Ministrja Balluku në Forumin e Biznesit Shqipëri – Izrael - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Ministrja Balluku në Forumin e Biznesit Shqipëri – Izrael

Fjala e Ministres Balluku në Forumin e Biznesit Shqipëri – Izrael

Të nderuar pjesëmarrës!

Është kënaqësi të ndodhem sot në një Forum, i cili zhvillohet midis dy vendeve me një histori të gjatë miqësie dhe bashkëpunimi, por çfarë është më e rëndësishme, një Forum, i cili i adresohet biznesit izraelit dhe atij shqiptar, dhe padyshim Qeveria Shqiptare është e qartë se biznesi është motori kryesor i zhvillimit ekonomik të vendit dhe në kushtet ku sot ndodhemi, në një momentum historik për zhvillimin e Shqipërisë, sigurisht partneriteti me vende të cilat kanë histori të ngjashme me ne deri diku, por që kanë avancuar përmes sfidave dhe sprovave është padyshim bashkëpunimi më i mirë.

Vitet e fundit duhet të themi se është shënuar një dialog në rritje midis Shqipërisë dhe Izraelit dhe padyshim ky dialog ka qenë thellësisht konstruktiv. Nga ana tjetër, dua të them se unë jam një nga dëshmitarët e këtij dialogu pasi në muajin Janar unë kam vizituar, përmes një vizite zyrtare, Izraelin dhe kam takuar shumë  nga kolegët e mi duke nisur nga Ministri i Jashtëm, Ministrja e Transporteve, Ministri i Energjisë, ai i Infrastrukturës dhe Ujit, pra të gjithë ato sektorë kyç në të cilët ne sot bashkëpunojmë. Kemi diskutuar për projekte konkrete, kemi shkëmbyer eksperienca dhe mbi të gjitha kemi hapur një faqe të re pasi edhe unë, edhe Kryeministri edhe të gjithë personat përgjegjës kemi nisur një bashkëpunim të ngushtë me Agjencinë Kombëtare të Cyber Security, një nga Agjencitë botërore të ekselencës dhe prej asaj kohe, prej atij takimi, AKCESK, Agjencia e Sigurisë Kibernetike Kombëtare Shqiptare, është në një partneritet të ngushtë me Agjencinë izraelite. Duke përfituar nga e gjithë eksperienca e tyre dhe duke na iluminuar edhe për masat që duhet të marrim, pasi ne vitin e kaluar patëm një sulm shumë të vështirë për t’u përballuar, por që Izraeli dukej i mësuar me sulme të tilla.

Dua të them gjithashtu që bashkëpunimi ynë nuk ka qëndruar vetëm në rrafshin ekonomik dhe tregtar, por kemi pasur një bashkëpunim të ngushtë diplomatik sidomos edhe në organizatat ndërkombëtare duke mbështetur njëri tjetrin, diçka që tregon besimin dhe të gjithë këtë marrëdhënie historike që ka midis dy vendeve tona.

Por, unë do të qëndroj tek biznesi meqenëse sot kemi një Forum biznesi, një Forum që kërkon të nxisë bashkëpunimin midis përfaqësuesve të biznesit shqiptar dhe atij izraelit, një Forum që kërkon të hapë fusha të reja  dhe horizonte të reja tashmë që Shqipëria është kthyer në një nga vendet më atraktive për bizneset e huaja dhe e them këtë duke u bazuar mbi fakte dhe mbi shifra, pasi të gjithë reformat shtet formuese që ne kemi bërë padyshim kanë dhënë një rezultat të jashtëzakonshëm.

Sot në Shqipëri operojnë kompani ekselence nga më të mëdhatë duke nisur nga ato të fushës së hidrokarbureve siç është SHELL apo ENI, por sot në Shqipëri operojnë në fushën e energjisë, dhe unë po i referohem fushave të cilat mbuloj, operon Voltalia franceze, Total, francez, Verbun austriak e shumë e shumë kompani të tjera duke ju referuar këtu telekomunikacionit dhe të gjithë sektorëve ku ne kemi kompani të mëdha ndërkombëtare që kanë ardhur në Shqipëri, jo nga ndonjë dashur platonike, kanë ardhur sepse sot Qeveria Shqiptare me reformat që ka aplikuar, duke nisur nga ajo në drejtësi, reformat fiskale dhe gjithçka tjetër ka krijuar kushtet dhe klimën e biznesit për të ardhur në vendin tonë për të investuar, për t’u ndjerë i mbrojtur dhe për të vazhduar biznesin dhe investimin, si të ishte një qytetar i Shqipërisë.

Unë takoj shumë biznesmenë të huaj dhe gjithmonë ata kanë atë hezitimin e parë, çfarë duhet të bëjmë, me kë duhet të lidhemi, a keni ju emra të cilët mund të na ndihmojnë etj, dhe unë i kam thënë gjithmonë bashkëpunimi me sektorin privat shqiptar është diçka që duhet ta bëni sepse sigurisht të kesh një partner lokal është shumë mirë, por nga ana tjetër ndihuni në vendin tuaj, ju nuk keni nevojë për askënd. Ju keni Republikën e Shqipërisë partneren tuaj dhe kur vini këtu ndihuni siç jeni në vendin tuaj, ne aplikojmë të njëjtat rregulla, të njëjtat ligje për të gjithë.

Do ti referohem disa shifrave për ta bërë situatën më konkrete. Nga të dhënat që më janë referuar nga institucionet shtetërore shqiptare rezulton se shkëmbimet tregtare midis dy vendeve tona për vitin 2021 ishin 40 milionë euro, ndërkohë të realizuara për vitin 2022 kanë qenë 57 milionë euro. Për periudhën 6 mujore të 2023-it kemi arritur në 21 milionë euro dhe unë shpresoj që të tejkalojmë atë të vitit 2022, pasi kjo është sfida jonë. Numra më të rritur nga vitit në vit, punë të tjera të mbaruara nga viti në vit, rezultate të prekshme nga viti në vit.

Gjithashtu ne vërejmë me kënaqësi se dialogu i frytshëm midis dy qeverive tona është zhvilluar në funksionin e nxitjes dhe zgjerimit të bashkëpunimit dhe unë këtu dua të falenderoj ambasadoren, dua të falenderoj një mikeshë të mirë, Galitin, e cila me një përkushtim të jashtëzakonshëm që rrallëherë e kam parë në kolegë të tjerë, ka punuar që ditën e parë, pavarësisht se ka pak kohë në Tiranë, për të nxitur këtë lloj marrëdhënie. Ne kemi arritur së bashku edhe në një rezultat të shkëlqyer për të pasur një ‘government-to-government agreement’ të cilën do ta firmosim në muajt në vazhdim, duke i hapur kështu dhe duke facilituar rrugën për të gjitha bizneset izraelite që duan të investojnë në Shqipëri dhe për të gjitha këto biznese shqiptare që duan të investojnë në Izrael.

Shumë faleminderit Galit për të gjithë bashkëpunimin dhe mezi pres që të vazhdojmë edhe në të ardhmen gjithë këto punë të mira që kemi nisur.

Ndërkohë që fushat kryesore ku ne kemi bashkëpunim midis dy vendeve padyshim është bujqësia, energjia dhe inovacioni, por nga kërkesat që kemi analizuar kohët e fundit ka një rritje të interesit për investime në fushën e infrastrukturës, gjë që tregon që portofoli i bashkëpunimit mund të rritet. Duhet thënë që kemi pasur një konkretizim të këtij bashkëpunimi midis dy agjencive shtetërore asaj të MASHAV-it dhe të SASPAK-ut për Shqipërinë, sipas një marrëveshje të firmosur në 30 mars të këtij viti. Nga ana tjetër, sigurisht që hi tech-u është fusha më tërheqëse vitet e fundit dhe duke qenë se Izraeli është lider në këtë fushë padyshim kompanitë shqiptare, bizneset shqiptare duhet të punojnë sa më shumë për të bashkëpunuar dhe për të marrë atë eksperiencë të vyer, e cila mund të na shërbejë edhe këtu në vendin tonë.

Ndërkohë që nënshkrimi i konventës për shmangien e taksimit të dyfishë në maj të 2020-ës, e ratifikuar dhe e futur në fuqi në vitin 2022, pra në 1 janar, hapi rrugën për lehtësimin e marrëdhënies tatimore për bizneset e dy vendeve. Aktualisht sipas të dhënave të regjistrit kombëtar të tregtisë në vendin tonë operojnë 105 biznese izraelite që kanë status aktiv, që operojnë në fusha të ndryshme kryesisht në prodhim, tregti, shpërndarje të energjisë elektrike, import – eksport të materialeve të ndërtimit, hidroprodukte sanitare, bujqësore etj.

Së fundmi, një tjetër vështirësi në komunikimin midis dy vendeve duket se është kapërcyer dhe bëhet fjalë për mungesën e fluturimeve direkte, të cilat u afektuan nga lufta në Siri. Gjatë vitit 2016 ne patëm një shkëputje të fluturimeve dhe të mbikalimeve të kompanive ajrore izraelite në hapësirën tonë, por edhe ky një problem i zgjidhur. Pavarësisht se unë do të desha të shikoja El Al të ulej sërish në Rinas ne kemi një iniciativë të re, ISRAIR GROUP tashmë ka nisur fluturimet, duke nisur nga qershori 2023 me dy herë në javë dhe unë jam e sigurt që si të gjithë kompanitë e tjera që kanë nisur me një herë apo dy herë në javë dhe tashmë fluturojnë përditë edhe Izraeli do ndjekë të njëjtin trend.

Gjatë vitit 2022 numri i vizitorëve izraelitas në Shqipëri ka qenë 7346 dhe u rrit krahasimisht me 2021, 61%. Ndërkohë që nga shifrat e marra nga Ministria e Turizmit dhe nga Drejtoria e Kufirit të Policisë së Shtetit deri më tani në 6 muajt e parë të vitit numri i vizitorëve është 6500. Kështu që padyshim 31 dhjetori do mbyllet me një numër rekord.

Shqipëria sot po përjeton një nga momentet e saj historike qoftë në fushën e zhvillimit të turizmit, qoftë në atë të energjisë dhe padyshim nuk mund të mungojë në këtë skenë të zhvillimit biznesi izraelit. Unë dua t’ju them pa u zgjatur pasi realisht mund të flasë shumë. Është një vend që kam në zemër, është një vend që vizitoj shpesh dhe do desha t’ju thoja që përdoreni këtë marrëdhënie kaq të mirë midis dy qeverive. Kthejeni këtë marrëdhënie në një vlerë për ju. Dyert e Shqipërisë janë të hapura për çdo investitor të huaj pavarësisht kombësisë, por sidomos për një vend mik historikisht si Izraeli ne kemi një pikë të dobët, kështu që jeni të mirëpritur në Shqipëri.

Siç e thashë të gjitha reformat shtet formuese që kjo qeveri ka bërë do t’ju facilitojnë rrugën dhe mos harroni që edhe kolegët, biznesmenët shqiptarë me të cilët bashkëpunoni kanë atë shpirtin e mikpritjes që nuk e përdorin thjesht për të ndarë bukën me ju, por e përdorin dhe kur bashkëpunojnë.

Shumë faleminderit për vëmendjen. Ishte shumë kënaqësi që të isha këtu sot dhe shpresoj t’ju shoh të gjithëve në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë në të ardhmen për të lidhur kontrata dhe për të bërë punë të mira.

Previous Durrës/Paketa e Sigurisë në Shkolla, Balla: Shpërndarja e lëndëve narkotike tek moshat e reja sfidë e madhe e imja, si ministër dhe Policisë, duhet të reagojmë me më shumë forcë