Fjala e ministres Kushi në Universitetin e Vlorës - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Fjala e ministres Kushi në Universitetin e Vlorës

Mirëdita të gjithëve!
Të nderuar, rektorë, profesorë, përfaqësues të Ministrisë së Universiteteve të Italisë, të dashur studentë, i nderuar kryetar i bashkisë, i nderuar prefekt, të nderuar pjesëmarrës.

Dua ta nis me një urim shumë të përzemërt për të dy universitetet, Universitetin “Ismail Qemali” të Vlorës dhe Universitetin Politeknik të Barit për këtë program studimi të përbashkët, të dyfishtë, i cili është një mundësi e shkëlqyer për të gjithë studentët, edhe studentët shqiptarë, por edhe studentët italianë, sepse është një program studimi inxhinieri mekanike, një kurrikul moderne, por edhe një program që do të angazhojë pedagogë ndër më të mirët që të dyja universitetet kanë. Pedagogë me përvojë, të përkushtuar, profesionistë dhe që janë shumë të apasionuar pas kësaj fushe.

Kështu që është një mundësi e shkëlqyer për studentët, por unë besoj se ky program studimi është një mundësi për të forcuar më tej bashkëpunimin mes dy universiteteve, bashkëpunim i cili duhet të reflektohet jo vetëm në një program të dyfishtë, por edhe në konferenca të përbashkëta, edhe projekte kërkimore shkencore, edhe shkëmbim pedagoges, studentësh, pra në të gjitha aspektet e jetës universitare.

Dhe unë mendoj se të dyja universitetet i kanë mundësitë për ta bërë këtë. Por po ashtu, ky program studimi, kjo marrëveshje që sapo u nënshkrua sot, do të jetë një mundësi për të forcuar bashkëpunimin mes dy qyteteve tona, Vlorës dhe Barit, por edhe më tej, mes rajoneve, mes dy vendeve tona.

E themi shpesh, deti nuk na ndan, deti na bashkon. Dhe Bari dhe Vlora kanë shumë gjëra të përbashkëta. Edhe për sa i takon kulturës, qytetet turistike të bukura, por edhe për sa i takon njerëzve, mentalitetit të njerëzve.
Dhe universitetet duhet të jenë një arsye më shumë pse bashkëpunimi mes dy qyteteve dhe dy vendeve tona duhet të jetë edhe më i fortë. Sepse janë pikërisht universitetet që mund të ndërtojnë urat për të cilat foli edhe rektori. Mes dy vendeve tona nuk ndërtojmë mure, por vetëm ura bashkëpunimi që katalizator duhet të kenë universitetet por më pas duhet të shtrihen në të gjitha fushat, në ekonomi, kulturë, biznes, industri e në shumë fusha të tjera.

Meqë jemi këtu në universitetin e Vlorës, unë dua ta përgëzoj shumë këtë universitet, që nga rektori, ekipi drejtues, të gjithë pedagogët, pse jo edhe studentët për arritjet ndër vite, por veçanërisht arritjet kohët e fundit. Dhe do ta nis me procesin e ndërkombëtarizimit ku Vlora është një ndër universitetet avangardë që ka përparuar shumë në këtë proces që është prioritet i politikës sonë në arsimin e lartë.

Nuk është vetëm kjo marrëveshje, nuk është vetëm Universiteti Politeknik i Barit, por janë edhe universitete të tjera edhe italiane, më vjen shumë mirë ta them, pjesë e këtij procesi. Por që sigurisht duhet të vazhdojë, të intensifikohet më shumë dhe të ngrihet në nivele më të larta.

Ndërkohë që jam shumë krenare për universitetin e Vlorës, që vetëm pak ditë më parë ka marrë nga Komisioni Evropian vlerësimin “Erasmus Charter for Higher Education”. Është vërtetë një arritje që universiteti i Vlorës është i pari. Vërtetë ju përgëzoj sepse universiteti i Vlorës është i pari ndër të gjitha universitetet në Shqipëri, publike dhe jo publike që merr këtë certifikatë akreditimi, që do të thotë plotësimin e të gjitha kritereve, standardeve dhe kapaciteteve të duhura për të qenë në listën e atyre universiteteve që studentët që shkojnë për programe Erasmus mund të zgjedhin.

Ne i pamë dëshmitë e studentëve, sa optimistë ishin. Kapacitetet e Universitetit të Vlorës janë edhe më të mëdha, jo vetëm për të dërguar studentë për përvoja në universitete të ndryshme Evropiane, por veçanërisht për të pritur. Dhe jo thjesht për kapacitetet që ka universiteti, por natyrisht studentët e huaj mund të vijnë në Vlorë edhe për shumë gjëra të tjera që i ofron ky qytet i bukur, turistik me një potencial të jashtë zakonshëm zhvillimi.

Edhe për sa i takon punës kërkimore shkencore universiteti i Vlorës është ngritur në një nivel të ri. Vetëm këto kohët e fundit Ministria e Arsimit dhe Sportit ka miratuar shumë projekte me buxhetet e saj për t’i financuar. Janë 4 projekte vetëm tani së fundmi, për sa i takon edhe infrastrukturës së kërkimit shkencor, por edhe projekteve të kërkimit shkencor dhe zhvillimit.
Dhe javën e kaluar ne miratuam edhe një projekt të ndërkombëtarizimit. Sepse fakti që ndërkombëtarizimi është politika bazë në Ministria e Arsimit dhe Sportit por edhe për qeverinë shqiptare, na ka bërë që ne çdo vit të kemi një buxhet të dedikuar pikërisht për të mbështetur procesin e ndërkombëtarizimit të universiteteve. Dhe universiteti i Vlorës sapo ka aplikuar. Edhe vitin e kaluar por edhe këtë vit me një projekt shumë optimist, të cilin e kemi miratuar dhe unë i uroj shumë suksese në zbatimin e tij.

Ndërkohë që potencialet janë edhe më të mëdha. Ambiciet tona janë edhe më të mëdha. Ka edhe shumë punë për të bërë. Duke filluar nga vetë procesi i ndërkombëtarizimit universiteti i Vlorës duhet të vlerësojë edhe fokusimin në ato programe studimi ku ka më shumë avantazhe, ku ka më shumë kapacitete, burime njerëzore, sepse kohëve të fundit kemi folur për profilizim të universiteteve dhe Vlora ka shumë mundësi, ka shumë programe që mund t’i zhvillojë edhe më shumë. Natyrisht edhe me mbështetjen e MAS.

Por ndërkohë ajo që do t’ju sugjeroja është: sa më shumë programe studimi edhe në gjuhë të huaj. Sepse ajo që thamë pak më parë. Studentët jo vetëm nga rajoni, por nga gjithë Evropa e shikojnë Vlorën si një destinacion shumë atraktiv jo vetëm turistik, por edhe për të vazhduar studimet. Por edhe përvoja në periudhën e tyre, siç janë edhe në kuadër të programeve Erasmus. Por kjo duhet të na bëjë që të punojmë shumë më tepër që ne të ofrojmë programe në gjuhë të huaj, veçanërisht në gjuhën angleze, por sigurisht edhe në gjuhën italiane, dhe gjuhë të tjera, në mënyrë që të bëhemi sa më shumë konkurrues, atraktivë për studentët në rajon e më gjerë.

Ndërkohë që për sa i takon programeve të kërkimit shkencor do t’ju inkurajoja që të punojmë edhe më shumë për programin Horizont Evropa, ku BE i mbështet të gjitha iniciativat, partneritetet. Ministria e Arsimit dhe Sportit tashmë ka nënshkruar marrëveshjen dhe paguan atë tarifën vjetore pikërisht që universitetet shqiptare të kenë të drejtë të aplikojnë për të përthithur sa më shumë fonde.
Dhe partneritete si ky i sotmi me Universitetin Politeknik të Barit, por edhe me shumë universitete të tjera me të cilët ju keni tashmë marrëveshje, janë një mundësi shumë e mirë, janë një bazë e shëndetshme mbi të cilën mund të mbështetet vazhdimi i punës për këto programe në kuadër të Horizont Evropës.

Së fundmi. Ministria e Arsimit dhe Sportit ka miratuar një vendim të Këshillit të Ministrave për programet prioritare dhe për mbështetjen studentore, me bursa sa paga minimale. Në listën e programeve që ne i kemi përzgjedhur si fusha prioritare dhe universiteti i Vlorës ka një sërë programesh që lidhen edhe me turizmin, me mësuesinë, me inxhinierinë. Kështu që duhet t’i ftojmë së bashku të gjithë maturantët, të rinjtë e të rejat, jo vetëm të Vlorës, por nga gjithë Shqipëria t’i vlerësojnë këto programe sepse mbështetja e Ministria e Arsimit dhe Sportit është vërtetë e konsiderueshme. Madje këtë vit ne e ndryshuar Vendimin e Këshillit të Ministrave edhe për sa i takon kritereve të mesatares, apo ruajtjen e mesatares përgjatë periudhës së studimeve pikërisht për t’i dhënë sa më shumë mundësi, për të patur sa më shumë përfitues, po edhe për t’i mbështetur gjatë gjithë periudhës së studimeve, jo vetëm për vitin kur përzgjedhin programin e studimit.

Të gjithë së bashku duhet t’i promovojmë sa më shumë këto iniciativa, këto vendime sepse janë në radhë të parë në interes të studentëve, por pse jo edhe në interes të universiteteve për t’i forcuar dhe zhvilluar më shumë këto programe studimi prioritare.

Dhe në fund fare, me qenë se kemi edhe Kryetarin e Bashkisë së Vlorës, të cilit i uroj shumë suksese, sapo ka marrë detyrën. Do të dëshiroja shumë, dhe shpresoj shumë që dhe bashkëpunimi midis universitetit dhe bashkisë të forcohet dhe më shumë. Të ngjitet edhe ky bashkëpunim në një nivel të ri. Sepse është fat për çdo qytet që të ketë një universitet. Universiteti duhet të jetë katalizator, avangard për sa i takon mendimin shkencor, kritik, por edhe vizionit për zhvillimin e qytetit. Jam e bindur që edhe bashkia ka shumë nevojë për mendimin vizionar të universitetit. Por edhe universiteti ka shumë nevojë të bashkëpunojë me bashkinë por edhe me institucionet e tjera, në mënyrë që të ketë sa më shumë projekte të përbashkëta për zhvillimin e qytetit.
Jam shumë optimiste për këtë bashkëpunim. Jam shumë optimiste për universitetin e Vlorës. Dhe mbi të gjitha jam shumë optimiste sot për këtë bashkëpunim të ri, për këtë urë të re midis dy vendeve tona. Dhe jam edhe unë këtu, jo vetëm në emër të Ministria e Arsimit dhe Sportit por edhe në emër të qeverisë shqiptare, sepse jo vetëm që kemi shumë besim, jo vetëm që do ta mbështesim universiteti i Vlorës në të gjitha iniciativat, por siç e tha edhe Këshilltarja e Ministres së Universiteteve, edhe ne kemi vënë zemrën këtu, dhe gjithë kapacitetet, të gjitha burimet tona njerëzore për të ecur përpara, për të bërë më të mirën.

Shumë suksese, urimet më të mira. Faleminderit!

Previous Manastirliu-Kumbaro nga Qendra Shëndetësore Orikum: Në gatishmëri për sigurinë e turistëve, mbi 4 mijë qytetarë kanë marrë shërbim në qendrat verore