Samiti i Liderëve të Procesit të Berlinit 2023 për herë të parë në Tiranë - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Samiti i Liderëve të Procesit të Berlinit 2023 për herë të parë në Tiranë

Tirana mikpret sot një tjetër event të madh ndërkombëtar, Samitin e Liderëve të Procesit të Berlinit 2023, i cili zhvillohet për herë të parë jashtë kufijve të BE-së, me pjesëmarrjen e 6 kryeministrave të rajonit, si dhe përfaqësuesve të nivelit të lartë dhe organizmave ndërkombëtare të mbi 25 vendeve, mes të cilëve Kancelari i Gjermanisë Olaf Scholz, Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, Presidenti i Këshillit Europian Charles Michel, si edhe një sërë kryeministrash të vendeve anëtare të Bashkimit Europian.

Pjesëmarrësit në Samit u mikpriten nga Kryeministri Edi Rama në një ceremoni të posaçme në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” e më pas vijuan në mjediset e COD (Qendra për Hapje dhe Dialog) në Kryeministri, ku ndoqën një performancë baleti të koreografit shqiptar me famë botërore Angjelin Preljocaj, e cila ilustroi ekspozimin e pikturës “Rrëmbimi i Europës” (Abduction of Europa), të piktorit italian Giovanni Domenico Cerrini.

“Mirë se erdhët të gjithë! Mendova se ishte vendi i duhur, momenti i duhur për të ekspozuar “Rrëmbimi i Europës’’, kryeveprën e Giovanni Domenico Cerrini, – iu drejtua të pranishmëve Kryeministri Rama.

Në nisje të Samitit, i cili po zhvillohet në ndërtesën e transformuar të Piramidës në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, liderët, Kryeministri Edi Rama, Kancelari i Gjermanisë Olaf Scholz, Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, Presidenti i Këshillit Europian Charles Michel, si dhe Kryeministri i Spanjës Pedro Sanchez iu adresuan Samitit me një fjalë përshëndetëse.

Seanca “Integrimi i Rajonit në Tregun Unik dhe përmirësimi i Konvergjencës me BE-në” do të çelë punimet e Samitit, i cili do të vijojë me seancën e dytë plenare “Mbështetja e tranzicionit të gjelbër dhe dixhital në Ballkanin Perëndimor: Sfidat dhe mundësitë për investime dhe zhvillim.” ku liderë dhe kryetarë delegacionesh do t’i adresohen të dy seancave.

Inaugurimi i Kolegjit të Europës, i cili hap dyert për një arsimim të nivelit botëror për studentët shqiptarë, është një tjetër ngjarje e rëndësishme në këtë ditë. Kampusi i Tiranës është i treti i Kolegjit të Evropës dhe i pari që do të jetë jashtë Bashkimit Evropian.

Gjatë kësaj dite do të nënshkruhet edhe “Marrëveshja Rajonale për Njohjen Reciproke të Kualifikimit Profesional.

Në vijim, Kryeministri Edi Rama, Kancelari i Gjermanisë Olaf Scholz dhe Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, do të mbajnë një Konferencë të Përbashkët për Shtyp, mbi zhvillimet e ditës.

Në përfundim, do të zhvillohet Ceremonia e Inaugurimit të Piramidës.

______________________________________________________________________________

Procesi i Berlinit është një platformë bashkëpunimi e nivelit të lartë mes 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor të përbërë nga Shqipëria, Kosova, Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia, dhe vendeve anëtare të BE, që synon rritjen e bashkëpunimit rajonal në Ballkanin Perëndimor dhe dhënien e ndihmës për integrimin e vendeve të këtij rajoni në Bashkimin Evropian. Procesi përfshin gjithashtu institucionet e BE-së, institucionet financiare ndërkombëtare dhe shoqërinë civile të rajonit, Zyrën Rajonale të Bashkëpunimit Rinor RYCO dhe bizneset. Objektivat kryesore të Samitit të Berlinit përfshijnë rritjen e dialogut politik, stabilitetin rajonal, zhvillimin ekonomik dhe anëtarësimin përfundimtar të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE.

Previous Ministri Hasani: Gati për Konferencën e Dytë Ndërqeveritare Shqipëri-BE