Ministri i Financave dhe Ekonomisë, z. Ervin Mete, zhvilloi një takim me Përfaqësuesin e Përhershëm Rajonal të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) për Ballkanin Perëndimor, z. Sebastian Sosa.
Në takim u vlerësua bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe FMN-së dhe mbështetja që ky institucion ka dhënë e vijon të japë për vendin tonë në drejtim të forcimit të financave publike dhe reformave të ndërmarra nga Qeveria Shqiptare.
Diskutimi u përqendrua në zhvillimet më të fundit ekonomike dhe pritshmëritë për situatën makroekonomike dhe fiskale. Z. Mete konfirmoi angazhimin për të vijuar konsolidimin fiskal dhe zbatimin e reformave të mëtejshme.
Në takim u vlerësua ecuria e reformave të financave publike, përfshirë edhe adresimi i sfidave të reja për ekonominë e gjelbër.
Përfaqësuesi i Përhershëm Rajonal i Fondit Monetar Ndërkombëtar z. Sebastian Sosa shprehu angazhimin për të vijuar bashkëpunimin dhe mbështetjen për institucionet shqiptare.