Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro mblodhi Komitetin e Menaxhimit të Sezonit Turistik për të renditur prioritetet për vitin 2024 si dhe për të diskutuar zgjidhje të disa problematikave të hasura gjatë këtij sezoni.
Një prej detyrave kryesore të këtij takimi ishte miratimi i stacioneve të plazhit për vitin që vjen, aplikimet për të cilat nisin në nëntor. Ministrja Kumbaro përveç zonave bregdetare dhe bregliqenore, përmendi edhe vijën bregujore të liqenit të Komanit dhe plazhin e lumit të Shalës që kërkojnë konceptime të reja të rregullave për sa i përket organizimit të plazheve.
“Kemi mbërritur më në fund në përpunimin e hartave të plazheve të miraturara nga bashkitë. Duam që me këtë vendim që do të marrim komitet t’i hapim rrugë hapit tjetër që vjen më pas: përgatitjes digjitale dhe hedhjen në sistemin e aplikimit online të stacioneve të plazhit që janë të destinuara për t’u menaxhuar nga subjektet private”, u shpreh ministrja Kumbaro, duke theksuar se ndarjen e parcelave e të plazheve e bëjnë bashkitë.
Gjatë fjalës së saj, minsitrja sqaroi se brenda javës së parë të nëntorit do të jetë e hapur platforma e aplikimit me të gjitha kategoritë.
Ndër të tjera, ministrja Kumbaro theksoi me rëndësi përforcimin e instrumenteve të komunikimit të administratorëve të plazheve me publikun.
“E kemi theksuar me rëndësi të veçantë që të shtohet paketa e shenjave shpjeguese në territor si një mjet kontrolli, edukimi, informacioni, por edhe si mjet parandalimi për çdo lloj problematike që nga ruajtja e mjedisit deri tek masat e sigurisë si shpjegimi i shenjave të ruajtjes së jetës që kanë të bëjnë jo vetëm me prezencën e vrojtuesit”, spjegoi ministrja e Turizmit.
Ministrja Kumbaro gjithashtu bëri me dije gjatë kësaj mbledhjeje se ligji i ri për turizmin ka kaluar për konsultim publik, si dhe po përgatitet strategjia e re për Turizmin në bashkëpunim me Kooperacionin Gjerman në Shqipëri, Giz. Gjithashtu ministrja njoftoi bashkëpunimin me Fondin Shqiptar të Zhvillimit për ndërtimin e një instrumenti statistikor për vjeljen e të dhënave në turizëm, SAT-Satellite Account of Tourism.
Së fundi, ministrja Kumbaro foli për pastërtinë në bregdet duke sqaruar se për shkak të flukseve të larta të vizitorëve, për vitin që vjen, qeveria ka vendosur që t’i bashkëngjisë edhe bashkitë e Shkodrës e Lezhës operacionit “Plazhe të pastra” nën menaxhimin e Agjencisë Kombëtare të Bregdetit.