Ministri i Financave dhe Ekonomisë, z. Ervin Mete, mori pjesë në ceremoninë e prezantimit të fondit të investimeve të Eurizon Capital në Shqipëri. Ky fond investimi është në pronësi të grupit Intesa Sanpaolo dhe ka marrë autorizimin e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare për të operuar në Shqipëri, nëpërmjet shpërndarjes së nënfondeve të veta.
Të pranishëm në këtë aktivitet ishte Ambasadori i Italisë në Tiranë, z. Fabrizio Bucci, Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i Intesa Sanpaolo Bank Albania, z. Alessandro D’Oria, Drejtoresha Ekzekutive në Detyrë e AMF, znj. Mimoza Kaçi, si edhe drejtues të tjerë të institucioneve financiare.
Në fjalën e tij, Ministri z. Mete vlerësoi nismën për operimin në vendin tonë të fondeve të investimit të Eurizon Capital, si një mundësi e re për qytetarët shqiptarë për të ndërmarrë investime në fondet e licencuara në Bashkimin Evropian.
“Kjo është një mundësi e re për investitorët shqiptarë për të aksesuar drejtpërdrejt tregun evropian të menaxhimit të aseteve dhe fondeve të investimeve, siç është edhe një hap drejt integrimit të tregut tonë financiar në tregun e BE-së’, tha z. Mete.
Ministri theksoi më tej se kjo sipërmarrje është një shenjë besimi për tregjet financiare në vend dhe mjedisin e biznesit në përgjithësi, ashtu edhe e thellimit të bashkëpunimit ekonomik mes Shqipërisë dhe Italisë.
Z.Mete tha se Italia mbetet një partner strategjik për Shqipërinë dhe vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme që ka dhënë për zhvillimin ekonomik të vendit tonë dhe procesin e integrimit në BE.
Prezenca e investimeve italiane në Shqipëri ka patur një trend rritës përgjatë viteve të fundit duke shënuar vlerën më të lartë përkatësisht 1.2 miliardë Euro në vitin 2022. Po ashtu, shkëmbimet tregtare me Italinë janë rritur gjatë viteve të fundit, duke arritur në afro 3.5 miliardë euro në vitin 2022.
Italia mbetet partneri i parë tregtar i Shqipërisë dhe gjithashtu një nga vendet udhëheqëse dypalëshe të bashkëpunimit ekonomik dhe shkëmbimeve tregtare në rritje, në mbështetje të zhvillimit social dhe ekonomik të vendit.