Ministeriali euro-ballkanik i Ministrave të Ekonomisë nga BE-ja dhe rajoni - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Ministeriali euro-ballkanik i Ministrave të Ekonomisë nga BE-ja dhe rajoni

Ministeriali euro-ballkanik i Ministrave të Ekonomisë nga BE-ja dhe rajoni, u zhvillua sot në Tiranë në kuadër të Procesit të Berlinit, me pjesëmarrjen e mbi 20 delegacioneve të nivelit të lartë.

* * *

Kryeministri Edi Rama: Faleminderit shumë! Mirë se erdhët të gjithë miqve në Tiranë! Po lexoja fjalimin e gjatë që më ka përgatitur ekipi im, por besoj se më duhet që t’ju shmang një fillim të mërzitshëm të ditës, kështu që më lini t’ju them pak fjalë që janë jashtë skenari.

Së pari, jam shumë i nderuar që Shqipëria organizon Samitin e parë të Procesit të Berlinit jashtë kufijve të Bashkimit Europian dhe për këtë më duhet të falenderoj me gjithë zemër Kancelarin Scholz dhe ekipin gjerman që ishte mjaft i prirur ta sillte Samitin e Berlinit në rajon këtë vit. Jam tejet krenar që Tirana përfaqëson sot rajonin si vendi mikpritës.

Së dyti, dua t’ju kujtoj se ky Proces ka nisur nën kujdesin e Kancelares Merkel në vitin 2014 kur për herë të parë në histori, udhëheqësit nga i gjithë Ballkani Perëndimor u ulën së bashku rreth një tryeze, jo për të debatuar për të shkuarën e tyre, por për të folur për të ardhmen e vendeve të tyre.

Ashtu siç u shpreh kancelarja Merkel pikërisht në 2014 kur ky proces u çel, është rritur një pemë mjaft e fortë dhe e shëndetshme. Tashmë po  shohim të marrim frytet sepse pema është pjekur mjaftueshëm për të na dhënë fryte. Besoj fort se në këtë moment mjaft përcaktues për Europën dhe bashkësinë tonë të vlerave, që është komuniteti i përbashkët i vendeve të Bashkimit Europian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, ka ardhur tanimë koha të mendojmë jashtë kornizave dhe është pikërisht kjo ajo çfarë po përpiqemi të bëjmë me këtë Samit dhe ajo çfarë po ndjejmë nga të gjitha komunikimet dhe bisedat tona me miqtë tanë të mëdhenj të Bashkimit Europian.

Dje pata kënaqësinë e madhe të zhvilloja një bisedë mjaft shteruese me mikun tonë këtu nga qeveria e Francës dhe më duhet t’ju them se ishte një bisedë që 5 vjet më parë do të ishte e pamundur të zhvillohej. Gjërat kanë ndryshuar dhe ne shohim me mjaft interes se në Bashkimin Europian ka një bindje shumë të fortë dhe janë më syhapur karshi rëndësisë që Ballkani Perëndimor ka për Bashkimin Europian dhe besoj se nuk e teproj nëse them që sot Bashkimi Europian ka nevojë për Ballkanin Perëndimor po aq sa Ballkani Perëndimor ka nevojë për Bashkimin Europian.

Jemi këtu me ministra dhe zyrtarë të shquar nga vendet e Ballkanit Perëndimor dhe nga Bashkimi Europian për të diskutuar rreth temave më thelbësore të këtij procesi që përfshijnë forcimin e ekonomive tona, duke përfshirë lidhjet me sferën e aktiviteteve ekonomike të Bashkimit Europian.

Ashtu siç të gjithë ju mund ta dini, Samiti do të duhet të diskutojë për diçka krejt të re, që edhe njëherë, 5 vjet më parë ishte e papërfytyrueshme, planin e ardhshëm të Bashkimit Europian për të mbështetur Ballkanin Perëndimor duke u hapur në disa mënyra që do të na sjellin më pranë  Bashkimit Europian.

Ndërkohë që, sa i përket procesit të integrimit në bazë të meritës, çdo vend duhet të bëjë detyrat e veta të shtëpisë. Për këtë kemi pritur për një kohë kaq të gjatë dhe kjo është arsyeja pse kemi pritshmëri kaq të larta për planin e premtuar të ri të rritjes për Ballkanin Perëndimor që me kaq padurim po e presim.

Integrimi me faza në tregun e përbashkët premton të na japë një ide të vyer, të paçmuar për rritjen ekonomike të rajonit të Ballkanin Perëndimor gjatë 5 viteve në vijim. Pra, gjithçka është mirë dhe më duhet të them që është tanimë koha për të ecur së bashku përpara dhe për t’u siguruar që nga fjalët mjaft premtuese, ne të nisim të shohim vepra premtuese.

Mund të mos biem dakord për një sërë gjërash në këtë rajon, mund ende të kemi çështje të rëndësishme ende të pambyllura në këtë rajon por përmes këtij procesi të gjithë kemi mësuar që e vetmja mënyrë për tu marrë edhe me mosmarrëveshjet tona është të përpiqemi të biem sa më shumë dakord dhe të bëjmë sa më shumë për atë çka mund të bëjmë së bashku dhe sa më shumë kemi bërë gjëra së bashku aq më shumë kemi parë përfitime dhe çka është më e rëndësishme, gjithmonë e më tepër kemi parë sesa e rëndësishme është që të trajtohen çështjet tona të pambyllura.

Sidoqoftë, besoj shumë fort se sa më e mirë të jetë atmosfera e bashkëpunimit, sa më të mira e më të forta urat që ndërtojmë midis vendeve tona, aq më e mirë është hapësira edhe për të trajtuar çështje shumë të vështira.

Të biesh dakord për të mos rënë dakord, aktualisht, për gjëra të caktuara nuk na ka penguar që të gjejmë fjalën e përbashkët dhe të biem dakord të punojmë së bashku në shumë fusha për të parë sesa shumë mund të bëjmë së bashku.

Po kaloja nëpër disa të dhëna dhe dua të falenderoj me zemër Dhomat e përfshira në këtë proces, konkretisht Unionin e Dhomave të Tregtisë së Ballkanit Perëndimor që kanë ndihmuar shumë Bashkësinë e Biznesit, por gjithashtu ka ofruar shumë ndihmë edhe për qeveritë për të kuptuar edhe më mirë realitetin në terren. Një prej të dhënave më të rëndësishme, ajo që dua të ndaj me ju është se 6 mijë shoqëri tregtare, 6 mijë të tilla në Ballkanin Perëndimor kanë përfituar nga aktivitetet e nxitjes së tregtisë nga të gjitha heqjet e barrierave jotarifore, nga panairet e përbashkëta, nga ngjarjet e përbashkëta, të cilat kanë përfshirë shoqëri tregtare të Ballkanit Perëndimor sidomos dhe mbështetje të përshtatur për qasjen në fondet e Bashkimit Europian në raport me tregun.

Është shumë e rëndësishme kjo për t’u mbajtur parasysh sepse në fund të fundit, gjithçka bëjmë së bashku është të përfitojmë pikërisht në terren dhe për të pasur më shumë përfitime për njerëzit që kanë nevojë të lëvizin më lirisht, për kompanitë që duan të lëvizin më lirisht mallrat e tyre dhe gjithashtu që kapitalet dhe shërbimet të lëvizin sa më lirisht.

Dua të citoj pa leje, mikun e dashur francez që kemi këtu, i cili dje më kujtoi diçka tejet thelbësore që s’mund të harrohet sepse në fund të fundit, ajo çfarë po ndërtojmë këtu nuk është diçka e re për historinë e Europës, por mbështetet në shembuj nga historiku i Europës dhe shembulli i bashkëpunimit franko-gjerman, është tipari ndriçues për të gjithë ata, që duan të shohin të ardhmen, duke kuptuar të shkuarën.

Ai më tha se ai është me origjinë nga Alsasa dhe Alsasa ka qenë një nga fushëbetejat më të përgjakshme në konfliktin e gjatë midis Francës dhe Gjermanisë dhe po kështu më tha se gjyshërit e tij e kanë parë me sytë e tyre dhe pikërisht nga këto pamje të tmerrshme, nga këto kujtesa të tmerrshme të asaj çka lufta nënkuptoi për Francën dhe Gjermaninë, Franca vendosi të shtrijë dorën e bashkëpunimit Gjermanisë.

Fjala u përhap për këtë gjest kaq të guximshëm, asokohe kaq jo popullor dhe kjo i hapi rrugën Europës që kemi. Europës që për herë të parë në histori bëri që brezat të mos shihinin luftë dhe sot që lufta është në dyert tona, në Ukrainë, është thelbësore që ne të mos e shohim luftën si një videogame, si një lojë, por si një katastrofë, të cilën duhet ta shmangim me çdo mjet kudo, në çdo lloj forme ajo të marrë edhe përmes konflikteve më të vogla që nga historia e rajonit tonë e dimë që mjaftojnë për të ndezur më pas, jo vetëm një luftë ballkanike, por edhe një luftë europiane, madje botërore.

Pa ju marrë më shumë nga koha juaj, dua të përgëzoj të gjithë ata që kanë shoqëruar këtë proces jo nga tryezat e udhëheqësve, jo nga fotot në grup të udhëheqësve, por nga terreni i aktiviteteve të përditshme me të gjitha vështirësitë, me të gjitha sfidat po po, kështu edhe me tërë fuqinë, ëndrrat e shpresat për ta bërë këtë rajon një terren të lulëzuar për njerëzit dhe ekonomitë e tyre.

Dua sërish të falënderoj dhomat e tregtisë e sërish dua të përmend bashkimin e dhomave të tregtisë të Ballkanit Perëndimor sepse sepse ka qenë thelbësor në shndërrimin e këtij procesi nga një proces në letra në një proces dëshirash të zbatuar dhe planesh të jetësuara.

Por siç na kanë thënë dhe na thonë ditë për ditë, kanë nevojë për më shumë dhe duke thënë këtë dua t’i kujtoj gjithëkujt që kur kanë nevojë më shumë ata, do të thotë që njerëzit kanë nevojë për më shumë. Do të thotë që konsumatorët e tyre kanë nevojë për më shumë, punonjësit e tyre kanë nevojë për më shumë. Nënkupton që ndërmarrjet e tyre kanë nevojë për më shumë. Kësisoj për këtë na duhet më shumë Europë në Ballkanin Perëndimor dhe na duhet për këtë arsye më shumë qasje në organizmin e Bashkimit Europian të shumë mekanizmave të tij.

E në fakt, për këtë bëhet fjalë dhe në fakt ky samit, e këto hapa drejt 16 tetorit ku të gjithë udhëheqësit do të mblidhen në Tiranë, për këtë bën fjalë. Ndaj faleminderit të gjithëve!

Pres me padurim, të gjithë presin me padurim rezultatet e këtij takimi dhe sigurisht do të bëjmë pjesën tonë, do të bëjmë maksimumin për të dhënë më shumë për njerëzit që japin kohën, energjinë e tyre, që japin gjithë punën e tyre për ekonomitë e tyre sepse kemi kaq shumë mundësi dhe rritja e këtyre viteve të fundit ka dëshmuar që ajo çka mund të bëjmë së bashku, nuk mund ta bëjmë kurrë të vetëm dhe ajo çfarë mund të bëjmë duke u hapur kundrejt njëri-tjetrit e duke e konceptuar hapësirën tregtare dhe hapësirën e investimeve e të bashkëpunimeve përtej kufijve tanë kombëtarë dhe duke e shndërruar këtë rajon në një hapësirë që është e mirë për të gjithë ata njerëz punëtorë e për të gjithë ato ndërmarrje, faktikisht na bën të hedhim hapin më  të rëndësishme drejt hapësirës më të gjerë të Bashkimit Europian.

Faleminderit të gjithëve dhe Zoti iu bekoftë!

Previous Ministri Ervin Mete pret Ministrin e Deleguar Francez të Tregtisë dhe përfaqësues të bizneseve franceze