tonë, për negociatat e filluara me BE, për screening-un e filluar, për atë që javën e ardhshme Maqedonia e Veriut do të ketë delegacionin e vet në samitin e NATO-s, për reforma konkrete, për marrëveshje të nënshkruara, për bashkëpunim kufitar FRONTEX me gjuhën tonë maqedonase dhe jo të flasim se e gjithë kjo duhet të ndodhë në të ardhmen dhe kur e them kështu atëherë shihet se sa është i madh dallimi. Para nesh kemi edhe një vendim, kjo është çështja në interes të qytetarëve edhe për mediat. Kjo ka të bëjë me miratimin e amendamenteve kushtetuese në kuvend. Unë besoj se Kuvendi jonë do të jetë në nivel të detyrës dhe se përfundimisht me hapat e përshpejtuar ta vazhdojmë rrugën tonë drejt integrimeve europiane dhe t’i bashkëngjitemi familjes evropiane. E di se nuk do të jetë e lehtë. Ka interesa të ndryshëm, ka kalkulime të ndryshme te të gjitha partitë politike. Një pjesë e tyre shohin interesin e shtetit, por një pjesë e liderëve politikë shohin interesin e tyre politik, por duhet të merret vendim që është i guximshëm dhe do ta mbajnë mend gjeneratat e ardhshme se kjo gjeneratë e politikanëve ka marrë vendim me të cilin ka siguruar ardhmëri më të mirë për ata që vijnë pas nesh.

Në këtë rrugën tonë drejt integrimeve evropiane e di se mund të kemi mbështetjen e miqve dhe para së gjithave e numëroj dhe kryetarin e qeverisë së Shqipërisë, Edi Ramën. E di që miqësia jonë tradicionale shihet përmes hapave konkretë, përmes procedurave dhe numrave konkrete. Ne shënojmë 30 vjet marrëdhënie diplomatike midis vendeve, bashkëpunimi ynë u fuqizua pas dy mbledhjeve ndërqeveritare. Në të fundit që u mbajt vjet në nëntor nënshkruam më shumë memorandume për avancimin e bashkëpunimit në thuajse të gjitha fushat, veçanërisht në fushat ekonomike dhe energjetike. Bashkëpunim kishim dhe në shumë fusha të tjera kështu që atë që mundem dhe sot ta them është se tek ne procedura ka përfunduar, në Shqipëri po ashtu, ikonat që u nxorën padrejtësisht nga shteti ynë në vitin 2013 për të cilat Kuvendi ynë e ratifikoi marrëveshjen për bashkëpunim midis Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Shqipërisë, do të kthehen në shtetin tonë me ndihmën e qeverisë së Republikës së Shqipërisë. Nuk ka konfirmim më të madh sesa kur trashëgimia jonë kulturore dhe historike të besimtarëve ortodoksë të kishës sonë dhe pjesë të historisë sonë dhe kulturës do ta zërë vendin aty ku i përket dhe për këtë i jam falenderues kryeministrit Rama, por dhe institucioneve në Shqipëri që ishin jashtëzakonisht efikase, por edhe ministrisë sonë të Kulturës dhe ministres Kostadinovska.

Bashkërisht bashkëpunojmë me sukses në kuadër të aleancës së NATO-s, aktivisht bashkëpunojmë në kuadër të implementimit të IPA, 2 projekte për bashkëpunim ndërkufitar.

Rruga sa i përket bashkëpunimit tonë është trasuar dhe në këtë rast dua të dëshiroj në emrin tim personal, besoj edhe Edi do të pajtohet  dhe qytetarët e të dyja vendeve sa më shpejt t’i gëzohemi sukseseve të reja dhe ta realizojmë qëllimin tonë strategjik, që është anëtarësia me të drejta të plota në Bashkimin Europian.

Shpreh falënderimet që sot e kemi kryeministrin Rama mysafir në Shkup ku kryesisht biseduam për koordinimin sa i përket Samitit që na paraprin të Procesit të Berlinit që do të mbahet në Shqipëri ku me të vërtetë qeveria e Shqipërisë dhe kryeministri janë 100% të përkushtuar në zhvillimin e suksesshëm të këtij Samiti.

Ju faleminderit!

 

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama: Faleminderit Dimitar!

Faleminderit i nderuar kryeministër,

Patëm një takim dhe një diskutim shumë të dobishëm në kushtet kur Shqipëria do të mikpresë Samitin e Procesit të Berlinit në Tiranë dhe ku qëllimi im është që ky Samit të shënojë disa përparime konkrete, të prekshme, domethënëse, për të cilat po punojmë me Kancelarinë në Berlin dhe paralelisht po diskutojmë me Komisionin Europian në Bruksel.

Është një kohë ku është bërë shumë e qartë për të gjithë ne dhe në këtë pikë kemi dakordësi të plotë jo thjesht në parim, por një dakordësi e plotë që buron nga realiteti i përditshëm i punës sonë dhe i qytetarëve tanë dhe i gjithë kësaj lagjeje që quhet Ballkan Perëndimor në mes të Europës, se hendeku midis vendeve anëtare të Bashkimit Europian dhe vendeve tona, në aspektin e mbështetjes financiare të Bashkimit Europian është i pa-krahasueshëm me nevojën tonë dhe me domosdoshmërinë që Europa e tërë të jetë më kompakte.

Kjo është arsyeja pse ne prej disa kohësh, saktësisht qysh se kur nisëm negociatat me Bashkimin Europian kemi filluar të shtyjmë në këtë drejtim duke bashkëpunuar në mënyrë proaktive me njëri-tjetrin si vende, në mënyrë të posaçme me Maqedoninë e Veriut ku kryeministri, ministri Osmani, stafi i kryeministrit janë shumë aktivë dhe në mënyrë që të çojmë përpara këtë qëllim tonin të përbashkët duke furnizuar partnerët tanë me argumente konkretë, me shifra dhe të dhëna konkrete nga ky realitet i cili në pamje të parë nuk duket por sa më thellë t’i hysh aq më befasues bëhet.

Për më tepër, eksperiencat që kemi kaluar na e ndalojnë që ne të sillemi sikur nuk ka ndodhur asgjë dhe të mos bëjmë atë që ne të paktën na takon, kam parasysh COVID-in, ku Bashkimi Europian na la si peshq pa ujë në periudhën e parë të përgjigjes ndaj COVID dhe ku të gjithë ne u detyruam të shkojmë të kërkojmë vaksina në ato që në gjuhën e përditshme, Bashkimi Europian i quan vende të treta, por kam parasysh dhe periudhën pas, sesa e rëndësishme ishte kur Bashkimi Europian u përfshi dhe kur ne gjetëm mbështetjen nga Bashkimi Europian.

Nëse flasim për këtë, kjo nuk është e vetmja. Ka plot sfida të përbashkëta që në momente të caktuara kërkojnë jo vetëm qëndrim politik të përbashkët, por kërkojnë një qasje të përbashkët ndaj qytetarëve të cilët nuk mund të jenë qytetarë të dorës së parë dhe qytetarë të dorës së dytë dhe në këtë drejtim, ajo që vendet e tjera të Bashkimit Europian, ajo që fqinjët tanë në Bashkimin Europian marrin nga Bashkimi Europian është e pakrahasueshme me atë që ne mund të vëmë në dispozicion të qytetarëve nga burimet e brendshme, sado që ne ato t’i rrisim.

Në këtë pikë shtoj dhe një gjë; Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë një bilanc, një bilanc shumë kuptimplotë në raportin e tyre në Bashkimin Europian, jo vetëm sa i përket reformave që çuam në çeljen e negociatave, por përsa i përket linjëzimit të plotë 100% me politikën e jashtme të Bashkimit Europian dhe kjo është një vlerë që ne mishërojmë  në këtë komunitet të përbashkët vendesh dhe kombesh këtu në rajon dhe është një vlerë që jo të gjithë e mëshirojnë 100%.

Lajmi i mirë është se Komisioni, siç e ka shprehur dhe presidentja von der Leyen, po punon në këtë drejtim dhe së shpejti do kemi një tjetër takim informal në Tiranë ku unë do t’i ftoj të gjithë sëbashku dhe ku do jenë prezentë dhe miq nga Bashkimi Europian për të diskutuar konkretisht mbi planin.

Na duhet ky plan, na duhet kjo mbështetje dhe e meritojmë si vende në mes të Europës që të mos shihemi thjesht si ata që duhet të bëjnë detyrat sepse detyrat ne duhet dhe do t’i bëjmë për vete, por dhe si ata që kontribuojnë dhe sot më shumë se asnjëherë tjetër, në këndvështrimin tim, është e qartë që Bashkimi Europian ka nevojë për ne sa ç’kemi nevojë ne për Bashkimin Europian.

Tema tjetër që diskutuam është tema e Samitit të NATO-s. Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi janë anëtarë të NATO-s. Ne jemi absolutisht të linjëzuar me lidershipin e NATO-s, nuk ka diskutime këtu por ama ne jemi tre anëtarë të NATO-s në një rajon që nuk është i qetë dhe kemi nevojë që të kuptohemi së bashku dhe të jemi, si të thuash, të qartë duke shkëmbyer me njëri-tjetrin, duke shkëmbyer dhe me ata që nuk janë në NATO për të pasur atje një zë që nuk është thjesht zëri i një vendi, por është i një rajoni. Kjo ka qenë dhe faleminderit Dimitër që iu përgjigje menjëherë kërkesës dhe me shpejtësi u organizua kjo vizitë. Faleminderit për mikpritjen!

Faleminderit të gjithë anëtarëve të kabinetit të pranishëm!

Faleminderit edhe gazetarëve nga Maqedonia e Veriut, që mesa kuptoj e kanë me qejf kur vij unë se iu kujtohet Bullgaria.

 

***

 

– Mirëdita dhe mirë se erdhët në Maqedoni zoti Rama. Fillimisht na jepni një koment nga ana juaj me atë që kryeministri Albin Kurti refuzon të takohet me ju dhe gjithashtu Bilal Kasami, kryetar i Besa refuzoi të takohet me ju, si e komentoni këtë dhe si e vlerësoni faktin që Kurti refuzon të përmbushë kërkesat nga SHBA, Bashkimi Europian apo praktikisht nga gjithë komiteti ndërkombëtar? A mund të thuhet se me këtë cënohet imazhi pozitiv që kanë shqiptarët në rajon si partner strategjik?

Kryeministri Edi Rama:  Të takohet me mua?

– Po, ka refuzuar të takohet me ju.

Kryeministri Edi Rama: Po unë s’i kam kërkuar takim.

– Në rregull!

Kryeministri Edi Rama: Ka refuzuar paraprakisht duke menduar se unë mund t’i kërkoj takim. Një refuzim preventiv quhet ky. Kryetari i komunës së Tetovës, djalë i mirë. Nuk do ta hiqja kurrë nga punët e komunës sot, për punët e NATO-s.

– Edhe Kurti refuzon të takohet me ju dhe për atë që refuzon të takohet me ju dhe për atë që refuzon të përmbushë obligimet dhe kërkesat nga komuniteti ndërkombëtar në Kosovë dhe me këtë a cënohet imazhi pozitiv i shqiptarëve në rajon?

Kryeministri Edi Rama: Më lini ta trajtojmë mes shqiptarësh, në Kosovë kur të shkoj. Unë kam akoma shpresë që Albini nuk e ka harruar kanunin që kur të vjen në shtëpi dhe hasmi, i hapet dera dhe është e ndaluar që ta nxjerrësh deri kur ai të mbarojë fjalën.

– Informacionet janë se kryeministri Albin Kurti ende nuk e ka konfirmuar takimin. A morët mësim nga iniciativa ‘Ballkani i Hapur’ duke përjashtuar shqiptarët e Kosovës dhe duke vepruar kokë më vete si kryeministër i Shqipërisë, por pa u konsultuar me Kosovën, e cila derdhi gjak për të fituar pavarësinë nga Serbia dhe të bëjmë vëllazëri me të dikurshmin hasëm dhe të lëmë anash vëllezërit tanë. Për këtë dua një koment. Mes shqiptarësh tani, unë jam shqiptar.

Kryeministri Edi Rama: Që je shqiptar dukesh që nga pyetja, jo vetëm nga gjuha. Po së pari, pyetjen e bën sikur unë kam bërë një faj nga i cili kam nxjerrë një mësim. Përshtypja po, por pyetja është për mua. Ekzakt! Kështu që Ballkanin e Hapur, një mijë herë të rikthehesha mbrapa, një mijë herë do ta ribëja. Ballkani i Hapur nuk është një nismë përjashtuese. Ballkani i Hapur është një nga 72 iniciativat që kanë në këtë rajon, për të cilat ju edhe nuk keni dëgjuar fare, jam i sigurtë, siç edhe unë vetë kur e kam lexuar shifrën 72, jam habitur. Dhe çfarë e keqe i ka ardhur nga Ballkani i Hapur, rajonit? Përveç të mirave? Cilat janë të mirat? Merrni shikoni shifrat e tregtisë midis vendeve dhe mos e harroni asnjëherë që çfarë është bërë, nuk zhbëhet, përkundrazi. Çfarë është bërë ka shërbyer që edhe procesi i Berlinit që është ‘ombrella’ dhe tek e cila unë duhet të fokusohem 100% pasi Shqipëria është mikpritëse e Procesit të Berlinit, ka përfituar nga Ballkani i Hapur pikërisht shtysën.

Kështu që, nuk e kuptoj fare se si ka akoma dyshime për këtë kur faktet flasin qartë. Përsa i përket pastaj asaj të vëllazërisë apo të gjakderdhjes, mendoj që është rruga më e gabuar e mendimit shqiptar sot. Nuk ka rrugë më të gabuar sesa të vazhdojmë të rrimë në të shkuarën dhe për më tepër të anatemojmë njëri-tjetrin, të akuzojmë njëri-tjetrin, të grindemi me njëri-tjetrin se kush është patrioti i vërtetë. Patrioti i vërtetë është ai që do vendin e vetë dhe që nuk i do të keqen askujt tjetër.

Gjergj Fishta kishte një fjalë për këto, ‘dokrra hini’ i quante, por për çështjen, konkretisht për pjesën që ka të bëjë me Kosovën, për raportin me Serbinë e të tjerë, do flasim në Kosovë. S’dëshiroj të flas këtu përderisa do jem në Kosovë më pas, nuk ka asnjë sens që unë të flas këtu për atë që do të flas në Kosovë. Me gjithë respektin, po t’i ke qasje në rrjet, kështu që do më ndjekësh nga larg.

 

– Ju e konfirmuat zoti Rama që do të vijojë nisma e Ballkanit të Hapur. Do të ketë një qasje të re për Ballkanin  e Hapur duke pasur parasysh që diplomacitë europiane e kanë rimarrë le të themi Procesin e Berlinit dhe a pritet që zoti Abazoviç, kryeministri tjetër shqiptar i Malit të Zi, duke qenë se është një mbështet i Ballkanit të Hapur, t’i bashkohet kësaj nisme pas zgjedhjeve që kanë ndodhur në Malin e Zi?

Kryeministri Edi Rama: Nuk e di kur e dëgjove pjesën që unë fola për Ballkanin e Hapur, sepse unë pikërisht ngaqë nuk dua fare që në këtë proces për organizimin e Samitit të Berlinit dhe për domosdoshmërinë që të gjithë sëbashku të futemi nën ombrellën e Procesit të Berlinit si rezultat i këtij plani të ri që po merr jetë nga ndërveprimi me Brukselin, dëshiroj që Ballkanin e Hapur ta lë mënjanë. Kaq! Nuk ka dhe s’dua që ti jap askujt asnjë mundësi që të flasë dhe të vazhdojë të flasë për konspiracione, për alternativa, për paralelizma , për nuk e di se çfarë. Është shumë e qartë kjo gjë dhe nuk kam asnjë koment për të bërë për Ballkanin e Hapur. Për mua Ballkani i Hapur i ka bërë një shërbim shumë të madh këtij rajoni. Një mijë herë të kthehesha, një mijë herë do ta ndiqja të njëjtën rrugë dhe patjetër që siç thashë, përderisa në 72 nisma është nga të paktat që kanë marrë vëmendje për shkak se është bërë shumë punë. Kush nuk ka marrë pjesë në Ballkanin e Hapur ka bërë gabim për veten e vet, por nuk është Ballkani i Hapur absolutisht gabimi im.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovacevski: Së pari, Ballkani i Hapur është iniciativë e cila buron nga rajoni dhe në asnjë mënyrë nuk është në këndvështrim me asnjë lloj nisme tjetër, në veçanti jo me Procesin e Berlinit. Ballkani i Hapur u krijua si ide nga tre vende të rajonit, që gjithsesi është iniciativë e hapur për të gjitha vendet e tjera të rajonit pavarësisht nëse ato vende janë anëtare të BE ose jo. E dini që në një pjesë të takimeve kanë qenë të pranishëm edhe kryeministrat e Turqisë, të Hungarisë si mysafir. Në samit kishte të pranishëm dhe kryeministrat e Malit të Zi dhe Serbisë dhe gjithmonë do të jetë e hapur për të gjithë kjo iniciativë. Iniciativat më së miri maten sipas rezultateve, do të thotë kur diçka punoni më së miri do të vlerësoni kur të shikoni rezultatin.

Unë tani do ju prezantoj një pjesë të rezultateve të cilat u publikuan për qytetarët dhe për kompanitë në këto tre vende, në Maqedoninë e Veriut, në Shqipëri dhe në Serbi.

Shkëmbimi i jashtëm tregtar ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë në raport me vitin 2019 është zmadhuar 50%.

Shkëmbimi i jashtëm tregtar ndërmjet Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në raport me vitin 2019 është zmadhuar me 40%.

Shkëmbimi turistik, përkatësisht numri i turistëve nga Serbia në Maqedoninë e Veriut është rritur në vitin e kaluar në krahasim me vitin 2021, 500%. Maqedonia as që mund të imagjinonte dhe të paramendonte, edhe Shqipëria këtu nuk do kishte paramenduar vet apo vetë si shtete edhe Serbia të kenë stendën më të madhe të verës. Tre vendet në Itali kishin pikën më të madhe të verës në panair, kjo është e mundur vetëm nëse shkoni bashkarisht dhe këtë do tua u konfirmojnë të gjitha kantinat tona që prodhojnë verë. Maqedonia e Veriut me prodhuesit e verës në Maqedoni e zmadhojnë pjesëmarrjen e tyre në shitjen e verës jo vetëm në rajon, por në nivel global. Ne jemi eksportuesi i dytë rajonal i verës. Qytetarët dhe kompanitë këtë presin. Ajo që e kishin hall në Procesin e Berlinit në vite të bëjnë, njohja e kuadrit me kualifikime të larta, njohja e diplomave, qarkulli i lirë me letër njoftim e kështu me radhë ne në kuadër të Ballkanit Perëndimor e bëmë këtë dhe do ta bëjmë këtë dhe në kuadër të procesit të Berlinit për shkak se e dëshmon dhe e vërteton se mund të bëhet. Të përmbledh rezultatet të cilat i dha Ballkani i Hapur dhe që ka mbështetje të mbi 70% të kompanive  dhe qytetarëve. E përsëris mbi 70% në tre shtete vazhdojnë dhe do punohet dhe në drejtim të qëllimeve dhe përfitimeve të reja për shkak se misioni i integrimit imperativ, ndërsa qëllimi përfundimtar është integrimi i të gjitha vendeve në BE, që nuk ka përfunduar. Procesi i Berlinit është nisma më e gjerë. Do të punojmë bashkërisht mbi të. Të mos harrojmë që në kuadër të Procesit të Berlinit përfundimisht dhe më në fund u firmosën 3 kontrata të cilat janë deponuar në ministrinë tonë të punëve të jashtme që do të thotë se me vetë këtë Maqedonia e Veriut paraqet dhe ka efekt dhe vend të rëndësishme në Procesin e Berlinit.

Para vetëm një jave kisha takim me kancelarin e Gjermanisë Scholz me të cilin gjithashtu diskutuam për Procesin e Berlinit dhe për nevojën për rritjen e bashkëpunimit  ekonomik ndërmjet vendeve nga Ballkani Perëndimor dhe për përkrahje të zmadhuar nga vendet në BE për vendet e Ballkanit Perëndimor. Ashtu që, secili vend i cili nuk i është bashkangjitur nismës Ballkani i Hapur, në fakt nuk ka pasur mundësi t’iu ofrojë dhe t’iu mundësojë qytetarëve të vetë tregti të zmadhuar, mobilitet të zmadhuar dhe standard të rritur jetësor.

Unë shumë herë e përsëris dhe e përsëris dhe një herë. Më e lehta është të jeni politikan i cili flet për të kaluarën për shkak se atëherë asgjë nuk premtoni. Kur flisni për të kaluarën atëherë as nuk do gaboni, as që mund të premtoni diçka. Është e vështire të jeni politikani i cili premton për ardhmërinë, për bashkëpunim, për integrim, për shkak se atëherë jepni premtime nga të cilat qytetarët persin jetë më të mirë, prandaj u bëj thirrje të gjithë liderëve të Ballkanit Perëndimor të përkushtohen drejt proceseve integruese në rajon dhe drejt implementimit të përshpejtuar të reformave për integrimin më të shpejtë të vendeve të tyre dhe me këtë dhe të rajonit në Bashkimin Europian.

Faleminderit !

-Dje ambasadori i BE David Geer paralajmëroi një mision vlerësues. Nuk mbaj mend të kemi pasur një mision vlerësues për cilindo institucion dhe tani një hap para hapjes së kapitullit të parë. Ne do kemi mision vlerësues dhe na thanë se punët në gjyqësore po përkeqësohen. Si do ta kishit komentuar këtë rreth misionit të vlerësues rreth asaj kur të vijnë dhe çka shteti do të bëjë duke pasur parasysh që gjyqësori po, është i pavarur, megjithatë ligjet i miraton dhoma ligjvënëse e shtetit. Dhe një sqarim nga kryeministrat. Pak jemi në konfuzion këtu gazetarët. Historia me Ballkanin e Hapur ka përfunduar apo jo?

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovacevski: Historia me Ballkanin e hapur nuk ka përfunduar. Ballkani i Hapur dhe shumë rezultate që janë të dukshme, të prekshme. Unë të dielën e ardhshme do të kem takim me kryeministrin Brnabićku do të promovojmë tasat rrugore për të gjithë qytetarët në Korridorin 10. Ballkani i Hapur nuk e ka kryer misionin e vet meqë ai angazhohet për vlerat e njëjta për të cilat angazhohet edhe Procesi i Berlinit ,si proces më i madh që i përfshin të gjithë pa përjashtim.

Sa i përket pyetjes suaj, fillimisht nuk është hera e parë që të kemi mision vlerësues nga BE, ka pasur dhe në të kaluarën. Kjo është temë për të cilën me ambasadorin Geer kam biseduar para një vit e gjysmë. Meqë sistemi ynë gjyqësor është i pavarur nga qeveria, i pavarur nga çdo vend tjetër në bote meqë ne duke i provuar disa here reformat në gjyqësor, ku në fillim gjyqtarët zgjidheshin në Parlament dhe pastaj kishin mandate e pastaj kaluam në zgjedhje tjetër dhe në fund, tani kemi zgjedhje në të cilën gjyqtarët kanë mandat të përjetësohem. Zgjidhen nga Këshilli Gjyqësor si autoritet i pavarur që ka integritetin e vet dhe kështu me radhë dhe sërish vlerësimin për ata e japin serish gjyqtarët të Këshilli Gjyqësor. Ky është një autoritet që e zgjedh, i zgjedh, vetë vlerësohen dhe vet e bën analizën e punës. Unë nga dita e parë kur u bëra kryeministër mendoj se sisteme të tilla shpeshherë dinë të kenë një pasqyrë ndryshe për vetveten nga ajo që e ka publiku dhe prandaj është mirë që në kuadër të bashkëpunimit që kemi me BE, me bashkëpunim me BE do të thotë se keni mbështetje në shumë fusha ku është përfshirë edhe fusha e sundimit të ligjit. Tani do të organizojnë një proces të një misioni të këtillë që t’i kontrollojnë të gjitha informacionet në lidhje me funksionimin e Këshillit Gjyqësor. Dhe pastaj ti ndajnë me Komisionin Europian dhe t’i ndajnë edhe me aktorët politikë të brendshëm dhe në bazë të kësaj të propozohen reforma përkatëse që do ta avancojnë punën e organeve të jurisprudencës në shtet. Kështu që më pyetni konkretisht a e përshëndes? Unë e mbështes!

Kryeministri Edi Rama: E dhashë përgjigjen, më duket se e dhashë përgjigjen dy herë dhe po e përsëris prapë dhe njëherë tjetër dhe nuk besoj se është faji im nëse doni ta shikoni këtë jetë a vdekje. Nuk është jetë a vdekje. Çfarë është Ballkani i Hapur? Është një nga 72 nismat.

Pse u ndërmor? U ndërmor sepse Procesi i Berlinit kishte ngecur, nuk ecte!

Çfarë solli? Solli gjëra fantastike që janë në realiteti ne njerëzve që shfrytëzojnë marrëveshje të Ballkanit të Hapur për të tregtuar, për të lëvizur dhe përveç asaj që përmendi Dimitri në ditët e ardhshme, ne do të përfundojmë dhe atë “one stop” në doganën e Qafë Thanës që prapë është produkt i Ballkanit të Hapur. Ka një ekspozitë së shpejti në Paris organizuar me kohë, që është prapë produkt i kësaj iniciative, panairi i verërave është një panair i themeluar në kuadër të Ballkanit të Hapur, i hapur për të gjithë që do vazhdojë patjetër, por ajo që unë përsëris është që ne duhet të zhytemi me mendje dhe me zemër në Procesin e Berlinit për ta kthyer Procesin e Berlinit në një proces funksional, plotësisht siç Ballkani i Hapur provoi se ne mund të jemi funksional kur jemi së bashku. Procesi i Berlinit nuk ngeci nga ata që ngritën Ballkanin e Hapur, që të jemi shumë të qartë. Ngeci nga vetot “Jo nuk dua këtë, nuk vi aty, nuk firmos, nuk jam, shikohemi nesër”. Për këtë ngeci.

Shpresojmë që tani t’i japim një shtysë të re duke pasur parasysh që tani nuk është thjesht një proces si deri më sot, por shpresoj shumë që ta kthejmë në një proces të lidhur drejtpërdrejtë me planin e financimeve, planin e ri të financimeve të Bashkimit Europian, për të cilin na duhet Gjermania patjetër, në radhë të parë dhe pastaj gjithë vendet e tjera për ta jetësuar bashkërisht.

Pra, jemi në një moment të një kapërcimi në një fazë tjetër të marrëdhënieve me Bashkimin Europian dhe për këtë, Procesi i Berlinit është kyç, është një urë që këmbët e të cilës duhen forcuar dhe pikërisht që ne të merremi fort dhe të fokusohemi tek kjo urë pa u shqetësuar nga këto erërat, korentet, kundër-korentet, Ballkani i Hapur, kjo e ajo, unë them duhet të fokusohemi tek Procesi i Berlinit. Kjo është e gjitha.

Tani nëse doni që të nxjerrim një lajmërim vdekjeje, nuk e kam dhe nuk kam për ta nxjerrë. Nëse doni të dini se si duhet të vazhdojmë, sapo jua thashë.

Megjithatë, jeta është e bukur pikërisht sepse secili mund të këndojë këngën e vet, aq më tepër në një situatë liri-demokracie kështu që secili prej jush të zgjedhë të këndojë këngën e vet dhe ta thotë si e mendon, si e dëshiron. Kush e ka pritur që Ballkani i Hapur të dështojë, le ta këndojë fundin e Ballkanit të Hapur. Kush e ka mbështetur Ballkanin e Hapur, le t’i këndojë jetës së mëtejshme të Ballkanit të Hapur. Nuk ka asnjë problem.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovacevski: Dua të shtoj diçka. Më inspiroi pyetja e koleges e Alsat-it. Kur rri presidenti i Francës dhe kryeministri i Gjermanisë, më së shpeshti diskutimi nëpër Samite është si të përmirësohet bashkëpunimi, si të rritet aktiviteti ekonomik, si më mirë të bashkëpunojnë kompanitë, si të bëjnë prodhim më të mirë që të konkurrojë me produktet që vijnë nga vendet që kanë prodhim të lartë, mendoj fillimisht për SHBA-të, Kinën, Japoninë si “Airbus” të jetë konkurrent ku janë instaluar pjesë të shteteve të tjera, jo vetëm nga Franca, si “Volkswagen” të jetë më konkurrent në treg. Diskutimi i tyre nuk ka të bëjë me atë se çfarë ka ndodhur në “Betejën e Somme”.

Ju faleminderit!

Previous Muzhaqi: Mbyllen aplikimet për Thirrjen e VIII të Programit Kombëtar të Praktikave të Punës/ Rriten aplikimet, të rinjtë duan ta zhvillojnë karrierën në vendin e tyre