Përdorimi i lëndëve piroteknike dhe aktet e dhunës në stadiume duhet të marrin fund. Policia e Shtetit dhe FSHF nisin prej sot një bashkëpunim më të fortë për t’u dhënë fund këtyre fenomeneve. Zbatim i plotë i rregullave të UEFA dhe ndalim të personave përgjegjës të hyjnë në stadiume!
Ministri i Brendshëm Taulant Balla zhvilloi një takim me Presidentin e FSHF, Armando Duka dhe drejtues të Policisë dhe Federatës. Qëllimi i takimit është të sigurohet mbarëvajtja e eventeve sportive, sidomos kur bëhet fjalë për ndeshje ndërkombëtare. Fenomenet e huliganizmit duhen eleminuar me çdo mënyrë, pasi mund të bëhen një problem serioz, qoftë sa i përket sigurisë në stadiume, ashtu edhe vetë ecurisë së ekipeve tona përfaqësuese apo lokale.
Ministri Balla, duke marrë shkas nga problemet që dolën në ndeshjen e mëparshme të ekipit kombëtar, u shpreh se:
“Nisur nga raportimet që bëri Policia e Shtetit dhe FShF, pas analizës së eventit sportiv mes Kombëtares së Shqipërisë dhe asaj polake, disa nga konkluzionet janë me vend dhe duhet të ndiqen nga të dyja institucionet. Gjej rastin ta përgëzoj FSHF për vendimet e Komisionit të Disiplinës për përjashtimin nga pjesëmarrja në aktivitete sportive të personave që hodhën materiale në fushë apo përdorën flakadanë në ndeshjen me Poloninë. Nga pamjet filmike, që u vunë në dispozicion, kuptohet qartë kush ishin personat e përfshirë dhe që do të mbajnë përgjegjësi penale. Këta persona nëse detektohet që afrohen në stadium për ndeshjen e radhës, Policia do t’i shoqërojë për thyerje të vendimit administrativ. Po të njëjtat penalitete, për kundërvajtje për të gjithë stjuartët, që kanë lejuar të hapet porta e sigurisë, të hyjnë dhe të papajisur me biletë në Air Albania, por këtu duhen nxjerrë dhe përgjegjësitë e punonjësve të Policisë, që kanë qenë prezent në këto momente, duhet të kishin ndërhyrë.
Duke folur rreth masave dhe pasojave të mundshme për personat që përfshihen në akte të dënueshme, Balla theksoi se:
“Portat e sigurisë, nga ky moment e tutje, do të jenë përgjegjësi e Policisë së Shtetit. Gjatë ndeshjes me Poloninë ka pasur 12 mijë tentativa për bileta false. Çdo qytetar, ta ngulisë mirë në mendje se çdo dokument fals është vepër penale. Kur zbulohet me biletë false, duhet të shoqërohet në polici dhe të nisë hetimi penal. Ne i kemi mundësitë të evidentojmë në gjithë 22.217 ulëset në stadium, evidentimin e emrit dhe përgjegjësisë. Dhe çdo tifoz që do ndjekë ndeshjen me Çekinë, ta ketë të qartë që ne dimë kush është ulur në atë ndenjëse dhe përgjegjësinë që ka. Nga pamjet filmike të sistemit, kuptohet qartë kush u përfshi në incidente dhe do të mbajë përgjegjësi penale.”
Në lidhje me bashkëpunimin me FSHF, Ministri nëvizoi se:
“Plani i masave për ndeshjen me Çekinë është një hap i madh i kalimit të përgjegjësisë nga policia private te Policia e Shtetit për të shkuar me gatishmërinë. E gjej rastin ta falënderoj Drejtorin e Policisë, për të marrë neve më shumë përgjegjësi. Natyrshëm Federata ta konsiderojë këtë bashkëpunim me Policinë e Shtetit edhe si një mënyrë sesi mund të ndihmojë policinë. E këtu dua ta falënderoj FShF që po ndihmon për ndërtimin e një fushe sportive për forcat ‘Delta’ në Vlorë. Besoj të gjejmë mundësi të tjera bashkëpunimi.”
Presidenti i FSHF Duka, duke folur rreth këtyre problematikave, tha se:
Mendoj se është problem softi. Për ndeshjet e ardhshme kemi biseduar të përdorim të njëjtin sistem që përdor UEFA, që kishim dhe në Finale. Shpresoj do ta arrijmë dhe ai i eliminon të gjitha këto probleme. Nuk është se kemi patur përvojë të madhe me këtë sistem, tani kemi filluar, tani kanë dalë problematikat më të shumta.”
Pas takimit, në një status në Facebook, Ministri Balla shprehet se:
“Tifoz i vërtetë është ai që mbështet kombëtaren ose ekipin e tij dhe jo ai që përfshihet në akte dhune apo fut në stadium materiale të ndaluara. Masat ndëshkuese do jenë të ashpra dhe do të pamundësojnë prezencën në stadium të çdo huligani! Përshëndes bashkëpunimin mes Policisë së Shtetit FSHF për t’i dhënë fund këtij fenomeni.”