Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 4 Tetor 2023 - MIA - Media and Information Agency

mbyll

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Kontakt

Bulevardi "Dëshmoret e Kombit",
Pallati i Kongreseve, Kati ll,
Tiranë, Shqipëri.

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 4 Tetor 2023

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 4 Tetor 2023: 
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME NË VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE NR.900, DATË 6.12.2012, NR.543, DATË 29.9.2021, NR.50, DATË 26.1.2022, NR.522, DATË 29.7.2022, NR.861, DATË 27.12.2022, PËR KOMPENSIMIN FINANCIAR TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, QË PREKEN NGA NDËRTIMET E LEGALIZUARA
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 24, të ligjit nr.20/2020, “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Republikën e Shqipërisë”, të nenit 10, të ligjit nr.133/2015, “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave”, të ndryshuar, si dhe në vijim të vendimit nr.465, datë 22.6.2016, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e procedurave dhe rregullave për kalimin e së drejtës së pronësisë mbi parcelën ndërtimore të objekteve informale”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. Në vendimet e Këshillit të Ministrave nr.900, datë 6.12.2012, nr.543, datë 29.9.2021, nr.50, datë 26.1.2022, nr.522, datë 29.7.2022, nr.861, datë 27.12.2022, për kompensimin finaciar të pronarëve të pasurive të paluajtshme, që preken nga ndërtimet e legalizuara, bëhen ndryshimet e mëposhtme:
1. Në vendimin nr.900, datë 6.12.2012, të Këshillit të Ministrave në zonën kadastrale 8591, Shkodër, bazuar në gjendjen juridike aktuale, saktësohen emrat e bashkëpronarëve dhe numri i pasurisë 4/1074 që kompensohet, sipas lidhjes A, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Në vendimin nr.543, datë 29.9.2021, të Këshillit të Ministrave, bëhen ndryshimet e mëposhtme, sipas lidhjes B, që i bashkëlidhet këtij vendimi:
a) në zonën kadastrale 8571, në Lushnjë, për pasuritë nr.24/294, nr.24/296 dhe nr.24/292 saktësohet emri i njërit prej bashkëpronarëve, si edhe saktësohen numrat e pasurive, bazuar në gjendjen juridike aktuale;
b) në zonën kadastrale 8190, në Tiranë, saktësohet numri i pasurisë 13/934, si edhe vendoset kufizimi për një nga bashkëpronarët, bazuar në gjendjen juridike aktuale.
3. Në vendimin nr.50, datë 26.1.2022, të Këshillit të Ministrave në zonën kadastrale 8320, Tiranë, saktësohet numri i pasurisë dhe sipërfaqja për kompensim, bazuar në gjendjen juridike aktuale, sipas lidhjes C, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
4. Në vendimin nr.522, datë 29.7.2022, të Këshillit të Ministrave, bëhen ndryshimet e mëposhtme, sipas lidhjes D, që i bashkëlidhet këtij vendimi:
a) në zonën kadastrale 1527, Elbasan, saktësohen numri i pasurisë dhe gjenealitetet e pronarit që kompensohet, si dhe saktësohen emrat e bashkëpronarëve, bazuar në gjendjen juridike aktuale;
b) në zonën kadastrale 2066, Qarku i Tiranës, anulohet kompensimi, pasi është miratuar më parë me një vendim tjetër.
5. Në vendimin nr.861, datë 27.12.2022, të Këshillit të Ministrave, bëhen ndryshimet e mëposhtme, sipas lidhjes E, që i bashkëlidhet këtij vendimi:
a) në zonën kadastrale 3321, Qarku i Tiranës, saktësohet numri i pasurisë që kompensohet, bazuar në gjendjen juridike aktuale;
b) në zonën kadastrale 8110, Qarku i Tiranës, saktësohet numri i pasurisë dhe pronari që kompensohet, bazuar në gjendjen juridike aktuale;
c) në zonën kadastrale 8190, Qarku i Tiranës, saktësohet pronari që duhet të kompensohet, bazuar në gjendjen juridike aktuale dhe përditësimin e hartave.
II. Ngarkohen Agjencia e Trajtimit të Pronave dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
NGARKIMIN E FONDIT SHQIPTAR TË ZHVILLIMIT, SI AUTORITET KONTRAKTOR PËR REALIZIMIN E PROJEKTIT TË ZONËS MULTIFUNKSIONALE PËRRETH KOMPLEKSIT TË STADIUMIT “SKËNDERBEU” NË KORÇË, PËRFSHIRË STADIUMIN
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 53, të ligjit nr.162/2020, “Për prokurimin publik”, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Sportit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Caktimin e Fondit Shqiptar të Zhvillimit, si autoritet kontraktor dhe njësi zbatuese për kryerjen e procedurave të prokurimit publik për zbatimin e projektit për zhvillimin e zonës multifunksionale përreth kompleksit të stadiumit “Skënderbeu” në Korçë, përfshirë stadiumin.
2. Në funksion të zbatimit të projektit, të përcaktuar në pikën 1, Fondi Shqiptar i Zhvillimit ngarkohet të kryejë:
a) të gjitha procedurat sipas legjislacionit në fuqi për prokurimin publik, duke lidhur edhe kontratat përkatëse, si dhe të ndjekë zbatimin e tyre dhe të projektit përkatës, duke përdorur fonde nga programet aktuale të zhvillimit;
b) paraqitjen e kërkesave për miratimin e lejeve të zhvillimit dhe të ndërtimit pranë autoritetit kompetent të zhvillimit të territorit, si dhe ndjekjen e të gjitha veprimeve e të procedurave të nevojshme për këtë qëllim, sipas legjislacionit në fuqi për zhvillimin e territorit.
3. Fondi Shqiptar i Zhvillimit, Ministria e Arsimit dhe Sportit, Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit dhe Bashkia Korçë lidhin marrëveshje bashkëpunimi në funksion të zhvillimit të projektit, të përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi.
4. Ngarkohen Ministria e Arsimit dhe Sportit, Bashkia Korçë, Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
PËRCAKTIMIN E FUSHËS SË PËRGJEGJËSISË SHTETËRORE TË MINISTRIT TË SHTETIT PËR PUSHTETIN VENDOR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 5, të ligjit nr.90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e fushës së përgjegjësisë shtetërore të ministrit të Shtetit për Pushtetin Vendor, sipas përcaktimeve të këtij vendimi.
2. Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor bashkërendon punën për hartimin e politikave dhe përgatitjen e akteve ligjore e nënligjore, të lidhura me veprimtarinë e njësive të vetëqeverisjes vendore.
3. Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, në kuadër të fushës së përgjegjësisë së tij, ushtron këto kompetenca:
a) Ndjek hartimin dhe realizimin e zbatimit të politikës së përgjithshme shtetërore në fushën e decentralizimit e të vetëqeverisjes vendore;
b) Bashkërendon punën për propozimin, përmirësimin dhe hartimin e projektakteve ligjore e nënligjore në fushën e decentralizimit e të vetëqeverisjes vendore, si dhe jep mendim për projektaktet që kanë të bëjnë me çështje të lidhura me njësitë e vetëqeverisjes vendore;
c) Mbikëqyr punën për monitorimin e zbatimit të Strategjisë Ndërsektoriale për Decentralizimin dhe Vetëqeverisjen Vendore, si dhe planit të veprimit përkatës;
ç) Përfaqëson politikat e qeverisë në fushën e vetëqeverisjes vendore dhe koordinon punën me organizmat dhe partnerët ndërkombëtarë që mbështesin zhvillimin e njësive të vetëqeverisjes vendore;
d) Drejton dhe bashkërendon punën ndërmjet strukturave të ngritura në kuadrin e marrëdhënieve ndërinstitucionale me njësitë e vetëqeverisjes vendore dhe shoqatat e të zgjedhurve vendorë;
dh) Kujdeset për përmbushjen e detyrimeve, si dhe monitoron e koordinon masat, që rrjedhin në kuadër të procesit të integrimit në Bashkimin Evropian dhe të marrëveshjeve ndërkombëtare, për sa ato kanë të bëjnë me vetëqeverisjen vendore;
e) Siguron krijimin dhe administrimin e një sistemi kombëtar unik, me synim monitorimin dhe zbatimin e funksioneve të deleguara të vetëqeverisjes vendore;
ë) Bashkërërendon dhe mbështet punën e organeve përgjegjëse në funksion të zbatimit të politikave shtetërore në fushën e zhvillimit rajonal dhe kohezionit, në përputhje me legjislacionin përkatës;
f) Kryen edhe funksione e veprimtari të tjera brenda fushës së përgjegjësisë, që i ngarkohen në përputhje me ligjin, marrëveshjet ndërkombëtare, vendimet e Këshillit të Ministrave dhe urdhrat e Kryeministrit apo që nuk i janë ngarkuar specifikisht një organi apo institucioni tjetër shtetëror, por kanë të bëjnë me vetëqeverisjen vendore.
4. Ngarkohet ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
PËRCAKTIMIN E FUSHËS SË PËRGJEGJËSISË SHTETËRORE TË MINISTRIT TË SHTETIT PËR SIPËRMARRJEN DHE KLIMËN E BIZNESIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 5, të ligjit nr.90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1.  Miratimin e misionit dhe të fushës së përgjegjësisë shtetërore të ministrit të Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, sipas përcaktimeve të këtij vendimi.
2.  Ministri i Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit ka për mision mbështetjen e sipërmarrjes private, vendase dhe të huaj, që ushtron aktivitetin në Republikën e Shqipërisë, bashkërendimin e proceseve të brendshme të institucioneve shtetërore, hartimin e politikave për lehtësimin e procedurave dhe përmirësimin e klimës së biznesit, nëpërmjet ndërmjetësimit dhe nismave të integruara qeveritare në këtë fushë.
3.  Ministri i Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit e ushtron veprimtarinë në këto fusha përgjegjësie shtetërore, në përputhje me legjislacionin përkatës:
a) Për krijimin dhe zhvillimin e Startup-eve;
b) Për mbështetjen e veprimtarisë së punonjësve lëvizës digjitalë;
c) Për garantimin e bashkëpunimit institucional ndërmjet administratës shtetërore dhe sektorit privat mbi zhvillimin e politikave ekonomike të dialogut, këshillimit dhe zgjidhjes paraprake të mosmarrëveshjeve.
4.  Me qëllim realizimin e veprimtarisë së tij, ministri i Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit:
a) zhvillon politikën shtetërore në fushën e mbështetjes së startup-eve;
b) koordinon zbatimin e politikave të zhvillimit të startup-eve, në kuadër të zhvillimit të përgjithshëm të sipërmarrjes në vend;
c) koordinon me ministrinë përgjegjëse për financat dhe ekonominë për planifikimin buxhetor të startup-eve, lehtësuesve dhe palëve të treta;
ç) propozon miratimin e fondeve buxhetore për grantet dhe format e tjera të mbështetjes së biznesit dhe palëve të treta, si dhe i miraton ato për mbështetjen e startup-eve dhe lehtësuesve;
d) vepron si organ mbështetës për startup-et, lehtësuesit dhe palët e treta, duke bërë të mundur tërheqjen dhe duke mbështetur alokimin e fondeve ose të granteve të donatorëve të huaj për ekosistemin në Shqipëri;
         dh) bashkëpunon me institucionet vendase, organizatat ndërkombëtare dhe me organizatat jofitimprurëse, vendase e të huaja, për rritjen e ndërgjegjësimit publik në fushën dhe veprimtarinë e startup-eve, si dhe për përmbushjen e detyrimeve që lindin nga ligji për mbështetjen dhe zhvillimin e startup-eve;
e) kryen të gjitha detyrat e tjera të përcaktuara në ligjin për mbështetjen dhe zhvillimin e startup-eve;
ë) bashkërendon prioritetet e politikave shtetërore dhe politikëbërjen në fushën e:
i. lehtësimit të procedurave dhe përmirësimin e klimës së biznesit;
ii. nxitjes dhe lehtësimit të investimeve vendase dhe të huaja;
iii. veprimtarisë së institucioneve të infrastrukturës së cilësisë;
iv. mbështetjes të zhvillimit të biznesit shqiptar brenda dhe jashtë vendit.
f) promovon transparencën dhe bashkëpunimin ndërinstitucional për përmirësimin e shërbimeve dhe procedurave publike, si dhe mbështet sipërmarrjen e biznesin në mbrojtjen e të drejtave ligjore të lidhura me aktivitetet sipërmarrëse, kundrejt institucioneve publike;
g) bashkërendon punën me ministritë e linjës dhe institucionet e tjera shtetërore për rritjen e konkurrueshmërisë dhe produktivitetin e biznesve si dhe mbështet sipërmarrjet në masat e nevojshme për integrimin në tregun e përbashkët evropian;
gj) promovon zhvillimin e politikave në favor të sipërmarrjes dhe biznesit, në përputhje me politikën evropiane në bashkëpunim me dhomat e tregtisë, shoqatat e biznesit dhe shoqërinë civile;
h) bashkërendon instrumentet qeveritare për krijimin e një klime dhe mjedisi mbështetës për sipërmarrjen dhe biznesin, me qëllim nxitjen e biznesit dhe liberalizimin e tregut, nëpërmjet identifikimit të pengesave në sektorët e ekonomisë dhe formulimit të strategjive të ndërhyrjes për reduktimin e barrierave administrative dhe kostove të biznesit;
i) promovon shmangien e praktikave të mundshme burokratike dhe arbitrare të institucioneve publike në klimën e biznesit;
j) bashkërendon punën për harmonizimin e legjislacionit në fushën e ofrimit të shërbimeve dhe procedurave në zbatim të plotë të parimit të barazisë dhe mosdiskriminimit.
k) ndërmjetëson komunikimin e sipërmarrjes dhe biznesit me institucionet publike për zbatimin e kontratave, si dhe zhvillon mekanizma të zgjidhjes paraprake të mosmarrëveshjeve midis tyre, duke u mbështetur në partneritetin e vazhdueshëm publik privat;
l) inkurajon zhvillimin e partneritetit dhe të komunikimit ndërmjet institucioneve publike dhe sipërmarrjeve, si dhe organizatave përfaqësuese të tyre;
ll) bashkërendon proceset për hartimin dhe zbatimin e programit për informimin e sipërmarrjeve e të biznesit.
m) angazhohet në monitorimin e indikatorëve sasiorë dhe cilësorë të raporteve ndërkombëtare që lidhen me sipërmarrjen dhe klimën e biznesit;
n) propozon mekanizma institucionalë dhe ndërinstitucionalë, në funksion të raporteve ndërkombëtare që lidhen me sipërmarrjen dhe klimën e biznesit;
nj) inkurajon përmbushjen e parimeve të qeverisjes së mirë;
o) përmbush çështje të tjera me ndikim në zhvillimin e sipërmarrjes dhe klimën e biznesit.
5.  Ministri i Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit ka një rol të përgjithshëm këshillues dhe koordinues në interes të politikave qeveritare për efektshmërinë, performancën e lartë dhe mirëqeverisjen në të gjithë sektorin publik dhe institucionet qeveritare, në kuadër të zhvillimit të sipërmarrjes dhe klimës së biznesit.
6. Vendimi nr.610, datë 20.10.2021, i Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e fushës së përgjegjësisë shtetërore të ministrit të Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes”, shfuqizohet.
7. Ngarkohet ministri i Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
 MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES SË FINANCIMIT, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE KOMISIONIT EVROPIAN, I CILI PËRFAQËSON BASHKIMIN EVROPIAN, PËR PROGRAMIN E BASHKËPUNIMIT (INTERREG VI-A) IPA ITALI-SHQIPËRI-MALI I ZI (ADRIATIKU JUGOR) 2021-2027
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes së financimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Komisionit Evropian, i cili përfaqëson Bashkimin Evropian, për programin e bashkëpunimit (Interreg VI-A) IPA Itali-Shqipëri-Mali i Zi (Adriatiku Jugor) 2021-2027, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
KRYEMINISTRI
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES SË FINANCIMIT, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, PËRFAQËSUAR NGA KËSHILLI I MINISTRAVE I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, REPUBLIKËS SË KOSOVËS, PËRFAQËSUAR NGA ZYRA E KRYEMINISTRIT, DHE KOMISIONIT EVROPIAN, PËR PROGRAMIN E BASHKËPUNIMIT NDËRKUFITAR SHQIPËRI – KOSOVË 2021-2027
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes së financimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë, Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Zyra e Kryeministrit, dhe Komisionit Evropian, për programin e bashkëpunimit ndërkufitar Shqipëri – Kosovë 2021-2027, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
KRYEMINISTRI
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MEMORANDUMIT TË MIRËKUPTIMIT PËR BASHKËPUNIMIN E NDËRSJELLË, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, TË PËRFAQËSUAR NGA AGJENCIA SHTETËRORE E PROGRAMIMIT STRATEGJIK DHE KOORDINIMIT TË NDIHMËS, DHE AGENCE FRANÇAISE DE DÉVELOPPEMENT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të memorandumit të mirëkuptimit për bashkëpunimin e ndërsjellë, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, të përfaqësuar nga Agjencia Shtetërore e Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës, dhe Agence Française de Développement, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.300, DATË 11.5.2022, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE   TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA ZBATIMI I PROJEKTIT “SISTEMIM RRUGËSH, BLLOKU TE STADIUMI, POGRADEC”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në tabelën bashkëlidhur vendimit nr.300, datë 11.5.2022, të Këshillit të Ministrave, numri i pasurisë 1/338, ZK 8581, në numrin rendor 1 të tabelës,  zëvendësohet me numrin e pasurisë 1/388.
2. Shpenzimet procedurale, në vlerën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, përballohen nga Bashkia Pogradec.
3.  Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Agjencia Shtetërore për Shpronësimin, Bashkia Pogradec, si dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Pogradec, për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.604, DATË 20.10.2021, TË KËSILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E FUSHËS SË PËRGJEGJËSISË SHTETËRORE TË MINISTRISË SË BRENDSHME”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 5, të ligjit nr.90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shkronja “ë”, e pikës 3, të vendimit nr.604, datë 20.10.2021, të Këshillit të Ministrave, shfuqizohet.
2. Ngarkohet Ministria e Brendshme për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARIT TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “RIKONSTRUKSION I GODINAVE TË SPITALIT “SHENJTA MARI” DHE DREJTORIA E SHËNDETIT PUBLIK (ISH-SPITALI INFEKTIV), NJËSIA ADMINISTRATIVE RRËSHEN”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarit të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Rikonstruksion i godinave të spitalit “Shenjta Mari” dhe Drejtoria e Shëndetit Publik (Ish-Spitali Infektiv), njësia administrative Rrëshen”.
2. Shpronësimi bëhet në favor të Bashkisë Mirditë.
3. Pronari i pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohet, kompensohet në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse që paraqitet në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, për pasuritë e llojit “truall” dhe “ndërtesë”, me një vlerë të përgjithshme prej 890 257 (tetëqind e nëntëdhjetë mijë e dyqind e pesëdhjetë e shtatë) lekësh.
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 890 257 (tetëqind e nëntëdhjetë mijë e dyqind e pesëdhjetë e shtatë) lekësh, përballohet nga buxheti i shtetit, llogaria “Fondi i shpronësimeve”, në Bankën e Shqipërisë.
5. Vlera e shpenzimeve procedurale, në masën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, përballohet nga Bashkia Mirditë.
6. Shpronësimi fillon menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit është brenda 3 (tre) muajve nga data e hyrjes në fuqi të tij.
7. Pronari i pasurive të paluajtshme, pronë private, të pasqyruar në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, kompensohet, për efekt shpronësimi, pasi të ketë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim pranë Agjencisë Shtetërore për Shpronësimin.
8. Agjencia Shtetërore për Shpronësimin kryen procedurat për likuidimin e pronarit të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.
9. Afati i fillimit dhe i përfundimit të punimeve është në përputhje me afatet e parashikuara nga Bashkia Mirditë.
10. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Zyra Vendore Mirditë, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, nis procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe regjistrimin e aktit të kalimit të pronësisë në favor të Bashkisë Mirditë për pasurinë e shpronësuar, sipas këtij vendimi.
11. Agjencia Shtetërore e Kadastrës pezullon të gjitha transaksionet me pasurinë e shpronësuar deri në momentin e realizimit të procesit të hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale dhe regjistrimit të aktit të kalimit të pronësisë në favor të Bashkisë Mirditë për pasurinë e shpronësuar, sipas këtij vendimi.
12. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Bashkia Mirditë, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Zyra Vendore Mirditë, dhe Agjencia Shtetërore për Shpronësimin për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “ZGJERIMI I VARREZAVE PUBLIKE TË NJËSISË ADMINISTRATIVE PERONDI, FSHATI TAPI, KUÇOVË”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Zgjerimi i varrezave publike të njësisë administrative Perondi, fshati Tapi, Kuçovë”.
2. Shpronësimi bëhet në favor të Bashkisë Kuçovë.
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse që paraqitet në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, për pasuritë e llojit “arë”, me një vlerë të përgjithshme prej 673 696 (gjashtëqind e shtatëdhjetë e tre mijë e gjashtëqind e nëntëdhjetë e gjashtë) lekësh.
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 673 696 (gjashtëqind e shtatëdhjetë e tre mijë e gjashtëqind e nëntëdhjetë e gjashtë) lekësh, përballohet nga Bashkia Kuçovë.
5. Vlera e shpenzimeve procedurale, në masën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, përballohet nga Bashkia Kuçovë.
6. Shpronësimi fillon menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit është brenda 3 (tre) muajve nga data e hyrjes në fuqi të tij.
7. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, të pasqyruar në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim pranë Bashkisë Kuçovë.
8. Bashkia Kuçovë kryen procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.
9. Afati i fillimit dhe i përfundimit të punimeve është në përputhje me afatet e parashikuara nga Bashkia Kuçovë.
10. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Kuçovë, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, nis procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe regjistrimin e aktit të kalimit të pronësisë për pasuritë e shpronësuara, sipas këtij vendimi, në favor të Bashkisë Kuçovë
11. Agjencia Shtetërore e Kadastrës pezullon të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin e realizimit të procesit të hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale dhe regjistrimit të aktit të kalimit të pronësisë për pasuritë e shpronësuara, sipas këtij vendimi, në favor të Bashkisë Kuçovë.
12. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Bashkia Kuçovë, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Kuçovë, Agjencia Shtetërore për Shpronësimin dhe Drejtoria e Administrimit dhe e Mbrojtjes së Tokës pranë Këshillit të Qarkut Berat për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARIT TË PASURISË SË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKET NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “ZGJERIMI TERRITORIAL I VARREZAVE TË FSHATIT XHAFZOTAJ”, BASHKIA SHIJAK
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarit të pasurisë së paluajtshme, pronë private, që preket nga realizimi i projektit “Zgjerimi territorial i varrezave të Fshatit Xhafzotaj”, Bashkia Shijak.
2. Shpronësimi bëhet në favor të Bashkisë Shijak.
3. Pronari i pasurisë së paluajtshme, pronë private, që shpronësohet, kompensohet në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse që paraqitet në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, për pasurinë e llojit “arë”, me një vlerë të përgjithshme prej 847 500 (tetëqind e dyzet e shtatë mijë e pesëqind) lekësh.
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 847 500 (tetëqind e dyzet e shtatë mijë e pesëqind) lekësh, përballohet nga Bashkia Shijak.
5. Vlera e shpenzimeve procedurale, në masën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, përballohet nga Bashkia Shijak.
6. Shpronësimi fillon menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit është brenda 3 (tre) muajve nga data e hyrjes në fuqi të tij.
7. Pronari i pasurisë së paluajtshme, pronë private, të pasqyruar në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, kompensohet, për efekt shpronësimi, pasi të ketë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim, pranë Bashkisë Shijak.
8. Bashkia Shijak kryen procedurat për likuidimin e pronarit të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.
9. Afati i fillimit dhe i përfundimit të punimeve është në përputhje me afatet e parashikuara nga Bashkia Shijak.
10. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Zyra Vendore Shijak, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, nis procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe regjistrimin e kalimit të pronësisë në favor të Bashkisë Shijak për pasurinë e shpronësuar, sipas këtij vendimi.
11. Agjencia Shtetërore e Kadastrës pezullon të gjitha transaksionet me pasurinë e shpronësuar deri në momentin e realizimit të procesit të hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale dhe regjistrimit të kalimit të pronësisë në favor të Bashkisë Shijak për pasurinë e shpronësuar, sipas këtij vendimi.
12. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Bashkia Shijak, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Zyra Vendore Shijak, Agjencia Shtetërore për Shpronësimin dhe Drejtoria e Administrimit dhe e Mbrojtjes së Tokës pranë Këshillit të Qarkut Durrës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M  I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.87, DATË 14.2.2018, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR  MIRATIMIN E PLANIT TË ZHVILLIMIT TË SEKTORIT TË GAZIT NATYROR NË SHQIPËRI DHE IDENTIFIKIMIN E PROJEKTEVE PRIORITARE”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikave 1, 2 e 4, të nenit 5, të ligjit nr.102/2015, “Për sektorin e gazit natyror”, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. Në dokumentin “Instrumenti lehtësues për projektet e infrastrukturës (IPF), asistenca teknike 4 (IPF 4) – WB11-ALB-ENE-01, Masterplani i Infrastrukturës së Gazit, raporti përfundimtar”, bashkëlidhur vendimit nr.87, datë 14.2.2018, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e planit të zhvillimit të sektorit të gazit natyror në Shqipëri dhe identifikimin e projekteve prioritare”, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:
1. Në pikën 3.2, me titull “Konteksti brenda sektorit të gazit dhe strategjitë përkatëse”, paragrafi i pestë ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Shoqëria TAP AG do të ndërtojë dhe do të operojë gazsjellësin TAP. Shqipëria, Greqia dhe Italia kanë nënshkruar një marrëveshje ndërqeveritare për TAP-in. Në bazë të vendimit të përbashkët të enteve rregullatore të energjisë të Italisë, Shqipërisë dhe Greqisë, më qershor 2013, TAP AG është e detyruar të ndërtojë të paktën një pikë daljeje me dy drejtime (bidireksionale) në Shqipëri (që gjendet në Fier), me një kapacitet prej 2-10 mmk/ditë (0,73-3,65 bmk/vit). Përveç Fierit, një pikë e dytë daljeje është në diskutim në zonën e Kuçovës.”.
2. Në pikën 5.6, nënndarja e parë ndryshohet, si më poshtë vijon:
                     “ Presioni maksimal i lejuar:
• 82 bar, për seksionet e IAP dhe deri në 100 bar për pjesën tjetër të sistemit të transmetimit në Shqipëri;
• Deri në 100 bar, për sistemin e transmetimit në Shqipëri kur IAP nuk ekziston.”.
3. Në pikën 9 bëhen shtesat e mëposhtme:
a) Në listën e prioriteteve në terma afatshkurtër shtohet nënndarja 2/1, me këtë përmbajtje:
                  “2/1. Zhvillimi i pikës së daljes dhe rrjetit të shpërndarjes Bashkia Korçë”.
b) Në listën e prioriteteve në terma afatmesëm shtohet nënndarja 4/1, me këtë përmbajtje:
                   “4/1. Zhvillimi i rrjetit të shpërndarjes së gazit të lëngshëm natyror”.
II. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe ministritë e institucionet përgjegjëse, të përmendura në planin e zhvillimit të sektorit të gazit natyror në Shqipëri, për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA 
*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.
Previous Balla: Marrëveshja për lëvizjen e lirë në Ballkanin Perëndimor është përmbushur, tashmë duhet konsoliduar