“Derregullimi dhe klima e biznesit”, një diskutim i hapur mbi lehtësimin dhe përmirësimin e klimës së biznesit - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

“Derregullimi dhe klima e biznesit”, një diskutim i hapur mbi lehtësimin dhe përmirësimin e klimës së biznesit

Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një takim të hapur me përfaqësues të shoqatave të biznesit në vend mbi “Derregullimin dhe klimën e biznesit”, i cili çel një proces diskutimi dhe ndërveprimi me sipërmarrjen, mbi nismën e qeverisë për të lehtësuar shërbimet për biznesin, në kuadër të hapave të rëndësishëm që qeveria do të ndërmarrë, për përmirësimin e mëtejshëm të klimës së biznesit.

* * *

Kryeministri Edi Rama: Faleminderit të gjithëve për praninë tuaj në këtë takim që hap një proces diskutimi dhe ndërveprimi me sipërmarrjen për të identifikuar bashkërisht të gjitha ato hallka burokratike dhe ato ngarkesa në procedurat administrative që mund të eliminohen dhe për ta përmirësuar bashkërisht më tej klimën e biznesit.

Besoj që ju të gjithë e keni parë që përpara pak ditësh Shqipëria mori një vlerësim të ri të perspektivës nga ana e agjencisë prestigjioze Standard & Poors që bën vlerësimin e të gjitha vendeve dhe përcakton nivelin e tyre në aspektin e ecurisë dhe të perspektivës ekonomike dhe për herë të parë ne kemi kaluar nga perspektivë e qëndrueshme në perspektivë pozitive.

Dhe ky është një sinjal shumë kuptimplotë, shumë domethënës për çfarë kemi bërë deri më sot dhe shumë inkurajues për çfarë mund të bëjmë më tutje, por një nga elementet e rëndësishëm ku unë besoj që ka ardhur koha që ne të rifokusohemi bashkërisht është nga njëra anë, bërja e një analize të detajuar, çka ne e kemi nisur ta bëjmë brenda për brenda institucioneve dhe strukturave të qeverisë mbi të gjitha procedurat dhe e kemi nisur ta bëjmë, duke e parë me sy kritik çdo procedurë për të kuptuar se çfarë mund të lehtësohet nga pikëpamja e asaj që është e shkruar, por ky do të ishte një ushtrim i mangët nëse nuk marrim prej jush, bazuar në eksperiencën tuaj të përditshme, dhe bazuar në ndërveprimet tuaja me institucionet, këndvështrimin mbi si ato procedura që janë të shkruara në letër për të pasur një licencë për të pasur një leje, për të pasur një dokument të caktuar të veprimtarisë suaj, përkthehen në realitetin e përditshëm dhe cilat prej tyre faktikisht më shumë se sa ndihmojnë, interesin e shtetit, e pengojnë interesin e shtetit dhe nga ana tjetër më shumë se sa e ndihmojnë klimën e biznesit, e rëndojnë klimën e biznesit. Ministrja, e cila ka tagrin specifik për të punuar  në mënyrë të fokusuar tek klima e biznesit, ju informoi se do t’i japim sipërmarrjeve një pyetësor, por përtej pyetësorit ne do të mirëprisnim çdo lloj sugjerimi nga ju bazuar në eksperiencën tuaj.

Heqja e barrierave dhe hapja e sa më shumë kanaleve të frymëmarrjes së organizmit të shoqërisë sot që lidh bashkë biznesin me shtetin si dy palë që duhet të ndërveprojnë me njëra-tjetrën në funksion të interesit privat dhe publik është një domosdoshmëri e vazhdueshme dhe unë besoj që është një proces që ka vend gjithmonë për përmirësim, por sot pikërisht në këtë fazë, duke pasur parasysh se tanimë janë bërë disa vite që është ecur përpara mbi bazën e një lehtësimi të bërë më parë, është koha për të riparë të gjithë proceset dhe për të bërë një lehtësim tjetër.

Ne po bëjmë punën tonë nga brenda institucioneve, por në fund të ditës kjo është një punë që bëhet për sipërmarrjen dhe për lehtësinë e të bërit biznes në Shqipëri, kështu që ju jeni edhe objekti edhe subjekti i kësaj pune dhe për këtë arsye kontributi juaj është jo vetëm i mirëseardhur, por është edhe i domosdoshëm, i pazëvendësueshëm. Në këtë proces ministrja do të bëjë paralelisht edhe takime specifikime me të gjithë sektorët dhe nënsektorët, edhe “intervista” të aktorëve të caktuar në çdo sektor për të marrë mbrapsht sa më shumë informacion dhe sa më shumë sugjerime praktike që vijnë nga realiteti i përditshëm i punës dhe që nuk dalin dot as nga çfarë lexojnë në letra dhe as nga analizat që mund t’i bëjmë letrave. Kjo është pak a shumë arsyeja e këtij takimi dhe ndërkohë ne po vazhdojmë punë edhe tani që jemi në fazën e diskutimit të buxhetit të vitit të ardhshëm dhe do të vendosim dhe më shumë fokus tek evolucioni digjital, duke rritur kapacitetet dhe duke shtuar shërbimet e reja, kemi nisur edhe një punë shumë inovative me mbështetjen dhe asistencën direkte të Microsoft-it për inteligjencën artificiale që do të na lehtësojë besojmë ne, procese të caktuara duke filluar që nga procesi i prokurimeve publike  për të cilin kemi një projekt shumë ambicioz që do të kërkoje kohën e vet, por ne jemi besimplotë që brenda këtij mandati, do të kemi një sistem komplet të revolucionarizuar të prokurimeve publike, me shumë më tepër komponentë teknologjikë dhe me shumë më pak komponentë njerëzorë në mënyrë që prokurimet të jenë sa më transparente dhe sa më të drejta në të gjitha nivelet.

Po ashtu kemi ecur përpara dhe besoj e keni ndjekur me ligjin, me projektet e krijimit të një shoqërie Sh.a shoqërie publike që do të bëjë të gjithë procesin e blerjeve të përqendruara, çka faktikisht deri më sot e bën Agjencia e Blerjeve të Përqendruara pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme. Kjo do të jetë një shoqëri publike që do të krijojë shumë më tepër akses dhe do të ketë shumë më tepër, detyrimisht, edhe transparencë, edhe llogaridhënie në raport me interesin publik dhe me interesin e të gjithë operatorëve.

Besoj që, sidoqoftë, me teknologji apo pa teknologji, kjo që po diskutojmë sot është themelore sepse në fund të ditës, çdo proces, qoftë njerëzor a qoftë teknologjik, do të bazohet tek kushtet, kriteret dhe orientimet e përcaktuara në dokumentacionin me të cilin biznesi duhet të operojë.

Pengesat administrative janë pjesë e problematikës së përditshme të një qeverie që do të bëjë sa më të lehtë punën për subjektet sipërmarrëse apo për qytetarët, pa diskutim, por janë edhe më shumë se kaq pjesë e shqetësimit, shpeshherë të panevojshëm të subjekteve në punën e tyre të përditshme.

Kështu që, unë dëshiroja tua thosha këto fjalë duke ju lutur ta merrni seriozisht këtë ushtrim dhe që ta jepni kontributin tuaj në mënyrë që ne të kemi sa më shumë bazë informacioni dhe të kemi sa më shumë sugjerime praktike, të cilat vijnë vetëm nga ata që janë në terren përditë për të bërë biznes dhe për të çuar përpara projektet e tyre sipërmarrëse.

Faleminderit!

* * *

Doja të ngrija disa problematika që kemi hasur gjatë këtij viti në sektorin tonë. Duke qenë se dhe zoti kryeministër dhe zonja ministre janë këtu, përfitoj nga rasti tua përmend në dy minuta. Ne si shoqatë, në shtator të këtij viti ju kemi dërguar një letër ju, ministrave të linjës dhe zonjës ministre që është këtu sot në lidhje me disa problematika që na e kanë bërë të pamundur aktivitetin sot këtë vit ku më kryesorja është miratimi i VKM. 457 datës 26.07.2023, e cila ka të bëjë me rritjen e çmimit të referencës në masën 40% mesatarisht dhe në përgjithësi ne nuk kemi kundërshtim me referencën, por pasojat që kjo na jep në taksën e ndikimit në infrastrukturë, në taksën e 3% në të gjithë zinxhirin e taksave të bashkisë së Tiranës, e ka rritur sot taksën e ndërtimit në 40% të kostos së vet mesatarisht në Tiranë. Ne këtë e kemi kundërshtuar, kemi bërë një takim në qershor me ministren dhe i kemi thënë që nuk mund të bëhen ndërhyrje të tilla në mes të një viti fiskal pasi nuk është llogaritur nga ndërtuesi këtu pagesa.

Gjithashtu, ne si sektor jemi më të penalizuar sa i përket kontributit social 3% të cilën vetëm ndërtuesi e paguan në Shqipëri, kryesisht vetëm ndërtuesit e Tiranës pasi këtu janë lejet edhe më të mëdha të ndërtimit. Deri në fund të vitit 2022, ndërtuesit në Tiranë ka paguar nga biznesi i vet rreth 100 milionë euro për të pastrehët. Ne mendojmë që kjo taksë, e cila ka qenë e përkohshme, duhet të shfuqizohet, nuk mund të jetë kjo taksë e pafund dhe nuk mund të mbulohet vetëm nga sektori i  ndërtimit.

Gjithashtu, kemi edhe disa probleme të tjera që ne kërkojmë një përgjigje siç janë taksa e dheut, e cila nuk është mbetje por është mall. Ne për këtë paguajmë goxha para në landfill. Kemi një VKM tjetër që lidhet me sigurimin e detyrueshëm që ndërtuesit duhet t’i bëjë apartamenteve. Gjithashtu kemi kosto tjetër shumë të madhe që është eficenca teknike. Tarifa e eficencës teknike duhet të rishikohet në varësi të metrave katrorë ndërtim që ndërtuesit ndërton.    

 

Kryeministri Edi Rama: Po të jap unë përgjigje meqë jam këtu dhe pavarësisht se ky nuk është diskutim për taksat, është diskutim për procedurat. Megjithatë, meqë e kërkove po të jap përgjigjen që ta dëgjojnë të gjithë ndërtuesit, sidomos ata që ndërtojnë në Tiranë.

Çfarë nuk kishit parashikuar ju, që shteti do t’ju thoshte që nuk mund të vazhdoni të deklaroni shitje shumë nën faktin? Këtë nuk kishit parashikuar ju? Ju kishit bërë një plan biznesi që do gënjenit shtetin pa mbarim dhe do shisnit apartamente me 2 000 euro dhe do t’i deklaroni të shitura me 850 euro? Në plan biznesi e keni ju dhe evazionin?

Nuk kishit parashikuar që shteti do vinte momenti do thoshte “Stop” sepse në ndërkohë ju ndërtoni, bëni shumë mirë që ndërtoni, kontribuoni në ekonomi padiskutim, por paralelisht, bashkitë duhet të ndërtojnë infrastrukturë, duhet të rindërtojnë hapësirat rreth e rrotull për të cilat ju nuk merrni përsipër të bëni gjë dhe nuk keni çfarë merrni përsipër, e kështu me radhë shumë gjëra që kanë nevojë qytetet, duke filluar nga Tirana. Epo që ju të shisni apartamente me 2000, 3000, 4000, 5000, 6000, të shisni hapësira biznesi me 7000 apo 8000 euro dhe të deklaroni atje çmime që janë larg të vërtetës, kjo nuk mund të vazhdojë dhe çmimet e referencës nuk janë vënë në mënyrë arbitrare, janë vënë mbi bazën e tregut.

Nuk është e vështirë të marrësh vesh sa shitet një metër katror tek blloku, sa shitet një metër katror tek Liqeni, sa shitet një metër katror tek Astiri, e kështu me radhë. Është bërë një studim i thjeshtë i tregut, janë marrë çmimet reale dhe ju është vënë juve detyrimi që ju të përgjigjeni ndaj shtetit, ndaj shoqërisë, ndaj gjithë të tjerëve në bazë të çmimeve reale. Sa doni të fitoni ju në këtë histori? Ju doni të fitoni sa më shumë, është e drejta juaj. Nuk është detyra e biznesit që të sigurojë që 100% të ardhurave që janë detyrime ndaj shtetit, t’i mbledhë shteti, është detyra e shtetit.

Të mos ta dëgjoj më këtë historinë, ju mund ta vazhdoni, por kijeni parasysh që nuk e dëgjoj më fare historinë e vendosjes në një nivel të arsyeshëm sepse nuk është akoma maksimumi që duhej vendosur, por në një nivel të arsyeshëm të asaj që shteti kërkon kur ti shkon deklaron shitje sepse kur ti gënjen, atëherë shteti ka detyrë të thotë, “këtu nuk është kaq” dhe është bërë kohë e gjatë që është qëndruar në çmime të vjetra ndërkohë që çmimet rriten çdo javë.

Rritja e çmimeve çdo javë është shenjë shumë e mirë në një aspekt për rritjen e vlerës së pasurisë, por nga ana tjetër është një rritje nga e cila duhet të përfundojnë të gjithë, jo vetëm ju.

E dyta, të duket shumë 3% kontribut social për çdo ndërtim? E ke gabim. E ke shumë gabim sepse po të marr strofullën e kapitalizmit më ultra kapitalist, New York, ku nuk ndërton dot një godinë ku t’i shesësh të gjithë apartamentet sepse nuk të lë shteti i New York ta bësh këtë punë, por të thotë “Ti do shesësh kaq apartamente dhe kaq % do t’i japësh me qera”. Të vendos edhe se sa duhet t’i japësh me qera, nuk mund t’i japësh sa të duash ti. Pse? Në mënyrë që ata që kanë kapacitet për t’i blerë apartamentet dhe për t’i bërë pronë, që janë ata që kanë më shumë, të mos marrin gjithçka aty ku zhvillohet një pronë, por ta ndajnë këtë gjë, këtë hapësirë të përbashkët, ajrin e New York, me disa të tjerë që nuk kanë mundësi ta blejnë, por kanë mundësi që ta marrin me qera. Kështu vepron New York.

Dhe e fundit, askush nuk ju detyron të ndërtoni me zor. Ju ndërtoni sepse të ndërtosh ka interes, ka shumë interes madje dhe sepse fitoni shumë dhe bravo ju qoftë, për këtë ndërtoni. Ne flasim këtu për procedura, ju më thoni “ju kemi çuar letër”. Çoni letër dhe kërkoni që shteti të mos marrë atë që i takon për njerëzit? Çfarë letre është ajo? Jo të mos marrë atë që i takon, por thoni “pse shteti na kap në mes të vitit ne duke gënjyer, pse nuk na lë të gënjejmë deri në fund të vitit se ne kështu jemi mësuar të gënjejmë”, por kjo nuk mund të ndodhë!

Unë e di që ju gënjeni nga halli, por vjen një moment që shtyhet më tutje kufiri dhe kështu harmonizojmë interesat më mirë që edhe ju të fitoni patjetër sepse edhe me këto referenca ju përsëri fitoni jo pak, se ne dimë tua bëjmë llogaritë se kemi gjithë atë Ministri Financash që merret me këtë punë.

Nga ana tjetër, mos i hyni më kësaj “janë mbledhur 100 milionë për socialet në Tiranë”. Nga i nxirrni këto llogari?

Ato janë sipërfaqe të cilat unë mendoj që Bashkia e Tiranës nuk duhet t’ju tolerojë që t’i jepni në vend tjetër, si fillim dhe ky është një diskutim që e kam bërë me Bashkinë e Tiranës. Ju duhet t’i jepni ato 3% aty ku ndërtoni, jo ndërto ti këtu dhe ma jep 3% në fund të botës se disa njerëz do jetojnë në qendër dhe janë ca të tjerë që do rrinë në fund të botës që të kenë afër delet. Kjo nuk është e drejtë dhe ne do ta shikojmë këtë që 3% të jepet aty ku ju ndërtoni, aq sa i takon njerëzve në Tiranë të cilët duhet të përfitojnë nga ato programe.

Unë thashë se do thonit “Pse nuk na e merrni 3% tek blloku, por na e kërkoni tek Astiri. Kush shkon deri tek Astiri të ndërtojë”. Ju thoni fare? Jo more zotëri, kjo nuk diskutohet, por e thashë, ne nuk jemi këtu për taksat, jemi për procedurat dhe tek procedurat ne po bëjmë dhe një analizë të procesit të lejeve të ndërtimit,  sidomos të lejeve të ndërtimit që lidhen me turizmin, të cilat shfaqin herë pas here problematikën e gjithë dokumentacionit që lidhen me pronësinë për shkaqe konfliktesh, mbivendosje e të tjera. Megjithatë koha është goxha e gjatë dhe duhet shkurtuar dhe ne do ta shkurtojmë kohën.

Po bëjmë çmos të shikojmë sesi do të përmirësohet ky proces nga ana e procedurave për lejet e ndërtimit edhe në nivelin e bashkive për të ndihmuar dhe bashkitë në kuadrin ligjor dhe rregullator dhe për këto jemi shumë të interesuar që ju të na jepni informacion, të na jepni sugjerime se çfarë për shembull është një procedurë që mund të jetë e panevojshme, çfarë mund të bëhet ndryshe, çfarë mund të jetë deri në absurde nëpër procedura se ne i kemi parë me kujdes të gjitha dhe i shohim që ka dhe absurditete nëpër procedura që vijnë si rezultat i një udhëzimi pas një udhëzimi, pas një udhëzimi dhe pastaj ngarkohen proceset. Për këto jemi krejtësisht në dispozicion, ne duam t’ju lehtësojmë maksimalisht, por nga ana tjetër ju duhet të kontribuoni mbrapsht atë që është e shkruar, jo më shumë.

Pashë Luan Bregasin këtu që është një operator në fushën e turizmit dhe më kujtohet që ka qenë një nga zërat më të fortë për TVSH-në e turizmit. Dakord jam edhe unë dhe shumë mirë kemi bërë që e kemi ulur, por nuk na ka dhënë rezultatin e premtuar dhe të dëshiruar të më shumë formalizimit. Tani si mendoni ju? Ju mendoni që hotelet në breg të detit që ne e dimë shumë mirë se nuk është sekret dhe nuk është diçka që kërkon ndonjë analizë shumë të madhe. Mjafton që të bësh disa sondazhe të vogla nëpërmjet Drejtorisë së Taksave, për të kuptuar që tjetër janë çmimet që deklarohen, tjetër janë çmimet që paguhen dhe tjetër është niveli i okupimit dhe tjetër është niveli që deklarohet. Ne e dimë shumë mirë. Unë personalisht kam pasur dy raste këtë verë për miq që kanë ardhur nga jashtë që më kanë kërkuar t’i ndihmoj se nuk gjenin një dhomë dot në gjithë bregdetin e Shqipërisë. Tani si e lidhim me këtë deklarimin që hoteli X dhe hoteli Y kanë qenë 70% e 60% e 50% të okupuar.

Kështu që edhe hotelet duhet të përgatiten që vitin e ardhshëm do kenë referencë, patjetër. Gjithë hotelet do kenë një çmim reference. Unë dua kaq, pastaj të tjerat merri, t’i gëzosh, po kaq ti do t’ia japësh shtetit, se nuk ka mundësi.

Ne kemi 1.1 milion turistë në shtator. Shifra zyrtare që e mora sot në mëngjes. 1.1 milion turistë në shtator dhe nëse dhjetori do të jetë në këtë trend, ne mund të kapim 10 milion turistë këtë vit, po me siguri do të kalojmë 9, varet nga dhjetori, si do të jetë dhjetori.

Tani si ta shpjegojmë ne, përtej Airbnb që është një tjetër hapësirë e pakontrolluar për shkak se me Airbnb duhet të bëjmë një marrëveshje. Airbnb gjithmonë iu krijon probleme qeverive për të dhënë ato të dhënat, por edhe për shkak se ne duke e parë këtë si fenomen të ri dhe duke kuptuar që ky është një tjetër burim i rëndësishëm për familjet që japin apartamentet me qira, nuk kemi dashur të hyjmë në taksimin e këtyre. Po si ta shpjegojmë ne që kur shohim shifrat e turistëve dhe shohim të ardhurat nga hotelet, nuk korrespondojnë të dyja gjërat. Të ardhurat e deklaruara, nuk korrespondojnë. Tani këto janë gjëra të thjeshta.

Kështu që si për shitjen e apartamenteve, si për shitjen e dhomave nëpër hotele, nuk shohim asnjë rrugë tjetër përveç se t’ju themi bazuar te tregu dhe te sondazhet e Drejtorisë së Tatimeve, që jo, ne nuk e pranojmë që t’iu marrim juve TVSH-në 6% për këtë shifër që na jepni ju. Ne do tua marrim TVSH-në 6% për këtë shifër që e thotë tregu dhe kaq dhe ju do të na i jepni se nuk po e marrim ta çojmë në shtëpi, po e marrim për të vazhduar të investojmë dhe për të përmirësuar shumë nga hallkat që turizmi ka nevojë t’ia përmirësojë shteti. Nuk mund t’i përmirësojnë dot operatorët shumë hallka. Këtë bisedë e kishim për sot pasdite për turizmin dhe më shtyu ndërhyrja jote. Të falënderoj për ndërhyrjen se i hodhe pak kripë dhe piper këtij diskutimi për procedurat.

Previous Zjarri në masivin pyjor Pishë Poro-Darëze, Peleshi monitoron situatën