Censi i Popullsisë dhe banesave 2023, do të nisë zyrtarisht pas pak ditësh, përmes INSTAT, si një aktivitet tërësisht teknik që do të sigurojë një panoramë të gjendjes aktuale të popullsisë së Shqipërisë, ku përfshihen aspektet sociale, ekonomike, lëvizjet demografike dhe shumë të dhëna të tjera, të cilat do të na tregojnë qartësisht si dhe ku jetojnë qytetarët e Shqipërisë në 2023.
Numërimi i të gjithë popullsisë dhe banesave, është operacioni më i rëndësishëm statistikor në vend, dhe bazuar në këto të dhëna, institucionet do mund të planifikojnë saktë ndërhyrjet dhe shërbimet e nevojshme për banorët.
Ky do të jetë censi i 12-të në historinë e Shqipërisë, i cili vjen 100 vjet pas censit të parë, zhvilluar në vitin 1923 dhe falë zhvillimeve teknologjike do të jetë e mundur që të zbatojë plotësisht standardet europiane të zhvillimit të censeve.
Kryeministri Edi Rama mori pjesë sot në Konferencën hapëse “Censi i Popullsisë dhe banesave 2023”
* * *
Përpara sesa të nis këtë fjalë, e kam te pamundur të mos shpreh kënaqësinë e posaçme që sot në këtë prezantim të një tjetër nisme shumë të rëndësishme, por e cila do të ishte e pamundur pa ndihmën dhe mbështetjen e partnerëve, jam së bashku me ambasadorin Luigi Soreca, i cili me rikthimin e tij, qoftë dhe për pak muaj për arsye të proceduarve në Bruksel, meriton titullin “legjendar” sepse vetëm në legjenda ndodh që ata që ikin përgjithmonë rikthehen përsëri. E nga ana tjetër, duke pasur parasysh që sa shumë punë të mira dhe sa projekte të rëndësishme janë realizuar në Shqipëri pas këtyre lloj prezantimeve në kohën e qëndrimit këtu në Luigit, besoj që mund të them pa droje se këmba e Luigit është e mbarë dhe do të jetë me siguri një ogur i mirë ky prezantim, jo i imi, por i Luigit këtu edhe për suksesin e një nisme të jashtëzakonshme për nga rëndësia, të jashtëzakonshme për nga përmasa, të jashtëzakonshme edhe për nga vështirësia për t’u realizuar me sukses.
Në 8 mars të 1911 Ismail Qemali nga Stambolli i ka dhënë një intervistë ekskluzive revistës Voltaire, ku i prezanton publikut francez një copë toke ekzotike të panjohur me emrin Shqipëri. Në atë intervistë Ismali Qemali thotë se Shqipëria është e ndarë në veriore, jugore. Ka myslimanë, ka të krishterë, ka katolikë, ka ortodoksë dhe nënvizon se të gjithë pavarësisht fesë janë të bashkuar dhe ndajnë të njëjtat zakone, por ajo që Ismali Qemali nuk e thotë dhe nuk mund ta thoshte ishte sa shqiptarë ishin në atë territor.
Dhe një prej gjërave që u bënë gjithmonë e më të pasakta sipas historianëve në perandorinë otomane ishin defterët. Ai më i freskëti nëse mund ta quajmë kështu me informacione për vendlindjen dhe për vendqëndrimin, për besimin fetar, statusin e rekrutimit ushtarak për meshkujt, madje edhe për stilin e mustaqeve dhe të mjekrës prapëseprapë nuk thotë asgjë, flasim për vitin 1905-1906 për të dhëna që kanë të bëjnë me numrin e shqiptarëve, sa ishin shqiptarë. Dhe realizimi i një censusi u shndërrua në një nevojë urgjente pas pavarësisë dhe tentativat e para për ta kryer një regjistrim të plotë filluan në vitin 1918 kur në zonat ku erdhi Austro-Hungaria nisi regjistrimi sepse austro-hungarezet nuk mund ta fillonin pa numëruar njerëz se sa janë këtu. Por mbeti përgjysmë sepse Austro-Hungaria u tërhoq, kapitulloi. U desh të pritej viti 1923, ekzaktësisht 100 vjet nga sot nën qeverisjen e parë të Ahmet Zogut që për herë të parë në Shqipëri të realizohej një census që mund të konsiderohet i denjë për këtë emër dhe kjo ishte hera e parë që ne pamë në pasqyrën e shifrave se përbeheshim nga 814 380 frymë. Përfundimet jetëshkurtra, por edhe të dyshimta të atij censusi përmblidhen nga Teki Selenica disa vite më pas, ku ai shkruan: “Regjistrimi i popullsisë u bë me shumë të meta dhe parregullsi. Hetimet që kemi bërë për së afërmi dhe raportet nga çdo prefekturë tregojnë se jo vetëm persona, por shumë katunde as nuk janë regjistruar fare dhe nuk përfytyrojnë” shkruan, në librat e regjistrimit.
Që nga ajo kohë shteti shqiptar ka bërë 11 censuse, secili prej tyre është treguar i kujdesshëm për të përligjur bindjen se historia përsërit vetveten në një farë mënyre pasi në mënyrën e tyre censuset kanë qenë vijimisht të kushtëzuara nga realiteti në të cilin janë bërë, disa në kohëra kryengritjesh dhe mësymjesh, disa të tjerë nën indoktrinimin e përgjithshëm të një regjimi totalitar. Dhe këto të pas ’90-ës dihet se çfarë vështirësish kanë pasur, por edhe si janë trysnuar nga interesat e ndryshme dhe nga presione të ndryshme të natyrave të ndryshme.
Sot besoj se janë pjekur kushtet që duhet të nisim një proces me kaq rëndësi dhe ta bëjmë sipas standardeve europiane. Është një ushtrim i vështirë sepse duhet trokitur derë më derë për të mbledhur sipas planit të bërë nga Instituti i Statistikave në 6 javë të gjitha të dhënat, të cilat janë një nevojë absolute për shumë arsye. Dhe pikë së pari për të identifikuar realisht, konkretisht sa shqiptarë, sa qytetarë të këtij vendi jetojnë në këtë vend sot. Dhe po ashtu sa është numri i pasurive të tyre të patundshme. E them janë pjekur kushtet sepse si asnjëherë më parë kemi dy faktorë që janë një garanci e rëndësishme. Faktori i parë janë partneret. Kemi partnerët francezë, partnerët zviceranë, partnerët gjermanë, të gjithë të njohur për shpirtin e tyre të saktësisë, për eksperiencën e tyre në të qenit të saktë në numërim dhe patjetër me mbështetjen e vetë BE, me një fond të konsiderueshëm, ku 55% është vendosur në dispozicion nga qeveria shqiptare, pjesa tjetër është vënë në dispozicion nga këta partnerë dhe dua ta theksoj sepse është e rëndësishme, që për partnerët gjermanë kemi GIZ-in i cili është një institucion që në vijimësi në Shqipëri e ka treguar seriozitetin dhe vlerën e vet të shtuar. Faktori tjetër është teknologjia e lartë, e cila na jep një ndihmë shumë të rëndësishme për të përdorur atë që përdoret në realitetet më të zhvilluara si mjet që garanton integritetin e shifrave në kohë reale.
INSTAT ka një eksperiencë të padyshimtë institucionale dhe një vijueshmëri profesionale, e cila është një garanci në këtë proces. Është një nga institucionet e pakta ne këtë vend që kur thua që është plotësisht i depolitizuar, askush nuk ngre dorën për të bërtitur ‘’jo, nuk është e vërtetë’’ dhe eksperienca e INSTAT në bashkëpunim me ekspertët e fushës në Evropë është një eksperiencë e konsoliduar, pra edhe në këtë aspekt nuk kemi thjesht një skuadër profesionistësh shqiptarë që janë profesionistët e INSTAT-it, por kemi dhe një ekspertizë ndërkombëtare shumë të vyer në një proces kaq të ndërlikuar dhe kaq sfidues.
Unë jam shumë krenar që INSTAT sot është tërësisht i çliruar nga politika, nuk merret më me qoka politike, as nuk përgatit më ‘’limonata” me rritje dyshifrore të Shqipërisë më zhvillimin më të shpejtë në botë, diku aty pak hapa prapa Kinës dhe as nuk bëhet shkak që Shqipëria të fshikullohet në çdo raport të BE për statistika të pabesueshme siç ndodhte në të shkuarën.
Kjo është një punë e përgatitur prej 4 vitesh, mos gabohem, dhe ekipet hartografike në terren kanë krijuar zonat gjeoreferuese dhe me mjetet që do të kenë në dispozicion do të kenë mundësi të bëjnë regjistrimin në kohë reale dhe do të mund t’i përcjellin shifrat në kohë reale në bazë të të gjithë zonave regjistruese gjeoreferuese, falë përdorimit të teknologjisë.
Patjetër që armata që ka ngritur INSTAT, sepse është vërtetë një armatë njerëzish, për të lëvizur në terren në 6 javë, për të përdorur tabletat teknologjike për regjistrimin dhe për të këmbëngulur që të dhënat të mblidhen pa trokitur një herë dhe kthyer kurrizin nëse dera nuk hapet, kanë nevojë dhe ky është një mesazh që unë e kam për të gjithë, kanë nevojë për bashkëpunimin e qytetarëve.
Të gjithë qytetarët duhet ta kuptojnë që Censusi ka dhe një aspekt patriotik, në sensin që është shumë e rëndësishme për vendin tonë që numri i shqiptarëve që jetojnë në këtë vend të jetë real, që askush të mos thotë as që “janë shumë” dhe i keni shkruar rrugëve, as që “janë pak” dhe duke qenë pak, jeni një vend që nuk meritoni vëmendjen që pretendoni.
Nuk dua të sjell në vëmendje se çfarë bënë për shembull shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, se si u angazhuan për të realizuar një numrin sa më besnik ndaj realitetit, sepse nuk jemi në të njëjtin kontekst, nuk kemi të njëjtën shtysë për t’i provuar një popullsie tjetër në të njëjtin shtet që jetojmë se ne jemi shumë apo ne nuk jemi pak, por jo për të njëjtën arsye është po kaq e rëndësishme që edhe shqiptarët, qytetarët shqiptarë në Republikën e Shqipërisë të mobilizohen dhe ta bëjnë detyrën e tyre thjesht dhe vetëm duke dhënë të dhënat për qëndrimin e tyre në Shqipëri dhe pastaj të banesave të tyre.
Mirëpritja e armatës së INSTAT-it dhe 10 minuta kohë për t’i dhënë këto të dhëna sipas pyetësorit të ndërtuar në bashkëpunim me ekspertët ndërkombëtarë dhe me të gjitha standardet më të mira ndërkombëtare është një detyrim patriotik.
Nuk diskutohet që informacioni i INSTAT-it është një informacion konfidencial. Nuk diskutohet që në konfidencialitetin e këtij informacioni nuk ka asgjë që dikush do të preferonte të shihte se s’ka ç’të fshehë që është filani dhe që ka një familje prej kaq personash dhe që banon në këtë vend , në Shqipëri dhe s’ka pse. Megjithatë të dhënat janë konfidenciale.
Është e rëndësishme edhe për që, për politikëbërësit, për të korrigjuar trajektoret e politikave ekzistuese në realitetet konkrete demografike për t’u nisur nga realiteti demografik dhe jo nga listat e votuesve të cilat përfshijnë të gjithë dhe ata që banojnë dhe ata që nuk banojnë aty, ndërkohë që realiteti demografik është krejt ndryshe, sepse ne themi që në Shqipëri marrin pjesë 52-3% në votime, por kjo është e pavërtetë sepse në Shqipëri marrin pjesë shumë më tepër në votime, po të kemi parasysh se votojnë ata që janë këtu dhe shumë nga ata që janë në lista dhe që numërohen në përqindjen e përgjithshme nuk janë këtu dhe nuk votojnë do, kështu që ne nuk mund të bëjmë politika korrekte në raport me nevojat demografike duke u nisur nga shpërndarja e popullsisë në bazë të listës të votimit por duhet t’i bëjmë në bazë të regjistrimit të popullsisë, pra në bazë të rezultateve të këtij censusi dhe për këtë arsye, ky census i 12-ti në historinë e shtetit shqiptar , i pari besoj unë që ka këto mjete në dispozicion sepse në kohën kur është bërë censusi i fundit para këtij, nuk ka qenë teknologjia në këtë nivel, po ashtu edhe INSTAT nuk e ka pasur gjithë këtë eksperiencë të shtuar në gjithë këto vite dhe po ashtu prania dhe bashkëpunimi i partnerëve nuk ka qenë kaq i konsoliduar, qoftë dhe për arsye se kanë kaluar disa vite me shumë.
Është shumë e rëndësishme kjo për të gjitha arsyet. Dhe në fund dua të theksoj edhe për minoritetet në Shqipëri. Unë jam shumë krenar për shumë gjëra për Shqipërinë por një nga gjërat që më bën më shumë krenar, është që Shqipëria ka legjislacionin më të avancuar evropian , pra është në kategorinë e parë, se janë disa kategori mes vendeve evropiane dhe mes vendeve të Bashkimit Evropian
Se janë disa kategori mes vendeve europiane dhe mes vendeve të Bashkimit Europian, për legjislacionin për minoritetet. Ne jemi në kategorinë e parë. Legjislacionin e ri për minoritetet e kemi bërë pa na e kërkuar kush se dhe ligji i mëparshëm dhe kuadri i mëparshëm ishte në rregull, por deshëm vërtet të bënim legjislacion optimal, rrezatues dhe për këtë jam shumë krenar.
E dyta, jam shumë krenar për mënyrën sesi Shqipëria i ka integruar dhe sesi në Shqipëri trajtohen të gjitha minoritetet pa asnjë përjashtim dhe pa asnjë diskriminim dhe nëse ka probleme për dikë apo për disa në një komunitet etnik tjetër, janë probleme që janë njësoj në komunitetet me etni shqiptare. Nuk ka asgjë të ndryshme. Nuk ka një minoritar të vetëm që mund të ngrihet dhe të thotë unë kam një problem që lidhet me faktin që jam me një etni tjetër dhe këtë problem nuk e gjeni dot tek askush që është me kombësi shqiptare. Nuk ekziston. Prandaj ne e dimë shumë mirë që ka në çdo aspekt gjëra për t’u përmirësuar edhe për minoritetet, për jetën e tyre, për mirëqenien e tyre siç ka për të gjitha komunitetet me kombësi shqiptare, por jemi në një pozitë që mund ta themi me plot gojën leksione për minoritetet, Shqipërisë nuk i jep dot askush. Asnjë vend! Zero!
Faleminderit!