Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 24 Gusht 2023 - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 24 Gusht 2023

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 24 Gusht 2023:

 

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E DËMSHPËRBLIMIT FINANCIAR PËR DISA ISH-TË DËNUAR POLITIKË TË REGJIMIT KOMUNIST

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 9 e 10, të ligjit nr.9831, datë 12.11.2007, “Për dëmshpërblimin e ish-të dënuarve politikë të regjimit komunist”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Miratimin e dëmshpërblimit financiar për disa ish-të dënuar politikë të dënuar me burgim, izolim në hetuesi, izolim në institucion mjekësor apo mjekësor psikiatrik, sipas listës së përcaktuar në aneksin A, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

2. Miratimin e dëmshpërblimit financiar për ish-të dënuar politikë të dënuar me dënim kapital ose të ekzekutuar pa gjyq, sipas listës së përcaktuar në aneksin B, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

3. Shpërndarja e masës së dëmshpërblimit për ish-të dënuarit politikë bëhet me këste, sipas kritereve dhe kufijve të përcaktuar në nenin 12, të ligjit nr.9831, datë 12.11.2007, “Për dëmshpërblimin e ish-të dënuarve politikë të regjimit komunist”, të ndryshuar.

4. Shuma e përllogaritur përballohet nga buxheti i Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i planifikuar për këtë qëllim. Shuma transferohet nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale në bankën e nivelit të dytë nëpërmjet thesarit, pas konfirmimit të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë. Pagesa e dëmshpërblimit për secilin përfitues urdhërohet nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë në llogaritë e tyre personale, të hapura në bankat e nivelit të dytë, sipas përcaktimeve të ligjit nr.9831, datë 12.11.2007, “Për dëmshpërblimin e ish-të dënuarve politikë të regjimit komunist”, të ndryshuar.
5. Ngarkohen Ministria e Drejtësisë, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E MARRËVESHJES NDRYSHUESE NR.2 TË MARRËVESHJES SË GRANTIT, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE SUEDISË, NË LIDHJE ME PLANIFIKIMIN E SEKTORIT TË UJIT PËR NEGOCIATAT ME BASHKIMIN EVROPIAN, TË MIRATUAR ME VENDIMIN NR.93, DATË 5.2.2020, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 19 e 23, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin të ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin e marrëveshjes ndryshuese nr.2 të marrëveshjes së grantit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Suedisë, në lidhje me planifikimin e sektorit të ujit për negociatat me Bashkimin Evropian, të miratuar me vendimin nr.93, datë 5.2.2020, të Këshillit të Ministrave, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

PËRJASHTIMIN NGA NDALIMI I GJUETISË, PËR QËLLIME SHKENCORE PASVAKSINALE, TË KAFSHËVE TË VAKSINUARA, NË KUADËR TË PROJEKTIT IPA 2020, KONTROLLIN DHE ÇRRËNJOSJEN E SËMUNDJES SË TËRBIMIT-FAZA IV

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikave 1, shkronja “b”, e 2, të nenit 4, të ligjit nr.60/2022, “Për shpalljen e moratoriumit të gjuetisë në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Përjashtimin nga ndalimi i gjuetisë, duke lejuar gjuetinë e dhelprës së kuqe, për qëllime shkencore pasvaksinale, në kuadër të projektit IPA 2020, “Kontrollin dhe çrrënjosjen e sëmundjes së tërbimit – faza IV”, financuar nga Bashkimi Evropian.

2. Gjuetia e dhelprës së kuqe për marrjen e kampionëve të dhelprës kryhet në të gjithë territorin e vendit, me përjashtim të territorit të zonave të mbrojtura mjedisore, përgjatë muajve shtator, nëntor dhe dhjetor 2023. Brenda kësaj periudhe, gjuetia të kryhet vetëm në ditët e mërkurë, e enjte, e premte dhe e shtunë.

3. Për marrjen e kampionëve të dhelprave të kuqe, nëpërmjet gjuajtjes së tyre, të angazhohen në të gjithë vendin 39 (tridhjetë e nëntë) punonjës të Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, të pajisur me shenjë dalluese për këtë proces, për sigurimin në total të 324 (treqind e njëzet e katër) kampionëve të dhelprave të kuqe.

Numri i personave, që realizojnë marrjen e kampionëve në çdo qark, si dhe numri i kampionëve të dhelprave që sigurohen për secilin qark, jepen në shtojcën që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
Detajimi i punonjësve përkatës, që marrin pjesë në këtë proces, bëhet nga drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura. Analizimi i kampionëve të dhelprës së kuqe bëhet nga Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinare.

4. Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, me hyrjen në fuqi të këtij vendimi, pajis me autorizimin përkatës për kryerjen e gjuetisë së dhelprës së kuqe për çdo qark, punonjësit e Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, që marrin pjesë në këtë proces.

5. Gjatë gjithë kohës së kryerjes së kësaj veprimtarie në zonat ku do të kryhet gjuetia dhe marrja e kampionëve nga dhelprat, procesi kontrollohet nga strukturat vendore përgjegjëse për pyjet në njësitë e vetëqeverisjes vendore, shërbimet veterinare përkatëse dhe Policia e Shtetit.

6. Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve të bashkëpunojë me Agjencinë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura në lidhje me pajisjen e punonjësve të Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura me pajisje (frigobokse) për ruajtjen e kampionëve (kokat e dhelprave). Punonjësit e Agjencisë Rajonale të Zonave të Mbrojtura, pas marrjes së kampionëve (kokat e dhelprave), t’i dorëzojnë këto të fundit pranë shërbimit veterinar rajonal përkatës.

7. Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural koordinon procesin për marrjen e kampionëve të dhelprave të kuqe, dërgimin e tyre në laboratorët përkatës, analizimin dhe nxjerrjen e rezultateve, si dhe raportimin për përfundimin e kësaj faze të procesit të monitorimit pasvaksinal kundër sëmundjes së tërbimit të dhelprës së kuqe në Shqipëri.

8. Ngarkohen Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Ministria e Brendshme, Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura, Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinare, Drejtoria e Shërbimit Veterinar dhe Mbrojtjes së Bimëve dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.23, DATË 18.1.2023, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR FINANCIMIN E SHËRBIMEVE SHËNDETËSORE SPITALORE NGA SKEMA E DETYRUESHME E SIGURIMEVE TË KUJDESIT SHËNDETËSOR, PËR VITIN 2023”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 5, të ligjit nr.84/2022, “Për buxhetin e vitit 2023”, të ndryshuar, të nenit 10, të ligjit nr.10383, datë 24.2.2011, “Për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Shtojca nr.2, bashkëlidhur vendimit nr.23, datë 18.1.2023, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, zëvendësohet me shtojcën nr.2, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

2. Ngarkohen Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.111, DATË 1.3.2023, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E BUXHETIT TË AGJENCISË SHTETËRORE TË KADASTRËS, PËR VITIN 2023”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 6, të ligjit nr.111/2018, “Për kadastrën”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Shtojcat 2 dhe 3, të përmendura në pikën 1 dhe bashkëlidhur vendimit nr.111, datë 1.3.2023, të Këshillit të Ministrave, zëvendësohen me shtojcat me të njëjtin emërtim dhe numërtim, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij.

2. Ngarkohet Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

KALIMIN NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI TË MINISTRISË SË KULTURËS TË PRONËS ME EMËRTIMIN “KALAJA E LËKURSIT”, ME NUMËR PASURIE 26/144, 26/139, 26/487, ZONA KADASTRALE 8642, SARANDË

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 10 e 13, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Kulturës, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Kalimin në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Kulturës të pronës me emërtimin “Kalaja e Lëkursit”, Sarandë, me numër pasurie 26/144, 26/139, 26/487, zona kadastrale 8642, e llojit “truall”, me sipërfaqe totale 8211.4 (tetë mijë e dyqind e njëmbëdhjetë pikë katër) m2, sipas formularit dhe planrilevimit që i bashkëlidhen këtij vendimi.

2. Kalimin në përgjegjesi administrimi të Ministrisë së Kulturës, të ndërtesave nr.1, nr.4, nr.5, nr.6, nr.7, nr.8, nr.9, sipas planit të rilevimit dhe formularit bashkëlidhur këtij vendimi, që ndodhen në pasurinë e llojit “truall”, me nr.26/144, zona kadastrale 8642.

3. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, sipas përcaktimeve të ligjit nr.111/2018, “Për kadastrën”, të pasqyrojë në kartelën e pasurisë së paluajtshme 26/144, zona kadastrale 8642 (seksioni A-“të dhënat e pasurisë”), sipërfaqet e ndërtesave të përcaktuara në pikën 2, të këtij vendimi.

4. Ngarkohen Ministria e Kulturës dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E UNIFORMËS, SHENJAVE DALLUESE DHE MODELIT TË DOKUMENTIT INDIVIDUAL TË IDENTIFIKIMIT, NGJYRËS, SHENJAVE DHE PËRDORIMIT TË MJETEVE LËVIZËSE TË POLICISË BASHKIAKE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 46, pika 6, dhe 47, pika 2, të ligjit nr.89/2022, “Për Policinë Bashkiake”, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Miratimin e uniformës dhe të shenjave dalluese të Policisë Bashkiake, sipas lidhjes nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

2. Miratimin e modelit të dokumentit individual të identifikimit të punonjësit të Policisë Bashkiake, sipas lidhjes nr.2, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

3. Miratimin e ngjyrës, shenjave dhe përdorimit të mjeteve lëvizëse të Policisë Bashkiake, sipas lidhjes nr.3, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

4. Ngarkohen njësitë e vetëqeverisjes vendore për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA 

 

*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.
Previous Situata e zjarreve në territorin e vendit paraqitet më e mirë, gjatë orëve të fundit