Të gjithë talentet që kanë lindur e jetojnë jashtë Shqipërisë, por që mund të aktivizohen për ekipet e moshave të kombëtares sonë të futbollit, apo në sporte të tjera si dhe në fushën e artit, mund të pajisen me pasaportë shqiptare edhe kur nuk kanë mbushur moshën 18 vjeç.
Ndryshimet në ligjin “Për shtetësinë” janë prezantuar në Kuvend nga ministri i Brendshëm Taulant Balla.
“Për shkak të parashikimit që ka ligji aplikimi për pasaportë nuk mund të kryhet pa u mbushur mosha 18 vjeç. Edhe të gjithë e dimë, talentet bëhen gati shumë më shpejt dhe ne kemi pasur gjatë praktikës, qoftë nga paraardhësi im zoti Çuçi, por edhe më parë, raste kur është dashur dhe është kërkuar nga Federatat tona sportive kryesisht ajo e Futbollit, që të ndërhyhet me ligj për të mundësuar pajisjen me pasaportë. Në fakt ligji e pamundëson këtë gjë, e prandaj ndërhyrja e parë është që jo vetëm për sportistët, por mund të kemi dhe artistë të cilët vendosin të marrin pasaportën shqiptare atëherë ne do të mundësojmë që Presidenti i Republikës, i cili është i vetmi që e disponon këtë vendimmarrje përmes dekretit ta mundësojë një gjë të tillë. Kjo ka qenë një kërkesë e iniciuar nga Federata Shqiptare e Futbollit, të cilët gjej rastin t’i falënderoj për bashkëpunimin dhe natyrshëm që sot është vendimmarrja finale e anëtarëve të Kuvendit të Shqipërisë”, tha ministri Balla në seancë.
Gjithashtu përmes amendimeve të tjera, përjashtohen nga testimi i njohurive të gjuhës shqipe dhe historisë së Shqipërisë, aplikantët për shtetësi me natyralizim, të cilët vijnë nga shtetet ku gjuha shqipe është gjuhë zyrtare.
“Ne kërkojmë që qytetarët e Kosovës që kanë gjuhë zyrtare, e flasin gjuhën aq bukur sa ne dhe e njohin historinë tonë sa ne, ndaj dhe nuk kanë pse t’i nënshtrohen një testi për gjuhën apo dijet mbi historinë. Në këtë këndvështrim do bëhet një përjashtim për shtetet ku gjuha shqipe është gjuhë zyrtare. Edhe në Maqedoninë e Veriut gjuha shqipe është gjuhë zyrtare, ndaj edhe gjithë vëllezërit dhe motrat që do kërkojnë shtetësinë shqiptare, kjo do mundësohet. Këtë vendimmarrje do e quaja historike, për të çuar përpara një përgjegjësi që ka vendi amë për ata që aplikojnë për pasaportat me natyralizim”, u shpreh Balla.
Kuvendi kaloi me 95 vota pro, 1 kundër ligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.113/2020, “Për shtetësinë”.