Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj mori pjesë në konferencën me temë “Bujqësia mes qëndrueshmërisë dhe teknologjisë së inovacionit”, e cila u mbajt në Madrid, Spanjë.
Në konferencën e organizuar nga ambasada italiane në Spanjë, ministrja Denaj foli rreth potencialit të prodhimeve shqiptare dhe formave të mundshme të bashkëpunimit mes dy vendeve.
“Me ftesë të ministrit italian të Bujqësisë, Francesco Lollobrigida, mora pjesë në takimin e organizuar nga ambasadori italian në Spanjë, “Bujqësia mes qëndrueshmërisë dhe teknologjisë së inovacionit”. Prezantova para përfaqësuesve të kompanive dhe shoqatave bujqësore italiane e spanjolle potencialin e prodhimeve shqiptare dhe format e mundshme të bashkëpunimit mes dy vendeve tona”, deklaroi Denaj.
Sipas ministres Denaj, teknologjia e informacionit mund dhe duhet të aplikohet në Shqipëri, pasi krijohet një qëndrueshmëri ekonomike dhe madhësi shkalle duke u bashkuar.
Gjatë fjalës së saj ministrja Denaj, vuri theksin në konsolidimin e biznesit prodhues bujqësor shqiptar sipas eksperiencës italiane, nëpërmjet adoptimit të standardeve dhe praktikave të një vendi lider në botë në markën “Made in Italy” dhe tregtinë ndërkombëtare të produkteve agroushqimore.
“Në këtë kuadër, klasterat bujqësore të suksesshëm në Itali do të jenë referencë bashkëpunimi me Coldiretti Italia (Federata Kombëtare e Kultivuesve)”, u shpreh Denaj.